Albspirit

Media/News/Publishing

Teodor Osoja: Përtej rrëfimit pozitiv dhe të dobishëm të Rigerta Lokut

 

Rigerta Loku quhet gruaja që shkaktoi aq debat në shoqërinë tonë, pas fjalimit të saj në Kuvend.

Si qytetar, u ndjeva mirë për ndjeshmërinë e përfaqësuesve të popullit në atë sallë, shumë prej të cilëve u prekën nga fjalët e saj të sinqerta.

Por… reagimet e mëtejshme të politikës dhe qarqeve pranë saj, media, forume, portale, me, apo pa emër shkruesi, ndonëse të pritshme, ishin tej pritshmërisë. Po përse vallë ky qëndrim ndaj kësaj ligjërate të drejtpërdrejtë?

Nëse bëri mirë, apo jo, që shprehu mendimin e saj, në mënyrën që ajo e gjykoi të arsyeshme, nuk i mbetet askujt të gjykojë, pasi këtë e ka gjykuar Sokrati i lashtë kur i tha dikujt që nëse ajo që ai do t’i rrëfente nuk ishte e vërtetë, për mirë (pra pozitive) dhe e dobishme, më mirë të mos ia rrëfente fare.

Rrëfimi i Gertës ishte i vërtetë dhe për këtë nuk kam vënë re njeri të ankohet. Rrëfimi i Gertës ishte pozitiv, sepse jepte mesazhe kuptimplote. Rrëfimi i Gertës ishte i dobishëm. Për këtë të fundit, po jap vetëm mendimin tim, sepse në këtë pikë ka patur mjaft debate.

Në një gjykim të thjeshtë duket se ai rrëfim nuk ishte për të gjithë i dobishëm. Apo e thënë ndryshe, jo të gjithë e kanë kuptuar dobinë e tij.

Ajo që unë, si qytetar i këtij vendi, gjykoj të dobishme, është në radhë të parë, kundërvënia me praktikën e qenëzimit politik, tashmë të pashmangshëm, në atë sallë. Ajo solli një qasje tjetër ndaj jetës sonë dhe ndaj problemeve. Ajo solli një qasje njerëzore larg kacafytjes së qenve. Sa të vegjël u dukën shumë prej përfaqësuesve të këtij populli, më qasjen e tyre vulgare dhe agresive, që shpesh na e kanë shfaqur në atë sallë, para fjalës së saj!

Ajo solli interes për jetën.

Ajo turpëroi shumë prej përfaqësuesve tanë të nderuar, me kumtin dhe emocionin e të vërtetës, që e shoqëroi fjalën e saj.

Ajo tregoi që qënëria nuk është tipar i popullit tonë, por atë e ushtrojnë si zanat vetëm disa përfaqësues të këtij populli.

Po pastaj? Çfarë ndodh pastaj? Asgjë nuk ndodh. A thua asgjë nuk do te ndodhë? Boja e turpit që Gerta u hodhi në kokë disa prej këtyre përfaqësuesve, duhet larë dhe filluan… Jo po ja kishin shkruar… Jo po kunati i vëllait është me x parti, a thua në Shqipërinë tonë të vogël, ka ndonjë të palidhur drejtpërdrejt, apo tërthorazi, fisërisht, me ndonjë parti të caktuar… Jo po ishte patetike, se nuk duhet të qante por t’u tregonte dhëmbët, a thua se ajo kishte marrë përsipër ndonjë rol udhëheqjeje protestash e revolucionesh…

Jam kureshtar të dëgjoj, pas fjalës së saj, të parën angullitje, lehje dhe skërmitje dhëmbëdalë të ndonjë përfaqësuesi populli në Kuvend. Dua të marr vesh a i ka bërë ndopak përshtypje, a i ka lënë ndonjë gjurmë në shpirt, çfarë ajo tha dhe mënyra se si e tha. Dua të kuptoj trashësinë e cipës së turpit. Kush do të jetë i pari, i bie do ta ketë cipën më të trashë, ose do të donte t’i tregonte këtë atij që e mbikqyr…

Çfarë ajo tha ishte e vërtetë. Mënyra si e tha ishte e mirë, duke sjellë pozitivitet në përpjekjen e saj për t’u ngjallur interes politikëbërësve. Lobim perfekt.

Se sa e dobishme do të rezultojë, ta shohim… Shenjat janë të mira. Fakti që po përpiqen të heqin sa më parë nga vetja bojën e turpit dhe shijen e hidhur që la fjala e saj, tregon që paska qenë edhe e dobishme.

Unë gjithmonë besoj që Njeriu që ndodhet brenda secilit prej nesh, vjen një ditë dhe del në sipërfaqe.

Please follow and like us: