Albspirit

Media/News/Publishing

Mark Simoni: Ankthi i një gruaje

Tregim

 

Ajo, sapo doli nga vaska, hodhi mbi trup peshqirin me kandila të kuq deti. Ashtu e dehur siç kishte qenë dhe në ujë, filloi të fshihej ngadalë, duke u parë në pasqyrën e madhe. “Je vërtetë për një natë!” i pati thënë para ca ditësh një zë në telefon. Por ajo e pati përcjellë atë bisedë krejt indiferente dhe pa ia vënë veshin.
Avujt mes saj dhe pasqyrës e bënin përherë e më tepër misterioze. E fshiu avullin atje ku mendonte se do të shihte gjoksin. Gjinjtë qenë të plotë, me majat ngritur lart. Kaloi dorën mbi bark, ngadalë e zbriti më poshtë. Magjia që kishin provuar ata që patën fjetur me të, kishte kohë që pati rënë në gjumë. Ajo përherë indiferente mes lutjesh dhe ngacmimesh.
Qe krejt e dehur nga mrekullia e ujit dhe nga bukuria e vetes. Diku anash ndjeu të binte telefoni. Doli në koridor dhe ngriti dorezën.
-Ke kohë pa fjetur me ndokënd, ë? S’po bën më seks-tha zëri.
Gruaja rregulloi kandilat e kuq të peshqirit dhe dëgjonte si në gjumë fjalët që vinin nga përtej.
-Ndaj ke filluar të shëmtohesh- u bë cinik zëri.
-Idiot- dhe e mbylli me rropamë telefonin.
Alarmi i shëmtimit e shtyu drejt pasqyrës së banjës. Avulli ishte akoma atje, i holluar disi vende vende. E fshiu me ngut dhe iu afrua pasqyrës gjith ankth për të kundruar veten. Vuri re se qafës kishte rrudha të thella, gjoksi qe varur tepër dhe në vithe qe shtërmbruar keqas. Ndërsa në mes të fytyrës dukej një humbellë që po i rrëzohej brënda, duke i marrë me vete sytë dhe buzët. Flokët i qenë bërë si shkurre.
U trindit dhe e pushtoi tmerri. Kandilat që deri para pak çastesh qenë mbi peshqir, tani vareshin kudo, duke lëvizur e lënë mbi trupin e saj që dridhej jargë neveritëse. E afroi dhe një herë fytyrën tek pasqyra, por u tërhoq vrik, sikur atje të kishte gjetur varrin e vet.
Iku. Majtas qe tharësja e flokëve. E mori dhe e vërtiti me rropamë mbi pasqyrë.
Në fillim gjithçka u drodh dhe pastaj u nda në mijra copa.
Vrapoi për në dhomën e gjumit. Flokët tashmë i qenë bërë të kuq, krejt si kandilat. Në supe ndjeu se kishte pëlhurë merimangash, ashtu si në qoshe dyersh të pahapura prej kohësh. Madje tek këmbët pëlhura qe akoma më e dendur. Peshqiri kishte mbetur bosh, teksa kandilat e kuq patën marrë shtëpinë, kishin hipur mbi tualet, mbi krevat, mbi abazhurin e zbehtë dhe lëshonin jargë.
Gruaja mori telefonin dhe i ra një numri krejt kuturu. Përtej doli një zë fëmije. E mbylli. Formoi shpejt një tjetër. Asgjë, asnjë zë. Bëri një tjetër me gishtat që i dridheshin. Nuk qe numër telefoni. Kërkonte në ankth të dilte dikush. Nuk i kujtohej asnjë numër i njohur. Rrobat nëpër shtëpi i qenë hallakatur dhe prisnin trupin e saj. Mbathjet e zeza i kujtonin thirrjet e jevgës që shiste buzë trotuarit: “Hajde brekë për histerike!”.
Hodhi krahëve rrobdëshambrin e madh, që atbotë qe bërë i rëndë dhe me lagësgtirë reshë. Flokët i kullonin zhurma gjithëfarë lloji. Vrapoi për në ballkon, krejt e alarmuar, Nata sipër qe mbushur me yje të verbër e të shëmtuar. Poshtë për dreq s’kalonte e s’kalonte askush. Rruga shtrihej krejt fillikat.
-Ej- thirri një të dehur, sapo ai u duk në qoshen e një pallati, duke kënduar një këngë ashikësh e sevdaje -Ej, ej ti.
Gjithë frikë se ai mos largohej pa e dëgjuar, e bëri gruan të thërriste deri në kupë të qiellit. – Ngjitu lart, kam nevojë për ty!
Bënë dashuri.

***
Mbasi e përcolli burrin deri në krye të shkallëve, u kthye dhe mblodhi copat e pasqyrës. Krejt e marrakotur dhe e lumturuar, e dehur nga gëzimi, ajo i fluturoi nga ballkoni pasqyrëzat e vogla duke klithur gjithë hare. Sapo qe parë në pasqyrën tjetër tek dhoma, dhe vetja i qe dukur një mrekulli. Vërtetë ajo qe gruaja më sensuale e qytetit. Krejt lakuriq kaloi përbri pasqyrës, duke bërë një piruetë. E ndjeu se qe vertete e bukur. Kandilët e kuq qenë kthyer mbi peshqirin e madh.
***
Në mëngjes njerëzit kalonin mbi copra pasqyrash. Një vajzë u ul dhe mori një copë. U pa.
-Sa e bukur qenkam bërë, i tha vetes. Pastaj me ngut shikoi orën dhe vrapoi. Ndoshta do takohej me ndokënd.

Please follow and like us: