Albspirit

Media/News/Publishing

Vera Kurti: Dashuri…

 

 

Ku je, dashuri?

Në ç’shekuj je tretur,

në ç’rrënoja ke mbetur,

në ç’dete je mbytur,

në ç’ëndrra ke ‘vdekur’,

Dashuri…ku je?

 

Zgjohu, dashuri

Të kërkojnë buzëqeshjet e bebeve

humbur rrugës së tyre të rritjes;

të kërkojnë petalet e lulëkuqeve

rritur të vetmuara fushave;

të kërkon kënga e shpendëve ngritur foletë ballkoneve të shtëpive të braktisura;

dhe fryma e drurëve të pyjeve,

zgjuar mëngjeseve, pa zërat e njerëzve…

 

Ngrehu, dashuri,

ngrehu,

prej gjumit,

prej ëndrrës,

prej varrit,

prej humnerash,

prej thellësi detesh

prej hekurash, lidhur

a prej zanash, vjedhur

ngrehu,

prej kudoqofsh,

dashuri…

 

Ngrehu,

dhe pushtoje botën, dashuri

me fshesën e ëmbël-butë, tënden,

prishi gardhet e ndarjeve

fshij të gjitha urrejtjet

fali të gjitha mëkatet

dhe ngrohi të akulltat zemra

dashuri…

 

Ngrehu,

ngrehu se, vetëm ti,

do ta shpëtosh botën e njerëzisë

prej marrëzisë,

dashuri…

 

Zgjohu,

zgjohu dhe bëje botën të bukur,

të bukur si ti,

dashuri…

 

Dashuri…

Please follow and like us: