Albspirit

Media/News/Publishing

Lidhjet dinastike serbo-shqiptare në Mesjetë

Dinastitë serbe dhe familjet fisnike shqiptare

Familjet e njohura sunduese dhe fisnike serbe dhe shqiptare, gjatë Mesjetës kanë vendosur lidhje të ndryshme familjare. Në pajtim me zakonet mesjetare, mënyra më efikase për të siguruar raporte të ngushta prej aleatëve ka qenë lidhja e martesave politike, shkruan Dushko Lopandiq për Kohën Ditore.

Kjo ishte mënyra që të garantohet paqja dhe të mbahet siguria e shtetit, si dhe një bashkëpunim i mirë mes fqinjëve dhe mes sovranit e vasalëve të tij. Lidhjet mes familjeve sunduese dhe fisnike serbe dhe shqiptare krijoheshin qysh në kohën e sundimtarëve të parë serbë nga shtëpia e Nemanjiqëve, ndërsa u bënë shumë intensive dhe të afërta në kohën e pushtimit nga turqit, kur të dy popujt u gjetën në rrugën e një fuqie shumë më të madhe dhe të një kërcënimi më të madh. Familjet e njohura shqiptare nga Mesjeta ishin: Topijajt, Muzakajt, Arianitët, Dukagjinët, Kastriotët.

Një princeshë nga shtëpia e Nemanjiqëve ka qenë e martuar në shekullin XIII me një udhëheqës fisnik shqiptar. Bëhet fjalë për Komnenën, të bijën e Stefanit të Kurorëzuarit të Parë që njëherësh ishte dhe motra e mbretit Radoslav, nëna e të cilëve ishte princesha bizantine Eudokia, e bija e perandorit Aleksit II Engjullit. Princesha Konina në martesën e parë ishte gruaja e fisnikut shqiptar Dhimitrit, të birit të Proganit (ka vdekur rreth vitit 1215). Në një kartë të dubrovnikasve, Dhimitri përmend titullin e tij bizantin “panipersevast”, të cilin me gjasë e ka fituar si dhëndër i sundimtarit serb. Ai quhet edhe “arhont i arbanasve“ dhe është i pari fisnik që ka tentuar (pa sukses) të pavarësojë tokat shqiptare në rajonin e Krujës. Në martesën e dytë, Komnina u martua rreth vitit 1217 me “sevastin” Gregor Kopmonin, po ashtu shqiptar, zot i Krujës dhe Elbasanit, me të cilin ajo kishte një vajzë. Supozohet se nga martesa e kësaj vajze së cilës nuk i dihet emri (mbesa e Stefanit të Kurorëzuarit të Parë) me princin shqiptar Golemin rrjedh edhe familja e Arianit Komnenit.

Dy personalitetet më të rëndësishme me prejardhje shqiptare që lidhin dinastitë serbe dhe shqiptare, si dhe historinë e këtyre dy popujve fqinjë, janë, pa dyshim, despotja serbe Angjelina, si dhe heroi shqiptar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu.

Shqiptarja – shenjtore serbe

Angjelina ka qenë vajza e fisnikut shqiptar Gjergj Arianit Komnenit, i cili, ndoshta, siç e thamë, rridhte nga familja që mes pararendësve kishte edhe mbretin Stefan Nemanjiqin, të Kurorëzuarin e Parë. Gjergj Arianiti ka qenë udhëheqës i luftës kundër turqve. Ka udhëhequr shqiptarët mes Vlorës dhe Shkodrës, dhe ka fituar në tri beteja në periudhën 1433-1436. Rreth vitit 1456 Venediku e shpalli “Dukë i Madh” dhe ai sundoi mes Durrësit dhe Shkodrës. Kishte të birin Konstandinin, i cili më vonë u bë edhe regjent i Kontesë Monferato, në Itali. Prej tri bijave të njohura, dy (Angjelina dhe Gojisllava) i martoi për princ serbë (despotin Stefan Brankoviqin dhe Ivan Crnojeviqin, të zotin e Zetës).

Angjelina u martua më 1460 për despotin e dëbuar dhe të verbër serb Stefan Brankoviqin (rreth 1425-1476). Të dy bashkëshortët, pra, në vija të ndryshme, ishin pasardhës të sundimtarit të madh Stefan Nemanjës. Despot Stefani i verbër ishte i biri i Gjuragj Brankoviqit. Turqit i kishin verbuar Stefanin dhe vëllanë e tij Gergurin qysh kur ishin të rinj, si dënim për të atin e tyre. Nga fundi i despotatit serb, Stefani shkurt u shpall për despot (1458), por pas vetëm disa muajsh iu desh të ikë në Smederevë (1459). Dubrovnikasi Mavro Orbin, në librin e tij “Mbretëria e sllavëve”, shkroi se “Stefani iku në Shqipëri, ku i bindur nga të vetët, për grua e mori Angjelinën, apo siç e quajnë të tjerët, Teodorën, një grua e virtytshme, të bijën e vjehrrit të Skënderbeut, Arianitit, që shtëpia të mos mbetet pa pasardhës”. Mbase në realizimin e kësaj martese një rol domethënës kishte Gjergj Kastrioti, i cili Angjelinën e kishte kunatë.

Angjelina vërtet u tregua si grua e virtytshme dhe besnike, e cila me burrin dhe fëmijët e saj ndante të gjitha të këqijat e shtëpisë së dëbuar të Brankonviqëve, dhe popullit të shkapërderdhur serb. Nga fillimi i vitit 1461 çifti bashkëshortor e braktis Shqipërinë dhe shkon në Venedik, ku Stefani e kishte titullin e patricit. Prej kontit të Goricës blenë një pronë në Furlani, me kështjellën që e quajtën Beograd. Këtu Stefani edhe vdiq më 1471, ndërsa despotja Angjelina mbeti si një vejushë e varfër me tre fëmijë: Gjorgjin, Jovanin dhe Marën (Marijën). Para se të vdiste, Stefani u shkroi dubrovnikasve, duke i lutur që të ndihmojnë gruan dhe fëmijët e tij: “U rekomandoj të imen Angjelinë, dhe fëmijët e mi Gjurën dhe Marën dhe Jovanin, dhe para Zotit e para Bashkësisë, e para gjithë botës: Ç‘të bëni me ta, bëftë Zoti me ju…” Diku rreth vitit 1485, Stefani u shpall shenjtor.

E bija e Stefanit dhe Angjelinës, Mara (apo Marija), me ndërmjetësimin e perandorit gjerman, u martua në vitin 1493 për Bonifacin V, markontin e Monferatit dhe pasardhësin e drejtpërdrejtë të familjes bizantine Paleologu (sipas vijës anësore, më të re, që sundonte në Itali), me të cilin kishte dy djem. Pinjollë nga kjo martesë në vijën femërore janë edhe pjesëtarët e disa prej dinastive më të njohura sundimtare të Evropës (p.sh. perandorët austriakë Habsburg-Loren, e të tjerë).

Angjelina me familje është shpërngulur prej maleve shqiptare, përmes Italisë deri në Frushka Gorë, në Srem. Tri herë ka bartur eshtrat e burrit (Shën Stefanit) dhe dy herë të të birit – dhe atë, në varfëri të madhe. Në Srem ka ndërtuar manastirin Sretenje, ku edhe u bë murgeshë dhe vdiq më 1520. Shpejt pas vdekjes së saj u shpall për shenjtore. Përmes shërbimit të Angjelinës u shfaqën edhe virtytet e saja të krishtere: pastërtia e jetës vigane, bamirësia, durimi dhe mençuria, lojaliteti i gruas, sakrifica e nënës. Dita e Shën Angjelinës është 30 korriku. Krahas Stefanit dhe Angjelinës, Kisha Ortodokse i ka shpallur për shenjtorë edhe bijtë e tyre, despotin Jovan (ka vdekur më 1502) dhe vladikën Maksim (despot Gjorgje, ka vdekur më 1516). Kur turqit, më 1716, e dogjën manastirin në Krushedoll, nga eshtrat e Angjelinës mbeti vetëm dora e majtë. Eshtrat e saj, pra dora, edhe sot gjenden në manastirin e rinovuar në Krushedoll, në Srem.

Skënderbeu – hero ballkanik

Dhëndri i Angjelinës, burri i motrës së saj Andronikës, ishte fisniku i madh shqiptar dhe heroi ballkanik Gjergj Kastrioti – Skënderbeu. Atdheu i Gjergj Kastriotit Skënderbeut është Epiri.

Familja e Skënderbeut ka qenë në marrëdhënie shumë të ngushta me fisnikët serbë-sllavë. E ëma e Gjergjit, Voisava (Vojislava Tripalda) ishte e bija e një fisnikut serb nga Pollogu i poshtëm në Maqedoni. Stërgjyshi i Skënderbeut kishte emër sllav, Brailo (apo Branilo). Brailo ka qenë kefal në Janinë (Epir) në kohën e sundimit të Nemanjiqëve të fundit. I biri i Brailos, Pali, ka mbajtur rajonin e Dibrës, ndërsa i biri i Palit, Gjon Kastrioti, zgjeroi pronat në Epir.

Duhet pasur parasysh edhe faktin se, tek popujt ballkanas, pra edhe te serbët, ka pasur një shumëllojshmëri të madhe në traditën e dhënies së emrave personalë. Kështu ndodhte që i ati të ketë emër serb, ndërsa i biri një të huaj. Pastaj, ka pasur raste kur babai ka emër serb, i biri të huaj dhe nipi të huaj. Por, askund në burimet mesjetare nuk shfaqet kjo simbiozë e qartë e shqiptarëve ortodoksë dhe sllavëve, në dhënien e emrave personalë, sikur që është rasti në familjen e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut.

I ati i Skënderbeut, Gjoni (serbisht Ivan) Kastrioti (1407-1437) me djemtë e tij Stanishin, Reposhin, Kostadinin dhe Gjergjin, bëri një dhuratë të madhe për manastirin Hilendar në Malin e Shenjtë (Mali Atos) duke ua dhuruar fshatrat Radostushë dhe Trebishtë, afër Dibrës, gjë që është shënuar në një kartë e cila edhe sot ruhet në manastir. Në vitin 1430, Gjon Kastrioti me tre djemtë e tij arriti një marrëveshje me manastirin Hilendar, sipas së cilës u është dhënë një pirg (kullë), e cila edhe sot e ka emrin “Pirgu arbanas”. Karta për dhuratën nis me këtë fjali: “Me bamirësinë e patregueshme të sundimtarit tim Krishtit, unë, mëkatar dhe i padenjë, që nuk guxoj të quhem rob i Krishtit Zotit tim, Gjon Kastrioti, me djemtë e mi Stanishin dhe Reposhin, Kostandinin dhe Gjergjin, u përpoqa që, sipas Zotit tim të gjithmbajtës dhe me ndihmën e Zojës Lavri të Hilendarit…” I biri i Gjonit, Reposhi, vdiq më 1431 në manastirin Hilendar, ku edhe sot mund t’i shihet varri. Supozohet se edhe vet Gjon Kastrioti është varrosur në Hilendar.

I biri më i ri i Gjonit, Gjergj Kastrioti, si i ri ishte marrë rob nga turqit, ku edhe e mori fenë islame dhe emrin Skënder (d.m.th. Aleksandër). Pas kthimit në Shqipëri, rreth vitit 1444, Skënderbeu – Gjergji heq dorë nga islami dhe vihet në krye të rezistencës përballë osmanlinjve që vinin. Ai liroi pothuaj gjithë hapësirën e Shqipërisë së Mesme. Në kështjellën e padepërtueshme të Krujës, Skënderbeu për dy dekada do t’i bëjë rezistencë heroike turqve. Edhe pse kishte forca të pakta (12.000 luftëtarë), Gjergj Kastrioti me sukses luftoi kundër ushtrisë dhjetëfish më të madhe turke. Vdiq i pamposhtur, më 1468 në Lezhë, ndërsa emri i tij edhe sa ishte gjallë u bë legjendë, për të cilën rrëfehej në gjithë vendet ballkanike, po edhe në selinë e Papës dhe në gjithë Evropën. Në fillim të “Kurorës së maleve”, Petar Petroviq Njegoshi këndon: “Skënderbeu ka zemër Obiliqi…” Shkrimtari i njohur serb Jovan Sterja Popoviq ka shkruar dramën “Skënderbeu”.

I biri i Skënderbeut, Gjoni (apo Jani, Ivani, Gjovani) Kastrioti, pas rënies së tokave shqiptare nën turqit, iku në kështjellën e mbretit të Napolit, ku, falë meritave të të atit, fitoi edhe titullin e dukës së “San Pietro di Galantina”. Gjoni ishte martuar me të bijën e despotit serb Lazar Brankoviqit (1421-1458) – Irinën. Marrë parasysh që e ëma e Irinës ishte Jelena Paleologu, e bija e despotit të Moresë Tomës, vëllait të perandorit të fundit bizantin (Konstantinit XI) – pasardhësit italianë nga kjo martesë shqiptaro-serbe janë njëkohësisht edhe pasardhës të dinastisë së fundit perandorake të krishterë nga Konstantinopoja. Pasardhësit e tyre në aristokracinë italiane mund të përcillen deri në ditët e sotme. Në fakt, nga martesa e Gjon Kastriotit me Irina Brankoviqin u lind djali me emrin Ferante, që ka bartur mbiemrin “Kastriota Skenderbeg”. Ferante nuk ka pasur djem “në martesë ligjore”, por prapa vetes la të bijën Irina (Marija), e cila u martua me Pietro Antonion, princin e Bisignanit, nga familja Sanseverino. Pasardhësit nga kjo martesë janë në familje fisnike italiane dhe gjermane: Bisignano-Sanseverino, di Capua, Pignatelli, d’Arenberg, Windisch-Graetz, Ursel dhe de Lin, etj. I përmenduri Ferante Kastrioti ka lënë pas edhe fëmijë jashtëmartesorë, pasardhësit e të cilëve kanë mbijetuar deri më sot (kjo është familja “prej Kastriot-Skenderbegut”)

Lidhje të shumta

Përveç të përmendurve, janë të njohura edhe shumë lidhje të tjera mes familjeve fisnike serbe dhe shqiptare. Familja Kastrioti edhe në vija të tjera ka qenë e lidhur me dinastitë serbe. Kështu, motra e Skënderbeut, Marija, ka qenë e martuar për sundimtarin e Zetës (d.m.th. të Malit të Zi) – Stefanit Crnojeviqin (ka vdekur më 1465). Nga kjo martesë rrjedh i njohuri Ivan Crnojeviqi (në popull i njohur si Ivan-Begu, që sundoi në vitet 1464-1490), i cili selinë e Zetës, si dhe mitropolinë, e kaloi në Cetinë dhe e ndërtoi manastirin e njohur të Cetinës. Siç u përmend, ky Ivan në martesën e parë kishte për grua Gojisllavën, të bijën e Gjergj Arianit Komnenit, motrën e shenjtores Angjelina Brakoviqit, si dhe të Andronikës, gruas së Skënderbeut.

Ekzistojnë edhe lidhje të shumta mes familjes sundimtare serbe Brankoviq dhe familjes fisnike shqiptare Topia: motra e Vuk Brankoviqit, pjesëmarrësit të Betejës së Kosovës dhe sundimtarit të rajonit të Kosovës, e cila quhej Teodora (apo Vojislava) ishte e martuar për sundimtarin e Durrësit, Gjergj Topinë (1388-1392). E ëma e këtij Gjergji, ishte Vojisava Balshiq, e martuar rreth viti 1370 për sundimtarin e Durrësit, “princin e Arbërisë”, Karl Topinë (1359-1388). Karl Topia më 1381 e rinovoi kishën e Shën Gjonit (serbisht “Shën Jovanit”) te Elbasani në Shqipërinë e Mesme, të themeluar për nder të Shën Gjonit të Vladimirit, sundimtarit serb (duklan) dhe shenjtor. Njëra vajzë e Karl Topisë u quajt Voisava (sipas së ëmës). Tjetra, Elena, ishte martuar me Konstantin Balshajn, të zotin e Krujës dhe vasalin turk, i cili rridhte nga familja e sundimtarëve të Zetës, Balshiqëve, dhe të cilin në vitin 1402 e ekzekutuan venedikasit në Durrës.

Në fund, Mara, e bija e Niketë Topisë (sipas të gjitha gjasave i biri i Karl Topisë), u martua më 1407 për Balshën (III) Balshiqin, sundimtarin e Zetës nga viti 1403 deri më 1421. E ëma e Balshës ishte e njohura Elena Hrebljanoviq, bija e princit Lazar. Balsha nuk ka pasur fëmijë, andaj para vdekjes të gjitha të drejtat e trashëgimisë në tokat e Zetës ia la dajës së tij – despotit serb Stefan Lazareviqit.

Fakti që dy familje udhëheqëse serbe dhe shqiptare – despotit Brankoviq dhe Kastriotit – ishin të lidhur ngushtë me lidhje martesore, tërthorazi tregon edhe për intensitetin e lidhjeve të përgjithshme mes dy popujve nga fundi i Mesjetës.

(Dushko Lopandiq është diplomat profesional dhe ekspert për studime evropiane. Me dekada merret me gjenealogji dhe shkruan libra nga fusha e historisë së popullarizuar. Ky shkrim është shkruar në kuadër të projektit “Tejkalimi i Armiqësisë: ndërrimi i perceptimeve serbo-shqiptare”, i realizuar nga Qendra “Multimedia” nga Prishtina në bashkëpunim me Institutin për filozofi dhe teori shoqërore nga Beogradi, me përkrahjen e Ambasadës së Zvicrës në Kosovë dhe nga Iniciativa PERFORM për përkrahje të shkencave shoqërore në Ballkanin Perëndimor).

 

Please follow and like us: