Irma Kurti boton librin e dhjetë në gjuhën italiane
“Le pantofole della solitudine” ose “Pantoflat e vetmisë”
- Poetja shqiptare Irma Kurti boton librin e dhjetë në gjuhën italiane
Nën logon e Shtëpisë Botuese Besa, poetja dhe shkrimtarja shqiptare Irma Kurti prezantohet përpara lexuesit italian me përmbledhjen me poezi titulluar: “Le pantofole della solitudine” (Pantoflat e vetmisë). Ky është libri i dhjetë pas botimeve me poezi, tregime dhe romane. Imazhi i kopertinës, ashtu si në librat e tjerë është marrë nga arkivi i fotografive të bashkëshortit të saj, Biagio Fortini.
“Le pantofole della solitudine” përmban 75 poezi të ndara në dy pjesë. “E kaluara është një fantazmë” u jep titullin 34 poezive të përqendruara tek kujtimet, dhimbja dhe nostalgjia, distanca me vendin e origjinës, dëshira për të gjetur strehë në një vend larg kaosit të përditshëm, forca e së kaluarës – fantazmës që shfaqet gjithmonë në të tashmen.
Pjesa e dytë “Në borxh me dashurinë” përmbledh 41 poezi të fokusuara tek tema e dashurisë dhe nuancat e saj: gëzimi dhe dëshpërimi, magjia e një çasti, lotët e akullt që koha s’mund t’i thajë si dhe shpirtrat që fiken si qirinj.
Poezi të ndryshme i dedikohen raportit prindër-fëmijë, ndjenjës që sfidon sëmundjen apo edhe vdekjen e njeriut të dashur.
Irma Kurti në publikun e gjerë njihet si krijuese e teksteve të këngëve të lehta. Është pjesëmarrëse në dhjetra anketa muzikore, festivale kombëtare e koncerte pranvere dhe shumë prej bashkëpunimeve të saj janë nderuar me çmime.
Ka botuar gjithashtu gjashtëmbëdhjetë libra në gjuhën shqipe dhe tre në anglisht. Në vitin 2013 fitoi çmimin ndërkombëtar “Universum Donna” për letërsinë dhe emërtimin “Ambasadore e Paqes” nga Universum Academy dhe Universiteti i Paqes në Lugano, Zvicër. U shpall “Poetja Shqiptare e Vitit 2015” nga Qendra P.E.N e Shqipërisë.