Albspirit

Media/News/Publishing

Aurora GOLEMI: “Kështjella” e sigurisë euroatlantike dhe sfida e financimit

Një grup gazetarësh të vendeve anëtare të NATO-s nga Europa kanë vizituar NATO-n, Pentagonin dhe bazën e Ushtarake “Fort Hood” të Teksasit. Gazetarët më me eksperiencë në fushat e sigurisë dhe mbrojtjes, në NATO janë pritur edhe nga Sekretari i Përgjithshëm Jens Stoltenberg dhe diplomatë të vendeve aleate, zyrtarë të qeverisë amerikane në Pentagon si dhe ushtarakë me grada madhore të Forcave të Armatosura amerikane etj. Turi gazetaresk u mundësua nga Departamenti Amerikan i shtetit, nga Qendra e Medias për të huajt dhe nga misioni i SHBA në NATO.

Gazetarët u informuan gjerësisht mbi aktivitetin e NATO-s e veçanërisht me sfidat e financimit buxhetor të vendeve që kontribuojnë për sigurinë kolektive mbi bazën edhe të premtimit për rritje të shpenzimeve për mbrojtjen si besë e dhënë në Samitit të Wellsit.

*** 

Imagjinoni se jeni në një bar, ku 29 vetë futen brenda dhe të gjithë japin porositë. Faturat në fund i mbledhin shuk dhe i’a lënë në dorë një personi të vetëm për t’i paguar. Kështu ka ndodhur me atë çka pretendon sot Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Amerika për mbrojtjen kolektive po paguan “pjesën e luanit” në NATO. Situata nuk duket rozë në zemër të Washingtonit. Buzët rrudhen kur llogariten shifrat buxhetore që paguajnë aleatët për sigurinë kolektive të Aleancës euroatlantike. Që prej kohës së themelimit 7 dekada më parë NATO, organizata politiko-ushtarake më e fuqishme dhe e pathyeshme e globit në historinë moderne ka mbrojtur integritetin territorial të vendeve anëtare të saj.

Planeti ynë është vazhdimisht në ndryshim dhe për t’u përshtatur këtij ndryshimi te mjedisit të sigurisë, Aleanca ballafaqohet me përshtatjet ndaj sfidave të kohës. Prandaj investimi për sigurinë dhe për mbrojtjen kolektive, jo rrallë del në plan prioritar. Realitetet politike globale i diktojnë vendeve anëtare që të fokusohen në elementët e parandalimit të kërcënimeve dhe rreziqeve dhe mbrojtjen veçanërisht duke ndjekur situatën komplekse në lindje dhe jug të NATO-s, pa lënë pas dore dhe burimet e mbrojtjes si dhe zhvillimin e kapaciteteve që i nevojiten Aleancës në mjedisin e ri të sigurisë. Aleanca po përballet me sfida të reja që kërkojnë njëkohësisht vullnet politik dhe mbështetje për kapacitetet operacionale për të përballuar këto sfida si dhe në rast nevoje për t’u mbrojtur.

Aneksimi i Krimesë në vitin 2014 nga Rusia dhe inkursionet në Ukrainën Lindore vërtetuan parashikimet e lidershipit të vendeve të NATO-s mbi kundërshtarin. Edhe pas katër viteve Rusia rishfaq agresivitetin e saj duke qëndruar në frontin më kundërshtar të Aleancës. Nga raportimet rreth 40000 trupa ruse janë rreshtuar në kufijtë lindorë të Aleancës, ku sinjalet agresive të Moskës rreth vendeve të Balltikut janë në kufijtë e rreth 200 kilometrave.

“Rusia i ka shfaqur mjaft të qarta qëllimet e saj: ajo kërkon që të thyejë lidhjen transatlantike, të kërcënojë sigurinë dhe stabilitetin europian dhe të vendosë influencën e saj të humbur një çerek shekulli më parë. Këto fakte duhet të nxisin politikën e vendeve të NATO-s, e veçanërisht mbrojtjen euroatlantike” deklaroi një zyrtar i administratës amerikane.

“Politika amerikane dhe ajo e vendeve anëtare të NATO-s, kanë qenë të qartë me Rusinë se, nuk mund të kthehemi në “biznes” si zakonisht në marrëdhëniet NATO-Rusi për sa kohë që Rusia vazhdon të sulmojë fqinjët e saj dhe të minojë institucionet demokratike, kombëtare dhe shumëpalëshe. Bisedimet më të zgjeruara politike dhe ushtarake ndërmjet NATO-s dhe Rusisë humbasin vlerën në rastin kur Rusia nuk i përgjigjet kanaleve të komunikimit ekzistues, siç është Dokumenti i Vjenës”.

Përpjekjet ruse nuk kanë mundur dhe nuk do të mundin as në të ardhmen, që për të përçarë unitetin e organizatës më të madhe e të qëndrueshme të sigurisë botërore. Uniteti që mban Aleancën bashkë është më i fuqishëm se sa një traktat apo disa rregulla të një institucioni. Financimi për vitin 2018 pritet të jetë në shifra shumë më të larta se vitet e mëparshme. Pjesa lindore e Aleancës ka filluar të rritë në mënyrë të konsiderueshme buxhetin për sigurinë e mbrojtjen dhe bashkë me to edhe kapacitetet operacionale mbrojtjëse.

Zotimi i 2%-shit “të artë të Wellsit”, që duhet përmbushur!
Premtimi i Samitit të Wellsit është kthyer në sfidë euroatlantike. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kërkojnë që vendet e NATO-s të përmbushin premtimin e dhënë në samitin e Wellsit. Fakt është se vendet anëtare të NATO-s po shpenzojnë shuma jo të papërfillshme monetare për ushtritë e tyre. Siguria e Europës është pazgjidhshmërisht e lidhur me sigurinë e Shteteve të Bashkuara. Zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 në SHBA ngritën disa pyetje të rëndësishme mbi të ardhmen e rolit të Amerikës në lidhje me NATO-n. Këto çështje janë esenciale në këto kohë sidomos tani që Shtetet e Bashkuara po përballen me shumë sfida jashtë kontinentit, nuk kanë burime të palimituara dhe kërkojnë investime nga aleatët në lidhje me sigurinë e mbrojtjen.

Amerikanët nuk thotë fjalën e fundit në raport me aleatët. NATO si një organizatë jep kontribut të rëndëishëm ndaj sigurisë kombëtare amerikane, edhe pse Amerika gjithmonë i inkurajon që të fokusohen më tepër në mbrojtjen e kontinentit europian. Amerikanët dhe Europianët janë prodhuesit më të mëdhenj të sigurisë botërore, janë shpresa e madhe e popujve të mëdhenj e të vegjël. Por adresimi i Presidentit Trump, mbi parimin e “ndarjes së barrës” dhe specifikisht “2% i Wellsit” për vendet anëtare të NATO-s ka qenë një artikulim që është si një thirrje për standarde detyruese.

Zotimi i vendeve të NATO-s për 2%-shin e GDP-së për sigurinë e mbrojtjen është sistemi metrik më i dukshëm që përdoret për shprehur angazhimin politik për ndarjen e barabartë të “peshës” ndërmjet aleatëve. Në rastet kur Këshilli i Atlantikut Verior vendos të angazhohet në operacione të caktuar, nuk ekziston asnjë detyrim që vendet antare të japin kontribut në operacion. Kjo kthehet në obligim vetëm nëse është një operacion kolektiv që parashikohet në “Artikullin 5” të mbrojtjes kolektive.

Kontributet jepen mbi bazat e vullnetarizmit dhe të solidaritetit të partnerëve strategjikë. Kjo parakupton mijëra trupa ushtarake si dhe mjete luftimi helikopterë, tanke, avionë si dhe mjete mbështetëse përfshi edhe mbështetjen në fushën mjekësore. Këto kontribute ofrohen nga aleatë individual të cilët lejojnë që kapacitetet e tyre të integrohen në kapacitetet e aleancës euroatlantike.

Jens Stoltenberg dhe mesazhet e amerikanëve
“Ne po bëjmë progres. Aleatët kanë filluar të rrisin buxhetin për mbrojtjen. Jemi në drejtimin e duhur pasi shifrat na rezultojnë pozitive. Më 15 mars 2018 do të publikohet edhe raporti për shpenzimet e aleatëve. Kemi rrugë përpara dhe po ecim në drejtimin e duhur. Thirrja për aleatët e shefit të NATO-s është: “të punojnë për të përmbushur zotimin. Më parë problem ishte rritja ekonomike, gjë që duket se tashmë është e tejkaluar”- u shpreh para pak ditësh Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, në një takim me gazetarët europian të mbledhur në selinë e NATO-s në Bruksel.

Stoltenberg nga ndërtesa e vjetër e NATO-s u shfaq optimist dhe kërkoi nga aleatët më shumë angazhim për të përmbushur zotimin e bërë në samitin e Wellsit në vitin 2014. NATO për më pak se 30 ditë do të zhvendoset në shtëpinë e re të saj që i ka kushtuar rreth 1.17 miliardë euro e që shtrihet në 253.000 metra katrorë në Bruksel. Një erë e re ndryshimi ndihet në shtëpinë e vjetër të Aleancës, era e ridimensionimit të marrëdhënieve mbi bazën e frymës së Samitit të Wellsit.

Rasti i “Krimesë”, terrori i Shtetit Islamik, kërcënimet nukleare dhe lufta kibernetike kërkojnë jo vetëm strategji të reja por dhe domosdoshmëri të rritjes së buxhetit të mbrojtjes në 2% të GDP-së nga çdo vend anëtar i Aleancës. Shefi i NATO-s, Stoltenberg theksoi se, pas rënies së Bashkimit Sovjetik, anëtarët e aleancës jetuan në klimë paqeje, pa tensione duke mos i dhënë shumë rëndësi mbrojtjes dhe investimeve për të. Por viti 2014 solli një situatë të re, krejt të ndryshme, duke sjelle një trend të ri”. Aneksimi i paligjshëm i Krimesë, agresioni rus kundër Ukrainës dhe destabilizimi i dukshëm në pjesën lindore të Aleancës, por edhe rritja e kërcënimit të DAESH në Irak dhe Siri, bëri që aleatët të “kapin” ndryshimin e mjedisit të sigurisë”.

Shefi i NATO-s u shpreh për gazetarët se, në vitin 2014 vetëm tre vende shpenzuan 2% për buxhetin e mbrojtjes. Ndërsa deri në vitin 2024, 15 aleatë janë zotuar se do ta përmbushin premtimin që kanë dhënë, mes tyre edhe Shqipëria. 2% ishte një qëndrim vullnetar i paimponuar i Wellsit. Fakt është se 28 liderët e vendeve aleatë i premtuan njëri-tjetërit se do ta mbanin premtimin, që ambicja e rritjes së financimeve për sigurinë e mbrojtjen është rritje e sigurisë për të ardhmen. Nga shtetet që e kanë filluar shtimin në buxhetet e tyre janë edhe Spanja dhe Gjermania.

Stoltenberg: Europa nuk mund të mbrohet e vetme!
Vendet Euroatlantike kanë përjetuar dy luftëra botërore në shekullin e kaluar. Ato e kanë ndjerë se çdo të thotë të jesh i vetëm dhe jashtë aleancave, kanë parë dhe provuar edhe aleancat e gabuara apo përllogaritjet e pasakta. Por vendet e NATO-s kanë parë e provuar se çdo të thotë të jesh në çadrën e sigurisë kolektive, sepse Europianët e “fuqisë së butë” nuk mund t’i rezistojnë një bote me konflikte të forta. Shefi i NATO-s u pyet nga gazetarët lidhur me projektin “PESCO”.

Bashkimi Evropian, më 13 nëntor 2017, hodhi një hap të guximshëm dhe hapi një faqe të re në historinë evropiane të sigurisë e të mbrojtjes së përbashkët ku 23 anëtarë të BE nënshkruan një deklaratë të përbashkët për krijimin e “Bashkëpunimit të Përhershëm të Strukturuar” (PESCO). Ky dokument parashikon të bëjë të përhershëm bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes. Stoltenberg i’u përgjigj gazetarëve se mbështet përpjekjet për mbrojtjen e Europës por gjithashtu shtoi se duhet të shmangen dublikimet ndërmjet NATO-s dhe PESCO-s.

Por shumëkush në Europë pas krijimit të “PESCO” pati “merakun” se shtetet evropiane kanë si qëllim me anë të këtij projekti të krijojnë Forcat e Armatosura të Evropës. Bashkimi Europian nuk mund të nisë e të themelojë komanda. Liderët europianë nuk konkurrojnë me NATO-n, sepse për Belgjikën kjo do të thotë që të konkurojë me veten e saj dhe nga ana tjetër vetë Bashkimi Europian nuk mund ta mbrojë e vetme Europën. Nëse një vend investon në vitin 2024, njëlloj si në vitin 2014, kjo do të thotë që ky vend është në vend numëro.

Lajm i mirë, sipas Stoltenberg, është se tashmë të gjithë vendet po rriten ekonomikisht, gjë që është e mirë për punësimin, bilancin fiskal si dhe më e rëndësishme për Aleancën për shpenzimet e mbrojtjes. Nëse vendet anëtare dy vjet më parë deklaronin se nuk kanë rritje ekonomike dhe nuk mund ta arrijnë dot 2%-shin tashmë kjo situatë është e tejkaluar dhe nuk është më argument i vlefshëm.

Siguria e kombit amerikan është lidhur me atë të aleatëve euroatlantikë
SHBA është sot garantuesi kryesor i sigurisë evropiane. Kështu e shikojnë europianët dhe në fakt është krijuar mendimi se, Amerika mund të mos jetë përgjithmonë, por siguria e kombeve duhet të jetë e përjetshme. Gjithsesi, ajo sot jo vetëm që paguan pjesën e luanit për mbrojTJen e Europës por fokusohet dhe më shumë në çështjet e mbrojtjes dhe sigurisë, sesa në të kaluarën në kontinentin e vjetër.

SHBA po tregon se po bën edhe më shumë për të siguruar integritetin territorial të shteteve anëtare të Balltikut dhe këtë e garantojnë “muskujt” e saj. Nëse flasim me gjuhën e shifrave për disa vende anëtarë të NATO-s rritja ekonomikë është një faktor determinant për të shtrënguar “rripin” sa i takon buxhetit për mbrojtjen por kërcënimi i hapur rus ka bërë që pothuajse të gjithë vendet në kufijtë lindorë t’i detyrojë “halli” që të paguajnë 2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Kështu Estonia shpenzoi 2.14 të PBB, Polonia 2%, Rumania 2.02% ndërsa rritjen më të madhe e ka Lituania dhe Letonia me 1.77% dhe 1.7%. Në vitin 2017, thuhet në raport shpenzimet për mbrojtjen në Shqipëri janë 0,75 e PBB përkundrejt 1.5% të GDP-së në vitin 2009, por lidershipi politik i saj ka garantuar rritjen 2% për vitin 2024. Nga të dhënat e raporteve pa përfshirë Shtetet e Bashkuara shpenzimet e mbrojtjes së aleatëve Euroatlantikë janë rritur 4.8% vetëm gjatë vitit që lamë pas.

Kjo përqindje pritet që të rritet duke filluar nga 2018-ta deri në 2024. Është sinjifikative por jo e mjaftueshme. 12 aleatë nuk kanë shpalosur ende ndonjë plan konkret për të arritur 2%-shin e Wellsit. Amerika e di se ky është një vendim i vështirë për qeveritë politikisht dhe financiarisht dhe që kanë nevojë për sakrifica. “Kemi shkurtuar buxhetet për arsimin dhe shëndetësinë për të arritur këtë objektiv”, tha një diplomat letonez në selinë e NATO-s. Por më tej duke shprehur ndërgjegjësim shtoi: “Padyshim është një zgjedhje e vështirë por një domosdoshmëri për sigurinë e vendit përballë agresionit rus në kufi”.

“Duhet të bëjmë sakrifica, shumë sektorë në Lituani nuk po marrin atë që u takon. Por qeveria jonë nuk është e detyruar t’u shpjegojë qytetarëve përse kemi marrë këtë vendim. Lituania ndihet e ekspozuar ndaj kërcënimeve”, u shpreh një zyrtare lituaneze.

Prandaj të qenit të bashkuar në një front sigurie globale do të thotë të ndash barren për sigurinë, për përgjegjësinë, për financimin. Për shumë vite me radhë administrata e Shteteve të Bashkuara, e së fundmi dhe Presidenti Trump nuk e ka fshehur frustrimin kur deklaroi se, sa pak po shpenzojnë aleatët për ushtritë e tyre përkatëse duke i lënë ShBA-së një faturë të majme për mbrojtjen e përbashkët. Kjo është një “kambanë”, për ata që “kanë veshë”, sepse siguria e kombeve është përparësi në kohët e sfidave të mëdha botërore.

Fatura e Shteteve të Bashkuara për sigurinë e Europës
SHBA po e shton angazhimin e saj ndaj sigurisë evropiane. Shtetet e Bashkuara shpenzojnë më tepër se 3.5% të GDP-së për mbrojtjen, shifër kjo e konsiderueshme që përfshin angazhimet amerikane në Europë, Azi dhe në disa vende të tjera. Shtetet e Bashkuara të Amerikës për sigurisë europiane do shpenzojë vetëm për 2018-ën, rreth 4.8 miliardë dollarë, rreth 1.4 miliardë më shumë se në vitin 2017. Ndërsa administrata Trump ka kërkuar që për vitin 2019 të jetë 6.5 miliardë dollar.

Siguria dhe integriteti territorial e aleatëve dhe partnerëve ka bërë që jo vetëm të rritet prezenca me rotacione e trupave amerikanë por edhe stërvitjet e përbashkëta dhe trajnimet operacionale. Qëllimi kryesor është ndërtimi i kapaciteteve të aleatëve. Buxheti i këtij viti i SHBA-së për mbrojtjen europiane ka në esencë gatishmërinë dhe mbrojtjen kundër çdo agresioni rus.

“Është goxha faturë e majme për Shtetet e Bashkuara të çojë në misione ushtarët e saj. Na duhen baza në Europë. Ne do të vazhdojmë të bëjmë pjesën tone, por nëse nuk përmbushet objektivi 2%-shit, kjo do të gjenerojë shumë debate brenda vendit. Ju duhet ti keni paratë për t’i bërë gjërat. Ju sigurojmë se SHBA nuk do të ulë nivelin e saj të mbështetjes financiare dhe as buxhetin e saj të dedikuar për Aleancën” tha një burim pranë kongresit amerikan.

Amerika do “derdhë” lumin e parave, për armatosjen e Europës si kurrë më parë me “bizhuteritë” më të çmuara nga mjetet luftarake që disponon, si avionët luftarakë F-35, me bombardues B-52, 87 tanke M1; 135 automjete të blinduara Bradley,18 pjesë artilerie gjysmë të lëvizshme Paladin M109A6 etj. Ky plan sipas Magnus Nordenman, Drejtori i Iniciativës së Sigurisë Atlantike nga Qendra për Mbrojtjen e Strategjisë dhe Sigurisë së Këshillit Atlantik, tregon rritjen e interesit të amerikanëve në Europë që do të dislokohen edhe me kapacitetet e mjetet ushtarake, për të qenë operacionalë në përmbushje të misionit të sigurisë globale. Në rast situatash krize në shtetet kryesisht të pozicionuar gjeografikisht në kufijtë lindorë, ushtarët amerikanë janë mëse të përgatitur dhe të aftë për të vepruar ushtarakisht në çdo moment.

“Duhet të punojnë fort më Aleancën por gjithashtu me Bashkimin Europian për të lëvizur forcat me shpejtësi përqark kontinentit Europian. Kemi shumë punë me “letrat” që do të thotë veprime burokratike, vlerësimi i infrastrukturës pasi kemi parë që në disa vende është e vjetruar, do kontrollojmë rrugët, urat për t’u siguruar që trupat dhe mjetet do të arrijnë në destinacion tha zyrtari i qeverisë amerikane.

“Duhet një marrëveshje e re e shteteve europiane për sa i takon lëvizjes së trupave dhe mjeteve ushtarake, që do të diskutohet në samitin e ardhshëm në Bruksel”, u shprehën burimet pranë kongresit amerikan.

Ushtrive që u duhen 6 muaj për t’u bërë gati për luftë, kanë pak vlerë në mbrojtje akoma më pak në parandalimin e kërcënimeve dhe sulmeve. Duhet ta shkurtojmë këtë kohë dhe të përgjigjemi me shpejtësi”. Por amerikanët janë të hapur dhe të sinqertë me aleatët e partnerët strategjikë. Në kontrast me Shtetet e Bashkuara qëndron Gjermania, super fuqia ekonomike europiane, e cila me zor shpenzon 1.2% për mbrojtjen. Gjermaninë e ndjek, Spanja, Italia, dhe Hollanda. Unitet do të thotë ndarje e një objekti të njëjtë që synon mbrojtjen e përbashkët.

Washingtoni po u tregon gjithnjë e më tepër Aleatëve e veçanërisht shteteve në kufi me Rusinë se, Amerika u mbron shpatullat dhe ofron siguri. Janë kohë delikate për aleancën perëndimore, anëtarët e së cilës punojnë së bashku kundra terrorizmit në Afganistan dhe Lindjen e Mesme. Presidenti Trump ka deklaruar se mund të mos mbështesë vendet anëtare të NATO-s që nuk i kanë përmbushur detyrimet e tyre financiare madje edhe sekretari i mbrojtjes Matis ka dhënë të njëjtin mesazh. Fakt është se në vitin 2014 vetëm tre Aleatë shpenzuan 2% të GDP- së për mbrojtjen.

Tomas Goffus, zëvendës sekretari për Mbrojtjen Europiane dhe politikat e NATO-s në Pentagon foli me gjuhën e shifrave, duke ju referuar vitit 2018, ku tetë Aleatë do të arrijnë 2% dhe 15 aleatë ku përfshihet edhe Shqipëria do të arrijnë këtë objektiv në vitin 2024. “Ky është një progres i rëndësishëm. Sigurisht duhet bërë më tepër punë në këtë drejtim. Kjo përfshin rritje në shpenzimet e mbrojtjes, më tepër investime në kërkime dhe zhvillim”.

Sfidat e kohës janë “tik-tak-u” i përgjegjesive për gjithë Aleatët, dhe “të zgjidhin qesen” kur vjen fjala për shpenzimet e mbrojtjes, por deri më sot për xhepat e taksapaguesve gjermanë, italianë, spanjollë apo holandezë kjo nuk është “çështje aq e thjeshtë” pasi shifrat tregojnë se ata nuk janë ende të gatshëm të paguajnë faturën. Amerika ka një mesazh të qartë: evropianët nuk mund të shmangin më marrjen e përgjegjësisë për mbrojtjen e tyre./gazeta shqiptare/

Please follow and like us: