Albspirit

Media/News/Publishing

Potenciali rajonal, shumë më i madh se tregu i çdo vendi veçmas

Kryeministri Edi Rama iu drejtua sot samitit rajonal “100 liderë në biznes nga Europa Juglindore – Ndërlidhja” me ftesë për më shumëndërveprim ekonomik mes vendeve.

“Ekziston një hendek midis asaj që njerëzit mendonin dhe prisnin, kur për herë të parë u takuam në Berlin e startuam Procesin e Berlini me bekimin e Kancelares Merkel, por në të njëjtën kohë ka pasur progres të rëndësishëm. Një prej pikave më të rëndësishme për të nënvizuar është pikërisht ky Plan-veprimi, i aprovuar dhe që përmban 120 masa që çdo vend duhet të zbatojë, për të ndryshuar tërësisht mënyrën si komunikojmë me njëri-tjetrin, në termat e lëvizjes së njerëzve dhe mallrave. Sepse, ndërkohë që të gjithë po përpiqemi të integrohemi në BE, në rajonin tonë ka shumë potenciale të rëndësishme të pashfrytëzuara, për shkak të kaq shumë pengesave, kaq shumë barrierave jo tarifore dhe edhe për shkak të kohës së humbur në të shkuarën,” – u shpreh Kryeministri.

Eliminimi i barrierave, – shtoi më tej Kryeministri, – do të krijojë më shumë hapësira për rritjen e shkëmbimeve tregtare mes vendeve të rajonit.

“Është e pabesueshme të mendosh se sipas llogaritjeve të Bankës Botërore, janë 3800 vite pritje në kufijtë e vendeve tanë Njerëz që presin dhe mallra që presin. Pra, 3800 vite pritje janë një luks që vetëm Ballkani mund t’ia lejojë vetes, por jo Ballkani i së nesërmes, Ballkani i së kaluarës. Ndaj, në këtë boshllëk mes së kaluarës dhe së ardhmes na duhet të luftojmë shumë, që të mos lejojmë më që njerëzit dhe mallrat të presin dhe të hapim këtë hapësirë të madhe për bashkëpunim dhe tregti.”

Për të arritur sukses, theksoi Kryeministri, duhet që të gjithë të bëjnë çdo gjë që është e mundur për të përforcuar dhe inkurajuar bashkëpunimin.

“Shqipëria është ende një destinacion i pazbuluar plotësisht. Po përballemi me një periudhë ku interesi për Shqipërinë po rritet. Gjithnjë e më shumë njerëz po vijnë nga Maqedonia, shumë nga Bosnja, shumë e më shumë nga Serbia, pa përmendur shqiptarët nga Kosova ku janë të shumtë ata që vizitojnë bregdetin tonë dhe ky është edhe një herë, shembull sesa të ndërlidhura janë fatet tona dhe sesa shumë mund të bëjmë sëbashku. Duhet të kemi një mënyrë të re të të kuptuarit sesi duhet të trajtojmë potencialët tona dhe sesi të sigurohemi që të gjithë e kuptojnë dhe punojnë për t’i bërë potencialet e çdo vendi më të mëdha, nëpërmjet potencialit rajonal që është shumë i madh, sepse veç e veç, vendet tona janë tregje të vegjël, por sëbashku bëjnë një treg të madh dhe ka ardhur koha të lëvizim shumë bindshëm në këtë drejtim dhe të mos biem në kurthin e polemikave në lidhje me këtë plan”.

Please follow and like us: