Albspirit

Media/News/Publishing

Sadik Bejko: Mbi librin e Musine Kokalarit “Letërkëmbime, shënime, kujtime”

 

Në librin e Musine Kokalarit “Letërkëmbime, shënime, kujtime” jepen kujtime dhe për Merushe Topullin, të venë e Bajo Topullit, bashkëqytetar i Musinesë.

Merushja, çerkeze a cigane u largua nga Gjirokastra një vit para vdekjes së Bajo Topullit se u dashurua me Mit’hat Frashërin. Historia është e njohur. Musineja jep versionin e saj. Sipas saj, Mit’hat Frashëri, lojcak me femrat dhe me gratë e shokëve, pas një romance me Merushen e braktisi atë. Çerkezja që i kish vënë brirë burrit, Bajo Topullit, për dashurinë e Mit’hat Frashërit, qëllon me kobure të dashurin dhe veten. Mbeten të dy të plagosur.

Musineja e takon Merushen në qelite e burgjeve më 1949. Ajo ende e djegur dhe e plagosur nga dashuria për Mit’hatin… gëzohet kur merr vesh vdekjen e këtij në Amerike…

***

Libri meriton të lexohet për atë qëndresë të shkëmbtë, për stoicizmin si të figurave antike të Musinesë, përballje edhe para kancerit vdekjëprurës po aq sa edhe ndaj diktaturës.

Letrat me të afërmit vizatojnë një fat tragjik, po dhe një karakter tragjik. Ajo bën udhë përmes dhembjeve me atë lehtësi që ecën nëpër natë në dhomën e saj të gjumit. E vetmuar, e varfër, e sëmurë. Nofullkyçuar pa kërkuar mbështetjen e askujt.

Musineja mban një ditar telegrafik për peripecitë e saj spitaleve, hoteleve, rrugëve me këpucë që e vrasin dhe i fusin ujë. Ditar si prej një kamere që projekton ashpër një mjedis të lakuriqtë, pa asnjë mjet stilistik.

***

Në pjesën e tretë jepen kujtime. Pena e Musinesë këtu fiton ngjyrë dhe plasticitet në vizatime skenash e portretesh të familjes dhe të qytetit të saj.

Një fëmijëri në qytetin e gurtë e parë nga një grua. Kujtime për Gjirokastrën që e përshkruajnë deri tani vetëm burrat e saj në zë.

Nuk dimë se ç’fsheh tjetër valixhja e Musinesë… valixhe që për fat në ditët e fundit të saj në këtë botë, ra në duart e të afërmve.

Këta të afërm meritojnë falenderime për këtë botim nga “Dudaj”, Tiranë 2017.

Fotografia e Sadik Bejko

Please follow and like us: