Albspirit

Media/News/Publishing

John McCain, një hero amerikan, një mik i shqiptarëve

Ruben Avxhiu

Shumica e shqiptarëve mësuan emrin John McCain, në 1999, kur ndryshe nga shumica e Republikanëve mbështeti vendimin e Presidentin Clinton për të ndërhyrë ushtarakisht në Kosovë.

Po jo vetëm ata. Shumë amerikanë mësuan për të pikërisht në ato ditë, kur vendosmëria e tij për të mos folur sipas vijës partiake e dalloi atë nga kandidatët e tjerë presidencialë republikanë.

Sikur zgjedhjet të ishin bërë ato ditë, McCain do të ishte zgjedhur President në vend të George W Bush. Ky i fundit dhe kandidatët e tjerë nuk po dinin se si ta kundërshtonin Presidentin Clinton pa u bërë apologjistë të një krimineli si Sllobodan Millosheviqi. Ishin mbytur në përcaktimin e Kushtetutës se vetëm Kongresi mund të shpallë luftë.

Ndryshe nga ata McCain e kritikoi Presidentin Clinton, jo pse po ndërhynte në Kosovë, po se pse nuk po guxonte të përdorte trupa tokësorë. Se pse nuk po tregohej i gatshëm të përdorte të gjitha fuqitë në dispozicion për të mundur serbët. Më vonë, bashkë me kolegun e tij demokrat, Senatorin e Amerikës Joe Lieberman propozuan që SHBA të armatoste trupat e UÇK-së dhe t’u ndihmonte nga ajri.

Sa për rregullin se luftën e shpall Kongresi, u tha kolegëve të tij se nuk është zbatuar kurrë dhe duhej ta kishin hequr me kohë, po “na pëlqen këtu në Washington të kemi pak konfuzion pas të cilit të fshihemi”.

Senatorit të Amerikës, John McCain i dëgjohej fjala sepse kur fliste për luftën fliste për diçka që e dinte mirë. Po ashtu edhe për komunizmin. Si rob lufte, ai kishte vuajtur më shumë se 5 vite torturash çnjerëzore në burgjet e Vietnamit.

Një herë gjatë një prezantimi të një libri që veç të tjerash përshkruante jetën e të burgosurve në një vend komunist, përfshi edhe komunikimin me kod, duke trokitur në murin mes qelive, ai u tregoi njerëzve të mbledhur se pikërisht ashtu kishin arritur të mbijetonin edhe ai dhe të burgosurit e tjerë në Vietnam.
“Ajo trokitje në mur më është ngulitur përgjithmonë në kokë”, tha ai. “Edhe tani, më ndodh që trokas me kod në ëndërr”. Ai dha një shembull trokitjeje për të mbledhurit që e ndiqnin me kurreshtje. Në sallë ra heshtja, ndërsa dëgjohej “tap tap, tap tap tap, tap…”.

McCain kishte shumë se çfarë të tregonte. Po historia e tij personale ishte edhe shpjegimi se pse u bë një nga kritikët më të mëdhenj të përdorimit të torturës nga CIA gjatë viteve të luftës kundër terrorizmit, pas 11 Shtatorit.

McCain ishte një njeri me pikëpamje të forta. Shqiptarët ishin me fat që gjetën mbështetje te një njeri, që si rrallë kush respektohej e nderohej nga të gjithë, Republikanë e Demokratë.

Ai mbështeti fuqimisht hyrjen e Shqipërisë në NATO dhe nxiti Presidentin W Bush që Kosovës të bëhej e pavarur.

“Kosovën duhet ta heqim nga vitet 1990 e ta sjellim në shekullin 21 duke ia njohur pavarësinë”, tha ai gjatë Samitit të Mynihut në 8 shkurt 2008, gati 10 ditë përpara shpalljes së pavarësisë.

Isha ende në javët e para të punës si gazetar në SHBA, kur pata kënaqësinë që të ndjek, duke bërë fotografi e mbajtur shënime, një miting të shqiptaro-amerikanëve me John McCain. Takimi që drejtohej nga Joe DioGuardi dhe Liga Shqiptaro Amerikane u mbajt përgjatë Rrugës së 42, në Manhattan, ku McCain foli në mbështetje të Kosovës dhe të shqiptarëve që e brohorisnin dhe falenderonin për qendrimet gjatë luftës që sapo kishte mbaruar.

Nëse ai do të ishte zgjedhur President në vitin 2000, ndoshta Kosova do të ishte bërë e pavarur menjëherë as çlirimit.

McCain nuk ishte si politikanët e tjerë amerikanë.

Gjyshi i tij kishte qenë një Admiral me Katër Yje i Flotës Amerikane. Babai i tij kishte qenë gjithashtu Admiral me Katër Yje i Flotës Amerikane.
Një familje patriotike e lidhur ngushtë me ushtrinë dhe ndjenjën e detyrës, bëri që edhe John McCain të ndiqte rrugën e paraardhësve, duke zgjedhur karrierën ushtarake, nisur që nga shkolla, në Akademinë e Flotës së Shteteve të Bashkuara.

Në vitin 1967, avioni që po pilotonte, gjatë luftës në Vietnam, u godit dhe u rrëzua. McCain mbijetoi, por u kap rob nga vietkongët, të cilët e torturuan çnjerëzisht duke e lënë me paaftësi fizike për gjithë jetën.

Ai ishte djalë admirali dhe ushtria amerikane negocioi shumë shpejt lirimin e tij. Po duke dëshmuar guximin dhe karakterin që e shqoi gjithë jetën. John McCain refuzoi që të lirohej pa shokët e tjerë të burgur, ushtarët e tjerë amerikanë të kapur rob e që ndryshe nga ai nuk kishin një baba të njohur e miq familjeje.

Vendime të tilla e kanë bërë që njerëzit ta respektonin deri në fund, edhe kur nuk ishin dakord me të.

Kur u kthye u prit si hero. Është nderuar me dy Zemra të Purpurta, me dy Legjione Nderi, tre Yje të Bronxtë etj.

McCain ishte gjithmon modest kur fliste për kohën e tij në Vietnam. “Kur shkova isha një pilot i ri e arrogant. Aty zbulova se isha thjesht human”.

I zgjedhur fillimisht kongresit, ai u zgjedh në Senatin Amerikan nga Arizona, në 1986. Qysh atëhere është rizgjedhur rregullisht dhe po kryente mandatin e tij të gjashtë në Senat.

Ndonëse një konservator i vendosur, vendimet e tij politike shpesh udhëhiqeshin nga pikëpamjet dhe ndjenjat personale.

Dy herë kandidoi për President. Në 2008, fitoi garën brenda Partisë Republikane por u përball me fenomenin historik që përfaqësonte Barack Obama. Kundërshtarë, por që të dy mbetën miq deri në fund.

Ai ka kërkuar që dy presidentët e fundit që ishin njëkohësisht edhe rivalët e tij për Shtëpinë e Bardhë, George W Bush dhe Obama të jenë folësit në funeralin e tij.

Mungon në këtë kërkesë presidenti Donald Trump për të cilin kishte një antipasti të madhe, të theksuar sidomos për shkak të qendrimeve ndaj Vladimir Putinit, të cilin McCain e shihte si rrezikun më të madh të paqes dhe sigurisë në botë.

Kur dha një prej intervistave të fundit, pasi ishte diagnostikuar me një sëmundje të pashërueshme, se si do të dëshironte që ta mbante mend historia, John McCain u përgjigj: “I shërbeu kombit të tij”.

Pastaj shtoi: “Nganjëherë nuk diti të veprojë si duhet, shpeshherë gaboi, po gjithnjë i sherbeu kombit të tij – dhe mbase mund të shtohet: me ndershmëri”.

John McCain i shërbeu më shumë se kombit të tij. Me qendrimet e tij, ai i shërbeu paqes, lirisë dhe demokracisë në botë. Me qendrimet e tij ndihmoi që sot shqiptarët dhe Ballkani jetojnë një jetë më të mirë. Shërbeu vetë si një shembull i gjallë për një botë më të qytetëruar e civile. Si u shpreh kolegu dhe kundërshtari i tij për dekada në Senat, Joe Biden, “ndikimi i tij në Amerikë nuk mbaron me vdekjen e tij. As pak. Do të vazhdojë në vitet që do të vinë”./Illyria press/

Please follow and like us: