Albspirit

Media/News/Publishing

Zef Preçi: Një apel publik për më shumë drejtësi shoqërore

Si sot një javë më parë, dy të rinj laçianë, 27 dhe 28 vjeç humbën jetën nën gërmadha, në përpjekje për të nxjerrë shufra hekuri, që shiten me kile dhe fare lirë, nga ngrehinat e braktisura e të helmuara të ish-uzines se superfosfatit në këtë qytet të vdekur…

Askush nuk reagoi as për të shprehur ngushëllimet ndaj familjarëve të tyre, as nga autoritetet shtetërore dhe as nga shoqëria civile për viktimat e radhës të kohës kur jetojmë. Shoqëria dhe autoritetet qeveritare shqiptare janë të zënë me zgjidhjen e problemeve rajonale e globale, psh me problemet e detit të Greqisë, edhe pse dikush e quan shkëmbim territoresh apo më keq akoma tradhti kombëtare – qytetarët shqiptarë në errësirë të plotë nuk duhet të flasin, se nuk kanë si të flasin, se nuk dinë gjë akoma, ata e marrim vesh të fundit, ndoshta atëherë kur asgjë nuk kthehet dot pas. Ndërsa në Tiranë drejtësia, nën reformën e veting-ut si “Shen Pjetri në Mangall”, është e zënë me përkedheljen ligjore me punë në komunitet të vrasësve serialë dhe përdhunuesve të diskredituar publikisht dhe fort të mbrojtur politikisht…Në titra shoh se Prokuroria zgjat me tre muaj hetimet për një ish-ministër të akuzuar si mbrojtës të krimit të organizuar, pak a shumë si te thënia “unë tregoj hënën dhe ti sheh gishtin tim…”. Shqipëri hesapi!

E pra, këta dy djem të mbarë laçianë nuk u bashkuan me disa banda të bashkëkombësve të tyre, që si “punëtorë të vërtetë sezonalë” grabitin vila dhe apartamente të qytetarëve italianë, belgë, gjermanë apo francezë.

Këta dy djem nuk morën malet përreth qe të kultivonin cannabis sativa dhe thjesht të siguronin “bukën e përditshme” për disa javë duke rrënuar kështu jetën e disa qindra bashkëmoshatarëve të vet në Rome, Bruksel apo në Londër.

Këta dy djem nuk vunë maskat dhe nuk dolën në rrugë për të grabitur kalimtarin apo drejtuesin më të parë të makinës a veturës që do të kalonte para tyre. As nuk priten kur të kthehej nga tregu i zonës bashkëfshatari i tyre për t’i marrë me dhunë xhiron modeste të ditës…

Keta dy djem nuk ranë viktima të banditeve që thuhet se janë jo të paktë në këtë zonë, të cilët rekrutojnë të rinj të kësaj moshe për t’i përdorur si vrasës me pagesë në Shqipëri, në Kosovë e ndokund tjetër si mjet pasurimi të grupeve kriminale që madje shndërrohen në biznesmenë dhe grabisin me dhe pa ligj pasuritë, koncesionet e PPP-të vendit…

Këta dy djem të mbarë laçianë po përpiqeshin të jetonin me djersën e tyre, pa ju bërë barrë familjes si shume moshatarë të tyre, madje duke kontribuar për ta mbajtur atë. Ata nuk dinin dhe nuk arritën të mesonin kurrë se si “ekonomia rritet e rritet” pa u çelur vende të reja pune (siç deklarojnë “udhëheqësit” me krekosjen e gjelit me pleh nga mikrofoni i shpifjes në Kuvendin e Shqipërisë). Ata nuk e dinin dhe as arritën kurrë të kuptonin se si shtrëngimi i punëdhënësve për të paguar sigurimet shoqërore të punëtorëve të tyre në një ekonomi që punon nën kapacitet i përfshin këta të fundit në sistem, por ju përkeqëson nivelin e jetesës. Nje pjesë e mirë e punëtoreve të pasiguruar deri më sot, janë të detyruar që t’i paguajnë nga paga e vet modeste e deridjeshme…

Nëse vërtet besojmë se ky vend do të bëhet një ditë, dhe unë besoj se kjo do të ndodhë, duhet të tregojmë të gjithë pak më shumë solidaritet njerëzor, pak më shumë sens drejtësie shoqërore e respekt për atë pjesë të shoqërisë që, jo thjesht është në varfëri dhe mjerim dhe që duhet që të mbështetet nga shteti e shoqëria në tërësi, por edhe që lufton çdo ditë për të ndërtuar të ardhmen e vet pa vjedhur, pa grabitur, pa mashtrim e shkelje të ligjit, këtu dhe në botën përreth nesh… E pra, të tille ishin edhe këta dy djem të mbarë laçianë që vdekja i ndau prej nesh në lulen e rinisë së tyre. Të paktën ta shohim sakrificën e tyre sublime si një moment për reflektim ndaj këtyre viktimave të tranzicionit tonë kleptokratik dhe të pafundmë. Po e mbyll këtë shkrim me një strofë të “Poemës së Mjerimit” të Migjenit të shkruar dje, dmth vetëm një shekull më parë:

“Mjerimi s’don mshirë. por don vetëm të drejt!

Mshirë? bijë bastardhe e etënve dinakë,

T’cilt n’mnyrë pompoze posi farisejt

I bijnë lodertinës me ndjejt dhelparak

Tu’ ia lëshue lypsit një grosh të holl’ n’shplakë”.

Please follow and like us: