Albspirit

Media/News/Publishing

Izet SHEHU: FANSAT E MI

 

Fansat e mi janë fyejt e erës,
Janë harabelat që i bëjnë serenatë prillit,
Janë rrezet e përthyera mbi lulet e shqerrës,
Janë tingujt e dehur mes aromës së blirit.
Fansat e mi janë lotët e vesës mbi bar,
Janë bulat e ujit mbi buzët e burimit,
Janë puplat e përgjakura të thëllëzës së vrarë
Janë ninëzat e kaltra të luleve të lirit.
Fansat e mi janë të gjithë frymorët,
Që s’kanë lënduar askënd në këtë hapësirë të paanë,
Janë grykat e maleve ku ndërzehen erërat,
Janë sythet e buzëqeshjeve larg edhe pranë.
Fansat e mi, qofshi përherë të dlirtë:
Në shkretëtirë u bëfshi oaze dhe në errësirë dritë.

Please follow and like us: