Taulant Balla: Gruaja e Presidentit hoqi çizmet “Gucci” për të sulmuar qeverinë, po tentojnë të bllokojnë reformën në drejtësi
Qetësia dhe dashuria mes Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste jo vetëm që ka marrë fund, por ajo tashmë është kthyer në urrejtje. PS prej disa muajsh ishte e moderuar ndaj LSI, por duket se kupa është mbushur dhe tashmë kemi një luftë të hapur mes dy ish-partive aleate. Dje, Monika Kryemadhi dhe LSI ishin më protagonistët, duke sulmuar qeverinë dhe deputetët e mazhorancës. Për këtë, ka reaguar dhe kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, i cili ka ironizuar duke thënë se ajo hoqi nga këmba çizmet e shtrenjta për të sulmuar kryeministrin dhe mazhorancën. “Jam habitur se si një grua, bashkëshortja e Presidentit të Republikës, zonja Kryemadhi hoqi çizmet Gucci dhe u turr për të goditur qeveritarët, kryetarin e Kuvendit apo kolegët deputetë. Jam habitur se si ju turr një deputete të PS-së për të mos e lënë të votojë. Unë mund të habitem, shqiptarët e dinë fare mirë se ajo që i ka bërë bashkë Lulin dhe Monikën është përpjekja e radhës për të penguar reformën në drejtësi”, tha ai. Taulant Balla deklaroi gjatë një interviste televizive se e gjithë përpjekja e PD dhe LSI për të bllokuar kryeprokurorin e ri ka si qëllim frenimin e reformës në drejtësi. “Kemi të bëjmë me një rast i cili është tërësisht i qartë. Ata që na këshilluan në draftimin e reformës në drejtësi dhe bënë të mundur miratimin me hir apo pa hir nga PD dhe LSI. Sa herë u përbetua Lulzimi se nuk do ta miratonte. Prokuror i përgjithshëm me mandat të përkohshëm? Sigurisht! Në një shtet demokratik nuk mund të rrish një minutë pa prokuror të përgjithshëm. 1 minutë. Në çdo rast del nevoja që Prokuroria e Përgjithshme të administrojë një proces që lidhet me funksionarë të nivelit të lartë. Kemi sot 11 ditë që e kishim lënë vendin pa prokuror të përgjithshëm. Se ç’vlerësim kanë ndërkombëtarët për mandatin 5 vjeçar e dimë”, tha Balla. Kreu i grupit parlamentar socialist ka folur dhe mbi akuzat e PD se votoi në emër të demokratëve. Balla ka sqaruar se LSI u vodhi kartat e votimit elektronik deputetëve dhe ata ishin të detyruar të merrnin kartat e demokratëve.