TURGENIEV: TË DESHA FORT, PO TI S’MË DASHUROVE
Më fole më në fund se duhet të largohem
Se bota na gjykoi – se shpresa s’ka për ne
Se e trishtuar je; se duhet të mundohem
Të të harroj. Ish-mbrëmje; ndrinte hën’ e re;
Mbi kopshtin e përgjumur një avull ishte shtrirë
Un’ të dëgjoja ty dhe s’e kuptoja dot:
Nën afshin e pranverës, nën sytë e tu të dlirë
Aq fort pse derdhja lot?
Po, të kuptova; ikë -je i lirë;
T’u binda, pra, do shkoj – po si të shkoj,
Të shkoj kështu, pa fjalë, si i ngrirë
Kur ndjej në shpirt kaq dhimbje sa s’duroj?
S’them dot se sot të dua si më parë;
Ajo që shkoi më s’kthehet përsëri,
Por dashurinë nga jeta s’e kam ndarë
s’rroj dot pa dashuri.
A mos mbaroi vërtet gjith’ ç’ish e dlirë
Sikur asgjë s’na pati lidhur ne!
Sikur dy zemrat tona s’ishin shkrirë
Edhe kaq leht’ u shemb gjithçka përdhe!
Të desha fort – po ti s’më dashurove –
Jo! jo! Mos thuaj: Po! – se ti
Veç fjal’ e buzëqeshje më dhurove –
un shpirtin bëra fli.
Pra ja si mbeta sot – por prapë jam betuar
Se s’do të rri pa njohur dashuri.
Sërish do dashuroj si i shkalluar
Me etjen e një shpirti që s’u ngi.
Dhe ndoshta- po; por bota magjiplotë
Me mrekulli e gaz e dashuri
Dhe shpirt’ i ri e dhimbja lotë-plotë
Më s’kthehen përsëri.
Do shkoj, po prit, nën dorën dhe një herë
Dhe ja mbaroi e shkoi kjo dashuri.
Ky çast tani – ky çast i ndarjes se mjerë
Dhe prapë gjumë, prapë ftohtësi …
O Zot i madh! Nëm forca të besoj
Se jeta s’më shqelmoi, se prapë jam i ri,
Se mund të dashuroj!
Përktheu: Petraq Kolevica