Letra e Shtjefën Gjeçovit për Gjergj Fishtën
I dashtun P. Gjergj (Fishta)!
Letren tande e kam marrç n’Lezhë. E ty a t’ra n’dore tejshkrimi qe ta dergova nga “Vorri Skanderbegut”.
Do të kesh pritë prej mejet lajmet e t’mledhunit t’Lezhës, po veç u da puna për faqe të zezë, s’mu dha me t’shkrue prap. Merzi e madhe kahë më binin nder mendë qellimet e ndyeta t’disave, qi mbahen dashësit e kombit, por per “intra in gandium domin ton” e qi paravenë dashëvetjen e mandej t’kombit.
Me 7 t’Vjeshtës së parë u mblodhëm në qytet t’Kruetanit të Madhnueshëm. Kahë e soditshe at shumsi shqyptarësh n’hie t’rrapit (çinarit, më pertrihej nder mend e Mbledhmja e Princave t’Shqyptaries n’kohë t’Kastriotit, tuj u lidhë me besë, për me ruejt atmen kundra turrit t’armiqvet, e kujtova, do t’na thekun n’zemer Hiet e Kastriotit e do t’u bashkoshim edhe na, do t’lidhshim besën e dashtënisë e do t’u betojshim me jetue vllaznishtë e pa perbuzë kend e pa ja vum kamben kuej. Të mjerët na se s’jena regjë e atmen e komin i majmë t’pshtetuna e t’mblueme n’zemer t’onë, rrethi i atmes asht vehtja e jonë!
Ulu dhe! Krisi zani T’Emzot Doçit e tremijë e ma shqyptarë ulun, për me veshtrue, se ç’kumt do të qitëte gojet. E. Doçi i knaqun tuj u gjetë mes gjithë atyne njerzve me sy t’ngulun kah Doçi, qi rrinte n’kambë me nji madhn, fillojë me fjalë t’kandshme me folë permi ndodhinat e jetës s’Preng Bibdodës… S’mbramit me nji flakë e zjarmi zuni me hjedhë e gadi-gadi me fluturue u tha: “Folni tash a e ban Preng Pasha, a jo! – Thoni t’gjithë, pergjegjni t’tan, e dona”. Populli me zemer, t’perziem – Po e dona. Ngjatja-Zo jetën atij, e z. s’Ate! E i bani dy-tri herësh me i porositë ato fjalë. U briti atbotë E. Doçi – Dahi ju, 12 Bajrakët, folni e më bini t’gjegjun a do t’i ndigjoni Preng Pashës, e sa e doni Preng Pashën për Regë t’punve. U çuen 12 bajrakët e u ndanë m’vedi. Tuj pamë këtë marrie, ju hulla Preng Pashës e i thashë: “Zotni, thuej të çohet edhe Zadrima e Malcija e të bajnë kuvend, mandej t’vinë edhe ata me pru gjegjen si 12 Bajrakët. Jo, briten disa…, s’kan nevojë kta m’u da, se atë t’gjegjun qi t’binë 12 Bajrakët kanë me u nejt edhe Zadrima e Malsia.
– Jeni tuj gabue, u dhashë, edhe s’bana za.
Erdhen Krenët e 12 Bajrakve e ishte e ditun se ç’t’gjegjun do t’i epshin.
U perzie puna. E. Doçi e Dom Nikaj e derdhne gojtarinë (elekuencën) e tyne, si mos kurrë, e sa me perdhunë dojshin me la dheun mbarë, e t’thuhej se e dona Preng Pashën për Regë t’Shqypnisë. E. Doçi britte: Thoni t’tanë se nuk njofim tjetër kend për regë t’ Shqypnisë posë Preng Pashën!… Kuvendi Gjeto Çoku e Ded Çoku. “Zotni i madhnueshëm ju vetë e dini, se na malsorin e gjenë në bjeshkë, se ska as dhetë vetë ktu, njimijë vetë i kam n’bjeshkë, Z. Jote ndreqi 12 Bajrakët, t’mos t’vriten e t’mos vjedhin e t’na lajnë borxhet, qi na kanë, e na si napim karar, sa si kemi njerzit ktu, e mas dy-tri javesh tash mbrrinë malsorët, e atbotë po t’a biem t’gjegjunit t’onë. Preng Pasha e njofti arsyen e Çokve, e na tha neve taljanisht, “malsorët tash na napin t’gjegjun. E. Doçi i nejt gadi Preng Pashës e me nji të turrun (porse heshtazi): “Zotni, veni mend se n’u thaç arsye, po na ngatrrohet fija e punës, qi t’thoshin se e njofin Preng Pashën për regjë t’Shqypnisë”. Gjeto Coku atbotë i pergjigj, se fjalën e kputne s’mund ta nap pa mrritë Malcia prej bjeshket. Marka Gjo Marku, qi rrinte në kambë me mancerre, si një ushtar, permas fjalës së Gjeto Çokut briti t’madhe e i tha Preng Pashës: “A sje tuj e marrë vesht or zotni, se kto nuk t’duen”? Unë si qellova afer, ju solla Marka Gjonit e i thashë: “Kapidan s’janë gja ato fjalë”! Nuk m’pergjegji. Ju vunë Gjetës, Emzot Doçi e Nikaj, qi thotë, se e njofin Preng Pashen për reqë, kur ju pergjegji Ded Coku e u thotë, qi pa ardhë malsorët s’mun e jap fjalën, t’i ndreqi Preng Pasha 12 Bajrakët, se puna eme asht e ndrequn. Duhet me ditë, se me fjalë t’Çokajve ishte edhe Zadrima. Muer rishtaz Marka Gjoni e tha: “N’daçi, se kufinin tem s’ma lot gja, m’Dri e kam kufinin”. Kto fjalë të zeza t’Marka Gjonit ma dynden vnerin, e ju hulla unë edhe i thashë nder sy t’gjithve: “Or Kapidan na s’jena mbledhë ktu me nda kufit e Shqypnisë, por kena ardhë me pertri besën e vllazninë me Mal e Fushë. T’ishim kenë t’zot per me i dalë zot kufive t’Shqyptarisë, nuk kishim pritë me na ardhë n’Shkoder ato pesë burra, nuk kishim bajtë me na u perhedhun ato pesë bajrakët e huej n’kalan e Shkodres, por kishim ngulë Flamurin e Shqypnisë. Puna e jonë s’asht tash me da kufit, se n’kjoftë me perlim me i da kufit, kanë me ditë ato pesë burra, qi janë n’Shkoder, se ne s’na pvesin për këtë punë”. Marka Gjoni u idhnue, se i rash ndesh, m’tha: “Zotni mos ma luej gishtin”! – Unë i pergjigja, – po ta luej gishtin edhe ma pertej, e mos rri tuj luejt me dhet e me vogjlinë t’shkretë, mos perbuz kend! Edhe u kput fjala.
Tashi erdhen Bajrakët e Pukës, kta i pergjigjen Pashës, qi shka t’ thotë z Jote e çdo urdhen e presim për dorë të Ipeshkvit tonë, t’cillit ja kemi dhan besën me ndej urt, dhe mos me ba punë të liga. E. Doçi, si n’perbuzun e suell shpinen, e Preng Pasha u pergjegj, edhe me çdo punë qi t’kem, bashkë me Ipeshkvin e ndreqi e ju shikoni nevojat. E. Doçi u a priti. “Kallzoni ju a po doni me njoft Preng Pashën për regjë të Shqypnisë!. Krenët i pergjegjën: “Na njofim Ipeshkvin e Preng Pashën n’past fjalë me ne, t’na çojnë permjet dore t’Ipeshkvit. S’u pelqej ky t’gjegjun.
Kçira, i thanë Krenët e Pukës, na ka dalë doret. Dona, qi Kçira t’rrie me 7 Bajrakët e Pukës, sikurse asht kenë gjithë herë”. Prenga u tha: “Po Kçira me ju Bajrakët do t’shkojë”. Krenët i thanë: “Na Kçiren e dona, e nuk e dona, se asht e 7 Bajrakëve, se na ka marrë nderën Ipeshkvit tonë”. Don Ndoc Nikaj si gjeluc kcej e duel ka ishin mledhë Kçirasit, kthej edhe tha, se kçirasit i bijen perpara Ipeshkvit, edhe per shka fola i shtrohen pengjet. E. Koleci tha: “Mbasi a pervum Kçira, të vinë ktu e t’lypin t’falun”! Advokati Nikaj u kervesh mas shpinet t’Emzot Kolecit tuj dashtë me thanë, se teper ishte tuj lyp. – Atbotë u ndez fjala; Puka s’donte me ditë për kurrnji urdhen t’Pashës, po s’u çote permjet t’Ipeshkvit. U trazue E. Daçi, Nikaj e Preng Pasha u lshue n’fjalë tuj u thanë Krenve t’Pukës: “Kputni qafen tek e mbramja, se masi s’po doni ju mue, as un s’ju due, mjaftë kam 12 Bajrakët e mi. Foli, etj. etj.
Kur atje ketu marrin e japin duel n’kam Begu i Lezhës, e permasi i tha Zadrimis me nji t’perbuzun, se s’due me ndej me ty, po po njitem me 12 Bajrakët. Ju hulla unë Mano Begut e i thaçë: “Zotnija jote je i biri i Mehmet Begut”!. Aj. Po Zotni. – Ju jeni t’dalun prej Larjet. Ai – Po zotni. Unë – Kah duel sod ky bajrak i Lezhës? Ai. – Ka kenë gjithëherë. Unë – Sa vend perfshin ky bajrak? Ai – Rraboshtën, Murqinë, Rrazen e malit me Pdhanë e Zejmen. Unë, – Në ç’gjygje jeni kanë gjygjue? Ai. – Me sherjat, se nuk na ka pas lanë Turkija me shkue me Kanun. Unë. – Mje tashi kena pasë ditë, se janë kater Bajrakët e Malsisë s’Lezhës e jo pesë. E ku shkote ky Bajrak me ba dava? Ai. – M’Saraj t’Lezhës. Unë. – Zadrima ku ka pasë ba davatë e veta? Ai. – N’Saraj t’Lezhës. Unë. – Pra, pse do me u da sod prej Zadrimet, masi t’mirat e t’kqiat i keni pasë mbarë s’bashkut. Mano Begu-Mano Beg i thashë, ti pse dahesh sod prej Zadrimet, a puna jote, porse vyen me folë me nder e me njerzi, se mos me perbuz Zadrimen, se shka ka pasë takue Zadrimës me hjekë edhe Lezhën e ka pasë moter. Etj.
Çohet Hysni Curri, nipi i Bajram Currit e briti: “T’perpushet kush t’donë me u perpushë, krejt Shqypnija e don edhe e njef Preng Pashën per Princ Shqypnijet. E mue më bijshin nder mend fjalët e Bajram Currit, i cilli tuj kalue nepër Gomsiqe e perpjetë kah Puka e kishin pasë pvetë, a asht pa me Preng Pashën? Ky u kishte pergjigj: “Me Preng Pashën jam pa, pat shkue bimbash e ka kthye n’Shqypni yzbash”. etj.
Me 13. IX. 913, kaloi ktu pari nji suhari shqyptar prej atyne qi janë veshë n’Shkoder me emnin Sadik Jetishi prej katuneve t’Pejës, i cilli kishte pasë kenë kahë Puka per me shtegtue do letra Bajram Currit e Riza Beg Gjakovës (R. Kryeziut), t’cillët gjinden n’Krasniqe e n’Bytyç. Kje ktu te unë e m’tha, se e kishe dergu Admirali -merret vesht i Hinglizit – per me pa si shkojnë punët t’ona, n’kto anë, edhe m’tha, se kishte pasë urdhnin e Admiralit me lypë nji dorë prej mejet, se ka kalue neper Gomsiqe. Unë i thashë a e ke ket urdhen me shkrim prej Admiralit? Ai m’pergjegji, se nuk e kishte me shkrim, por me gojë.
Fal me shendet Admiralit, i thashë, edhe i thuej, se më tha Frati i Gomsiqes, qi s’t njof se kush je, e po deshte, qi t’u nap dorë suharive qi kalojn ksajt pari, due qi t’ma bini doren me t’pesë Admiralat, atbotë kam me ditë se a puna me themel.
U lodha P. Gjergj, sa prej të nxetit e nuk mujta me shikue stolinë e shkrimit, as t’rreshtimit e sa mos t’thuesh se s’ta çova nji lajm dosido prej Mbledhjes s’Lezhës u vuna e ta shkarravita ket letër.
Shndet nga zemra
i yti
ASK Gjeçovi.