Cikël poetik nga Tefta Sala
Më thuaj princeshë!
Sa ditë ke lulëzuar në këtë botë emblemë?
Më trego princeshë!
Çfarë ngjyrash kanë pasionet që
nën shpirt i fsheh?
E di !
Që ti nuk je një gonxhe që në mëngjes
kot shpërthen.
Sepse aroma jote çmend të gjitha lulet përreth.
Më thuaj princeshë!
Çfarë bëre në këto 14 vite në tënden botë fëmije
e zonjushe prej rubini që nuk gënjen?
Të të tregoj një sekret?
Unë nuk ngopem tek të shoh që botën me sy
e zhvesh.
Je kaq e bujshme, kaq e ëmbëlt, pak latine e rrebele.
Pra je gjithë dëshira ime që unë e puth e prek.
Rritu princeshë!
Shembe femrën e rëndomtë
që bredh pa turp në pasarelat e syve plot epsh.
Sepse ti je vajzë e palindur asnjëherë.
Je fëmija e duhur për një nënë.
mbesa që puth në shpirt thellë.
Je gëzimi që ndizesh në sytë e mi të përhumbur princeshë!
E pash diellin
E pash diellin tek ra në krahët e një mali
të dashuruar pafundësisht.
E mendja ime ra në krahët e një muze pa
paragjykime.
Ty të lash nën një hije që rrëzonte kujtimet
si qershi mbi një kopsht pa gardhe ëndërrim.
Nuk ka kohë më për humbje…kur humbja vetë nuk
ka destinim.
I përkas pasionit tim!
Nënvlerësomë!
Unë sërish i përkas pasionit tim.
Jam poezi që shkruhem
e lexohem nga pasionantë.
Botën e lash jashtë
Ju mburra vetes për fuqitë e mia
misterioze.
Botës iu mburra për ndershmëri.
Hipokritët që deshën të më fundosin
i rendita hijshëm në një tryezë shtruar
me vlera e miq të rinj.
Iu mburra vetes për krenarinë time
dinjitoze.
Botën e lash jashtë.
Nuk munda ta toleroj përsëri.