Sadik Bejko: Dy orë blu
Ah ç’më ikin, ç’më ikin
këngët e bulkthit, zërat e gjinkallës,
ngjyrimet nga tharja e barit gjer në bojën shkëmb,
zhurmat mbytëse të lumit, lodhur vapës …
më ikin.. s’kam kohë. Më ha koha.
Mbase kohën e hamë, dëm..
e fikim… fije bari ndër dhemb.
Vetëm sot, vetëm sot
preka themelin e së kaltrës së errët,
një blu të pastër nate,
qiell ngjashëm me ujin- det i kthjellët.
Me përkulshmëri, me freski ajri
u godita fort, me gjethnajat flatruese blu;
mbi jelet e rrymave me shkumë
flatrova lart në rriptha të qielltë dhe flu.
Rrëzave, grykave, luginave…
isha breg, zog e peshk, shkëmb e dru,
ujë i fortë lumi, pjellë lakuriqe
e përjetshme prej toke,
plis ajrit blu.
…fëmijëria ime
çuar herët me delet blu në kullota,
nxënësi i larë në blu agu rrugës për te shkolla,
mbledhës bimësh në mal
që mëngon e rend nga nevoja,
isha dhe ati im për te toka me qetë e kalin,
dhe gjyshi qeraxhi që prin në blu karvanin…
Ja, zogjtë e vegjël çukitin me sqep në blu
ajrin e natës,
pemëve e kthejnë në kristale,
peneli i krahëve e pikturon në livadhe.
Një kalë përvidhet në kullota nate,
hyn te kopeja e egër prej neolitit,
kope vrapuese që trokon e trokon,
e i thadron në blu shpatullat e kodrave,
shpatullat masive të hijeve në male…
një kalërim
në lumin blu nga hone toke gjer në qiell të pafund nate.
Në këtë bymim, në këtë lundrim,
në këtë gufmim, vetm dy orë blu…
Ne, zogj, peshq të vegjël, të ngrënshëm,
që sa hap e mbyll sytë, ikim tinëz.
Ikim…
Nuk kemi kohë, na përton koha,
na e marrin
fole në pyll zogjtë pa pendë, zogjtë e rinj të stinës.