Albspirit

Media/News/Publishing

Sotir ATHANASI: Neosamaritanët (2)

(PARAMNEZI)
Jashtë lokalit klientët qëndronin në ca frona dhe prisnin derisa t’u vinte radha. Ashtu bëra dhe unë. Këpucari ngutej të përcillte njerëzit, porosia e të cilëve ishte kryer.
Një vajzë e re, mbase studente erdhi e u ndal pranë një të moshuari dhe me shumë droje e zëulur, i kërkoi 50 cent për një biletë studenti (ose gjysëm bilete urbani). Iku prej tij e zhgënjyer për të provuar bujarinë e një tjetër të moshuare. Pasuesja qe grua e cila diç nxori nga çanta dhe ia dha. Të gjithë e ndoqëm me sy largimin e saj, si të dialogonim vetëm me vësstrim dhe dikush, duke psherëtirë, tha:
– Pu ftasame!
(Ku mbërritëm)!
Një zotni me çantë zyrtari, që e kishte ndjekur dialogun e syve, me tonin e një shërbesatri të përvuajtur kishe, tha: “Është neuroza e shpirtit të kohës. Rrokullia, ka marrë rrokullimën. Kë e zë përfund, vështirë të ngrihet”.
Unë tunda kryet dhe thashë nëpër dhëmbë: – Iu hoq kuptimi i jetës.
Të tjerët heshtnin. Por s’thuhet kot se, edhe heshtja, flet.
Rrahja e çekiçit nga mjeshtri i gozhdimit, në këtë qetësi kishe, seç kish diçka të përbashkët me shërbimin e fundit mbi kapakun e një arkivoli. Kjo ritmikë mortore u shua nga zëri i mjeshtrit për pagesën nga klienti i radhës.
Njeriu me çantë të zezë, m’u afrua dhe nisi të më thotë:
– Zotri i nderuar, në qoftëse më lejoni, unë merrem me një studim dhe e kuptoj se nuk është, aspak momenti oportun për t’iu përgjigjur një ankete e cila do të na kërkonte shumë kohë, kohë të cilën, padyshim ndajmë të dy të njëjtin mendim se është flori, prandaj do të më mjaftonte numri juaj i celularit që, në një tjetër hapësirë oportune, të flisnim e të shtrinim linjat e komunikimit, për të shpalosur platformën e një filozofie të re sociale tipar kohor të kohës sonë tejet, po totalisht tejet të sëmurë.
Unë, që isha marrë me tregti, e kuptoja fare mirë gjuhën që përdori ai, ndonëse, s’mund të bija kurrsesi dakort me atë mullar fjalësh. Ai zotëronte mjaft mirë atë që quhet KOMPLIANCË, e cila s’është gjë tjetër, veçse, një lloj ndikimi social, gjatë së cilës një individ E NDRYSHON sjelljen e vet, për shkak të KËRKESËS SË DREJTË PËR DREJTË nga një tjetër individ. Shtoi kësaj edhe dozën e lajkatimit, që te “njeriu me çantë” vërehej me tepri dhe qëllimi ishte i garantuar.
Për këtë, do të dëshiroja të bëja një parantezë. Se ndikimin e kësaj sjelljeje, duhet ta ketë provuar mbase, çdo qytetar. Por sidomos, çdo emigrant. Bie fjala, agjentë të sigurimeve, apo ata të kompanive telefonike, kur vijnë në shtëpitë tona për të mbushur formularët e kontratave. Janë të zakonshme biseda të këtij lloi:
– Mbiemri juaj tingëllon disi i veçantë. Nga ju kemi, në qoftëse më lejohet?
– Jam nga Shqipëria!
– Çudi! Ju e flisni kaq mirë greqishten sa nuk dalloheni fare!
Po ne vetë e dimë se sa mirë e flasim greqishten. Sepse, në moshat e mëdha, edhe pas shumë viteve, nuk është e lehtë t’a dallosh se në ç’rast duhet të përdoret ENA dhe në cilin MIA. Se të dy bëjnë fjalë për numrin NJË.
Por le t’i kthehemi tregimit tonë.
Unë, për t’a hequr qafe, megjithëse i dija të gjitha këto, ia dhashë numrin e celularit dhe u ngrita në këmbë me faturë në dorë.
Mjeshtri sa e pa, gjeti në çast sandalet dhe tha:
– Urdhëro, zotni. Janë të paguara.
“Njeriu me çantë” i qe afruar burrit të moshuar që kishte përcjellë pak më parë duarbosh vajzën për 50 cent dhe po i shënonte në bllok numrin e tij të celularit. Mua më kapi veshi shprehjen e plakut të dhënë si përgjigje:
– Po, disa herë. Por më është dhimbsur plaka.
– Vetëvrasja, – po i spjegonte “çantëmbajtësi ” atij, është një akt…
Nuk desha t’a dëgjoj deri në fund atë zë pëshpërime. Se nuk qe ligjërim, por, edhe nuk e di se si mund të quhet, veçse ai zë ngjasonte me ritualin e priftit në përcjelljen e fundit që shoqërohej me kujisjet e pjestarëve e të afërme të orëligut. Ndaj u largova.
Kur hyra në rrugën ‘Ermu’, diku pranë një dyqani me rrangullira, një grua e thyer në moshë, veshur e tëra në të zeza, po qëndronte si e përhumbur. Qe ulur në një karrige të vjetër. Sipër kokës së saj, në xhamin gjysëm të hapur të portës, ishte ngjitur një “fletë – përkujtimore”. Fotografia në qëndër të saj, tregonte moshën rreth të pesëdhjetave, të të ikurit nga kjo botë.
I afrohem moshëthyerës dhe i lë në prehër buqetë me lule.
– Merri, nënë! Janë të freskëta. Isha nisur për në Maruzi, por ELEKTRIKU qenkërka në grevë dhe ndërrova mëndje për ku isha nisur. Do të shkoj një herë tjetër. Lulet nuk më duhen më.
Ajo i pranoi me kënaqësi.
– Faleminderit dhe qofsh mirë, manari im!
Unë me vështrimin nga afisha e pyeta:
– Djali?
– Po, – tha ajo.
– Nga se, nëse më lejohet, zonjë e nderuar?
– E hëngri ankthi, levendi im. Se ishim mbytur në borxhe. Nga ana tjetër, banka kërkonte shlyerjen e kredisë dhe na kërcënonte me ankandin e lokalit. Nuk duroi më dhe më la mua të mjerës si kërcure.
Ajo u përlot, ndërsa unë mbylla sytë se diç më sëmboi në zemër.
– Nesër ka të dyzetat, – tha ajo. – Lulet tuaja, zotri, do t’i fus në ujë dhe në mëngjes, do t’ia shpie tim biri, që më pret të më kërkojë falje.
Unë u mundova të buzëqesh lehtë për t’a qetësuar disi.
– Si ju quajnë, bir? Se e kemi zakon që t’i përmëndim emërin e atij që i shpie lulet. Siç ju thashë, janë të dyzetat dhe shpirti i tij, është aty rrotull.
– Një shqiptar jam, zonja ime dhe ndjehem mjaft i prekur.
– Të paftë e të ndiftë Zoti, – më uroi e moshuara.
U ktheva në shtëpi i pezmatuar edhe sepse ajo ditë kishte nisur kryengulthi.
Pas një jave, për një parkim të gabuar, por të çastit, disa minutësh, te fshirsja e xhamit, gjeta një fletë gjobë të policisë. Veç kësaj, edhe pse parkimi nuk përbënte ndonjë rrezikshmëri shoqërore, më kishin hequr edhe targat. E ndjeva veten me prapanicë përpjetë.
Shava e mallkova dhe isha gati të ulëri nga zëmërimi. Duhet të punoja një javë të tërë që të shlyeja këtë detyrim krejt të pakuptimtë e inatçor. Dhe, në kulmin e këtij mllëfi, më bie zilja e celularit.
Ishte një zë i ngeshëm burri që, në gjendjen tënde më të qetë e mbase edhe më të gëzuar, do të të prishte ekuilibrin e do të të ngrinte qimet e kokës si iriq. Qetësia dhe sidomos ngadalësia e tonit të atij zëri, si dy faktorë, loznin rolin e strallit me uruarin. Përplasja e tyre, kuptohet që do të nxirrnin shkëndija.
Kështu më ndodhi edhe mua, miqt e mi:
– Çfarë dreqin kërkoni nga unë, mor zotni? – i sokëlliva. Se, nga ana tjetër, më kishte dalë si me porosi një njeri të cilit, mind t’i shfryja gjithë inatin e asaj gjobe. Në fund të fundit, ishte e drejta ime, edhe pa këtë shkak, të mos isha i detyruar të dëgjoja dërdëllitjet e tij zvarritëse.
Si për ironi timen dhe çudi për këdo, tek  tjetri, pikërisht kjo situatë e dëshpëruar e ky ujë i turbulluar, përbënin kushtet për mbijetesën dhe për shitjen e produktit të tij. Se, si tregtar mëndsh e idesh, ai nisi një kompliancë të re.
Që t’a ndjeni si dhe unë, përfytyrojeni si një prift me zë të ulët dhe me tonin si përpara arkivolit, tek thotë fjalët e fundit dhe çastin si të mbramin, pas së cilit hidhen lopatat e dheut.
Le t’a lexojmë së bashku atë:
– Nuk keni faj, zotni i nderuar. Është neuroza e shpirtit të kohës. Rrokullia ka marrë rrokullimën, zotni. Kë e zë përfund, vështirë të ngrihet përsëri.
E kuptova se cili qe. ÇANTËZIU që po më katranoste shpirtin më zi se roja i asfaltit në trotuar.
Shpirti më kishte ardhur ndër dhëmb dhe sigurisht që nuk do të më dilte, por tani konfliktin e kisha me veten time. Këtij tipi i gjendur bosh, unë i kisha dhënë, ashtu fare lehtësisht e pa u menduar gjatë, numrin e celularit tim . Dhe kisha kujtuar se e shmanga. Prandaj, si për të kompensuar pakujdesinë time iu turra me agresivitet:
– Ç’do të thotë e gjitha kjo, zotri! Nuk më duket se jeni kaq tuaf, sa të mos kuptoni se, po flisni me një njeri i cili…sapo ka dalë nga rrobat? (Shprehje kjo tipike greke). Me një njeri të sapo ballafaquar me një veprim tejet satanik. Diçka që të nxin jetën e të kthen në skllav. Që të mos pranosh këtë, do të duhet t’u PSHURISH të gjithave në këtë Botë të Qelbur. Me ca Policë edhe më të Ndyrë e fare pa Tru. Mirë gjoba – gjobë e goxha e madhe, se kështu e thotë ligji. Po pse vete e heq edhe targat? O Çmontues i lëvizjes jetësore? Apo nuk e di se je vetë kundra ligjit që për një gabim, jep dy ndëshkime?
Tjetri, që dëgjonte apo s’dëgjonte të gjithë këtë frazeologji matanë gjëmimërisë e fare pranë lebetisë nga kjo tymnxjerrje jashtë kushteve teknike, falë mjeshtrisë së tij, diti të shmangej. Ai kishte hedhur tashmë çengelin dhe po e përdorte si vargua. Ashtu, qetë – qetë, nisi formulimin e tij:
– VETËVRASJA, biri im, është një akt i cili…
– Kush foli këtu për vetëvrasjen, – iu çorra unë.
– Kërkush. Po e latë të nënkuptohet, ama. Se shprehjet Tuaja, zotri, si: T’U PSHURRISH të gjithave, në këtë BOTË TË QELBUR…e të tjera e të tjera; s’janë gjë tjetër, biri im, veçse shtegu për në paradhomën e Shën Pjetrit. Pra: rruga e VETËVRASJES. Dhe jejomëni, miku im, të nënvizoj se: shoqata jonë me këtë merret. E ka si të thuash, Lëndën e Parë të saj.
– Dhe si quhet Shoqata juaj?
– NEOSAMARITANËT.
Në sekondë më ranë nervat, madje më erdhi edhe për të qeshur. Se kisha dëgjuar për:
NEOANDERTALËT,
NEODARVINISTËT,
NEOFRODIANËT,
NEOGOTIKËT,
NEOIMPRESIONISTËT,
Por NEOSAMARITANËT, për mua qe vërtet diçka e re për të cilën mbase ia vlente të merrja njohuri. Sigurisht, jo për të ecur përpara me ‘të, por për t’u mbrojtur prej saj. Pa të shohim…
– Zotri! Shoqata juaj e “neo…”
– …samaritanëve! – plotësoi ai nga ana tjetër e celularit…
– Ju lutem, që të merremi vesh, mos më ndërpriste. Pra shoqata juaj do të ketë të bëjë me “SAMARXHINJTË E RI”, siç do t’a quanin andej nga anët e rrënjëve të mia?
– Ajo që përmendi ju, edhe këtu, në Greqi, ka të njëjtin kuptim: “samaras”.
– Atëhere, zotëri, kini mirësinë të më spjegoi, së pari , çfarë janë SAMARITANËT. Kuptohet, këtu dallimi nga SAMARAS. – i fola unë butë, qetë dhe jo pa një farë kurioziteti. – Dhe pastaj zotëri, na thoni edhe për “Neot”, domethënë për shoqatën juaj.
– Me kënaqësi, zotëri!, – tha ai dhe vazhdoi: – “Vërej se intelekti juaj është për t’u lavdëruar. Madje, në gjuhën tuaj, tepër elokuente dhe e barasvlerëshme me mendimin elegant, gjejmë edhe tableta humori të pashkrira, por të tretshme”.
Qënkërka skllav i kompliancës dhe mjeshtër i lajkatimeve, – po thosha me vete, kur ai vijoi:
– Më lejoni t’u them, biri im, se: SAMARITANËT, janë organizatë vullnetare e themeluar në Angli nga i përndershmi, Verah Chod. Për të dëgjuar në telefon, e pse jo, edhe sy më sy, ata që duan të VETËVRITEN, ose që thjeshtë kanë rënë në një gjëndje të dëshpëruar.
Ata organizuan për këtë qëllim, një shërbim njëzet e katër orësh në rreth dyqind qëndra në të gjithë Britaninë e Madhe dhe punësuan njëzetë e tre mijë vullnetarë të kualifikuar…
Unë po dëgjoja dhe të gjitha këto më dukeshin motive mobilizuese për shlyerjen e gjobës, e cila nuk qe gjë fare, krahasuar me përvojën e ardhur nga vendi i Darvinit, shkencëtarit që e njeh Planeti për SELEKSIONIMIN E LLOJEVE, teori kjo, siç edhe kuptohet, tejet frymëzuese për përshtatjen në racën njerëzore.
-Dhe ju jeni….?
– NEOSAMARITANËT! – plotësoi bashkëbiseduesi im. – Duke vëzhguar hallet dhe problemet e njerëzve, të cilat ngjajnë kaq shumë me letrat higjenike. Pse do të thoni ju, zotri. Sepse ju tërhiqni një për të kryer punë, ato dalin dy, tre, katër e në ndonjë rast, edhe më shumë. Të tilla janë edhe hallet. Sapo mbyllet një telash, me ‘të është hapur një tjetër. Prandaj, konkluduam se është e nevojshme një Shërbim Anonim Dëgjimi. (Sh.A.D.)
Organizata jonë afron ndihma, sidomos me telefon. Por edhe sy më sy të prirurve drejt vetëvrasjeve.
– Ju kuptova.
– Harrova T’u them, biri im, se jemi ende në hapat e para. Në të ardhmen, do të kemi edhe një numër telefonik (pa pagesë), të tipit: 11 8 80-të…
– Edhe një pyetje, zotëri.
– Urdhëroni!
– Ju i mënjanoni, apo i nxisni VETËVRASJET?
– Ju kuptova, biri im. Kjo pyetje bëhet nga ju për të… preçizuar funksionin e shoqatës sonë. Veçse një gjë duhet të vini në bazën e çdo pyetje të mëpastajme që mund t’u lindë. Kë? Faktin e thjeshtë që, ne, s’jemi SAMARITANËT, por Neot… Që do të thotë se, çdo gjë që përsëritet vjen me spirale. Për shembull: Vetëvrasja në rrugën PERSEOS 195, kishte kohë që po përgatitej. Madje, shtypi në letër, ka shkruar për ‘të dhe e ka konsideruar si rastin më klasik në historinë e re të vetëvrasjeve. Sepse, siç edhe pohohet edhe nga oponentët tanë (si djepi i demokracisë që jemi) edhe në këtë fushë duhet të tregohemi të tillë.
Më ndiqni me kujdes, ju lutem:
Një farë FILIPI PINDESKOPULOS, është krejt tjetër ai që e njohim jo vetëm ne grekët, por edhe të gjithë kombet e kulturuara të Planetit tonë të Sëmurë, (që quhej FILIPPIDES). Pra ky PINDESKOPULOSI te PERSEOS 195, donte të bëhej patjetër maratonomak, sepse kishte dështuar në të gjitha fushat me të cilat qe matur. Edhe pse qe gjashtëdhjetë e kusur vjeç, përzgjodhi enkas më të vështirën. I jepte kësisoj kuptim edhe hapit të tij të mbramë, finales me vetëvrasje.
Kështu, ai me kokëfortësi, pa dëgjuar aspak bashkëmoshatarët për tërheqje, vajti diku, aty nga Kodrat FILOPAPU. Por pa kryer as pesë a gjashtë kilometra, nga 42, që duhet të bënte, u shtri. Fjeti gjithë natën dhe të nesërmen, kur u gdhi, zbriti te kafeneja, ku prisnin romuzet e bashkëmoshatarëve që ia kishin marrë vesh ” heroizmin ” rrëzë Kodrave të Akropoli. Natyrisht, ai nuk mund të duronte dot atë përqeshje. Të nesërmen, me çiften e tij, se dikur kishte patur merak gjuetinë dhe ia kishte edhe ngenë asaj, nga që I mbante xhepi, ia hoqi vetes.
– Ku është këtu, ndihma juaj, zotëri?
– Hëm! Ju kujtoni se gjërat janë tamam siç i dëgjojmë?
– Jo, nuk kujtoj kështu, – iu përgjigja në vënd, se ndjeva që e gjithë kjo ishte një farsë. Shkaku I vërtetë, duhet të qe gjetiu. – Megjithatë, – i thashë, – duke vlerësuar fantazinë tuaj, – i përkëdhela unë sedrën edhe pse e dija që diç e pa pëlqyer do të më bënte ta mbyllja celularin, – do të dëshiroja të dija problemin e tij të vërtetë që, fshihet pas asaj farse të mirëmenduar. Tani edhe unë dilja në personalitetin tim të parë. Në atë të SHKRIMTARIT dhe jo të UNIT (TË PERSONAZHIT). Ai spjegoi:
– Ky farë FILIP PINDESKOPULOS, nuk kishte pasion vetëm gjuetinë, por edhe bixhozin në kazino. Në familje e dinin se shkonte për gjueti në pyjet e AHAJASË (diku në periferi të Patrës), në të vërtetë, çiften e linte në hotel dhe shkonte në KAZINO. Siç merret me mend, në rastin e fundit, kthehet me rrobat e trupit dhe gishtin në gojë. Kishte lënë aty peng shtëpinë. Që do të vriste veten, ishte zgjidhje. Por kapaku i arkivolit, duhet të qe dinjitoz. Shkurt, erdhi tek ne dhe ne, i dhamë drejtimin e Kodrave të FILOPAPIT pranë AKROPOLIT.
Mua më befasoi fantazia e ÇANTËZIUT. Thoni, miqtë e mi, që ky tip ishte nisur për shkrimtar dhe kishte përfunduar në tallës e varrmihës?
Dhe ai do të vazhdonte:
– Nuk është fjala vetëm për një farë FILIPI, biri im, të cilin e shpëtuam nga diskretitimi. Jo. Ky u bë preçedent, a si një pre eminence. Shembullin e tij nisën ta ndjekin edhe të tjerë. Jo vetëm vrapues, por edhe politikanë në moshë të thyer. Madje, mos qeshni, por siç mund të keni parë, kanë dashur të bëhen edhe balerinë. Kulmin e arrin dikush që e gënjen mëndja se do të bëhet shkrimtar në moshën shtatëdhjetë e kusur vjeç.
Ja ku ngrë krye Peronaliteti im i parë dhe jo UNI (PERSONAZH). Këtë frikë kisha dhe u vonova që të mos e dëgjoja. Në fund të fundit, pse të mos mësoja nga ky tip mendimin e vërtetë për shkrimtarët që, për njëmijë e një arsye, lëvrojnë krijimtarinë e tyre, në moshë të thyer?
Zëri fantazmë i NEOSAMARITANËVE, më nxiste ende t’a dëgjoja.
-Këta tipa…
– Cilët? – e ndërpreu unë.
– Shkrimtarët, biri im. Janë optimistë të pandreqshëm. Tani për tani, me studimin e tyre, po merret një degë e shoqatës sonë. Këtyre, biri im, mund t’u afrojmë sponsorizime për shpenzimet e librave të tyre.
– Me ç’kusht?
– Të na propagandojnë ne. Këto ndihma janë për një të ardhme të afërt, se: për një të ardhme më të largët, ne u ofrojmë edhe shpenzimet e varrimit që, siç dihet, janë tepër të larta e të papërballueshme, qoftë edhe për një varr provizor. Se, për një të tillë, definitiv, konsiderohet luks i tepërt. Të mos harrojmë se jetojmë kohën e VERESIEVE. Këto nuk merren vetëm për të mbyllur fundin e muajit, por kanë filluar të bëhen modë, edhe për t’u mbuluar në dhè
Unë heshta që t’a dëgjoja deri në fund. Dhe duhet të pranoj se dora që mbaja celularin, po më dridhej. Tentimi për t’a flakur atë, pa dhimbje, më tundonte për herë e më shumë. Më ekuilibronte dëshira e SHKRIMTARIT që dilte mbi UNIN (PERSANAZHIN).
– Po shpërblimin për zotin PINDESKOPULOS si e morët?
– Ishte pako gjë. Një kjoskë e harruar prej tij në periferi të Athinës. Dhe shtoi: – Lejomëni T’u them, se kohët e fundit, jemi lidhur me Rumaninë. Krematoriumi atje, kushton shumë herë më lirë se gjetiu deri më sot.
Përfundimisht, ne ofrojmë shumë për shkrimtarët, me të vetmin kusht që të propagandojnë idetë tona të vetëvrasjes.
Edhe diçka tjetër. Këtu nuk hyn fare një krahasim që bëri dikush nga raca e shkrimtarëve. Bëhej fjalë midis SALIERIT dhe MOXARTIT. Se, derisa nuk ka Moxartë, nuk mund të ketë, as Salierë. Prandaj ka vetëm NEOSAMARITANË.
Kuptohet, ky tip s’e kishte fare haberin, për GENIN e SHKRIMTARIT, që s’njeh moshë. E aq më pak të merrte vesh për KUSHTRIMIN E TË  PARËVE. Dhe nuk e dinte se, pikërisht një GEN e një KUSHTRIM…i ngjashëm e drejtonte atë në këto fëlliqësi me vetëvrasje. Ndërsa shkrimtarin, nga akumulimi në dekada e bën më produktiv, ashtu si këta varrpërgatiturit, më hiena.
Po më buçisnin veshët nga fjalët:
“Ka vetëm NEOSAMARITANË”! Këtij pohimi që lartohej si ndonjë palmë, ai mburrej me krenarinë e njeriut që, pasi u bë palë me djallin i cili i kërkoi shpirtin si kusht për t’i shërbyer e nxori atë nga shishja dhe kalëronte për të gjetur njerëz të dëshpëruar, që t’i bindte të dorëzonin shpirtin me…marifetet e djallit.
Gjithsesi, doja që, me gojën e tij, të pranonte vetëdemaskimin. Prandaj e pyeta:
– Nuk më thoni zoti NEO…, gjithë këto “bamirësira” me çfarë fondesh i përballoni?
– Fonde…, nuk është edhe aq e lehtë grumbullimi i tyre. Por, sidoqoftë, falë dhuratave…
– Të paluejtëshmet?
– Akrivos. (Ekzakt).
– Të banesave që lënë të vetëvrarët?
– Eh…, Jo tamam kështu por…, edhe ashtu.
– Po për shkrimtarët?
– Me këta, siç e thamë pak a shumë.
– U blen shpirtrat, për t’u groposur trupat?
– Eh…! Jo tamam ashtu, por…edhe kështu.
Pas kësaj, s’kisha jo vetëm durim , por edhe noima për të vazhduar bisedën me atë njeri dhe me atë celular që, sikur ky të ishte fajtori, e flaka atë me forcë i cili , vajti e ra në këmbësoren përballë.
Dikush që, kishte pësuar të njëjtin dënim-kontravajtje, me fletën e tij të gjobës dhe celularin tim në dorë, erdhi dhe më tha:
– Paska qëlluar i fortë ky aparati juaj, zotëri dhe m’a la atë në pëllëmbë. Ai me pamjen e të penduarit, shtoi: – Si thoni? Jeni për një vajtje tani në rajonin e policisë që është këtu pranë dhe të paguajmë gjobën, do të shpëtojmë gjysmën e vlerës së saj, dhe mund të na japin edhe targat.
Unë atëhere i ktheva buzëqeshjen e madje u kujtova edhe ta falenderoj.
Personaliteti im qe ai i UNIT. Pra i PERSONAZHIT. Kisha dalë nga lëkura e SHKRIMTARIT.
Dashamirësia e tij, më uli plotësisht nervat, ndonëse ende isha mëdyshas.
– Nuk u përmbys bota e u nxi dielli. Një kontravajtje kemi bërë, – tha ai po me atë buzëqeshjen e fillimit.
– Jo po…do të vrasim veten, – qe përgjigja ime pasojë e pranisë ende të atij trazimi përzier me mllëf të pa avulluar ende nga trutë e mia.
– Ç’thoni kështu, zotni? Si u vritkërka vetja për një gjë kaq qesharake? Bota, domethënë Europa (në Greqi kjo shprehje është e rrënjosur në mentalitetin e tyre, si të mos bënin pjesë në Bashkimin Europjan).
– Pra, Europa, të dënon edhe për një bisht cigareje të hedhur në rrugë, ashtu nxitimthi e pa kuptuar. E jo për një makinë hypur mbi trotuar, siç kemi bërë ne…
U nisëm si dy bashkëfajtore për në rajonin e policisë. Në mëndje më vinin e pleksteshin shumë gjëra:
Kazakistani, Uoll-Striti, Milienumi i Ri dhe ja tani, Maltusët*) e rinj me emrin tingëllues: NEOSAMARITANËT. Këta don kishotë e bisesmenë- mashtrues të mijëvjeçarit tonë.
Te kryqëzimi, kaloi një auto-ambulancë. Sirenat e saj u tretën tutje, ndërsa trafiku në të gjitha drejtimet, u ndërpre.
Një polic që vëzhgonte kalimin e mjeteve dhe ndërrimin e shenjëdhënësave rrugorë, u vetëvu në drejtim. Me bilbilin e tij, bllokoi të gjitha lëvizjet dhe lejoi vetëm kalimin e makinave të dasmës, boritë e të cilave binin me triumf:, se: në mesin e tyre ishte. Kush?
AJO:
NUSJA:
GËZIMI,
DASHURIA,
DHE…
DJEPI I JETËS.
_______
* Malthus Thomas Robert: (1766 – 1834). Ekonomist dhe klerik anglez. Ishte ndër themeluesit të Shkencës së Ekonomisë Politike. Ishte i njohur për teorinë e tij, siç edhe është parashikuar në ‘Essay on Populacion’ (1798), sipas së cilës: ritmet e rritjes së popullsisë, priren të jenë në shpërpjestim me rritjen e mjeteve të jetës. Masat për të mbajtur nën fre rritjen e popullsisë, nëpërmjet pengimit të shtatzënisë, janë të domosdoshme për parandalimin e katastrofës.
Athinë, Dhjetor, 2015.
Please follow and like us: