Albspirit

Media/News/Publishing

Pse Gjermania mund të hapë probleme për negociatat?

Të hënën, Majlinda Bregu pati një takim të veçantë me Komisionerin për Zgjerim, Johannes Hahn. Komisoneri Hahn shoqëron në turin rajonal presidentin e Komisionit Europian Juncker dhe zonja Bregu e lexon si zhvillim pozitiv edhe vetë faktin që Juncker më në fund ka nisur të udhëtojë.

“Po të bësh krahasimin ndërmjet deklaratës së parë të Junker kur ishte tërësisht i ftohtë ndaj procesit dhe vizitës së tij na Ballkan, ka një ndryshim thelbësor”, shprehet Majlinda Bregu për TCH.

Shpresat janë që Komisioni Europian të rekomandojë hapjen e negociatave me Shqipërinë, por Juncker nuk bëri dot një premtim paraprak në Tiranë.

“Nuk besoj se i takon presidentit të bëjë lajmin pa përfunduar raporti që Komision dorëzon në prill”, thotë Bregu.

Por të gjithë janë të ndërgjegjshëm se edhe nëse rekomandimi bëhet në prill, së pari duhet bindur Gjermania të votojë.

Dhe vota e qershorit duket e rrezikuar edhe për shkak të situatës së brendshme politike në Gjermani.

“Gjermania, për shembull, është ende në procesin e formimit të qeverisë së saj që do të thotë më pas Parlamenti gjerman apo Bundestagu që jep mendimin do t’i duhen jo më pak se 8 javë që do të thotë dy muaj.

Për shumë arsye dhe për qëndrimin e vendeve tjera unë shpresoj shumë që periudha e qershorit të jetë një dritë jeshile për çeljen e negociatave, por nëse vendimi merret në qershor apo në dhjetor nuk besoj se sot këtë mund ta thotë dot kush me siguri”, thotë ish-ministrja e Integrimit.

Sipas Bregut, forcimi i shtetit ligjor dhe zero konflikte me fqinjët janë detyrime të pashmangshme, pasi nga Ballkani Perëndimor po kërkohen partnerë dhe ata nuk duhet të jenë problematikë.

Please follow and like us: