Albspirit

Media/News/Publishing

Dosjet e diktaturës dhe dosjet e SHISH

Artur AJAZI

Prej vitesh, politika dhe shoqeria civile po çirren (në momente të veçanta si gjithmonë) duke kërkuar me forcë “hapjen e dosjeve të diktaturës, hapjen e dosjeve të sigurimit të shtetit”. Dhe fakti është se  politika dhe më së shumti ndonjë kryetar partie, hapjen e  “dosjeve” të sigurimit të shtetit e kërkojnë ose në pragun e zgjedhjeve elektorale, (si PD e Lulit ) ose në raste krizash të stisura parlamentare, si në rastin e fundit kur u përdor hapur fare dhuna në ditën e  zgjedhjes së kryeprokurorit  të përgjithshëm të përkohshëm.

Pavarësisht se dosjet e sistemit të kaluar, duheshin hapur vite më parë (edhe pse me vonesë) shqiptarët duhet të dinë kush kanë qenë kalecët e dikurshëm, sekretarët e dikurshëm, të rekrutuarit e dikurshëm, njerëzit e përdorur nga diktatura, pasi konsiderohen gjëra  të domosdoshme për demokracinë, për të sotmen dhe të ardhmen e shoqërisë shqiptare. “Të hapen dosjet, pse nuk hapen dosjet ” thotë shpesh PD, edhe pse në 8 vite qeverisje nuk u ndje fare,  por  si do të hapen dhe nga kush, dhe përse nuk u hapër për kaq  vite  rresht ato ? Në rast se do të ishin hapur, jam i sigurtë se 2/3  e PD do të kishin rezultuar “të infektuar” nga ish-sigurimi shtetit, dhe që sot janë  aktorë  aktivë në skenën politike  shqiptare. Hapja e dosjeve natyrisht do të përmbyste mjaft  raporte dhe piramida politike, majtas dhe kryesisht  djathtas, që prej 27 vitesh , janë personazhe të skenës politike, akademike, dhe pse jo edhe mediatike.

Duke dashur të përligjë  luftën klasore dhe klanore dhe aspak politike mbi normat e demokracisë, shpesh opozita e sotme e Lulzim Bashës, hapjen e dosjeve e ka shfrytëzuar si “shkakun e luftës edhe brënda llojit”, madje e ka përdorur edhe në rastin e hartimit të listave  të fundit për zgjedhjet e 25 qershorit . Në këto vite, ne si popull kemi jetuar histori të ndryshme, të një tranzicioni demokratik të vështirë e të stërgjatur, me ngjarje  të dhimbshme dhe pak të buklura, dhe kjo për fajin e politikës së dirigjuar shpesh nga ish-sigurimsat,  ish-sekretarët  apo  dhe të përkëdhelurit  e tyre.

Vetëm 4 vjet pas triumfit të demokracisë në Shqipëri (pas vjedhjes së parave në firmat  piramidale) u hapën depot  e armëve, shteti ra si karton, vendin e mbërtheu kaosi, rrëmuja, anarkia, vrasjet e grabitjet, derisa erdhën “kaskat blu” dhe vendosën shtetin me tanke e ushtrinë e tyre. Liria ka qenë dhe mbetet thelbi i shpirtit  dhe i mendjes, pasi  atje  ku nuk ka  liri, mendja dhe shpirti mbarojnë së qenuri, dhe populli edhe mund të shuhet. Demokracia  sistemi ku ne sot jetojmë, është sistem vlerash dhe jo antivlerash, ndaj  edhe shqiptarët, duhet të  përcaktojnë  vlerat morale të tyre bazuar në vlerat e  qytetërimit  perëndimor.

Politika në 27 vjet e ka përdorur siç  ka dashur popullin, duke e orientuar herë nga “hapja e dosjeve”, herë nga “rikthimi diktaturës” duke bërë gogolin për të mbuluar gjithçka të keqe që ka bërë gjithmonë që ka pushtetin. Sikur të mos mjaftonte Berisha, edhe pas ardhjes së Lulzim Bashës në krye të PD, kryefjala e çdo fushate dhe krize të stisur parlamentare ka qenë “hapja e dosjeve” apo “ sigurimsit dhe etërit e bijve të diktaturës”. Fjalë sa pa kuptim, aq edhe të padenja për një kryetar të një partie të djathtë, që pavarsisht se e di fare mirë se gjysma e atyre që ka pas vehtes kanë lidhje të afërt,  apo të largët me sigurimin e shtetit, sërish e përdor si “kartë afrimi” me ish-të përndjekurit apo për të marrë ca vota më shumë.

Por le ti lemë pas “dosjet e sigurimit të shtetit”, dhe le ti hedhim sytë tek dosjet e demokracisë, apo tek dosjet e SHISH-it. Dhe ato nuk janë pak, por me qindra të mbushura dhe të arkivuara me emra  dhe bëma politikanësh, të mbushura me skandale financiare dhe kombëtare, duke nisur qysh nga 1992 deri sot, me ngjarje të hidhura, që lidhen me shkatërrimin e shtetit, vjedhjen dhe  shitjen e  pasurive kombëtare, vjedhjen e thesarit  shtetit, privatëzimin e sektorëve të ekonomisë, shitjen e trojeve dhe gjithçkaje shqiptare për tu pasuruar nxitimthi padrejtësisht, duke shkelur të gjitha ligjet kushtetuese.

Në 27 vjet dosjet e Shërbimit  Informativ Shqiptar,  janë të mbushura  me emra të politikës antikombëtare, janë mbushur me tmerre dhe krime njerëzore dhe mjedisore, për të cilat do të duhen shekuj për ti rehabilituar. Dosjet e SHISH,  nuk mund të krahasohen kurrë me dosjet e “sigurimit të shtetit”, për natyrën, llojin, dhe numrin e krimeve  dhe paligjshmërisë  së atyre që drejtuan dhe qeverisën vendin  duke mbushur edhe dhomat me miliona dollarë dhe miliona  euro të shqiptarëve. Politikanët mëkatarë asnjëherë nuk e zënë në gojë dhe asnjëherë nuk kërkojnë edhe hapjen e dosjeve të shërbimit sekret, që kanë mbushur dhomat e arkivit, dhe që një ditë duhet të happen. Duhet të hapen, për tu treguar shqiptarëve, kush u vodhi kursimet në banka dhe firma piramidale, kush u vodhi dhe kush u pasurua me pasuritë kombetare, kush u grabiti trojet , pasuritë e nëntokës, maleve, dhe detrave, apo edhe kush u pasurua duke shitur shpesh edhe identitetin dhe simbolet kombëtare.

Duke përdorur shpesh si kartë mbrojtëse gjoja “hapjen e dosjeve të sigurimit  të shtetit” politika djathtiste kërkon të mbulojë me plurin e harresës dosjet e SHISH, kësaj strukture inteligjente shtetërore, e cila pavarsisht se është munduar të mbahet nën tutelë, nuk ka munguar të mbushë dhe arkivojë gjithçka lidhet me paligjshmërinë e milionerëve të politikës.

Please follow and like us: