Vitet ’90, liria që nuk e kuptuam dot plotësisht
Irina Prokhorova
Perestrojka e Mikhail Gorbachev dhe reformat e Boris Yeltsin duken po aq të largëta sa edhe Revolucioni i 1917-ës.
Dekada e viteve ’90 është mitologjizuar, qëllimisht stigmatizuar nga regjimimi Putinit dhe përfaqësuar në mënyrë sipërfaqësore në mediat ndërkombëtare. Dekada e parë postsovjetike ka reputacionin e përcaktuar si “90-a e egër”, sunduar nga mafia dhe oligarkët, kohë kaosi dhe shkatërrimi në të gjitha sferat e shoqërisë.
Fundi i projektit imperial sovjetik e bëri në fakt jetën shumë të vështirë kur njerëzit u lanë në mëshirën e një të ardhmeje të panjohur në të cilën ata duhet të gjenin strategjintë reja për të mbijetuar. Pati shpërthime dhune, paraliza të përkohshme të të gjitha degëve të industrisë dhe në krizë në sistemin e vlerave. Shumëçka është shkruar tashmë për këtë.
Por pavarësisht kolapsit ekonomik dhe destabilitetit politik, kjo ishte periudha më e lumtur e jetës sime. Për shumë nga brezi im, vitet ‘op mbeten një territor lirie, liri veprimi, zgjedhjeje, bindjeje dhe shprehjeje. Kjo ishte një dekadë e paprecedentë në historinë e Rusisë, kur njerëzit socialë dhe krijues mund të realizonin aspiratat e tyre.
Në vitin 2007 realizova një projekt kërkimor për revistën “Vëzhguesi i Letërsisë Ruse” mbi vitin e fundit të Bashkimit Sovjetik: 1990. Doja t’i përgjigjesha pyetjes: A ishte shpërbërja e BS-së e pashmangshme dhe a u provokua ajo nga “një konspiracion nga Lart” apo nga “një revolucion nga poshtë”? Pas një analize të hollësishme të proceseve transformuese në sfera të ndryshme të shoqërisë, është e qartë se ndryshimet e çliruara nga Perestrojka morën jetë nga brenda shoqërisë dhe ishin të pakthyeshme.
Në vitin 1990, famëkeqi neni 6 i Kushtetutës që i jepte Partisë Komuniste monopolin e pushtetit u abrogua nën presionin publik.
Shteti pluralist u zhvillua me hapa gjigandë njësoj si epidemiame konflikteve etnike dhe parada e republikave sovrane.
Ishte viti i fillimeve. I medias së parë të pavarur, shtëpive botuese, galerive private të artit, i mallrave dhe bursës. Blloku i Varshavës u shpërbë dhe Gjermania u ribashkua. Qytetarët sovjetikë mund të udhëtonin lirisht jashtë. Ekonomia ra tërësisht në kolaps duke shkaktuar deficitebtë rënda. Pas dështimit të grushtit të shtetit revanshist të vitit 1991, proceset modernizuese nisën të përshpejtohen sikur e gjithë energjia krijuese e mbledhur të shpërthente përmes lirisë. Një qeveri e re demokratike u krijua. Kritikët mund të kundërshtojnë dhe të thonë se rendi i ri social ishte i dobët dhe jetëshkurtër, por unë nuk do të isha dakord.
Gjatë 17 viteteve të fundit forcat e reaksionit kanë gjunjëzuar me këmbëngulje dhe agresivitet institucionet demokratike, duke shkelur mbi Kushtetutën, ndrydhur lirinë e shprehjes, persekutuar arsimin dhe kulturën e pavarur. Dhe sërish ata nuk ja kanë dalë dot deri në fund.
Pse nuk mundëm të ruanim dhe mbronim këto arritje? Ndoshta ne nuk e kuptonim plotësisht esencën e lirisë sonë të sapofituar, e cila është me një vlerë të madhe në vetvete dhe se ajo nuk është një monedhë për t’u shpenzuar kur negociohet me autoritetet për stabilitetin dhe përparimin.
Mësimi më i mirë për të ardhmen mund të merret nga historia. Në fillim të shekullit të 18-të, Duka i Savojës donte të përfshinte Gjenevën dhe pjesë të tjera të Zvicrës franceze nën sundimin e tij, duke premtuar standarde më të mira jetese nën mbrojtjen e tij.
Përgjigja e zviceranëve krenarë ishte: Ne preferojmë të jetojmë në varfëri nën çatinë e lirisë sesa të vëmë dhjamë nën sklavëri.