Iraku kërkon 100 miliardë dollarë për rindërtimin e shtetit
Iraku kërkon rreth 100 miliardë dollarë investime të jashtme në transport, energji dhe bujqësi, në kuadër të planit për të rindërtuar pjesë të shtetit dhe për ringjalljen e ekonomisë pas luftës tri-vjeçare me grupin militant, Shteti Islamik.
Sipas agjencisë së lajmeve Reuters, Komisioni Kombëtar për Investime ka publikuar një listë të 157 projekteve, për të cilat do të kërkojë investime në Konferencën Ndërkombëtare për Rindërtimin e Irakut.
Kjo konferencë do të mbahet në Kuvajt nga 12 deri më 14 shkurt.
Në disa projekte parashihet rindërtimi i pjesëve të shkatërruara siç është aeroporti i Mosulit, derisa të tjerat janë të fokusuara në fuqizimin e ekonomisë, ka thënë këshilltari për ekonomi i kryeministrit irakian, Haider al-Abadi.
“Të gjitha së bashku kapin vlerën e 100 miliardë dollarëve”, i ka thënë agjencisë së lajmeve Reuters, këshilltari, Mudhar Saleh.