Albspirit

Media/News/Publishing

Ilir Levonja: Peshku i parë dhe më i madh është Edi Rama, ambasador!

1) Takimi i djeshëm Forca e ligjit me ambasadorët e rajonit dhe atë të Amerikës, vërtetoi publikisht një fakt, mos çeljen e negociatave. Atë që pak ditë më parë u bë debat publik ku qeveria e quajti si sukses shtyrjen me një vit, ato që Edi Rama i rrumbullakosi si 72 orë vendimtare për t’i mbushur mendjen skeptikëve në Hollandë e gjetkë dhe opinioni opozitar si ngelje në klasë të Shqipërisë. Në një apo dy mënyra një shpurë e tërë ambasadorësh sollën kokluzionet, apo arsyet e vërteta përse vendi ynë nuk mundi të shkoj dot më tutje. Dhe pa diskutim kulmi ishin replikat në distancë midis ambasadorit në ikje të Shteteve të Bashkuara Donald Lu dhe kryeministrit Edi Rama mbi krimin e organizuar. Kësaj here Donald Lu-ja u bë antipatik edhe për opinionin qeveritar, i cili gjithë këtë kohë i ka konsideruar si asete të rëndësishme Lu dhe Vlahutin në gjoja reformat e mëdha të shtetit të së drejtës dhe ligjit. Po e vërteta është se në Shqipërinë otomane, ligji dhe kushtetuta janë ca rula letre higjenike të një cilësie skandaloze që kujtdo ua grricin menderen, veç shqiptarëve qytetarë jo. Replika që sigurisht otomanit Edi Rama nuk kishte se si t’i pëlqenin, ndaj edhe iu kundërvu ambasadorit duke i përmendur vështirësitë në kapjen e një personi në kërkim, aset nga administrata shtetërore e doganave dhe prurje e politikës. Një modë natyrale e këtyre njëzetë e tetë vite demokraci, si ardhja në pushtet me paratë e krimit dhe ndarja e tepsisë për interesat e tij.
2) Së fundi Donald Lu-ja po largohet prej vendit tonë i përbuzur si nga opozita por edhe pushteti. Megjithatë shembulli Lu apo Vlahutin, ai i ambasadorit anglez dhe ndonjë tjetri dëshmuan një fakt të hidhur. Rënien e shtetit tonë. Ambasadorët janë veçse përçues mesazhesh mes qeverive, jo udhëzues se si bëhet, se qysh…, se kush. Mund të ofrojnë platforma dhe të tjera shërbime, por të gjitha këto bëhen në atë mënyre që mbeten si praktika të brendshme kuadrosh ndërshtetërore. Por ndofta nga bezdia mbi dhënien pa mbarim, fondesh për ngritje institucionesh si gjykata administrative a ky vetingu i famshëm… fonde që i përpinin gropat e zeza, u detyruan të bënin udhëzuesin dhe kërkuesin e llogarisë në mënyrë publike. Dhe ndofta dhëmbët ua kanë mbajtur t’i kujtojnë politikanëve se peshq të mëdhenj nuk janë vetëm ata si puna e këtij Balilit, por edhe Rama dhe soji i tij opozitar. Madje më keq se transportuesit e kanabisit dhe mishit të bardhë. Pra, ngado që ta kthejmë është një rol i tejkaluar por që në vendin tonë u kthye në një show publik ku me siguri institucionet e lajmit duhet ta dinë mirë se sa ethshëm shtoheshin ndjekësit kur fliste shqip e demaskonte emra të gjallësh ky Luja i Amerikës.
3) Peshku i parë i madh është Edi Rama i cili pushtetin që i dhanë shqiptarët e ka kthyer në një biznes me sekserë të tipit Erion Veliaj. Këtë e vërtetoi vet ky i fundit, që e trajton raportin me kryeministrin si një marrëdhënie njerëzish aferash që merr vesh shumë mirë. Një marrëdhënie disi e xhelozuar për shkak se cili syresh po punon më mirë duke ofruar kështu një përtëritje të mjaftistëve, e kohës Rama kundër Nanos, shkurt ata plagjaturë që sot gjithë bota e njeh si pushteti absolut midis Vladimir Putinit dhe Dimitry Medvedevit në Rusi. Shokët e pushtetit nën rrogoz, luftës së ashpër opozitare, por edhe atyre në rang botëror, siç është suporti aktual që po i japin Bashar Al Asadit në Sirinë tashmë të shkatërruar nga lufta civile. Plaga e madhe e Europës në lidhje me dyndjen e emigrantëve. Ndofta dyshja jonë, Rama Velija nuk kanë bythë ta bëjnë, megjithatë ka aftësinë të rrisin borxhin publik dhe të vjedhin me të dya duart, të manipulojnë një vend të tërë drejt një vetvrasje kolektive duke shkatërruar deri memorien historike, një vend i cili ka një përvojë të hidhur nga pushteti i shokëve si rasti i Enver Hoxhës me Koçi Xoxen, Beqir Ballukun, Teme Sejkon, Kadri Hazbiun, Bedri Spahiun dhe Mehmet Shehun. Konkluzioni një Shqipëri e rrudhur aq sot ajo Shqipëria organike thirret me frikë si një Shqipëri e madhe…, plot 39 mijë viktima gjatë një qeverisje dyzetë e pesë vjeçare, pa përmendur të pushkatuarit dhe ata të cilët nuk iu gjetën kurrë eshtrat, të luftës pa kompromis asaj të klasave. Shteti në kapitalizëm bëhet me ligje, me trasparencë dhe jo fonde gjoja të dhuruara me më jep të të jap.
4) Momentalisht në Shqipëri është krijuar edhe një ngërç instititucional. Mungesa e kërkesës së llogarisë, e vënies së drejtësisë etj., kjo përshembull si në rastin konkret për një ankimin të ligjit për prishjen e teatrit kombëtar. Eshtë një vendimmarrje e paqartë për shkak edhe të protestave apo debateve pafund. Megjithatë, kundërshtarët, qofshin këta me sharm politik, prej artit, a qytetarë pro memories dhe ruajtjes së saj, nuk kanë ku të ankimohen. Pra është drejt për së drejti një ngërç mafiozësh dhe peshqish të mëdhenj, shkurt demokracia e kapur nga oligarkia dhe mafia. Nisur nga ky këndëvshtrim… i takon opozitës të ofroj mundësi të reja dhe të garantoj balancimin e pushtetit si nervi thelbësor i demokracisë. Megjithatë, shohim se veç atyre denoncime tashmë gangrenë prej dixhitali, nuk ka asnjë asgjë tjetër. Përshembull suport total të protestuesve dhe ajo që është e domosdoshme djegia e mandatave të deputetit. Mirëpo kjo nuk po ndodh. Dhe sado të bërtasi Berisha, sado të flasi Basha për një politikë kundërshtuese qytetare…, prapë ky nuk është opozitarizëm. Por një kapje dhe bindje totale e kollarexhinjlve me një të kaluar tepër të përfolur prej ish drejtorësh a ish ministra që janë pjesë e një lojë të qartë për pritje të pushtetit. Ndofta është koha të besojmë plotësisht se ato zëra se marrëveshja e Ramës me Bashën ekziston. Në një vend ku të gjithë treguesit janë për një rënie totale të shtetit, opozitari është i shenjtë pikërisht për hir të sakrificës. Mirëpo ky lloj shenjtori duket se i mungon vendit tonë. Ndaj dhe ambasadorët kanë të drejtë të udhëzojnë, të kërkojnë llogari, ndofta me të vetmen shpresë se qytetarët i kanë veshët hapur e dëgjonë, kanë sy e shikojnë. Dhe protestuesit duhet t’i përzënë një orë e më parë deputetët opozitarë sa kohë mbajnë në xhep mandatin, sa kohë nuk kanë nuhatjen të kuptojnë se veç demokraci nuk ka më në Shqipërinë tonë.

Please follow and like us: