Albspirit

Media/News/Publishing

Presidenti Trump dhe ndërhyrjet amerikane jashtë vendit

Para se të bëhej president, Donald Trump ishte shprehur kundër luftrave amerikane jashtë vendit, duke thënë se ishte më mirë të shpenzoheshin paratë në vend, se sa të “shpërdoroheshin” jashtë. Por, në vitin e tij të parë në postin e Presidentit, zoti Trump shpesh e ka patur të vështirë ta vërë në jetë moton e fushatës së tij “Amerika e Para”.

“Nëse unë zgjidhem president, shumë shpejt do t’i vijë fundi epokës së ndërtimit të vendeve të tjera”, – tha Donald Trump gjatë fushatës presidenciale.

Si kandidat, Donald Trump premtoi një qëndrim tërësisht të ndryshëm ndaj ndërhyrjeve jashtë vendit:

“Deri tani kemi shpenzuar 6 trilionë dollarë në Lindjen e Mesme.. Me këto para mund ta kishim rindërtuar dy herë vendin tonë”.

Për vite me radhë, zoti Trump i ka kritikuar luftrat amerikane, me argumentin se ato kanë çuar dëm jetë njerëzish dhe para.

Por, si i ka trajtuar Donald Trump këto konflikte në vitin e tij të parë si president? Përgjigja: Nuk ka patur ndryshime drastike në politikën ushtarake. Në fakt, Trump ka treguar se nuk do të hezitonte të përdorte forcën amerikane jashtë vendit.

Që nga koha kur ai erdhi në pushtet, prania ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme dhe në Afrikën Veriore është shtuar me një të tretën.

Shtetet e Bashkuara gjatë këtij viti, po ashtu i kanë shtuar me 30 për qind bombardimet në Irak dhe në Siri.

Edhe në Afganistan, këtë vit bombardimet amerikane janë trefishuar krahasuar me një vit më parë.

Po ashtu, janë shtuar sulmet ajrore dhe me drone në disa rajone, si Pakistani, Jemeni, and Somalia dhe ndoshta së shpejti edhe Nigeri.

“Sulmet në Jemen janë trefishuar, ndërsa në Somali janë dyfishuar, krahasuar me një vit më parë. Shtimi i sulmeve në këto vende kryesisht ka ndodhur ngaqë ato janë cilësuar zona me luftime, që në fakt do të thotë se Shtetet e Bashkuara mund të kryejnë sulme ajrore pa u kufizuar për shkak të popullsisë civile,”– thotë gazetarja investigative Jessica Purkiss.

Politika e jashtme e zotit Trump nuk është më pak ndërhyrëse se sa ajo e paraardhësve të tij, madje është edhe më e ashpër, thotë analisti Christopher Preble:

“Në shumicën e rasteve ai ka vazhduar politikat e trashëguara, madje e ka shtuar përdorimin e forcës… Në rastin e Afganistanit, për shembull, edhe pse në vitet e përparshme ai e kishte kundërshtuar luftën, ai e shtoi numrin e trupave.”

Donald Trump nuk është presidenti i vetëm që e ka patur të vështirë të përmbushë premtimet e fushatës së tij për politikën e jashtme.

Barack Obama, për shembull, premtoi se do t’i kthente trupat amerikane nga Iraku. Dhe ai e bëri këtë, por më pas çoi atje trupa të tjera për të luftuar kundër Shtetit Islamik.

Kjo është një kujtesë se kandidatët presidencialë premtojnë shumë për politikën e jashtme, por se ata jo gjithmonë mund t’i mbajnë premtimet.

Please follow and like us: