Albspirit

Media/News/Publishing

Ndahet nga jeta Luan Hajdaraga

Pak minuta pas lajmit për ndarjen nga jeta të ish-ministrit Luan Hajdaraga, ka ardhur reagimi i parë nga miqtë e tij. Luan Rama, deputeti i LSI, ka ndarë bashkë me lajmin, hidhërimin e tij për humbjen. Hajdaraga u lind më 28 gusht 1948 në Tiranë, në një familje me origjinë nga Dibra e Madhe.  Kishte mbaruar studimet për psikologji në Universitetin e Bukureshtit, në Rumani dhe ka punuar për 20 vite si punonjës shkencor dhe Drejtor i Institutit të Studimeve Pedagogjike, në Tiranë. Kishte fituar gradën shkencore “Doktor i Shkencave” dhe kishte marrë titullin Profesor në Psikologji, në Universitetin e Tiranës.  Ka qenë deputet në të gjitha legjislaturat në vitet 1992-2001, dhe ka kryer detyrën e nënkryetarit të Komisionit Parlamentar të Medies dhe të nënkryetarit e të kryetarit të Komisionit të Mbrojtjes, Rendit e SHIK. Ka qenë Nënkryetar i Partisë Socialiste të Shqipërisë.  Ka mbajtur portofolin e Ministrit të Mbrojtjes (1998-2000) dhe ka qenë zv. ministër i Jashtëm, post që e mbajti deri në tetor 2005. Ka një veprimtari të pasur shkencore e botuese.  Është autor i disa monografive dhe studimeve në fushën e psikologjisë etj.  Zotëronte gjuhët anglisht, italisht e rumanisht.

MESAZHI I LUAN RAMES:

“Eshtë ndarë nga jeta Profesor Luan Hajdaraga!  Nuk gjej fjalë të përshkruaj dhembjen, veç, ndjej që rëndesa e saj është bërë aq e madhe, sa ishte mirësia e dashuria e fisme dhe e paqtë që ai njeri fali gjithë jetën e vet!

Familja humbi njeriun e vet më të dashur, e të gjithë ne; shokun, mikun, profesorin tonë të pazëvendësueshëm, njeriun qytetar e përherë të angazhuar në sfidat e mëdha të kohëve të vështira nëpër të cilat ka kaluar vendi dhe kombi ynë! U prehsh në paqe e të ndrittë shpirti shok, mik, vëlla!

Please follow and like us: