Albspirit

Media/News/Publishing

Mark Simoni: Filmi i çuditshëm

Tregim
Me të arritur në shtëpi, drejtori i kinemase e vendosi kasetën në video për të parë se çfarë filmi pati blerë.
Në ekran u shfaq një oxhak i madh në të cilin digjeshin ngadalë, si në ëndërr, një palë dru të rëndë. Krejt ngadalë, me ngulm, pa bërë zhurmë. Tymi qe po kaq i rëndë sa dhe drutë. Dhe hiri kishte ngjyrë të zezë e të errët. Ai priti gjatë që filmi të paraqiste ndonjë skenë tjetër, por zjarri vazhdonte po me të njëjtin ritëm, i rëndë, i zi, përrallor, iniferent dhe njëkohësisht dhunues. Vetëm skenë zjarri.
Zjarrri e tronditi dhe e joshi përnjëherësh, duke e mbajtur pa lëvizur përpara ekranit për shumë kohë, deri sa kaseta mbaroi me po të njëjtën gjendje të oxhakut, ku drutë qenë bërë krejt hi e tymi ishte holluar vende vende.
E ndjeu veten krejt të drobitur e të marramendur. Pamjet e zjarrit i ishin futur deri thellë dhe kuptoi se diçka brenda trupit po i digjej ngadalë. Madje gjymtyrët e veta më shumë se çdo gjë iu bë se s’qenë gjë tjetër veçse drutë e rëndë në atë oxhak të mallkuar te filmit.
Duke dalë si i marrakotur nga ky makth, ai e kuptoi se kjo lloj lodhje vinte pikrisht prej boshtit të atij filmi që e pati mrekulluar krejt, në trup, në shpirt e në frymë. Ishte një zjarr që e ngjalli tepër.
Krejt i rrëmbyer, (si me frikën e atij që po i shuhet zjarri), urdhëroi me telefon punonjësit e sallës së shfaqjeve te kinemase, që të nesërmen do të jepej filmi,….po, filmi “Zjarri”. Dëgjuat? Madje mos harroni të shkruani në reklamë se shfaqja është falas. Le te vije kushdo ne kinema e ta shohe filmin.
Nga që ishte i hutuar nga ajo kasetë dhe i turbulluar gjithësesi, vonë, madje tepër vonë u kujtua se ndoshta ai lloj filmi do t’i nervozonte qytetarët e tij, të pamësuar me filma pa subjekt. Menjëherë i erdhi në mendje t’a anullonte shfaqjen, por qyteti atbotë e pati marrë vesh dhe ai ishte tashmë i pafuqishëm për ta bërë një gjë të tillë.
* * *
Në shfaqje u dynd pothuaj i tërë qyteti. Turma shtyhej në dyert e sallës që ishte mbushur qyshë herët. Duke menduar se filmi do të vendoste njëfarë rregulli, ai urdhëroi të fillohej.
Nga ekrani, drita e zjarrit u derdh nëpër fytyrat e habitura që prisnin mrekullinë nga ai film që jepej falas. Priti në ankth se mos ndokush ne salle, e pastaj të gjithë, të bërtisnin se ç’është kështu, vetëm me zjarr, ç’bëhej, çfarë filmi është ky, film koti…
Përkundrazi në sallë s’kishte asnjë zë. Një heshtje e nderur cep e më cep. Madje pikërisht kur mendohej se tashmë publiku do të shpërthente klithjen, ai vuri re që sytë e tyre përpinin e qenë hapur aq shumë sa u ngjasonin syve të të çmendurve. Por kurë turma po ngrihej e afrohej ngadalë si e marrakotur drejt ekranit, ai ndjeu një si zjarmi eshtrash brënda vetes. Afroheshin. Akoma dhe më pranë. Në hyrje vazhdonin të shtyheshin njerëz.
Salla po çmendej. Zjarri vazhdonte të luante me habinë e tyre të dalë mendsh, ndërsa hiri poshtë qe fare i zi. Diku nga mesi i sallës një zë filloi të recitonte për zjarrin. Ishte një zë i thellë si prej zgavre. Disa duar e ngritën lart recituesin. Tashmë ai vetëm klithte dhe fjalët nuk i merreshin vesh. Klithja vinte nga një shpirt i mrekulluar, që dalngadalë po vdiste tashmë.
Tymi sillej rreth zjarrit ndërsa drutë rrëzoheshin mbyturazi. Dikush tha se e quante veten Xhordano Bruno dhe donte që se s’bën ta vinin në turrën e druve. (Copra karrikesh, që qenë shkatërruar nga turma e madhe, u vunë nën këmbët e tij). Madje dikush deshi që t’i ndizte.
Zjarri në ekran vazhdonte të ishte i rëndë, ngulmues e më i plotë se asnjë herë tjetër. Ca gra u kujtuan për kusitë me gjellë që kishin harruar në zjarr. Andej nga fundi i sallës filluan të zhvishen vajzat e gratë e para, duke hedhur mbi kokat e njerëzve veshjet e brendshme të tyre. Klithjet dhe sytë u çakërdisën krejt. Zjarri vazhdonte ashtu i pushtetshëm të dhunonte sallën.
Një i çmendur tregoi me gisht shtatoren e Prometheut. Mëlçia e tij vinte erë shkrumb. Po puthej me një poete. Ca korba tërë hi i vinin vërdallë. Tymi qe shtuar pak në periferi të ekranit. Zjarri ishte krejt i egër. Njerëzve po u shqyheshin sytë. Një mrekulli e vërtetë, thoshin, dhe i afroheshin përherë e më tepër ekranit. Nga hyrja e sallës sollën një trup të mbuluar me batanije, të vënë mbi një barelë të shtrembër. Trupi sapo pa ekranin, thirri “zjarri” dhe u ngrit vrik, si qiri, në këmbë. (Ca thanë se kishte vite që dergjej në shtrat).
Vajzat klithnin në fund të sallës, korbat e Prometheut silleshin mbi kokat e njerëzve. Atë që quhej Xhordano Bruno, po përgatiteshin t’i vinin flakën e ta digjnin. Zjarri vazhdonte të ishte po aq i rëndë e mbytës.
Vetëm atëherë, kur drutë u thyen në mes dhe hiri u bë krejt i zi, filmi mbaroi.
Njerëzit në sallë u dukën se ranë menjëherë në gropën e dëshpërimit. Dhe vonë, krejt vonë, kur gjërat po ktheheshin në vendin e vet, u kujtuan të duartrokasin. Duartrokitën gjatë, solemnisht, të emocionuar e me lot në sy. Duartrokitjet qenë të rënda, si përplasje drurësh.
Akoma nuk pati mbërritur në shtëpi kur njerëz të ndryshëm filluan ta marrin në telefon. I luteshin që t’u jepte ndonjë kopje të kasetës. Telefonat u bënë krejt të padurueshëm dhe vazhduan deri pas mesnate. Kërkonin me ngulm. Të gjithë e donin medeomos atë film.
Telefonatat qenë të ndryshme. Ishin të mrekulluar e gjithsesi të mahnitur. “…Ju lutem më jepni një kopje të tij…”. “… Do t’ua dij për nder…”. “… Seç kam një farë turbullim nga ai dreq filmi….:. “…Unë po digjem nga ai zjarr…”.
Zërat qenë disi të shformuar. Kërkonin, deri në lutje një kopje kasete.
Për dy ditë pothuaj të gjithë njerëzit bënë porosi. Kopjimi i kasetave vazhdoi papushim edhe netëve, derisa u plotësua dhe kërkesa e fundit.
* * *
Drejtori i kinemase ishte krejt i lodhur, por dhe i mrekulluar, kur ra të flinte diku andej nga mesnata e tretë.
Nga jashtë gjumit dëgjoi një si zhurmë dhe rrëmet. Një si klithje. Qenë vërtetë klithje sirenash që silleshin qytetit nëpër natë. U ngrit vrik në këmbë, e ashtu i turbullt siç ishte, doli në ballkon. Zjarrfikset, si të çmendura, vraponin rrugëve. Klithnin. Në fillim si turbullt e pastaj gjithnjë e më qartë ai dalloi se nga dritaret e të gjitha apartamenteve të qytetit po dilnin gjuhë të tmerrëshme flakësh. Zjarri qe këmbngulës e i rëndë dhe natës i vinte era shkrumb. Qyteti po digjej me një shpejtësi të egër dhe i tëri qe i lyer nga flakët. Briti deri në kupë të qiellit. Nga prapa ndjeu kërcitje zjarri. Nga krevati i tij menjëherë buruan flakë dhe gjuhët e saj e mbërritën, duke mos e lënë më të mendonte për asgjë.

SHENIM (Tregimin e kam shkeputur nga libri im “Murgj te verber”. Ky tregim qe dhe skenari i filmit me metrazh te shkurter “Zjarri”, i studenteve te Shkolles se larte te Regjizures “Marubi”. Ndersa fotografine e kam bere prane nje grafike murale te piktorit te famshem Salvadore Dali).

Please follow and like us: