Albspirit

Media/News/Publishing

Kastriot Islami: Drejtuesit e korruptuar e pakënaqësitë shpërthyese

Drejtuesit e vendeve të Ballkanit Perëndimor janë pa përjashtim “burra” që qeverisin me “dorë të fortë”; këta njihen kudo me termin perëndimor “STRONGMEN”. “Strongmenët” e BP në të vërtetë kanë si model Putinin e Erdoganin, adhurojnë mënyrën sesi ato drejtojnë dhe sesi qëndrojnë gjatë në pushtet.

Ata imitojnë dhe kanë për model liderët e fortë e autoritarë, të cilët i adhurojnë dhe i vlerësojnë si të suksesshëm. Pa asnjë mëdyshje, “strongmenët”, mes Merkel, Makron e tjerë dhe liderëve autoritarë ato do të zgjidhnin Putinin apo Erdoganin. Sepse kështu mund të qëndrojnë gjatë në pushtet. Mund të qeverisin rehatshëm. Sepse kështu shmangnin kërkesat e perëndimit për “shtetin ligjor, drejtësi e media të pavarur, për respektim të opozitës apo të të drejtave të njeriut”.

1. DREJTUESIT BALLKANIKË, “KOPJE AUTORITARISTE TË SHËMTUARA”

Drejtuesit ballkanikë, në mungesë të vëmendjes perëndimore apo të qasjes së tyre për “stabilitet versus demokraci” po rrënojnë ekonomitë dhe po përkeqësojnë në ekstreme të rrezikshme mirëqenien e qytetarëve të vendeve të tyre, duke i detyruar ata të emigrojnë. Dhe nëse emigrimi do t’u bëhej i pamundur, pakënaqësitë e tyre do të shpërthenin ndoshta në mënyrë të pakontrollueshme. Qytetarët ballkanikë kanë ndjeshmëri të ulët ndaj tezës së “rrezikut rus, kinez e turk”, ndërkohë që ndjejnë kërcënim për të ardhmen e fëmijëve nga drejtimi i vendeve të tyre nga drejtues të korruptuar.

Ata janë tashmë të pashpresë jo vetëm se ndjehen të pafuqishëm për të ndryshuar vetë situatën në vendin e tyre, por edhe sepse janë të zhgënjyer nga angazhimi i perëndimit për “demokratizimin e integrimin” e vendeve të tyre apo mbështetja që ata i japin “strongmenëve” ballkanikë. Qytetarët ballkanikë vërejnë me dëshpërim sesi drejtuesit e tyre, “kopje të shëmtuara” të drejtuesve të Rusisë, Kinës apo Turqisë marrin poza e përpiqen t’i mashtrojnë ata me shtrëngimet e duarve a fotot me liderët europianë.

2. DREJTUESIT BALLKANIKË JANË TË KORRUPTUAR DHE TË LIDHUR ME KLANET MAFIOZE

“Strongmenët” e BP kanë ndërtuar qeverisjen e tyre bazuar në parimin “të forcohemi ekonomikisht për të qeverisur fort e pa probleme politikisht”. Me “forcim ekonomik” këta “strongmenë” nënkuptojnë “pasurimin përmes korrupsionit, lidhjes me klanet mafioze dhe trafiqeve të drogës, e tjerë” të një grushti të vogël njerëzish rreth tyre. Kurse me “qeverisje të fortë e pa probleme” nënkuptohet qeverisje “me dorë të fortë”, pra, sinonim i “qeverisjes autoritariste”, përmes kontrollit të bizneseve të mëdha, medias, shoqërisë civile, dhe drejtësisë.

Dhe, mbi të gjitha, për të “fituar zgjedhjet” përmes tjetërsimit të rezultatit zgjedhor, përdorimit të parave të pista për të blerë votat, qasjeve nacionaliste apo populiste. Si dhe për të dobësuar dhe goditur opozitën e të gjithë kundërshtarët politikë brenda partisë që drejtojnë, por edhe çdolloj kundërshtari të qeverisjes së tyre.

3. “STRONGMENËT” BALLKANIKË JANË KUNDËR INTEGRIMIT

“Strongmenët” e BP janë të bindur se kjo mënyrë drejtimi autoritare, pra, më dorë të fortë, të cilën mund ta bëjnë vetëm ata dhe askush tjetër, është në të mirë të progresit të vendit dhe të rritjes së mirëqenies së qytetarëve. Këta “strogmenë”, realisht s’duan që vendet e tyre të jenë anëtare të BE-së, sepse për ta anëtarësimi në BE do të thotë “heqje dorë nga qeverisja autoritare”, pra, largim i tyre nga pushteti. Por, nga ana tjetër, s’mund të jenë në mënyrë të dukshme kundër anëtarësimit në BE të vendeve të tyre dhe prandaj bëjnë gjithçka që të duken sikur ata përpiqen për të futur vendet e tyre në BE, por ky anëtarësim vonon, jo “për fajin e tyre”, por sepse BE ka “probleme të brendshme” e “kërcënime të jashtme”.

Kjo qasje alibike i shtyn “strongmenët” të kërkojnë të kenë marrëdhënie të mira me lidershpin demokratik europian dhe për këtë qëllim vënë në dispozicion të gjithë mekanizmat e mundshëm, nga lobistët deri shuma të konsiderueshme parash, për të bërë foto e shtrënguar duart liderit europianë, për të siguruar “raporte pozitive progresi” për qeverisjet e tyre, madje duke mos e çarë fare kokën as për lëshime antipopullore në rast se ka kërkesa prej drejtuesve europianë apo kompanive të vendeve të tyre, për “inceneratorë mbetjesh të rrezikshme”, dhënie koncesionesh preferenciale, blerje pajisjesh apo makinerish të shtrenjta, mjafton të sigurojnë mbështetjen e tyre.

4. ILUZIONI I “STABILITETIT VERSUS DEMOKRACI”

Bashkimi Europian, veçanërisht Komisioni Europian, kryesisht për shkak të problemeve të brendshme të vendeve anëtare të BE-së të lidhura me krizën ekonomike, që ka pasur impakt edhe në sistemin e tyre politik, kanë një qasje “të thjeshtuar” ndaj demokratizmit të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ata gjithnjë e më shumë po i japin prioritet stabilitetit, duke neglizhuar demokratizimin e vendeve të BP-së. Ata preferojnë, përmes raportesh me fjali të rrumbullakosura dhe shtrëngimeve të duarve apo fotove me “strongmenët” e BP-së, të sigurojnë stabilitetin e vendeve të BP-së. Sepse, duke “mbështetur” strongmenët që drejtojnë këto vende, ata arrijnë të flenë rehat me iluzionin e stabilitetit që u garantojnë “strongmenët”.

Por “strongmenët” e garantojnë stabilitetin duke qeverisur në mënyrë autoritariste. Duke ndërtuar qeverisje korruptive dhe klienteliste. Ky është një “stabilitet” i brishtë e afatshkurtër, që po i gërryen këto shtete, duke i kthyer në “piramida” që mund të shemben lehtësisht. Kjo dukuri është theksuar, veçanërisht në 10 vitet e fundit dhe nëse s’ndërhyhet fuqimisht e me shpejtësi, të gjithë këto vende do të gjenden në një të ardhme të afërt, në një situatë kolapsi të paimagjinueshëm.

5. PËRSE “LIDERËT AUTORITARE” GËZOJNË MBËSHTETJE, JO VETËM NË BALLKAN?

Shtrohet një pyetje: Përse Putin, Erdogan apo ndonjë tjetër kanë kaq shumë sukses? A është e vërtetë mbështetja popullore që ato gëzojnë? Sa afatgjatë mund të jetë kjo gjendje? Mos vallë ka dështuar sistemi demokratik përballë kësaj mënyrë të re të qeverisjes apo drejtimit të vendit? Nga disa studime ka rezultuar se gjithnjë e më shumë qytetarë duan personalitete të forta në krye të shtetit të tyre, sepse ata i japin atyre përgjigje më të shpejta për problemet e komplikuara të një bote të globalizuar, e cila po bëhet gjithnjë e më konfuze. Sepse njerëzit e thjeshtë, në numër gjithnjë e më të madh në mbështetje të “lidërve të fortë” preferojnë përgjigje të shpejta e të qarta për sfidat që duhet të përballojnë, në vend që të presin përgjigjet që vijnë përmes vendimeve demokratike nga procese të gjata apo balanca demokratike të lodhshme të institucioneve të pavarura.

6. SA ILUZORE ËSHTË ËNDRRA PËR QEVERISJE ME DORË TË FORTË?

Studimi i një Instituti të pavarur gjerman për gjendjen e demokracisë në 129 vende të botës ka zbuluar “ëndrrën për lider të fortë”. A është kjo më shumë një “ëndërr iluzore” apo qytetarët kanë të drejtë? Studimi tregon: “qeverisja me dorë të fortë” është iluzore, sepse gjithnjë ka çuar në erozionin e sundimit të ligjit, në rritjen e kontrollit të gjithçkaje nga lart dhe shumë shpesh vetëm nga një person. Dhe e gjithë kjo qeverisje autoritare ka çuar apo është shoqëruar gjithnjë në periudhën afatmesme me një rënie të ekonomisë dhe të mirëqenies së shumicës së qytetarëve. Dhe kjo ka një shpjegim shumë të thjeshtë: Dinamika e një autokracie çon në korrupsion dhe nepotizëm, të cilat përhapen gradualisht me kalimin e kohës.

7. DËSHTIMI I “STRONGMENËVE” ËSHTË I SIGURT

Suksesi i një lideri të fortë përmes kapjes dhe kontrollit të të gjithë mekanizmave të shtetit zakonisht zgjat vetëm pak kohë. Kurse dështimi i tyre është i sigurt. Sepse një drejtim autoritar në vend të promovimit të konkurrencës së ndershme dhe mundësive të barabarta, privilegjon klientelizmin e nepotizmin, pra, njerëzit e kompanitë që janë pranë qendrës së pushtetit, të cilët fitojnë më shumë dhe pasurohen, ndërkohë që shumica tjetër varfërohet. Po ashtu drejtimet autokratike shkatërrojnë atë pjesë të shëndetshme të ekonomisë së tregut që ka efekt balancues dhe bëjnë ekonominë e tregut të suksesshme për shumicën e sipërmarrësve, ndryshe nga privilegjimi i një grushti oligarkësh apo familjeve të tyre nga regjimet autoritare që çojnë gradualisht në dobësimin dhe zhdukjen e një ekonomie efikase të tregut.

Hapësirat për liderët autoritarë janë zgjeruar, për shkak të zhgënjimit nga pritshmëritë e larta që kanë qytetarët; për shembull në disa raste demokracia dhe ekonomia e tregut kanë prodhuar “rritje të egër”, nga e cila kanë përfituar jo shumica e qytetarëve, por disa grupe të vogla të cilësuara si “kartele të interesave”, të cilat janë pasuruar në kurriz të varfërimit të shumicës, duke krijuar një polarizim të tejskajshëm. Por në një vend demokratik funksionojnë mekanizmat demokratikë, të tilla si kontrolli parlamentar, media e lirë apo drejtësia e pavarur, e tjerë, të cilat mund të vihen në veprim dhe të korrektojnë devijimet eventuale të qeverisjes demokratike.

8. PAKËNAQËSITË SOCIALE NË VENDET E BP-SË JANË SHPËRTHYESE

Si përfundim, mund të thuhet se vendet e Ballkanit Perëndimor po keqdrejtohen në sytë e perëndimit nga drejtues autoritarë e të korruptuar dhe qeverisje klienteliste e nepotike. “Strongmenët” ballkanikë, çdo ditë e më shumë, po imitojnë modelet e adhuruara prej të tyre, të Rusisë, Kinës apo Turqisë, pavarësisht se bëjnë sikur kanë interes që vendet e tyre të anëtarësohen në BE. Për më tepër që kanë krijuar bindjen se anëtarësimi është një çështje e largët e së ardhmes. Ata përpiqen vetëm të sigurojnë foto e shtrëngime duarsh me drejtuesit e rëndësishëm në Bruksel, Berlin, Paris apo gjetiu, që u duhen vetëm për të mashtruar qytetarët e tyre.

Qeverisjet e tyre, korruptive dhe autoritare, janë të vendosura mbi themele ekonomike të paqëndrueshme dhe mund të shemben nga momenti në moment, për shkak të pakënaqësive sociale latente të gatshme të shpërthejnë dhe për të cilat mjafton vetëm një shkëndijë e vogël. Ata janë të bindur në “suksesin” e tyre, për më tepër që shikojnë se perëndimi është i angazhuar në hallet e problemet e tij për shkak të konfuzionit nga globalizmi.

Ata kanë kuptuar se perëndimi, duke mos pasur vëmendjen e nevojshme, ka aplikuar qasjen “stabilitet versus demokraci”, me të cilën “strongmenët e Ballkanit” ndjehen rehat dhe janë përshtatur për bukuri. “Strongmenët”, nëpër dreka e darka të bollshme, tallen e qeshin me tezën perëndimore të “rrezikut rus, kinez apo turk”, sepse ata kanë bindjen se kjo nuk i bezdis qytetarët e tyre, të cilët janë të dëshpëruar e të pashpresë e gati të emigrojnë, sepse e ardhmja e tyre është e rrezikuar nga “strongmenët” e tyre, që adhurojnë modelin “rus, kinez apo turk”.

Please follow and like us: