Albspirit

Media/News/Publishing

Botimi i para ’90-s: Sa të vrarë pati lufta italo-greke në Shqipëri?

 

Botimi i vitit 1987 i Ministrisë së Mbrojtjes: Sa i përket viktimave, për palën greke: 13 408 të vrarë dhe 11 000 të ngrirë në malet e Shqipërisë. Për palën italiane: 12 755 të vrarë, 12 368 të ngrirë dhe 25 067 të humbur 

Sa të rënë ka në Shqipëri nga lufta italo-greke? Italia dhe Greqia japin shifra të ndryshme. Po vetë Shqipëria? Historiografia ushtarake shqiptare e para vitit 1990 jep disa të dhëna interesante.

Në botimin e vitit 1987, të Ministrisë së Mbrojtjes, posaçërisht Akademisë Ushtarake, me titull: “Historia e Artit Ushtarak Botëror”, me autorë Ibrahim Pajova dhe Shahin Leka, luftës italo-greke, i kushtohen 42 faqe(fq. 288- 330).

Analiza e bërë në këtë hapësirë është e pajisur me harta dhe aty jepen në hollësi veprimet ushtarake të kryera në kuadër të kësaj lufte.

Trupa italiane në malet e Shqipërisë

Lufta në fjalë, për aq sa i intereson Shqipërisë, ndahet në tre etapa, duke nisur që nga momenti i kundërmësymjes greke që u zhvillua në territorin tonë:

Etapa e parë: 14 nëntor- 22 nëntor 1940 në drejtimet Nestorion-Dardhë – Korçë dhe Prespa e vogël – Mali Ivan. Përparimi i plotë I trupave greke, 12-20 km.

Etapa e dytë: 23 nëntor-12 dhjetor 1940. Drejtim kryesor Janinë-Berat, kurse Korçë – Elbasan mbeti drejtim mbështetës dhe angazhues për forcat italiane. Përparimi mesatar ditor 4 km.

Etapa e tretë: 13 dhjetor – 6 janar 1941. Drejtimi mbetet I pandryshuar. Përparimi mesatar ditor 300-350 m.

Kundërmësymja greke përfundon me depërtimin maksimal në territorin shqiptar në javën e parë të marsit 1941 në vijën Pogradec – mali i Vallamarës – Grabovë – Çorotati – Ujanik – Dobrushë – Spatharë – Arrëz e Madhe – pjerrësitë lindore të Shëndëllisë – pjerrësitë lindore të Golikut – mali i Terzorit – mali i Barit – Progonat – Nivicë – Çipini i Bolenës – bregu jugor i përroit të Bardhë – mali i Vunoit – pjerrësitë lindore të malit të Mblerëzës – Himarë.

Nga 6 janari deri në më 9 mars ushtria greke ka zgjerime, por ajo humb iniciativën e cila merret sërish nga ushtria italiane e cila kaloi në mësymje të përgjithshme deri më 25 mars, ndonëse nuk përparoi asnjë metër.

Angazhimi i forcave në këtë luftë jepet nga historiografia ushtarake shqiptare e para vitit 1990 në këto raporte:

Trupat greke : 15 divizione me rreth 135 batalione dhe nga trupat italiane 27 divizione me 142 batalione. Gjithësej u përdorën 2500 gryka zjarri artilierie dhe mortaje.

Sipas etapave të sipërpërmendura, grekët përdorën: në linjën Kastoria – Korçë – Elbasan 5 divizione. Në linjën Karasovan – Frashër – Berat 6 divizione dhe në drejtimin Janinë – Gjirokastër – Tepelenë 4 divizione.

Të dhënat e mësipërme japin një ide të përciptë, por deri diku të saktë të asaj që ndodhi në atë periudhë, kur luginat e Vjosës dhe të Osumit, bashkë me rajonin e Korçës, ranë nën kontrollin ushtarak grek.

Sa i përket viktimave, libri në fjalë jep këto të dhëna(duke iu referuar luftës në tërësi):

Për palën greke: 13 408 të vrarë dhe 11 000 të ngrirë.

Për palën italiane: 12 755 të vrarë, 12 368 të ngrirë dhe 25 067 të humbur(faqe 330). /Respublica

Please follow and like us: