I pari diplomat shqiptar ndër oborret evropiane
Personaliteti poliedrik i Gjon Gazullit ndriti shumë edhe në fushën e diplomacisë. Në vitin 1432, kur ai ishte veçse 32 vjeç, shohim se përmendet si një personalitet me rëndësi të madhe në jetën politike e kulturore të një qyteti të madh sikurse ishte Raguza ku ai jetoi e punoi më së shumti. Falë këtij qyteti, akoma edhe sot gëzojmë dokumente që përmbajnë të dhëna me shumë interes për historinë e vendit tonë.
Gjon Gazulli
Për t’u kthyer te Gazulli, në Raguzë bie në sy interesimi i tij i madh për ndërtimin e një biblioteke. Pas disa peripecish, ia del duke ngritur një bibliotekë mjaft të pasur dhe tepër funksionale për kohën. Për ndërtimin dhe pasurimin e saj të vazhdueshëm, ai shkriu gjithë pasurinë që pati vënë gjatë jetës duke punuar ndër lëmet ku ishte shumë i zoti.
Duke parë se sa i aftë dhe sa orator i zoti Gazulli ishte, Senati i Raguzës me një vendim e ngarkon atë me mision diplomatik në oborrin e mbretit të Hungarisë. Ai duhej të ndërhynte që të siguronte mundësinë që anijet tregtare të Raguzës të lundronin dhe të tregtonin lirisht në vendet e Lindjes.
Sipas librit “Letërsi e Hershme Shqiptare” me autore Fatbardha Hoxhën, sipas të dhënave që dalin nga dokumentet (të pacituar nga autorja), Gjon Gazulli shpërblimin personal që arriti të përfitonte nga misioni diplomatik në Hungari e përdori për të blerë armë për Shqipërinë.
Pikë së pari, këto dokumente nuk mund të kenë ekzistuar asnjëherë pasi në periudhën kur bëhet fjalë (gjysma e parë e shekullit XV) termi “Shqipëri” nuk ekzistonte. Së dyti, nëse këto dokumente do të ishin të vërtetë dhe prof. Fatbardha do t’i kishte, prejardhja shqiptare e Gazullit nuk do të kishte përse të vihej në dyshim.
Vitet e fundit janë botuar disa korespondenca që tregojnë marrëdhënet mes Raguzës dhe Hungarisë. Ndër to, Gjon Gazulli përmendet shpesh duke u cilësuar si diplomat i zoti dhe shkencëtar i shkëlqyer.
Më 1433, dorëzon detyrën dhe shkon në Universitetin e Padovës ku pati studiuar, tani jo më si student, por si profesor.