Albspirit

Media/News/Publishing

Shqipërime të Arqile Garos nga poeti Zhan Moreas

Virgjëresha dhe gruaja e martuar

 

Për zonjën E*

 

Shoh virgjëreshën buzagaz e në të bardha veshur,

atë, baluk’ stolisurën me lulet e zambakut

ah! Djall i zbehtë e mëkatar në flakërim i ngjeshur

vështrimi i së Martuarës më ngrin dejet e gjakut.

 

Një zog i fushës ëmbëltor brenda kuvlisë rrethuar,

Vajza si shelg i njomë, i brishtë, vështron me synë e mekur,

por e Martuara e lirë, shqiponjë e egërsuar,

të hedh shikimin helm e zjarr! gati të lë të vdekur.

 

Kur bashkëshorti, plak matuf, në prehër mban malluar,

e i këndon me plot lezet e zë gaztor kërthisë,

ajo shkujdesur përkëdhel flokun gështenjë – praruar,

kujton djaloshin q’ e pushtoi me afshin e rinisë.

 

Eshtë virgjëresha lule e njomë, burbuqe e pashpërthyer,

që pret me ankth e përgjërim të çelë freskinë e vesës,

një natë të artë plot përmallim, në ngazëllim ngërthyer,

në përqafimin ëngjëllor, në shtratin e martesës.

 

Po qe se vargu varfanjak i lirës sime mike,

mbi buzën tënde solli gaz e qeshje që nuk ndalet,

nuk dua puthje pa kuptim, përralla erotike,

dua një natë në gjirin tënd sa të rrënkojnë dhe malet.
Shqipёroi: Arqile Garo. Janninё, tetor 2014.

 

Forcë e dashurisë

 

 

Isha një degë e tharë, e vrarë, në pemë zgërbonjë e hije,

isha një gonxhe krejt pa erë, një lule krejt pa shije,

nuk kisha ngjyrë e as freski, i zbehtë porsi limua,

sa nuk më qasej as një zog një këngë të thosh për mua.

 

Por sapo ti më shkove pranë e ëmbël më vështrove,

ç’ mu mbushën gjethet jeshillëk  plot dritë edhe aromë,

veç ti e di se pa atë shikim që më dërgove

do isha një kufomë!

 

E kisha zemrën mbushur helm, farmak pikonte goja,

hiqesha zvarrë gjysëm i gjallë mbi baltë të varrit tim,

më synë e turbullt e plot lot, pa shpresë të fluturoja,

një monopat drejt vdekjes vetë kërkoja, pa kuptim˙

 

por befas jeta u mbush  gaz e terrin ti dëbove,

sa vure buzët përvëlim tek buza ime e ngrirë,

veç mirë e di se pa atë, puthjen që më dhurove,

do isha vdekur, shtrirë!

 

Shqipëroi: Arqile Garo. Janninë, shtator 2014.

 

Dhjetor

 

 

Gjëmon andej matanë erë e tërbuar,

me ulërimë prej ujku gjakatar˙

mallkim, të jetë njeriu i vetmuar,

pranë një oxhaku, me të tillë acar!

 

Të ishe k’ tu, pranë meje zemra ime,

të të shtrengoja këtë çast të adhuruar,

me puthje, historira e ledhatime,

do shkonte ora krejt pa e kuptuar!

 

Do merresha me flokun tënd të butë,

e sqetullat me të do të ngacmoja,

në gjoksin tënd do fshihesha me ngut,

me lodra e shaka të të tërboja.

 

Shejtani, Fati, apo ndoshta Zoti,

ndërhyjnë e na mbajnë larg, djalli ta marrë!

thëthij duhan e ndihem kot së koti,

pranë një oxhaku, me të tillë acar!

 

Shqipëroi: Arqile Garo. Janninë, dhjetor 2013.

 

 

 

 

 

Please follow and like us: