Albspirit

Media/News/Publishing

Poezi nga Sadik Bejko

Hëna ime

Është një hënë… hëna, hëna ime,
në netët e verës, në netët e dimrit
më ndrit, feks nën terr, në gjumë,
andej… nga kufijtë e pakuptimit.

Në ag troket butë-butë në ballë,
me gishta të tejdukshëm m’i çel sytë,
ma fshin e zbulon fytyrën prej gjumit,
sjell dritën, dritën që s’ka të dytë.

Një hënë që asnjëherë nuk e shoh,
fikur në cakun mes gjumit e zgjimit,
s’është në qiell, vozit në natën time,
edhe mbi lumë të pikëllimit.

Është hëna, vetëm për mua, hëna ime,
me të përbrenda do t’i arrija zgjimet
dhe sikur dita të nxinte më terr se nata,
dhe sikur përmbys të bie nën gërmadha.

 

VARREZA E BRAKTISUR

Një lepur atje kutullaç në vesë mëngjesi brofi
E më ka trembur për vdekje. Zemra si mbështjellë
Me lesh të egër kafshe dhimbte e brofte vendit.
A thua e vërviti gjumi drejt nga një e thelluar varri?
Po atje vetëm lisa me gunga, as emra, as gurë
A murishte… atje vetëm paqe, brufonte bari.

Kur e kur ndonjë gropëz e lugët si te brinja
E kafshës së uritur, a si faqe e ftikur lypsari,
As edhe gropëz, po një kupëz dore dheu
Firuar nën të blertë. Kur e kur ndonjë dru a gur
Epur si gongallë nën lëkurë gjedhi të tukequr
Eshtër gërdalle brejtur nën dimër a xhur.

Vetëm korija xhumbë me lisa, kapele bregu,
Mbase ishte krifa e tyre e rëndë gjer në qiell
Dhe myshku në gunga, dhe gjethet, herë lart
Në çataj, herë poshtë të sheshta si e remtë sini
Dhe zogjtë nëpër foletë e ngrohta prej vezëve
A dherit mbi krimba, sqepgjatë sa fijet shi.

Delet me thundra e mbullonin ngadalë-ngadalë
Siç tërhiqet velënxa mbi trup të mbërdhirë në mbrëmje
Dhe hija e gjatë e perëndimit në verë u endte
Me këmbët manushaq-të – djellta, kjo vizitore e vjetër
Ngeshëm, butë-butë, varr më varr, dru më dru,
Prej kreut gjer në anën tjetër,

E një heshtje hojesh platitet, thua je në kopsht blete.
Vetëm stuhija me qarje të rëndë, të rreptë reje,
Ngutur në një shami shportë shtrydhte zemrën
E saj të egër, të vetmuar gjer krejt në zbrazje:
Ajo ishte një varrezë e braktisur prej njerëzve
Qyshkur të larguar, një jetime flakur nën xhade.

Bora mbi atë ishte krejt më e pastra
Si të ishte eshtërdjersitja e gjatë e vitit
Fryma e të vdekurve poshtë bulëzuar në akull
Si një rrasë në lëmim anonim të padepërtuar.
Atje një lepur aq më ka trembur, tek flinte
Për qejf të vet mbi varr të firuar.

Please follow and like us: