Albspirit

Media/News/Publishing

Zyrtare/Olsi Rama, drejtor i ekipit të futbollit të Partizanit

Olsi Rama është zyrtarizuar si Drejtor i Përgjithshëm i Partizanit. Këtë post ai e pranoi gjatë një prononcimi në emisionin “Procesi Sportiv” ditën e hënë, duke i dhënë fund spekulimeve për rolin që do të merrte. Emërimi i tij në këtë rol, largon hegjemoninë e vendosur nga drejtuesit italianë, të cilët dështuan me projektin e tyre. I vetmi që ka mbijetuar është Luçiano Moxhi, por ky si këshilltar i presidentit Demi dhe jo si drejtues. Me të marrë drejtimin e skuadrës, Olsi Rama tha se do të merret me të gjitha rolet që disponon ky post si në anën administrative ashtu edhe në atë sportive. Drejtori i ri i Partizanit tha se është i destinuar për të ndërtuar një  ekip ambicioz jo vetëm për këtë sezon, por edhe në sezonet e ardhshme.

Kjo arrihet nëpërmjet investimeve në merkato dhe të kuqtë do të përforcohen që në sesionin e radhës në muajin janar. Presidenti i skuadrës, Gaz Demi, së bashku me Olsin janë nisur dje për në Beograd për tu takuar me presidentin e Partizanit të Beogradit në lidhje me interesimin për sulmuesin serb, Nikola Durdiç. Ai është një sulmues shtatlartë, por mosha e tij 31-vjeçare nuk premton shumë për të ardhmen ndonëse mund të jetë një përforcim i nevojshëm për sulmin duke parë problemet me Sukajn dhe Çanin. Durdiç u kërkua nga Partizani edhe vitin e kaluar, por nuk pranoi që të kalojë në Tiranë. “Braziliani Lukas nga Pelisteri, mendoj se është përforcim i cili do të na shërbej shumë, luan në krah dhe sulmues i dytë.

Jemi ende në kërkim. Ka disa lojtarë që më kanë pëlqyer. Lojtarët e Gjirokastrës, Abazaj, Rroca, Bregu, por edhe Çyrbja më pëlqeu”, tha Olsi Rama. Një problem i madh në futbollin shqiptar është se bie në sy mungesa e theksuar e tifozëve femra. Kjo vjen si shkak e sharjeve që përdorin tifozët e skuadrave të ndryshme. Drejtori i ri i Partizanit u shpreh se do të bëjë të pamundurën që kjo të mos ndodhë më dhe sporti të shërbejë për argëtim për të gjithë shtresat e popullsisë. “E lidh me nivelin e sportit në Shqipëri, i cili nuk është në stadin e duhur, kryesisht nga infrastruktura. Ndryshe të shkosh në stadiumin e Shkodrës dhe ndryshe në Përmet, ku vetë infrastruktura nuk ka lidhje.

E dënoj faktin kur shkoj në stadium e dëgjoj të shara. Stadiumi duhet të jetë arenë feste, për vetë pasionin që kanë të pranishmit. Duhet të kishte sa më shumë femra, vajza e fëmijë për të kaluar momente festive. Kjo nuk ndodh, madje edhe unë si prind nuk do kisha guxim t’i merrja fëmijë me vete, pasi agresiviteti është ekstrem në stadium”, shprehet Rama. Rikthimi i teknikut Starova në krye të skuadrës ka sjellë një tjetër atmosferë në klub.

Kjo është pasqyruar më së miri edhe në rezultatet e skuadrës e cila duket se është shtruar në lojën e saj. Objektivi i këtij sezoni është titulli kampion, që me shumë gjasa është e pamundur. Kjo nuk e pengon aspak Olsin që të mos dorëzohet në këtë detyrë dhe të shpresojë në një surprizë të bukur. Gjithsesi Partizani tashmë mendon vetëm të shkurtojë diferencat me Skënderbeun kryesues.

Please follow and like us: