Ilir Levonja: Ky gramshioti kryetar është një sejmen i tipit Taulant
1) Që dje mbrëma shumë webe të ashtuquajtura të djathta i kanë dalë në mbrojtje një soj ”demokrati” që shante me fjalorin më të ulët uniformat e policisë. Këtë e bëri edhe vet Berisha nën atë strategjinë e denigrimit pa masë, një kulturë tashmë e tija kjo, karshi kundërshtarit politik. Një kulturë e mbrapshtë që zor se do hiqet nga e përditshmja politike e shqiptarëve edhe pas 10 apo 20 viteve. Dhe ta dini, se sa kohë të dominojë kjo kulturë, institucionet kurrë nuk kanë për t’u rimëkëmbur. Ai nuk është demokrat, por një soj i tipit të Taulant Ballës dhe Sajmir Tahirit. Janë akoma të memorizuara lufta e tyre me forcat e rendit. Me kordonët e uniformave etj. Unë nuk i mohoj sejmenët brenda radhëve të policisë së shtetit. Ata janë me shumicë dërrmuese nga ligji i pashkruar i meritokracisë në parti. Dhe sado provokues të jenë këta sejmenë, një demokrati, aq më tepër një kryetari partie e cila është promotorja e të drejtave dhe lirive të individit në vendin tonë, nuk i lejohet të kaloj kufijtë e etikës. Sepse përballë nuk ka sejmenin, por uniformën e shtetit të cilin ai militon ta bëj të dobishëm për qytetarët.
2) Sot Pd-ja e Gramshit duhej të mblidhej urgjentisht dhe të shkarkonte këtë sejmen. Mjaftojnë ato ulërima karshi atyre kamerave amatore kur thoshte se jam kryetari i pd-ës etj. Merreni me mend se çfarë pretendimesh do të ketë nesër sikur të kapi postin e ndonjë dikasteri. Do kemi një lloj Skënder Gjinushi i cili arriti shifra rekord në pagesa për truproja e shofera. Do kemi një Taulant Balla të ri, një që në kundërshtim me ligjin për shfarosjen e pyjeve do i kthehet me sharra malësisë rreth Tomorit. Do kemi një Sajmo garipi që do punësoj Gramshin në kultivimin e kanabisit. Ky duket që është i denjë, mjafton një fakt, i qahet Saliut. Nëse një titullar partie nuk i skuqet faqja karshi populli, nuk vlen në demokraci. Por është një skile kulisash dhe marrëveshjesh që si e si të rrijë sa më gjatë në karrike. E theksoj, sado sejmenë të moçalit të Ramës të ketë brenda forcave të rendit, prapë ai fjalor gjirizi nuk i ka hije një demokrati. Nuk mund të vish n[ pushtet duke sharë nga nëna, motra, gruaja, a robtë e shpisë ky qejf pervers i yni, asesi! Dhe as që i duhet kujt një pushtet me të tillë. Ndaj ky sejmen ”demokrat” e ka vendin jashtë radhëve të Pd-ës. Dhe kjo me moralin e votës që Gramshi duhej ta kish bërë me kohë.
3) Jeta jonë politike është e gjitha një ironi. Mjafton të shikoje atë përurimin e bustit të Pjetër Arbnorit dy ditë më parë. Mu kujtua një shprehje e tij, që, këta janë specialistë dhe jo socialistë. Një shprehje që u bë lapidare nga vulgariteti i një mbrëmje kur në një hotel në Bon në Gjermani një grup kuvendarësh shqiptarë shikonin kaseta a programe poronografike. Programe nga ato që ofrohen me pagesë nga shërbimi hotelier. Dhe këta kuvendarë që kujtonin se i kishin pa para ose i paguante Kuvendi edhe këto si dietat, u shkrehën me video shalësh. Them se është ironi se kur shikon se i fundit ish ministër i diktaturës, promovon të persekutuarin a viktiminën e tij. Kur akoma nuk kërkuar një ndjesë publike. Kur akoma akuzohet për 4 vrasjet e 2 prillit 1991 në Shkodër, në protestën ku merrte pjesë edhe vetë Arbnori…, çfar[ emër tjetër t’i vësh. Them ironi sepse e ka të lejuar bashkëjetesën dhe bashkëpunimin, kur të dojë dhe si t’i dojë qejfi robit, vetëm Berisha. Një ironi e tërë therëse, kur i shikoje bashkë, të ziun, të kuqin, të verdhin, zemunin, sorosianin të flisnin për Pjetër Arbnorin. Në një shesh ku dominonin xhelatët, veç jo vuajtësit.
4) Demokratë, largojini këta sejmenë nga radhët tuaja.
Problemet e shqiptarëve janë të shumta. Dhe ato duhet të jenë parësore, jo video të tilla. Programet e mëdha politike nisin nga veprat e mëdha. Nga nismat e mëdha… Sot përshembull nën zë pëshpëritet për një aleancë të re të mundshme mes LSI a disa ”demokratëve” për këtë ligjin e magjistraturës, shifrën magjike prej 84 votash. Kjo do të ishte vrasja e dytë e demokracisë. Vrasja e fundme e demokratëve… të gjithë e shohin se ngërçi institucional shqiptar është tek dera. Ose më saktë ka një rënie të plotë të institucionit shtetëror. Kjo tek ky votimi i shtatorit me 84 vota.
Megjithatë ”demokratët” e Lulit nuk e shohin dot. Nuk mund ta shohin. Mund të jenë rishtas pjesë e marrëveshjeve të pritshme. Vetëm në Shqipëri mund të jepet një pronë shtetërore për një karamele, me mënyrat e Enverit karshi shpronësimeve etj, por demokratët e Lulit nuk e shohin. Nuk e dëgjojnë as faktin se formula e tri p-ve në Europë rezultoi një katastrofë. Por shohin me sy videot e kësi sejmenëve që në vend t’i ofroj shqiptarëve vlerat e gramshiotëve, i ofron plehrat. Kësisoj nuk bëhet. Ndaj rimëkëmbja vjen vetëm përmes një rrugë, digjni mandatet.