Albspirit

Media/News/Publishing

Ida Nurçe: Molla e ndaluar e Dibrës

 

 

Mos ma harroni Dibrën! Mos e bëni tani që krijuat qeverinë e re! Shkoni edhe tani që po ia nisni punës, sepse dibranët e mi i ka marrë malli për ju! Në maj dhe në qershor ju hapën dyert e shtëpive, ju gostitën, ju mirëpritën dhe sigurisht që do e bëjnë sërish edhe nëse shkoni përsëri, sepse tashmë jeni miqtë e tyre. Ata janë njerëz aq të mirë. Janë njerëz të dashur, punëtorë, të sjellshëm dhe shumë të zgjuar. Ndaj shkoni sërish!

E di që nuk do bëni asgjë për ata njerëz atje dhe as për Dibrën time, sepse ka vite që nuk vihet dorë në atë zonë, por të paktën tregohuni njerëz të edukuar dhe vizitojini, hani ndonjë drekë a darkë! Njëlloj do ju presin, sepse ata janë dibranë.

Ahhh, tani është edhe vjeshtë, tregojuni para se të shkoni! Ka shumë mundësi të mos i gjeni në shtëpi, sepse jane duke mbledhur prodhimet e verës. Janë duke mbledhur frytet e punës së tyre të palodhshme. Po përgatisin tokat për stinën e pranverës. Po gatuajnë turshitë e dimrit. Po mbushin mutfaqet (magazinat) që të hanë shëndetshëm edhe në dimër. Sa bukur! Tamam si milingonat.

Uhhh se desh harrova, po mbledhin edhe ato mollët e famshme të Dibrës. Ahhh çfarë mollësh janë! Sa shumë lodhen duke u kujdesur për to! Nëse ju them që u dhurojnë shumë dashuri mollëve, nuk do më besoni! Kështu që më mirë shkoni t’i shikoni vetë! Jam e sigurtë, që nuk do ju përcjellin duar bosh. Ndoshta mbusheni edhe me një dozë dashuri. Por sa keq më vjen për pjesën tjetër të shqiptarëve që nuk kanë mundësinë të provojnë ato mollë! Sepse dibranët e mi nuk kanë aq mundësi sa t’i sjellin në kryeqytet dhe ka shumë shqiptarë që nuk kanë dëgjuar për mollët e Dibrës. Ndaj shkoni në Dibër, merrni mollë dhe tregojuni edhe të tjerëve që ajo zonë bën mollët më të mira në vend! Të mos dynden të blejnë mbeturinat që na vijnë nga jashtë, por të kërkojnë këto që kemi brenda Shqipërisë tonë të bukur. Ju duket sikur po kërkoj shumë?!

Ok, shkoni ju pra, të paktën të kënaqeni ju! Ahaa është rrugë e gjatë?!!! Epo… rruga e Arbrit nuk ka gojë të flasë!

Please follow and like us: