Nëpër vargjet e poetit martir, Genc Leka
OXHAKU
Bora mbulon tokën e gjërë,
Dhe natyra duke në gjumë;
Ky oxhak e dogj një pyll të tërë,
Ky oxhak ka parë ngjarje shumë!…
Dhe kur shpesh fryn era dimërore,
I kujtohen këngë partizane,
Miq… biseda… gjurma… flokëbore,
Gjithcka që mbeti kësaj ane!
Ndaj oxhaku tymin nxjerr përpjetë,
Si një plak që qetë pi duhan…
Në mendime bije nëpër netë;
Dhe në shpirt diçka të shtrenjtë mban…
E sa gjurmë mbetën kësaj ane
(E sa miq ka pritur ky oxhak…)
Këtu rodhën këngë partizane
Diku rrodhën disa pika gjak!…
Bora prapë mbulon tokën e gjërë,
Prap natyra duket sin ë gjumë;
Ky oxhak që dogj një pyll të tërë,
Është i thjeshtë, por ka parë shumë!…
4.12.1965
RRETHI I HËNËS
O hënë, pse dole moj, aq e trishtuar?
Mos vallë për mua po mban zi?
Që prapa reve shpesg më ke vështruar
Kur kthehesha vonë, netëve në shtëpi?
Nuk besoj në lot, as në syte e shkruar,
E humbe freskinë, s’bën për mua ti,
Më tha zemër guri, thëngjill i mbuluar,
Që s’pati në zemër, ndjenja, dashuri…
U tret dhe zëri i fundit. Qetësi
Cdo gjë po fle, dremisin edhe retë.
As fletët nuk po bien më tannin,
Kjo natë hesht, vec lumi rrjedh për jetë.
Ah, lumi s’gjeti kurrë qetësi.
POEZI PA TITULL
Kur në dritare rri me mall
Me lulet e saksisë,
Më shfaqesh si vegim, përballë
Gërmadhat e shtëpisë.
Pastaj më ngjan sikur bën zë
E ndrojtur fëminia
Që fle mes gurësh përgjithnjë
Me ëndrrat e mia.
CIGANËT
Çdo vjeshtë vinte një varg me ciganë
Dhe këndonte plot mall e trishtim:
“Se si janë ca gra, se si janë,
Ah, të vrasin vec me një vështrim…”.
Dhe shkuan ciganët në rrugën plot fletë,
Me këngët, me kuajt revan…
Dhe pas i përcillte me duf një gërnetë
E ndezur prej shpirtit cigan.
Dhe prapë erë e vjeshtës m’i zgjoi kujtimet
Me këngën e vjetër cigane për gratë.
Në vitet e brishta më çojnë mendimet,
Si vesë mëngjesi m’u tretën gëzimet,
Dhe thinjat m’u shtuan cdo natë…
“Se si janë ca gra ,se si janë…”
Gjithnjë më mundon ky mendim.
E pse o ciganë, a gjetshit belanë,
Me këngë e me kuaj çudisni dynjanë
Dhe vjeshtës këndoni me trishtim:
“Se si janë ca gra,se si janë…”?
FILLIM PRANVERE
Në dimër c’u mblodhëm plot shokë një herë,
Së bashku u zumë për dore.
Pa erdhëm vërdallë plot gaz e poterë
Dhe bëmë një plak prej bore!…
Por lodrën e dashur ne vetëm e lamë
Se prisnin detyrat, mësimet…
Dhe bora mbulonte cdo gjë, në cdo anë
Na zgjonte kujtimet, gëzimet…
Plot shokë u mblodhëm sërish në pranverë
Me lodra, gëzime pa fund:
Kudo ne kërkuam plot gaz e poterë,
Por plakun s’e gjetëm gjëkund…
Dhe lulet po celin kudo ngjyra-ngjyra
E,lehtë me to po lot era.
Cdo gjë gjallërohet… shpreh urim natyra
Pranvera… pranvera… pranvera
10.02.1966
NXËNËSVE TË MI
Më la fëminia dhe humbi diku
Si vesa që zhduket nga bari.
Mbas vjetësh e pashë sërishmi te ju
O lule që çelni së pari
Era i tund e fletët tutje vonë,
Vapa kaloi në kodër barin dogj.
Për diku larg … u nisën disa zogj,
Por kurrë s’do t’a harrojnë ata folenë
Një poezi, një lule shpirtit tim.
Një varg; një bisk i lules plot jetë.
Por ndodh që dhe një varg ndonjëherë
Është një bisk… një lule…një vëllim!
30 prill 1960
LETËR MËSONJËSIT
Mësonjës, të kujtohet! Ti erdhe një ditë
Nga larg, i kapitur, tek ne në katund,
Sa bukur të pritën të gjithë fëmijtë,
Më bukur shkëlqente dhe qielli i pafund.
Mësonjës, të kujtohet!…C’të themi më parë.
Sa shumë na doje, ashtu si dhe ne,
Sa herë na thoshe: Fëmijë të mbarë
Në zemër më ngjallnin gëzim dhe hare.
Mësonjës, t’na shohësh sa fort jemi rritur,
Tani nxënësit e tu ti s’i njeh.
Sa herë të mbledhur të gjithë t’kemi pritur
Ta dish sa të duam sa mall kemi ne…
Mësonjës, jemi mbledhur në klasën e dashur
Ku tin a mësove me mall e kujdes,
Nga punë të ndryshme secili ka ardhur,
Si vinim përditë herët cdo mëngjes
Mësonjës, do marshojmë krenarë në jetë
Se ti na mësove.Të puthim nga larg.
(Për ne mos ki hall, mësonjës i shtrenjtë)
Seicili nga ne një rrugë ka gjetë
Dhe njëri prej tyre…të shkruan këtë varg.
15 tetor 1960
VJESHTA
Horizont i largët, zogj në shtegëtim,
Erë, pika shiu, fletë pa mbarim…
VITI I RI…
Gjithnjë njerëzit shëndeverë,
(Ç’gaze ç’lumturi!…)
Me të mira si përherë
Erdhi Vit’i Ri…
Këng’ e valle gjithmonë,
Tok festojmë ne;
Për sukseset të ardhmen tonë,
Për jetën e re!
Gjithë zemrat shëndëverë,
(Ç’gaze ç’lumturi!…)
Më i bukur se çdo herë,
Vjen ky Vit’ i Ri!…
Ndaj me këngë këtë ditë,
Ne festojmë sot;
Ti, o zot që na jep dritë
Rrofsh për jet’e mot!…
18 dhjetor 1965
CIGANI I VOGËL
Oh, fli djalosh se është natë,
Lotët mos i derdh mbi lumë,
Rrugën do ta kesh të gjatë,
Ndofta do të lodhesh shumë.
Ti do nisesh sërish vetë,
Ndoshta do të prish karvanë.
Vjeshta do të hedhë fletë
Mbi varganin me ciganë.
LUMES
1
Ja, këtu përpara shkollës sonë
Ne e ngritëm lart një lapidar,
Që të përkujtojmë gjithmonë,
Shokët, ty… dhe vrullin çlirimtar…
Tok me shokë erdhe ti shpesh herë
(Tek ky skaj ku jeta buzëqesh)
Dhe së bashku ratë në pranverë
Që gjithnjë të ndodhi midis nesh.
Ne s’i pamë ditët e stuhisë…
Trimat, gjakun që u derdh mbi dhe;
Për ne ndrit sot dielli i lirisë
Se Perëndinë meme kemi ne!…
Ndaj për ju ne nisim këngën tonë
Ndaj ballëhapur vigjëlojmë ne!…
Dhe fitoret mbrojmë gjithmonë
Mbrojmë punën…paqen në Atdhe!…
2
Ja, mbas vjetësh…kujtimet më vijnë
Ndaj këndoj për ju, o miq me mall;
Jetën bëtë fli, ju, për lirinë,
Por me ne ju jeni prapë gjallë.
Falmëni, o miqte e mi të parë,
Nëse derdh nga malli një pik’lot.
Veç ta shihni ju o çlirimtarë
Shqipërinë si është bërë sot!…
Gjaku juaj-fjala e Perëndisë
Këtë brez tani e frymëzon.
Gjaku juaj-djelli i lirisë
Që për shekuj kurrës’perëndon!
Miq, sa herë erdhët këtij fshati
Dhe këndej u ngritët tërë gas,
Por s’humbasin këtij monopati
Gjurmët tuaja që mbetën pas!…
Ah, sikur ta shihnit Shqipërinë,
Si është bërë ky vendi ynë sot,
Ju dhatë jetën për lirinë
Do më falnit për një pikë lot!
25.09.1962 dhe 10.11.1965
MILINGONË
(Kujtim i vogëlisë)
Sa e vogël je, moj milingonë,
Duke ikur të shikoj çdo ças,
Ti me punë merresh gjithmonë,
Çdo pengesë rruge e le pas!…
Ti, me shoqe vjen këtu, shpeshherë,
Tek ky lëmë mbushur grurë plot;
Dhe “hambarët” mbushni që në verë,
Se në dimër, ju nuk dilni dot!…
Fort e vogël je, moj milingonë,
Por kudo ti sillesh papushim.
Ti me punë merresh gjithmonë
Se dhe tin ë punë gjen gëzim.
Kohën kot nuk e kaloj as unë,
Por kudo mësoj, dëfrej, punoj!…
Porsi ti dhe unë bëj cdo punë,
Milingonë, milingonë moj!…
Zdrajsh, 24.04.1965
HARABELAT
Vjeshta e sosi vellon me ngadalë,
Dimri do vijë me ngrica e tufan,
Por ju zogj, këtu i bëni ballë,
Prej këtij dheu asnjë gjë s’iu ndan.
Ka zogj që nisin shtegëtimin,
Duan pranverë, duan qiell pa re,
Por tek ky vend ju gjeni veç gëzimin,
Ndaj se braktisni kurrë këtë dhe.
SHKOLLA IME
Në një vend të largët, pranë një burimi
Ndodhet shkolla ime, e bukur, e re,
Mall’i fëminisë, ëndrrat gjithë gëzim
Me mijra kujtime më flejnë atje.
Shtatë vjet me radhë më mbajti në gji,
(Ajo më dhuroi gjënë më të shtrenjtë)
Për herë të parë më priti fëmi
Dhe me gaz më hapi rrugët për në jetë.
Në një vend të largët mbeti shkolla ime,
(Bijt e saj i nisi si zogj fluturim)
Po sa bij të tjerë mbushur me gëzime,
Ajo po bën gati … për marshim.
Kaq vjet me radhë më mbajti në gji,
Hej kjo shkolla ime e bukur, e re.
Dikur krahëhapur më priti fëmi
Ndaj më prêt si nënë t’i vete atje…
Në një vend të largët, pranë një burimi
Ndodhet shkolla ime, e bukur, e re,
Shkolla që jep dritë, ky vend edukimi
Më vjen sikur thotë:”Pse ike më le?”
PËR JETË
Qyshkur rënkon e hesht ti zemr’ e mjerë,
Qyshkur, ti shpirt plot derte s’je i qetë!
Veç në s’iu çeli kjo pranverë,
Për jetë jeni tharë, ah…për jetë!
LIRIKA
Dashurisë gjithë këto këngë,
Dashurisë gjithë këta lot.
Dashuris’,më të madhes brengë,
Zjarrit që s’e mposhtim dot.
Midis brengash ndejta burrë,
Pisk e paç në dashuri.
O s’e njoha atë kurrë,
O e desha fort mbi çdo njeri.
KUJTIMI YT
Kujtimi yt më hodhi këtë anë,
Në thellësinë e brengave pa fund…
(Ah, ëndërr e kaltër u këput në mes!…)
Dhe nis mendimi rrugën më të gjatë,
Po shtegun e blertë nuk e gjen gjëkund,
Ndaj vezullon cdo mbrëmje cdo mëngjes!…
KJO ZEMËR
Kjo zemër dridhe si një zog i vrarë,
Sid et me dallgë shpirti me ballada.
Më djeg kjo flakë e dashuris’së parë
Dhe dritë hedh tani, mbi tri dekada.
KËNGË PËR MIQTË E PARË
Eh, sa herë erdhët këtij fshati
Dhe këtej u ngritët tërë gas,
E mbaj mend si ziente monopati
Kësaj rruge ç’gjurma mbetën pas!…
Kënga juaj tutej nëpër erë
Natën nëpër rrugët pa mbarim…
Vetëm ju s’u lodhët asnjë herë
Ju, o miq na sollët vec gëzim!
Vitet shkuan…une më s’jam parë!
Bashkë kemi ndenjur tek ky mur,
Ju gjithmonë u kthyet fitimtarë,
Ju, o miq më dhatë një flamur!
Eh,sa kishit parë ju në jetë,
(Un’ i vogël isha atëherë!)
Këndej ju vinit ju trima me fletë
Të gjithë krahut mbanit maliherë!
Vitet shkuan… ne më s’jemi parë
(Bashkë kemi ndenjur tek ky mur!)
Ju gjithmonë u kthyet fitimtarë,
Ju, o miq më dhatë një flamur!
Dhe sa kishit parë ju në jetë!
Unë i vogël isha atëher’;
Kendej vinit ju trima me fletë
Të gjithë krahut mbanit maliherë!…
SONETI I KUJTIMIT
Oh çtë rrëshqasim gishtat mbi kitare
Dhe dridhen telat, dridhen pa pushim,
Se ti këndon pasione djaloshare,
Se ti këndon për jetën pa mbarim.
Aty ti sheh kujtime fëminije,
Aty ti sheh çdo gje që e ke larg.
Ti nuk këndon veç vargje dashurie,
E gjithë kënga jote është varg.
Këndo sërish këndo si më parë,
S’ka gjë se vjeshta qan me mallëngjim,
Se ti këndon pasione djaloshare,
Se ti këndon për jetën pa mbarim.
Dhe ne gishtat që te rrëshqasin mbi kitarë
Unë shoh një të ardhme si vegim.
ËMBËLSI E VISEVE RINORE
O ëmbëlsi e viseve rinore…
O pika loti, drithma, mallëngjim.
Pse ma trondisni botën shpirtërore,
Me brenga, mall, zbrazëti dhe dyshim?
Në cilën zemër hytë si pranverë
E nuk i sollët zemrës lumturi?
Por kur derdh vjeshta fletët nëpër erë,
Pranverë na do zemra, përsëri.
Dhe sa më shumë që do shkojnë vjetët
Zemrat s’do ndjene qetësi gjëkund…
Lirika plot do lenë pas poetët
Për mallin, helmi, gazin e pafund.
O ëmbëlsi e viteve rinore
Në cilën zemër hyre në fillim?
Si erdhe ti prej viseve qiellore,
Brengë, gas, e ngushëllim?
KJO RRUGË
Kjo rrugë malore
Humbet nëpër fletë.
Kjo rrugë me gjurma në zall…
Dhe unë shkoj vetëm,
I heshtur, i qetë,
Në shpirt e në zemër aq mall
Kjo rrugë malore,
Sërishmi kujtimi
Më zgjoi në zemër tani.
Bëj rrugën e dashur,
O rrugëza ime,
Besnik gjithnjë më je ti.
Fëmijët i lashë,
(Të shkretët fëmijë),
Diku, jo si zogj në fole.
Po ndoshta kjo rrugë
Pas vitesh, një ditë,
Sërish do t’më çojë atje.
Dhe vitet do shkojnë,
Do rriten fëmijët’
Të qeshur, si lule, atje.
Më pas, posi unë,
Do nisen një ditë
Në rrugën e jetës së re.
Kjo rrugë…dhe zemra
Diçka do t’më thotë…
Kjo rrugë plot gjurma në zall.
Sa rrugë, sa rrugë
Si kjo ka në botë,
Por veç për këtë do të ndjej mall!…
NËNËS
U thinj ajo në rrugën e mundimit,
Por mbeti e re në zemër gjithnjë,
Ndaj i buzëqesh i pastër njerëzimit
Për gjithë zemrat që nuk thinjen më.
Si ky lëmsh që mbledh ti sot në duar
Ashtu t’u mblodhën brengat nëna ime,
Ti më mësove të lexoj në thellime
Dhe askujt të mos i lutem shpirtlëshuar.
LULET E HARASANIT
Hëna dridhej vetëm për mbi retë,
Yjet u këputën një nga një!…
Kurse ju u ndatë nga kjo jetë,
Që në botë të mos vini më!
AHE, AHE
Ahe, ahe, o drurë të gjorë
Ju gjithmonë diç thoni me vete
Ju po duroni, erë shi e borë
Që të ngrohni fshatra e qytete,
Ahe, ahe, o drurë të gjorë!
LUDVIG VAN BEET’HOVEN
Përmbi brengë ndrin hën’e argjentë
(kështu shkojne vitet një nga një)
Kush dëgjoi Simfoninë e Nëntë,
Këtë hënë s’desh ta shohë më!…
Ky titan i dhimbjes njerëzore
Ditët i përcolli me durim;
Apollon i dritës qiellore,
Botës i dha zë pa shëmbëllim!…
…Për një shelg të brishtë në bregore,
Për një yll që ndrin në largësi,
Për një buzëqeshje fëminore (na vjen si gjëmim në Re maxhore)
Psherëtim’e shpirtit GJITHËSI!
Kur tufani çante nëpër qiej,
Ai nisi rrugën pa mbarim!
“Perëndi e verbër që ben diej”
Botës i hedh dritë plot shkëlqim!
Shenim: Janë fjalët e Hygoit për L.V. Beet’hovenin
GENC LEKA: 23 mars 1941
VILSON BLLOSHMI: 18 mars 1948
Të dy nga Bërzeshta
Të dy kushërinj
Të dy poet
Të dy mësues
Të dy u pushkatuan.
Ky është plumbi që dora e xhelatit qëlloi mbi trupin e Genci dhe të Vilsonit, në mesnatën e errët të 17 korrikut 1977. Ata u pushkatuan në një largësi prej rreth 5-6 km në largësi të Librazhdit. Në një humnerë që quhet “Përroi” dhe “Firatit”(Emër i çuditshëm. Atje jo që s’kish ujë, por as zogjtë nuk duan të kalojnë andej. Me sa duket e ndiejnë erën e vdekjes. Sipas kalimtarëve atje rrallë mund të ndodhte të dëgjohej zëri i ngjirrur i qyqes. Qyqja, siç tregon një gojëdhënë kërkon vëllanë e vrarë nga shokët në pyll. Siç duket edhe qyqes nuk i besohet që në të tilla humnera mund të ndodhin tragjedi të tilla). Ditën që u bë zhvarrimi i trupave të Gencit dhe Vilsonit, plumbin e gjeta midis trupave të tyre. Kishte filluar të kalbej, ndërsa trupat e të ndierëve i kishin mbuluar rrënjët e drurëvë që kishin mbirë më pas. Siç duket i mbanin mbuluar nga ndonje rrezik tjetërsi diktaturës që zhduknin çdo gjurmë mbas krimit.
BEDRI BLLOSHMI