Albspirit

Media/News/Publishing

Ylli Manjani: Ministrat që sillen si policë janë të rrezikshëm!

 

Terezia e prishur.

Fatmir Xhafaj nuk ka qenë e as është preferenca ime politike. Ndoshta për shkak të të shkuarës së tij, veçanërisht në Komitetin Qëndror të Rinisë. Asokohe Ai shërbeu me grupin e inspektorëve që luftonin shfaqet e huaja.

Por duhet të pranoj se administrativisht dhe ligjërisht është ministër korrekt. Ka një pozicionim të qartë dhe të saktë të tijin si ministër në raport me Policinë e Shtetit.

Ministri i Brendshëm nuk është polic! Ai është institucion kushtetues dhe drejtues politik që vë në punë dhe kontrollon policinë.

Lexova Blendi Fevziun, i cili ndër të tjera e pëfytyronte ministrin si zyrtar që “duhej të instalohej në Elbasan”…

Nuk është as e drejtë, as ligjore e madje as politikisht e shëndetshme ti një ministri të bëjë punën e Policisë!

Ministrat që sillen si policë janë të rrezikshëm! Pa asnjë dyshim! Ata i shërbejnë politikës dhe jo publikut.

Policia e sotme nuk është në lartësinë e ligjit, pikërisht për shkak të drejtimit politik të saj.

Nuk është se ministrat zyrtarë ( si Xhafaj) nuk i shërbejnë politikës, por ama jo duke bërë punë e policit!

Policia, qoftë dhe për imazh, ka nevojë të referohet më shumë tek ligji sesa tek urdhëri politik i ministrit. Lufta kundër krimin është e përminutshme dhe jo kur ka hall apo i vjen muza Ministrit apo Kryeministrit!

Këtë mesazh, të themi të drejtën, Xhafaj e ka dhënë. Dhe për këtë nuk mendoj se duhet goditur, por duhet mbikqyrur mirë madje deri sa tē instalohet mirë kjo kulturë pune!

E përsëris: kur ministri bëhet polic, krimi merr zemër! Sepse ministri do vota jo rend publik! Polici do rrogën dhe nderin dhe natyrshëm vihet pëballë krimit. E vetmja mënyrë që polici dhe krimi të bëhen bashkë është paraja dhe politika. Prandaj ministri polic është i rrezikshëm!

Ka edhe një zhvillim interesant që sado që fshihet para publikut, përsëri ai është aty.

Tensioni që në fillim të qeverisjes që ka lindur ndërmjet Xhafës dhe Ramës. Është tension që lind nga përpalsja e dy mentaliteteve: Rama që kërkon ministrin-polic, pra përdorimin e policisë për çdo gjë sipas urdhërit të tij; dhe Xhafaj që kërkon pozicionim ligjor të rolit tē ministrit vetëm në kontroll e mbikqyrje të policisë, ashtu siç përcaktojnë ligjet në fakt.

Qoftë dhe vetëm për kaq, ja vlen qënia e Xhafës aty. Pavarësisht të shkuarës së tij, ja vlen të mbeshtetet pozicionimi ligjor që i bën rolit të Ministrit. Pozicion me të cilin jam 100% dakort!

Ramës i prishet disi terezia nga këto gjëra, por edhe për kaq ja vlen…

Sidoqoftë ka ende shumë kohë që do të duhet të kalojë për të parë se si do përfundojë kjo përplasje mentalitetesh.

Shpresoj të fitojë ligji!

Please follow and like us: