Albspirit

Media/News/Publishing

Sami Repishti: Harresa është vdekja e dytë e viktimës

Këze (Kozeta) Zylo

Profesor Sami Repishti është figurë e ndritur e kombit shqiptar, ai është dëshmitar okular i ferrit komunist, ku për pasojë u burgos me vite të tëra, në Shqipërinë komuniste (1946-56), dhe Jugosllavinë komuniste (1959-60).  Këtë kalvar vuajtje e hoqën mbi shpinën e tyre dhe familja e tij e shumëvuajtur.  Si një intelektual erudit, ai me shkrimet e tij ka dhënë një kontribut të vyer në publicistikë, letërsi dhe politikë.  Mesazhet që përcjell herë pas here per Shqiperine dhe Kosoven, janë të qarta, si para auditorit amerikan e deri në shtepinë e Bardhë, ai shpreson, se një ditë do të vijë demokracia e vërtetë dhe Liria e  plotë në Mëmëdheun tonë të shumëvuajtur dhe për të gjithë familjen njerëzore…një dhe e pandarë!

Profesor Repishti, ju jeni një prej viktimave të terrorit komunist, si ish i burgosur i atij regjimi ç’mund t’ju thoni lexuesve të shumtë, për vitet tuaja në burgjet famëkeqe të Shqipërisë?

Kam qenë viktimë koshiente e terrorit komunist në Shqipëni.  Kam kundërshtuar me bindje regjimin komunist që në ditët e para, sepse që në fillim “Shteti” filloi shtypjen dhe ushtroi terrorin.  Kam dëshmuar arrestime, burgosje, ekzekutime publike pa gjyq, dhe atmosferën e frikës që krijon cdo terror, pavarësisht nga ngjyra.  Jam nji deshmitar okular. 

Arsyeja e dytë e revoltimit dhe e veprimtarisë anti-qeveritare ishte atmosfera thellësisht kundërshtare e popullsisë së Shkodrës, qytet dhe fshatra.  Kjo atmosferë u acarua akoma më shumë në muajtë e parë të vitit 1945, me persekutimet sistematike të klerit katolik shqiptar, me qendër në Shkodër. Shpresa e qeverisë komuniste se me persekutimin e klerit katolik do të fitonte “simpatinë” e pjesës myslimane u shua me shpejtësi, dhe u zëvendsua me nji frymë solidariteti qytetar shkodran që u revelue ma vonë gjatë gjyqeve të vazhdueshme, ku të akuzuarit ishin myslimanë e katolikë.  Kjo atmosferë ka orientuar edhe veprimtarinë time.

Arsyeja e tretë ka nji dozë naiviteti djaloshar. Shpresonim se “Aleatët e mëdhenj” anglo-amerikanë do të ndërhynin diplomatikisht për të dënuar regjimin e posavendosur, dhe te krijonin kondita për nje zhvillim demokratik të vendit, e të shoqënisë shqiptare.  Kjo nuk ngjau!  Europa ishte e lodhur nga Lufta e dytë Botërore, dhe kishte nevojë për rindërtim të vendeve të shkatërruara nga lufta, Shqipëria hyri nën tutelën jugosllave të shokut Tito, i cili ishte nje satelit i B.S. dhe Stalinit.  Shqipëria ishte kështu sub-satelit i kampit socialist.  Në këtë pozitë nënshtrimi të plotë, Shqipëria nuk kishte konditat e nevojshme për të vepruar lirisht. Ajo u bind verbërisht instruksioneve të Beogradit, i cili kishte planet e tij “imperialiste” ndaj Shqipërisë: kolonizimin e vendit politikisht, ekonomikisht, dhe sllavizimin e shoqënisë shqiptare, si dhe zgjidhjen e përhershme të problemit të Kosovës, mundësisht me inkorporimin e Shqipërisë në Jugosllavi në formën e nji republike të shtatë jugosllave.

Nji skenar i këtillë i tmerrshëm, natyrisht lehtësonte punën tonë propagandistike “kundër pushtetit”, dhe gjente jehonë të madhe në popullsinë e Shkodrës, një qytet me histori shekullore konfliktesh kundër sulmeve sllave (serbe e malazeze).  Por “MOMENTI” politik ishte kundër nesh.  Pika kulmore e pakënaqësisë së përgjithshme u arrit më 9 shtator 1946, kur fshatarët e Postribes (në rrethe të Shkodrës) sulmuan me armë qytetin, luftuan nëpër rrugët e qytetit, por u thyen me humbje të mëdha.  Si rrjedhim, filloi vala e ekzekutimeve pa gjyq, dhe e arrestimeve masive në qytet e rrethe. Viktimat e pushkatuara ishin më shumë se 100, ndërsa numri i të arrestuemve, sidomos në qytet, kaloi shifrën 1.200 të ndryme në 11 burgjet e Shkodrës.

Në këtë valë terrori u përfshiva edhe unë, së bashku me një grup studentësh aktivë.  Torturat e përdoruna kundër “armiqve të popullit” nuk mund të përshkruhen.  Disa të arrestuar kryen vetëvrasje duke mos duruar dhimbjet. Shume të tjerë u sakatuen për jetë.  Pjesa tjetër, përfshi edhe mua, kaluan 14 muaj në hetuesi, para se të dilnin në gjyqe -të hapura dhe të fshehta- ku dënimet jepeshin simbas udhëzimeve të organeve partiake.  Kjo shkelje kaq flagrante e ligjit ishte “norma” e vendosur nga “diktatura e proletariatit”.

Unë u dënova, më 27 nëntor 1947, me 15 vjet burgim të rëndë e punë të detyrueshme.  Nga ky dënim kam vuajtur 10 vjet në burgun e Shkodrës, dhe kampet e shfarosjes së Bedenit e Maliqit, dhe në kënetat e Myzeqesë, aerodromin e Beratit dhe të Rinasit(Tiranë) nga ku jam liruar (1956).  Trajtimi ynë nga rojet në burgje ka qenë thjesht shtazarak.  Asnji ligj nuk mbronte të burgosurit që ishin lanë në mëshirën e oficerëve kriminelë dhe rojeve të kuqe të indoktrinueme, e të egërsuar nga “edukimi i propagandës ditore” të dhënë nga komisarët politikë, dhe njekohesisht viktimë e nivelit tyre shumë të ulët arsimor (shumë ishin analfabetë).  Ata urrenin me gjithë shpirt “shkollarët armiq të popullit e të partisë”.

Deri në vitin 1951 kemi pasë vetëm nji racion bukë për 24 orë.  Mbas viti 1951 na kanë ushqyer me supë fasulesh pa asnji ndryshim me muaj të gjatë. Në kampe kishin patate, fasule dhe lakra të ziera me ujë e kripë, dhe pothuajse pa vaj.  Ky ushqim vrau dhe sëmuri shumë të burgosur, sidomos pleqtë.  Terrori i kampit është vështirë të spjegohet: i përditshëm, që në mëngjes deri në darkë.  Nga një herë, edhe nata kalohej jashtë, të lidhur për peme ose shtylla druri.  Puna ishte e rëndë, norma e lartë, konditat shumë të vështira, dhe nën frikën e kamxhikut të rojeve që e përdornin pa mëshirë.  Ne punonim në uje të moçaleve deri në brez, me shushunja që na pinin gjakun.

Një trajtim më të egër se të tjerët kishin “shkollarët armiq të popullit e të partisë” që kishin “helmuar mendjet e fshatarëve të varfër”.  Çdo mbrëmje, rreshtat e gjatë të sëmurëve, pleqve dhe atyre që nuk kishin fuqi të mjaftueshme për punë e që nuk plotësonin “normën“ nuk lejoheshin për të marrë racionin e bukës as për të  shkuar në krevat deri në mesnatë. Të nesërmen, të këputur nga uria e nga pagjumësia ktheheshin në kanal me këmbënguljen e atij që kërkon plotësimin e “normës“ për të  siguruar bukën e gojës.

Ka mjaft libra të botuar në Shqiperi që tregojnë me hollësi këtë regjim tmerri në burgje dhe kampe, disa herë në përpjestime të pabesueshme, por të shumtën e rasteve të paaftë për të  përshkruar si duhet monstruozitetin e diktaturës.  Më kujtohet një tregim i kampeve naziste.  Nji i burgosur i lutej rojes naziste ta vrasë se nuk duronte torturat.  Roja qeshte dhe thoshte: Jo!  ”Duhet të jetosh e të tregosh atë që ke parë,” vazhdonte roja,” dhe jam i sigurt se bota nuk do të besoj tregimin tënd.  Atëhere, do të jete vdekja e vërtetë për ty”.  E pabesueshme!

Ç’ju detyroi ju në atë udhëkryq ku ndodhej Shqipëria, të ktheheshit në Atdhe, kur ju mund të bënit një jetë shumë më komode, në Itali?

U ktheva në Shqipëri për të ndihmuar rezistencën kundër okupatorit.  Si çdo i ri (në moshën 18-19 vjecare) sidomos një i ri me arsim të lartë, isha i bindur se atje në malet e Shqipërisë ishte vendi im.  Qëndrimi në Itali u bë moralisht i padurueshëm.  Njëkohësisht, mosnjohja e realitetit shqiptar ndihmoi në formimin e nji bindje të këtillë.  Personalisht, isha i ndarë në mes bindjes sime, se Shqipëria kishte nevojë për kuadro të arsimuar në Europë që të ndihmohej zhvillimi ekonomik e shoqëror i saj; nga ana tjeter, Italia ishte një shtet okupator i vendit tim, dhe ishte detyra e të gjithëve ta luftojmë pa kompromis.  Qëndrimi im në Itali, në fakt, ishte nji formë kompromisi që nuk mund ta pranoja më gjatë. Kështu që vendosa të kthehem posa kalova provimet e vitit të parë, qershor 1943.

Ju në botën çnjerëzore të burgut u takuat dhe me dashurinë, me viktimat e atij sistemi, por që me botën e tyre të pasur shpirtërore, ju e mundët kërcënimin e vdekjes, si ndiheni për këtë?

Në “boten çnjerëzore të burgut”aty ku fshihet tortura dhe ku sundon pa ndërprerje kërcënimi i vdekjes, të gjithë ndihen të dënuar me vdekje.  Një ndjenjë njerëzore që dashuron jetën, e përbuzë vdekjen, është dominante në situata të këtilla. Kjo ndjenjë e përbashkët e rrezikut iminent nxitë mëshirën dhe dashurinë për njeri tjetrin, dhe të të gjithëve për çdonjerin individ që vuan: viktimën.  Kjo ndjenjë njihet me emrin solidaritet.: solidariteti i të dënuareve me vdekje, i të torturuarëve, i të përbuzurve, i të përndjekurve, i të gjithë atyre që keqtrajtohen ose e ndjejnë veten “më pak se njeri”, inferior, qytetar të dorës së dytë, të nxjerrur jashtë kufijve të shoqërisë njerëzore. Solidariteti i të burgosurve është ilaçi i mbijetesës.  Jo vetëm sepse në shoqëri me të tjerët bashkëvuajtës, solidariteti largon mjerimin e vetmisë mbytëse, por solidariteti ofron mundësine për të ndihmuar tjetrin, vllaun në vuajtje, dhe ky akt lartëson sedrën personale të të burgosurit, ai jep si të thuash, nje dimension të ri arsyes për të mbijetuar me nje sens krenarie të pakrahasueshme.

Persekutoret akoma nuk e kanë pranuar fajin publikisht, për toturat që u bënin të dënuarve, internuarve, syrgjynosurve, a ju frikëson kjo gjendje fluide dhe pse?

Po, frikësohem.  Mosnjohja e mospranimi i krimit-fajit nga fajtori nuk ndihmon procesin e “catharsis” që ngjet në situata të këtilla.  Nji zhvillim fatkeq lejon HARRESEN, që në këto raste për mua, është vdekja e dytë e viktimës.  Aty ku mbretëron errësira, aty kultivohet krimi.  Breznitë e reja po rriten pa njohë të vërtetën mbi sistemet totalitare, mendimet dhe aktet e tyre, e sidomos shkatërrimin e pariparueshëm të pëlhurës shoqërore të vendit.  Diktatura komuniste në Shqipëri ka vrarë elitën, ka toleruar mediokritetin, dhe ka lartësuar fundrritë e shoqërisë.  Fibra morale e kësaj shoqërie është dëmtuar aq rëndë sa që sot mendohet për së mbrapshti, dhe punohet pa asnji skrupull moral.  Nje brezni e tërë eshtë humbur, dhe kam frikë se edhe nje tjeter e dytë do të sakrifikohet në llumin që mbuloi vendin për nje gjysme shekulli.

A mendonit në burg se një ditë do të vinte “Dita e Lirisë”, dhe a kishit plane për këtë Ditë të madhe në mendjen tuaj në fshehtësi, me bashkëvuajtësit tuaj?

Po!  Shpresa për lirim nga burgu është e përhershme tek cdo i burgosur.  Ajo na mbante të gjallë.  “Ditën e lirisë” e prisnim të vinte me lëkundje sismike në vendin tonë.  Ndërtesa komuniste dukej e fortë në sipërfaqe, por ajo përmbante nji seri kontradiktash të paevitueshme, karakteristike për çdo diktaturë.  Njeriu i shtypur lufton për liri, dhe kurdo herë që i jepet rasti ai, ose ajo, shpërthen.  Në shumë raste elemente të diktaturës kanë brejtje ndërgjegje, humbin enthusiasmin fillestar “revolucionar’, pendohen dhe kërkojnë per te reparuar dëmin e shkaktuar për të ndihmuar viktimat.  Kjo është një karakteristikë universale.  Këtë proces e kemi parë edhe në Shqipëri- edhe në burg.  “Planet për të ardhmen e vendit tonë” kanë qenë subjekti kryesor i çdo bisedimi në burg.  Ka pasë mjaft ndasi në opinionet e të burgosurve të edukuar, sidomos tek ata që kishin “bagazhe” të së kaluares në kurriz.  Por të rinjtë idealistë e pa “bagazhe’ ishin entuziastë se do të vinte dita kur mendja dhe aftësia e tyre do të viheshin në shërbim të atdheut.  Unë kam ëndërruar gjithëherë nje Shqipëri të lirë, të pavarur, demokratike, të bashkuar dhe perëndimore (tani europiane).  Përgatitja ime arsimore dhe edukimi politik para, dhe gjatë burgut më kanë kondicionue për nje qëndrim të këtille.  Akoma sot, mendoj si më parë. Idealizëm djaloshar?  Ndoshta!  Por nuk mund të heq dorë nga ai qëndrim, sepse për mue do të ishte vdekja ime morale.  Kjo ndoshta shkakton edhe pesimizmin tim sot me klasën politike shqiptare e gjendjen në Shqipëri.

Në ato skuta të errta nëntokësore a kishte ndonjë ushtarak, që dhe pse mbante kërbaçin në dore së jashtmi, shpirti dhe sytë i flisnin diçka tjetër?

Po!  Ka pasë “qënie njerëzore” në burgjet komuniste.  Më kujtohet “Reshter Jonuzi nga Berati” dhe nji kapter nga Vlora (emni nuk më kujtohet) që kanë rrezikuar shumë për të na ndihmuar në ditë të vështira. Është e papërshkrueshme ndjenja e lehtësimit që mbush zemrën e të burgosurit kur “polici’, ose “oficeri” nuk zbaton urdhërat e superiorit për torturë.  Aty duket sikur ushqehet shpresa se ka akoma zemër-bardhë në këtë botë të së keqes, ku ata “që i ka zënë rreziku” e në kondita të vështira rrezikojnë jetën e tyre për të lehtësuar vuajtjet e të tjerëve.  Elementë të këtillë ngjallin besimin në mirësinë e natyrës njerëzore…edhe në konditat më anti-njerëzore.

Ju keni qenë direkt punëtor krahu në tharjen e Kënetës së Maliqit, në ç’kushte punonit atje?

Është e vështirë të përshkruhet Maliqi.  Është shkruar diçka për këtë “njollë të zezë” të historisë sonë.  Maliqi ka qenë nji kamp punë cfarosje, ku shqiptari vritej nga shqiptari me urdhër nga “shoku Tito” në Beograd – e vritej me dru, me hekur, me mbytje në ujin e kënetës, me urim, me pagjumësi, me punë jashtë fuqive njerëzore, me çveshje lakuriq në netët e ftohta, ose i lidhun për shtylle etj.  Perveç kësaj, komanda e kampit, nxiste të burgosurit ordinerë, një ushtri e vërtetë elementësh të degjeneruar, si dhe ish komunistë të penduar, për të spiunuar, provokuar, dhe  rrahur të burgosunit politikë.  Kjo na detyroi të mbrohemi kolektivisht dhe të frikësojmë me hakmarrje sulmuesit.

Si i shpëtuat atij regjimi, dhe si e realizuat ëndrrën tuaj për të shkelur tokën e bekuar Amerikën?

Që nga dita e lirimit nga burgu (korrik 1956) deri në ditën e largimit pa entuziasëm nga toka-nënë (gusht 1959), kam qenë i përbuzur e i përndjekur nga Sigurimi (kam zbuluar dy agjentët që më kanë survejuar). Tre ditë para largimit, një shok që punonte në Polici me njoftoi se isha në listë për arrestim.  Kontaktova nji ish shok burgu që kishte shtepinë afër kufirit dhe vendosëm datën e mënyrën e arratisjes.  Ai më ndihmoj në udhëtim deri sa kalova kufirin pa asnjë incident. (Ma vonë, ai u vra në tentativë  arratisje).  Një experiencë të këtillë e kam pasë edhe në tetor 1956, gjatë revolucionit hungarez.  Ai më njoftoi se isha njeri nga të 400 personat e caktuar për ekzekutim në rast se fillonte revolucioni në Shqipëri.  Në Jugosllavi jam mbajtur një vjet në burg i akuzuar si “pro-perëndimor”.  Më vonë në kampe refugjatesh në Jugosllavi dhe Itali, ku kam aplikuar për azil politik dhe të drejtën për emigrim në SHBA.  Për fat kërkesa ime është aprovuar brenda 24 orëve.  Kam arritur në New York më 9 prill 1962.  Kam marr nënshtetësinë amerikane në janar 1969.

Gjatë qëndrimit në Amerikë, kishit kontakte me familjen?

Vetëm deri në vitin 1967. Më vonë jo.  Edhe kjo gjendje ka qenë nji torturë e vërtetë, sidomos për arsye të nanës plakë që vdiq pa e parë përsëri.  Gjithashtu u këput edhe ndihma financiare që dërgoja cdo muaj-për bukën e gojës!

Ju keni dëshmuar herë pas here për krimet monstruoze të diktaturës komuniste para auditorit amerikan, ashtu edhe në qarqet zyrtare federale, deri në Shtëpi të Bardhë, keni hasur ndonjë reagim negativ nga politikanët amerikanë?

Jo!  Përkundrazi.  Administrata amerikane e ka njohë mirë gjendjen në Shqipëri, sidomos nga raportet e ambasadave franceze dhe italiane në Tiranë.  Unë kam bashkëpunuar ngushtë me Amnesty International për të drejtat e njeriut, dhe kam ndjekur për së afërmi zhvillimin e gjendjes në Shqipëri.

Ju keni qenë vazhdimisht për hapjen e dosjeve, a mendoni se hapja e tyre do të bëhet në rrugë të ndershme nga Partia në Pushtet?

Procesi i hapjes së dosjeve të komunizmit është i nevojshëm dhe i paevitueshëm.  Duhet të ndezim dritën mbi dhomat e errëta të diktaturës.  Duhet të dalë në shesh e vërteta. Duhet të njohim historinë tonë.  Duhet të dimë qëndrimin e shoqënise sonë.  Dhe, duhet të peshojmë aktet barbare që u bënë në kurriz të popullit tonë, të dimë thellësine e masën e krimit, të reflektojmë sa poshtë ka ra shoqëria shqiptare, dhe si rrjedhim të mësojmë sa poshtë mund të bjerë shoqeria shqiptare në disa kondita të caktuara.  E gjithë kjo nuk ka farë të bëjë me dënime e hakmarrje. Hakmarrja është nji kancer që shkatërron ata që e ushqejnë.  Por ne duhet të informohemi mbi të gjitha, të mësojmë nga pësimet e së kaluarës, të dënojmë pa kushte, pa hezitim, pa rezerva “të keqen” që vret, që çnjerëzon, dhe që shkatërron lirinë e dinjitetin e çdo qënie njerëzore, pavarësisht nga bindja politike, gjinia, shtresa shoqënore, cilësitë fizike etj.  Hapja e dosjeve na ndihmon në këtë proces informimi të së ardhmes sonë.  Përsa kohë që ekzistojnë “hije të zeza” që qëndrojnë mbi kokat tona, shoqëria shqiptare do të lëngojë nga sëmundja e frikës dhe mania e persekutimit.  Nuk besoj se klasa politike në Shqipëri ka vullnetin, aftësinë dhe gatishmerinë për nje proces të këtillë.

Së fundi a shpresoni se tragjedia juaj kolektive siç e cilësoni në librin tuaj: “Në hijen e Rozafës”, do të jetë më së fundmi një frymëzim për një kryqëzatë kundër torturës?

Nuk jam i sigurtë në se shoqëria shqiptare ka mësuar nga e kaluara.  Ajo që më inkurajon është se Shqipëria po ecen drejt qytetërimit perëndimor, që sot është Europë e bashkuar. Dokumentet ndërkombëtare që ka firmosur shteti shqiptar përjashtojnë me përbuzje torturën.  Vetëm nje situatë e papritur e paimagjinueshme mund të sjellë torturën e zyrtarizuar. Individualisht?  Nuk jam i sigurt. Jemi akoma të paedukuar.

NY, SHBA,  5 Mars 2009

Marrë me shkurtime nga: http://www.ballikombit.org/index.php?option=com_content&task=view&id=549&Itemid=9

Please follow and like us: