Sadik Bejko: Vdekja me pishtar në dorë…
Vilson Blloshmi, (1948-1977). Poet i pushkatuar. Sot Nder i Kombit.
Thonë se ndonjëherë poetët janë orakuj të vetes. Parashikues të zymtë të së pritmes së tyre.
Kjo poezi profetike, si një vegim infernal, parasheh fundin e tij përpara gjashtë vjetësh.
Në foton me poshtë, është kapaku i revistës “Nëntori” (organ i Lidhjes së Shkrimtarëve) mbulesa e pasme e revistës, ku është shkruar poezia.
Kjo revistë u varros në kopshtin e Blloshmëve kur pushkatuan autorin dhe u “zhvarros” pas vitit 1991.
***
Dhe shpirti i të vdekurve në dorë me një pish(tar…)
Vrapon, del i dalldisur nga humbja e ndien v(dekje)…..
Hapësirës në çdo vend.
Përzien krahë, flatra shpirtin tim takon (…)
Mbi detin e qetësisë, mbi dallgë kalon
Takojnë me një pikë nga lotët më rrodhën
Dhe dhimbja ndrin argjend.
30 qershor 1971
Ora katër e mëngjesit…
Një lexim i mundshëm i kësaj poezije:
Një i ri 23 vjeç evokon temën e vdekjes në poezi. Është ora katër e mëngjesit. Pra, natën e 30 qershorit 1971 e ka gdhirë. Shpirti i të vdekurve nëpër natë me pishtar në dorë vrapon, e ka kërkuar ngado hapësirës. Diku e ka takuar poetin e atij, thjesht, i kanë rrjedhur lotët.
Pastaj…Dhimbja ndrin e argjendtë.
Vegim i pashembullt.
Shpirti i të vdekurve me pishtar në dorë rend e zotëron hapësirat, flatron pa kohë, pa hapësirë, mbi detin e qetësisë…shpirti i vdekjes me pishtar i kalon gjithë dallgët.
Jo një…po një çetë shpirtrash…mund të jenë, t’ia mësyjnë shumë, shumë shpirtra të vdekurish.
Takojnë diku poetin…lotët në sytë e tij.
Dhe ndodh e pandodhshmja. gjithçka argjendohet. “Dhe dhimbja ndrin argjend”. Infernalja argjendohet. Çfarë ka ndodhur? Si ka mundësi?
Vdekja në imazh argjendor është një kundër vdekje. Nuk është zija e zezë, nuk sterron.
Jo. jo asgjë e përzishme. Madje e kundërta: argjendorja zotëron. Një paqetim argjendor e mbyll perden e një shpirti të vdekjes që universalisht rend me pishtar në dorë…
Vdekja, pra, pranohet si shpëtim…. (mendoni: është një i ri 23 vjeç) – ashtu si pas natës së ankthshme…të datës 30 qeshor 1971, ankthet, terri i natës janë shterrur, janë platitur…nga lart po bie agimi që i argjendon brigjet.
Një premtim paqeje për ditën e re.