Viron Kona: Guguftu` e guguçe`!
Sapo rrapi nis të çelë gjethe,
kumritë1) shfaqen në degë,
mbledhin fije andej-këndej,
dhe mes rrapit ngrenë folenë.
Rreth e rreth fluturojnë,
i shohim dhe dy nga dy,
diç bëjnë atje nën fletë,
është kohë për dashuri!
Stinë e bukur e pranverës,
gjithë natyrën gjallëron,
vezët ngrohë kumria nënë,
mashkulli i saj vigjilon.
Sapo dalin n’jetë vogëlushët,
rreziqet vijnë radhë – radhë,
nga stuhitë, shirat e breshëri,
por dhe nga ca njerëz vandalë. 2)
Ja një grabitqar në qiell,
vete – vjen, ndjell fatkeqësi,
zogjtë e vegjël duhen mbrojtur,
nga skifteri kthetrazi. 3)
Kumritë mikeshat tona,
vijnë n’ballkone e në çati,
këtyre fqinjave hirplota,
u thurim këngë e poezi.
N`ditën e verës, vajzat e reja,
i ndjellin pranë me përkëdheli`,
me bollokume i gostitin,
të kenë fat në dashuri.
Ja dhe sheshi po gjallëron,
bëhen bashkë zogj e fëmijë,
qielli mbushet ngjyra- ngjyra,
me balona dhe kumri.
I kemi zemër, xhan i kemi,
kumritë që jetojnë me ne,
ëmbëlsisht i përkëdhelim:
guguftu` e guguçe`!
1). Kumria (Turtullesha) lloj pëllumbi. Njihet nga ngjyra gri dhe nga ngjyra e bardhë, e cila është shumë e rrallë. Ushqehet kryesisht me fara, insekte, kërmij. Nga fundi i pranverës femra lëshon 1-2 vezë. Në popull i thonë guguçe, por edhe guguftu.
2). Vandalë, këtu nënkupton njerëzit e egër, barbarë e të pamëshirshëm. Bëhet fjalë për ata njerëz, të cilët i vrasin kumritë, teksa ato qëndrojnë apo flenë nëpër degët e drurëve e pemëve.
3). Skifteri kthetrazi, lloji i zogjve të vegjël grabitqarë. Ushqehet me insekte, brejtës, gjarpërinj, zogj etj. Mund të takohet edhe në qytete. Ai lëshon tinguj të mprehtë: ki-ki-ki në mënyrë të përsëritur.