Oerd Bylykbashi: Rama refuzon vetingun me ligj të politikanëve!?
Rama reagoi menjëherë kundër propozimit të PD dhe opozitës për veting me ligj që dekriminalizon politikën shqiptare. Reagim tipik i atij që ka mizën nën kësulë.
Rama reagoi kundër duke pretenduar se vetingun do ta bëjë drejtësia e “reformuar” nga ai vetë. Ai ngatërron qëllimisht vetingun që dekriminalizon politikën me ligj tani, pa humbur kohë, më me drejtësinë që me kismet do të “reformohet” një ditë. Rama u thotë shqiptarëve të presin dhe të durojnë në kurriz ministra e deputetë me lidhje me krimin, sepse kërkon që vetingun e politikës ta pengojë me prokurorët dhe gjyqtarët e vendosur prej tij, ata që kanë kaluar vetingun e tij. Ai shpreson dhe po përpiqet që marionetat e tij në drejtësi të mos e prekin atë dhe ministrat, deputetët dhe kryebashkiakët e tij që janë të lidhur me krimin.
Rama kundërshton duke thënë që vetingun ta bëjë drejtësia “e reformuar” prej tij, propozon që vetingu i politikaneve të shtyhet sa më shumë në kohë nëpërmjet zvarritjes prej tij të reformës në drejtësi duke bllokuar ngritjen e KLGJ, KLP, Prokurorit të Përgjithshëm, SPAK dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit. Rama kundërshton sepse ai e di qe vetingu i politikës me ligjin që propozon opozita nuk ka nevojë të presë vetingun e gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Praktikisht, Rama refuzon që vetingu për lidhjet me krimin që po bëhet për 800 gjyqtarët dhe prokurorët, të bëhet pa humbur kohë edhe për vetë atë, ministrat e tij, 140 deputetët, kryebashkiaket e vendit dhe këdo që ka fatet e shqiptarëve në dorë.
Refuzon sepse e di shumë mirë që do e mbysë llumi i zi i paktit të tij me krimin për të marrë dhe mbajtur pushtetin, llum që do ta nxjerrë në shesh ky veting dekriminalizues.