CIA: Ja çfarë ndodhi menjëherë pas vdekjes së Enver Hoxhës, vendet me të cilat nisi bashkëpunimin Shqipëria dhe vizita e ministrit grek në Tiranë
CIA i ka kushtuar një raport vdekjes së Enver Hoxhës. Përmes një dokumenti të deklasifikuar për vitin 1985, tregohet se si Shqipëria nisi një frymë bashkëpunimi me vendet fqinje dhe superfuqitë botërore. Aty tregohet se si Bashkimi Sovjetik uli retorikën kundër vendit tonë dhe Gorbaçov Shprehu ngushëllime për Hoxhën.
Viti 1985: Kontaktet me jashtë dhe pasuesit e Hoxhës
Kur kreu i Partisë Komuniste Shqiptare Enver Hoxha u prish me republikën popullore të Kinës në 1978, të gjithë ekspertët ishin dakord se Shqipëria ose do të gjente një tjetër sponsor komunist ose do të niste të hapej me vende të caktuara. Por Hoxha nuk i është përgjigjur sinjaleve të afrimit nga BRSS, me të cilët është prishur në mënyrë dramatike 17 vjet më parë dhe nisi një proces të ngadaltë hapjeje të lidhjeve tregtare me disa vende të Evropës lindore dhe perëndimore, si dhe me Libinë, Iranin e Algjerinë. Megjithëse politika e Shqipërisë me shumë gjasë do të vazhdojë të mbetet e njëjtë edhe pas vdekjes së Hoxhës, ne nuk e përjashtojmë mundësinë e riafrimit me Moskën dhe shtimin e influencës së saj atje, sidomos në rastin kur udhëheqja e re ndahet në fraksione të nuk afrohen me njëra-tjetrën. Vitet e fundit Tirana ka këmbyer delegacione diplomatike me disa vende të Evropës Perëndimore, si Greqia e Italia, si dhe ka intensifikuar dialogun me Turqinë dhe Gjermaninë Perëndimore. Lidhjet me Greqinë vazhdojnë të përmirësohen, megjithëse tensionet mbi minoritetin grek dhe statusin teknik të luftës që ende vazhdon mes vendeve. Në fillim të dhjetorit të shkuar, ministri i Jashtëm grek Papulias erdhi në Shqipëri për nënshkrimin e marrëveshjes së shkëmbimeve kulturore, tregtare dhe të transportit. Ndërsa në tetor një zyrtar i lartë i ministrisë shqiptare të Tregtisë drejtoi një delegacion në Greqi. Dy vendet kohët e fundit kanë hapur dy pika kufitare dhe kanë rënë dakord për një linjë tragetesh mes Shqipërisë dhe ishullit të Korfuzit. Po ashtu dhjetorin e shkuar një delegacion tregtar vizitoi Romën, pas një takimi mes ministrave të Jashtëm në Kombet e Bashkuara. Siç raportohet, kompanitë italiane po negociojnë për sjelljen e disa pajisjeve industriale në Shqipëri. Ndërsa në verë, kryeministri i Bavarisë, Franz Josef Strauss erdhi në Shqipëri në atë që u përshkrua si vizitë turistike. Më vonë zyrtarë të dy vendeve u takuan përsëri në Vjenë për të diskutuar vendosjen e marrëdhënieve. Gjermania perëndimore ka ofruar bashkëpunim teknik dhe ekonomik me Shqipërinë, por para se Tirana të heqë dorë nga pretendimet për dëmshpërblime të Luftës së Dytë Botërore. Në shkurt ministri turk i shtetit Mustafa Tinaz Titiz erdhi në Tiranë për të nënshkruar një protokoll tregtar, duke rivitalizuar marrëdhëniet mes vendeve. Tirana ka nisur gjithashtu njëfarë dialogu me SHBA, Britaninë dhe Francën, kjo e fundit si ndërmjetësuese, për çështjen e kthimit të floririt të sekuestruar nga Nazistët në Shqipëri. Vetëm kohët e fundit regjimi shqiptar ka hequr dorë nga pretendimet për kthimin e arit para nisjes së diskutimeve për dëmshpërblimin e dëmeve të regjimit komunist ndaj pronës së Perëndimit, që konsiston kryesisht në dy anijet britanike të mbytura në fund të luftës nga minat detare në kanalin e Korfuzit.
Ideologjitë
Përveç problemeve me importet nga Perëndimi, Tirana kufizohet dhe nga ideologjia e saj e refuzimit të kredive nga jashtë, që do të mundësonte pagesat sipas dërgesave ose me këste. Kjo prej bindjes së Tiranës se kompanitë perëndimore nuk mund të veprojnë jashtë influencës së qeverive të tyre. Por gjithsesi Shqipëria ka pak mallra që mund të shiten në tregun perëndimor. Një rritje modeste është shënuar në tregtinë mes dy palëve në vitet 1981-1983. Importet në teknologji nuk kanë arritur të ringjallin rritjen ekonomike në Shqipëri dhe qeveria vendore duket e shqetësuar për këtë. Në fund të dhjetorit partia u ankua në shtyp se industria nuk po merrte teknologjinë e përshtatshme dhe kritikoi zyrtarët përgjegjës për punën e tyre. Sipas shifrave zyrtare, prodhimi industrial është rritur vetëm me 3.3 për qind në 1984, nga parashikimi prej 8.5 për qind. Plani i vitit 1985 parashikonte një rritje më të ulët, gjë që reflekton problemet me përshtatjen dhe zëvendësimin e teknologjive. Bashkimi Sovjetik dhe aleatët e tij janë përpjekur vazhdimisht të joshin Shqipërinë në një riafrim dhe tani me vdekjen e Hoxhës hapjet e tyre mund të intensifikohen. Në deklaratat e tyre publike BRSS përpiqet të bëjë lajka ndaj Shqipërisë, siç ishte fjala e sekretarit të përgjithshëm Gorbaçov në verë dhe mesazhet e ngushëllimit të partisë sovjetike dhe disa satelitëve të tjera për vdekjen e Hoxhës.
Gjatë dy viteve të fundit në krye të ofensivës së joshjes kanë qenë Bullgaria dhe Gjermania Lindore, ndaj të cilave Tirana duket se po lejon një farë hapjeje të kujdesshme. Në prill 1984 Tirana dhe Bullgaria nënshkruan një traktat të rritjes së tregtisë dypalëshe, pas rënies me rreth 19 për qind gjatë viteve 1982-1983.
Tirana refuzoi publikisht mesazhet e ngushëllimit të BRSS për vdekjen e Hoxhës dhe gjithashtu nuk i ka njohur publikisht mesazhet nga vende të tjera të Evropës Lindore, kështu që politikat e saj nuk pritet të kenë ndryshime drastike në regjimin post-Hoxha. Lideri i ri Alia me shumë gjasa do të nisë punën për konsolidimin e pushtetit të tij, çka mund të sjellë një luftë pushteti të bazuar në ndryshimet ideologjike, interesat personale dhe luftat mes klaneve. Nga informacionet e pakta që kemi duket se diferencat në politikën e jashtme do të reflektohen mes atyre që kërkojnë hapjen dhe lidhjet me vendet e huaja për të kaluar vështirësitë ekonomike, dhe atyre që favorizojnë izolimin e mëtejshëm në mbrojtje të politikave tradicionale radikale. Të paktën për momentin, ndryshimet e ideologjive nuk kanë dhënë shenja të dukshme, por liderët shqiptarë kanë preferuar pavarësinë nga fuqi të mëdha për të siguruar pushtetin e tyre personal. Ndoshta ata kuptojnë se hapjet ndaj Moskës do të nxisin ndërhyrje të mundshme nga Beogradi, prandaj teknokratët e rinj në pushtet favorizojnë njëfarë tendence të Alias për orientim nga Perëndimi. Gjithsesi ne nuk përjashtojmë mundësinë që Moska të rifitojë influencën e saj në Shqipëri, sidomos në rastin kur lufta mes fraksioneve të pushtetit ashpërsohet, dhe radikalët të kthehen nga sovjetikët për ndihmë.
5 maj 1961/ Raport radio propaganda: Rritja e tensionimit mes Moskës dhe Shqipërisë
Që prej kongresit të shkurtit të partisë së punës të Shqipërisë po akumulohen shenjat e përkeqësimit të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe vendeve satelite sovietike. Në kongres Shqipëria u shpreh sfiduese ndaj tutelës sovjetike. Në prill, radio komuniste me bazë në Pragë “Oggi in Italia” publikoi artikullin e një gazete komuniste italiane, ku flitej për kritika direkte ndaj Shqipërisë nga një zëdhënës i lartë komunist. Gjatë dy muajve të fundit marrëdhëniet shqiptaro-polake po karakterizohen nga një antagonizëm gjithnjë e më i hapur. Ndërsa marrëdhëniet e Shqipërisë me BRSS kanë mbetur në dukje korrekte, por janë përkeqësuar nga përpjekjet e Rusisë për t’u afruar me armikun e hershëm të Shqipërisë, Jugosllavinë, si dhe nga propaganda favorizuese e sovjetikëve për një konferencë në Berlin, ku Shqipëria ishte e përjashtuar. Këto zhvillime po ndodhin në një sfond propagande dhe aktivitetesh që tregojnë për një marrëdhënie të ngushtë mes Tiranës dhe Pekinit.
Forcimi i lidhjeve komuniste mes Shqipërisë dhe Kinës
Marrëdhëniet e Shqipërisë me Kinën po bëhen gjithnjë e më të sjellshme që prej kongresit të katërt të Partisë së Punës së Shqipërisë, i cili përfundoi më 20 shkurt. Dy vendet po i japim mbulim favorizues zhvillimeve në Shqipëri dhe Kinë. Përveç kësaj Tirana në disa raste ka treguar simpatinë për Republikën Popullore të Kinës dhe pavarësinë nga Bashkimi Sovietik. Një prej shembujve ishte mungesa e delegacioneve nga Kina e Shqipëria në festën e pavarësisë së Senegalit, ku Kina protestonte ndaj prezencës së një lideri nacionalist kinez, në një kohë kur sovietikët kishin dërguar një delegacion të gjerë, bashkë me përfaqësues nga vende të tjera satelite sovjetike.
Marrëveshja e ndihmës dhe e tregtia me Kinën
Ngjarja kryesore në marrëdhëniet shqiptaro-kineze që prej kongresit të partisë, është marrëveshja tregtare e nënshkruar në prill, e cila ka si qëllim forcimin e Shqipërisë ndaj presionit sovjetik, çka dukej qartë nga propaganda që iu bë nga të dyja palët. Deklarata e lëshuar në përfundim të bisedimeve ekonomike, e përshkruar si një pakt i sinqertë i paprecedentë, thoshte se Kina pranonte të jepte një kredi prej 112 milionë rubla për financimin e 25 komplekseve industriale dhe të mjeteve bujqësor, fusha për të cilat kishte qenë esenciale asistenca sovjetike në të kaluarën. Çdo fazë e negociatave deri në arritjen e marrëveshjes finale, u shoqërua me shfaqje të miqësisë dypalëshe. Më 14 mars delegacioni shqiptar erdhi në Pekin me zëvendës-kryetar Pupo Shyti (në këtë pikë, as Pekini e as Tirana nuk kishin njoftuar emrin e kreut të delegacionit, i cili nuk kishte ardhur ende). Një banket u dha në nder të delegacionit, ku folësit kinezë lavdëruan Enver Hoxhën dhe deklaruan se Shqipëria mbështeste të njëjtat parime dhe politika kryesore të Republikës së Kinës. Ardhja më vonë e kreut të delegacionit shqiptar Abdyl Kellezi , pas një muaji, u dha atyre në tjetër mundësi të deklaronin mbëshetjen reciproke. Zëvendës-kryeministri kinez Li Sien Nien deklaroi: Çdo provokim kundër Shqipërisë është një provokim kundër të gjithë vendeve socialiste dhe kundër popullit kinez.
Deklarimet në media
Mbyllja e protokolleve ekonomike solli dhe demonstrata mirënjohjeje, ndërsa radio Tirana deklaronte: Populli kinez, partia e qeveria e tyre po japin një kontribut të vlefshëm në ruajtjen e pastërtisë së marksizëm-leninizmit kundrejt sulmeve të egra të disa elementeve devijues, të revizionistëve modernë me në krye Beogradin. Transmetimi i thurrte lavde Mao Ce Dunit dhe bënte thirrje për marrëdhënie më të afërta.
Takimi i Paktit të Varshavës
Marrëdhënia e ngushtë mes vendeve u demonstrua edhe pas takimit të Paktit të Varshavës në Moskë, që përfundoi më 30 mars. Delegacioni shqiptar aty përbëhej nga zyrtarë të një niveli shumë të ulët, të cilët u larguan menjëherë pas mbylljes së takimit. Delegacioni drejtohej nga Behar Shtylla dhe përfshinte dhe Abdyl Kellezin, i cili më vonë do të shkonte në Pekin si drejtues i delegacionit shqiptar në Pekin. Raportimet e mediave jugosllave pretendonin se mes temave të diskutuara në Moskë ishte dhe ajo e sjelljes rebele të Tiranës dhe masat që duhet të merreshin për këtë. Më 3 prill Tirana njoftoi se Shehu kishte pritur ambasadorin kinez Lo Shi Kao në të njëjtën ditë, për një diskutim mbi disa tema të pacaktuara, duke treguar se Shqipëria e Kina po qëndronin në kontakt mbi çështjen.
Kongresi i sindikatave shqiptare
Temat e qarta pro-kineze u dalluan në kongresin e pestë të partisë që u hap më 24 prill. Folësit kryesorë Marko e Nushi iu referuan në mënyrë të veçantë Bashkimit Sovietik dhe Kinës, dhe sipas transmetimeve të Radio Tiranës fjalimet për sindikatat e punës zinin vetëm një pjesë të vogël të diskutimeve. Ata sulmuan revizionizmin dhe imperializmin, duke lavdëruar unitetin e partisë me liderin Enver Hoxha, dhe në kundërshtim me linjën sovjetike të politikës së jashtme, Shqipëria mohoi mundësinë e tranzicionit paqësor drejt socializmit. Në një gjuhë të ngjashme me atë të Pekinit, shqiptarët insistonin për revolucionin e dhunshëm. Sekretari i komitetit qendror të partisë Rita Marko tha: “A mund të besohet se imperializmi, duke kërkuar një balancim forcash, të heqë dorë vullnetarisht nga interesat e tij në favor të socializmit? Vetëm revizionistët modernë dhe disa langoj të imperializmit, përpiqen të bindin popullin punëtor për një integrim paqësor të kapitalizmit në socializëm, në mënyrë që populli të vuajë për socializmin dhe të mos e arrijë kurrë. Jo, shokë. Paqja, liria e socializmi nuk mund të arrihen duarlidhur. Ato nuk vijnë si një dhuratë, por ato fitohen me luftë, përpjekje dhe aktivitet të organizuar revolucionar.”
Lëvizjet drejt izolimit të Tiranës në Evropën komuniste
Partia e Punës së Shqipërisë nuk është kritikuar ashpër nga një zëdhënës i bllokut komunist, por nga një prej komunistëve të njohur të Perëndimit, italianit Palmiro Togliatti. Në një artikull me titull “Një politikë e shtrembëruar”, jugosllavët përmblidhnin kritikën e Togliatti, në këtë formë: “Pas deklaratës së Ualter Ulbticht mbi dogmatismin dhe sektarianizmin e liderëve shqiptarë në konferencën e partive komuniste në Moskë, tani vjen një artikull nga Palmiro Togliatti ku deklarohet se në Shqipëri “çështjet jetësore deh diskutimet brenda partisë trajtohen në një mënyrë që për ne është e gabuar dhe e rrezikshme”. Artikulli i Togliatti u botua në revistën italiane Rinascita në prill 1961, dhe është transmetuar nga radio Çekosllovake në 1 prill 1961. Në artikull Togliatti deklaron: “Kështu ne mësuam nga shokët që morën pjesë në kongresin e fundit të partisë shqiptare se çështjet e jetës së brendshme të partisë trajtoheshin në një mënyrë që ne na duket e gabuar dhe e rrezikshme. Ne e thamë mendimin tonë por përgjegjësia për korrektimin nuk qëndron te ne”. Marrëdhëniet e Shqipërisë me Poloninë kanë marrë një kthesë nga përkeqësimi që prej mbështetjes së fuqishme sovjetike të sekretarit të partisë komuniste polake Roman Novak, dhe kritikave të tij ndaj kongresit të partisë komuniste shqiptare. Pas zhvillimit ambasadori polak në Tiranë është larguar dhe as nuk është kthyer as nuk është zëvendësuar. Shqipëria është i vetmi vend i bllokut komunist që nuk i dërgoi mesazh zyrtar presidentit polak Cirankievic për 50 vjetorin.
Marrëdhëniet me BRSS
Ndërkohë marrëdhëniet e shtetit sovjetik janë përmirësuar me Jugosllavinë duke sjell mjaft zhgënjim në Tiranë. Partia komuniste shqiptare është shumë e zhgënjyer që duhet të tregojë më pak urrejtje ndaj armikut të saj të vjetër. BRSS ka nisur negociatat për një marrëveshje afatgjatë tregtie me Jugosllavinë, pesë ditë pas mbylljes së kongresit të partisë shqiptare. Negociatat u mbyllën në favor të jugosllavëve, me marrëveshjen për dyfishimin e volumit të tregtisë së vitit 1960, ndërsa me Shqipërinë, sovjetikët kanë nënshkruar një akord një-vjeçar që sjell vetëm një rritje prej shtatë për qind në krahasim me vitin e kaluar. Marrëdhëniet direkte shqiptaro-sovietike nuk kanë ndryshuar shumë që prej kongresit të partisë shqiptare në shkurt. Mos marrja pjesë e Hoxhës e Shehut në Paktin e Varshavës tregoi tensionim të marrëdhënieve, por propaganda e Moskës është përpjekur shumë për të reklamuar shërbimet e mëparshme të sovjetikëve ndaj Shqipërisë. Moska shfrytëzoi gjithashtu përvjetorin e pushtimit të Shqipërisë nga Italia (21 prill 1939) për t’i kujtuar asaj borxhin e çlirimit nga ushtritë fashiste si dhe linjën aktuale të politikës së jashtme. Shqiptarëve iu kujtuan gjithashtu avantazhet e anëtarësisë në Paktin e Varshavës. Gjithashtu, gjatë kohës kur në Pekin po përfundonte nënshkrimi i marrëveshjes ekonomike mes Kinës e Shqipërisë, Radio Moska lavdëronte përvjetorin e katërt (18 prill) të deklaratës së vitit 1957 mes Shqipërisë dhe BRSS në Moskë. Ajo i kujtonte me nostalgji audiencës shqiptare “ditët plot diell” kur liderët shqiptarë priteshin me entuziazëm kudo që shkonin, duke detajuar më tej dhuratat që kishte marrë populli shqiptar si rezultat i miqësisë. Sipas llogaritjeve të tyre dhuratat arrinin 435 milionë rubla në mallra ekonomike. Ndërsa huat ekonomike që po ofroheshin nga Kina arrinin në 500 milionë rubla.