Albspirit

Media/News/Publishing

Monika Stafa: Berlin ‘Dream Liner’- Një kullë në pyll

Në vitin 1892, një grup i spikatur berlinezësh në jetën shoqërore të qytetit, i propozuan kaiserit gjerman, hapjen e një ekspozite ndërkombëtare për të promovuar Berlinin si një metropol me përmasa botërore. Të tilla panaire apo ekspozita,- shpjegonin ata gjatë dëgjesës së tyre para këshillit perandorak,- ishin mbajtur në Paris, Londër, Vjenë apo dhe në Filadelfia. Por, megjithatë pasi artistët më të famshëm të Berlinit mbaruan diskutimin, Kaiser Wilhelmi II-të, të cilit i ishte dërguar ky propozim fillimisht disa muaj më parë, -shkruan David C. Large në librin e tij “Berlin”,- nuk e pranoi atë me arsyetimin se, Berlini nuk ishte ende gati për të nisur këtë betejë të re promovuese cilësisht. Sipas tij, Berlini mbetej ende një qytet jo plotësisht i transformuar në shijet e tij për të mirëpritur një panair kaq të madh.

Lavdia e Parisit ende ia grabit berlinezëve gjumin e natës. Berlini është një qytet i madh vërtet pse jo,-shtoi ai gjatë pritjes me artistët. Një qytet botëror, po të doni ta quajmë edhe kështu,- pat theksuar ai,-e si rrjedhojë mund dhe duhet të mirëpresë një ekspoze botërore. E mirëkuptoj pasionin tuaj të merituar dhe e mbështes si ide, dukshme e lehtë pse ajo qëndron… është kaq tërheqëse kur sheh restorantet e Berlinit, teatrot dhe shfaqjet variete nëpër rrugë e tij ngado. Sikush do të përfitonte prej tij vërtet, kini të drejtë të ëndërroni. Por, -vazhdoi më tej fjalën e tij kaizeri,-Berlini nuk është Parisi. Metropoli francez mbetet ende shtëpia më e madhe e botës; aty atraksioni është shumë më tepër origjinal për çdo panair/ ekspozitë që hapet dhe mbyllet aty për aty. Ndërsa në Berlin, tani për tani nuk ka asgjë që të mund të magjepsë një të huaj, përveç disa muzeve, kështjellave dhe ushtarëve nëpër të.

Pas gjashtë ditësh, me librin e kuq të guidës ndër duar, të botuesit të famshëm të asaj kohe Baedeker, perandori gjerman dukej se kish lexuar çdo gjë me kujdes mes atyre rreshtave. Ndihej i çliruar, sepse megjithatë ai e kish kryer detyrën e tij. Një berlinez i zakonshëm nuk mund t’i kuptojë këto gjëra qartësisht, kish thënë ai, duke drejtuar gishtin drejt librit të kuq të guidave të qytetit. Dhe jam plotësisht i sigurt se do të mërzitej shumë nëse dikush do t’i fliste për to në detaje. E vërteta është se kjo paskësh qenë dhe pengesa kryesore që panairi me përmasa ndërkombëtare, i propozuar prej figurave më të njohura berlineze nuk u mbajt atëkohë.

I privuar prej bekimit perandorak për të çelur një ekspozitë të këtij dimensioni, Berlini megjithatë përjetoi një tjetër ngjarje katër vjet më vonë. Në vitin 1896 një Ekspozitë Industriale në rang kombëtar u çel në një prej territoreve të tij,-shkruan më tej D. C. Large në “Berlin”. Ngjarja mund të mos kishte firmën e një panairi ndërkombëtar, por kudo prej ideatorëve të saj ndihej përpjekja për ta kompensuar këtë gjë në përmasat dhe shkëlqimin që ajo ofroi. E projektuar të vendosej në parkun më të ri të Berlinit, të quajtur Treptower Park, në pjesën lindore të qytetit, ajo u paraqit si ekspozita më e madhe e mbajtur ndonjëherë në të gjithë botën. Sipërfaqja në të cilën kjo ekspoze u projektua ishte rreth 900,000 metra katrorë. Sallat dhe korridoret e saj, të ndërtuara me një stil të paimagjinueshëm arritën të ekspozonin progresin e frikshëm teknologjik të Gjermanisë perandorake. Panairi Industrial i Berlinit i vitit 1896 mund të ketë qenë vërtet modeli më tipik i kërkesave wilhelmiane, por magjia industriale e shfaqur aty ishte origjinale dhe e pasur me plot simbole, të cilat tregonin se si kryeqyteti gjerman ishte kthyer tashmë në një lider botëror në teknologjinë e avancuar dhe inxhinierinë mekanike. Dhe kjo ekspozitë nuk do të ishte e fundit në këtë fushë, në art apo dhe të tjera dimensione që bota njerëzore zhvilloi që atëherë. Qindra e mijëra ekspozita të hapura pasuan njëra -tjetrën deri në ditët e sotme, të cilat nuk kanë aspak qëllim të arrijnë në ndonjë përfundim, por vetëm të risjellin në vëmendje historinë e Gjermanisë me larushmërinë dhe kundërshtitë e veta.

Dua të ndërtoj kështjella dhe kulla të larta,-iu drejtua me pasion të artë mbreti i ri i Bavarisë, Ludwigu i II-të, perandoreshës së Austrisë, Elisabeth, ose ndryshe Sisit. Dua ta mbush vendin tim me to e brenda tyre të luhet muzikë e të performohet art që shpirti njerëzor të mund të jetojë ca shkëndija hyjnore edhe për së gjalli- pat shtuar ai gjatë bisedës me të. Nuk mundesh dot Ludwig i bukur,-iu përgjigj kushërira e tij bavareze,- me to nuk mund ta ushqesh popullin tënd të uritur. Por Ludwigu ndoqi ëndrrën e tij dhe ndërtoi plot kështjella e kulla, të cilat sot demonstrojnë shpirtin e epërm të mbretit ‘mjelmë’ dhe pasionin e çmendur që ai pati për muzikën e Vagnerit. E si ai, vite më vonë, një racë e tërë mbretërish dhe mbretëreshash do të mbushnin tokën gjermane me ndërtime të stilit kryesisht barok e që bashkë me to u bënë dhe nismëtarët e thekur të dhjetëra ekspozitave tashmë jo vetëm kombëtare.

Nga njëra dhomë në tjetrën, mes kallinjve të grurit që sjellin në kujtesë fizionominë agrare të vendit dhe bazën e tij ekonomike, aty në ato korridore e hollet gjigande të ekspozitave të panumërta që çelen çdo vit në Berlin, vizitori përshkon rrugën historike nga marka e vjetër deri te monarkia e Hohenzollernit përmes portreteve të sovranëve dhe vulave perandorake, hartave krahinore dhe skicave të betejave historike, objekteve të përditshme dhe simboleve të pushtetit, dokumenteve të autonomisë së vjetër së shtresave shoqërore dhe gurëve të kalldrëmit berlinez, me të cilët revolucionarët ngritën barrikadat në vitin 1848, duke e detyruar monarkinë që t’u drejtohej me një deklaratë hipokrite, e cila niste me fjalët “Berlinezët e mi të dashur”.

Kjo dëshirë për ta paraqitur veten si në kornizë bashkon pezullinë e akuariumit, në të cilin gjërat duket sikur i nënshtrohen një dekompozimi shumë të ngadalshëm, gati- gati të përjetshëm, me kaosin e një fushe beteje, por të një beteje ama mes objekteve të vlefshme dhe atyre të kota. Është koha kur prusianizmi do të shndërrohej në simbolin e nostalgjisë së një jete me kuptim dhe me stil përkundrejt babelit bashkëkohor të një jete të shformuar dhe absurde të lënë më në fund pas.

Quhet Grunewaldturm. Është një kullë, e kthyer në një monument historik që shtrihet diku në anën perëndimore të pyllit me të njëjtin emër, në Berlinin jugperëndimor. Ndërtimi i saj filloi aty nga viti 1897 dhe zgjati rreth dy vjet. E projektuar nga Franz Heinrich Schwechten, një prej arkitektëve më të njohur gjermanë të epokës wilhelmiane, i cili pat kontribuar, gjithashtu, në progresin e arkitekturës historike, Grunewaldturm, është rreth 56 metra e lartë mbi lumin Havel. Në vitin 1897 bashkia e Teltovit, në rajonin e Brandenburgut, kërkoi ndërtimin e një kulle historike në përkujtim të ditëlindjes së 100-të të perandorit gjerman Wilhelm I-rë. Më 9 qershor 1899, ajo nisi rrugëtimin e pelegrinazhit përkujtimor me mbishkrimin “Kulla e perandorit Wilhelmi i I-rë ”, edhe pse në fasadën lindore të saj lexon: “Në kujtim të mbretit Wilhelm i I-rë”, sepse ai ishte edhe mbret i Prusisë.

E projektuar në epokën e revolucionarizimit të tullave gotike, Grunewaldturm nis në hyrje të saj me një sallë jo fort të madhe, në mes të së cilës gjendet një statujë mermeri e Wilhelm të I-rë, ndërtuar nga skulptori Ludvig Manzel. Gjermanikët, kisha lexuar kohë më parë se ishin kopracë kur flitej për administrimin e markës së tyre, por prej vizitave në muzetë dhe këndeve të tjera historike rrotull landeve të kësaj toke, kupton se përmasat luksoze të artit vërtet mund të mos i kenë pasur si ato të Rilindjes Europiane, por kënaqësitë çfarë shpirti u ka kërkuar duket që s’i kanë kursyer asfare. Katër relieve hekuri me figurat e shtetarëve prusianë si Albrecht von Roon, Helmuth von Moltke, Otto von Bismarck dhe Princi Frederik Charles janë vendosur në muret e saj.

Prej aty ngjitja prej shkallares në stilin gotik drejt lartësisë të çon në një platformë, prej së cilës shtrihet një pamje panoramike mbi pyllin Grunewald. Diku pranë kullës, aty poshtë syri të kap një restorant dhe përbri një kopsht birre të tundon drejt lëshimit të lirë të vetes prej aromës së majasë që vjen nga poshtë. Por kjo vetëm një fluturim çasti, sepse magjia që rrezet e diellit të sjellin ndër sy, kur petku i mëndafshtë i lumit Havel është përballë teje, të rrëmben pa kuptuar dhe gjithë gjindja jote i dorëzohet ajrit mbi gjelbërimin përkëdhelës të Grunewaldit magjepsës.

Kjo kullë historike e ndërtuar edhe me shqisën e mirë për të ngacmuar muza poetësh në fund të shek. XIX-të, të kujton dhe frymën përparimtare mbi ndjenjën kombëtare të shprehur prej mendimtarëve më të mëdhenj të së kaluarës gjermanike të asaj epoke, të cilët mbetën kundërshtarë të thekur të çdo lloj shovinizmi, por të hapur miqësisht ndaj botës mbarë. Kur i kthehem historisë kujtoj se kjo nismë e tyre nuk ishte kaq individuale në të vërtetë. Familja perandorake ishte vazhdimisht e shqetësuar për zhvillimet shoqërore ndaj ajo u kërkonte shkrimtarëve gjermanë apo dhe mendimtarëve të luanin një rol etiko-politik mjaft të nevojshëm asokohe. Kish nisur kështu lufta për ndjenjën e bashkimit kombëtar gjerman, por dhe për paqen në tërësi. Luftërat me fuqinë ruse e kishin lodhur jo pak perandorinë prusiane.

Grunewaldturm, është një vend që të zgjon prej leximeve të ngjarjeve prej të cilave ajo është menduar të projektohet. Anijet që përshkojnë lumin Havel diku poshtë teje të bëjnë të ëndërrosh larg, sepse ky vend duket të jetë një festë e garantuar për disa orë ose për aq kohë sa sikush prej nesh dëshiron të qëndrojë. Prej andej ëndërrimet nuk mbarojnë këtu, sepse vendasit urtësisht sugjerojnë shëtitjen nëpër “pyllin epik”, siç ata e quajnë, dhe pastaj autobusin me numrin e brishtë ‘218’, por me emrin e bukur ‘Dream Liner’ për t’u kthyer në qytet. Ndoshta, sepse pa dyshim ky është dhe udhëtimi më i bukur me autobus në Berlin.

 

Please follow and like us: