Sinan Kërpaçi: Nuhatje
Kafen që më shijon në vendin e huaj e pi vetë i tretë
me dy që kanë vdekur këtu e njëmijë e treqind vjet.
Janë të vetmit që më kuptojnë edhe pa folur
në vendin e tyre ku flitet fare pak.
Kanë një nuhatje nga njëmijë e treqind vjet larg.
Dje nuk i lashë ta vinin te buza filxhanin e kafesë
pa u treguar më parë për adoleshentin 17 vjeç
që ruan kontenierin tim në minus 20 gradë
mbështjellë me pallton ushtarake të Maos,
që dridhet natën dhe s`ndjehet fare mirë.
Ata e hodhën vështrimin nga sheshi “Tien An Men” i paradave
sikur të thoshnin: ky vend kështu do ketë gjithnjë të ngrirë.
Li Bo e Du Fu vijnë nga dinastia Tang
dhe janë dy miqtë e mi poetë
që e pimë kafen bashkë në “Jabao”* çdo ditë
nga shtata deri në tetë.
Ata flasin me mua
një gjuhë me nuhatje prej njëmijë e treqind vjet.
*Qendër biznesi në Pekin
Nga libri “O Tomorr në Pekin”, 2013