Albspirit

Media/News/Publishing

Flamur Çani: MASHKULLORA DHE ANDARTËT GREKË

 

 

Çanejt dhe Haskajt e Mashkullorës, Kukajt e Gjirokastrës së bashku me Çipajt e Kardhiqit, me Merkon dhe Ahmetin kishin dhe blenë shumë prona në Thilipjadhë të Greqisë. Atje ata punonin pronat e tyre, duke mbështetur njëri-tjetrin që nga 1890 e deri në 1916. Te ata mbështeteshin dhe vëllezërit e Çerçizit, meqë atje ishte mbështetur kunata e tyre, gruaja e Çerçizit, Qamua. Vëllezërit e Çerçizit, Dauti dhe Namiku e më vonë edhe Jonuz Topulli, po kështu edhe Tekiu e Bedulla Kuka, Fetiu e Mahmudeja e Musini; po shumë herë edhe vëllezërit e Fetiut: Çanua, Hazbiu e Hysniu, fëmijët e Abaz Çanit të parë. Këta herë pas here merrnin edhe gratë e tyre. Të katërt fiset punonin vetë në pronat e tyre, duke marrë shpesh edhe ergatë, me të cilët silleshin mirë. Arritjet e tyre ranë në sy te andartët grekë, të cilët nga egoizmi i theksuar që kishin, filluan të grindeshin e të ngacmonin padrejtësisht. Ndërsa autoritetet vendase mbanin sehir e nuk ndërmerrnin masa të drejta. Ishte pikërisht koha kur ndaluan dhe burgosën vëllezërit e Çerçizit e të Bajos në Janinë.

Andartët grekë disa herë gjatë natës futeshin në pronat e shqiptarëve, duke i torturuar mizorisht burrat dhe gratë. Më 1914 ata vranë Ahmetin, duke i shfrytëzuar konfliktet me vendasit. Më 1915 helmuan Malo Keçin në Thilipiadhë. Mendohet se ata helmuan dhe Feti Çanin në klubin e fshatit, duke pirë kafe; ndërsa në nëntor 1916 vranë edhe Merkon e Çipaje.

Fetiu ka qenë një burrë i zgjuar dhe shumë i fortë. Ishte një administrator ekonomie si askush tjetër. Në ato çaste u rrit frika e vendasve, se mos hakmerreshin shqiptarët ndaj vrasjeve, që kishin pësuar. U tentua shumë herë nga andartët dhe autoritetet vendase që shqiptarët e atjeshëm të linin pronat e tyre dhe të iknin prej andej, sidomos në vitet 1911-1914-1915-të. Andartët shpesh merrnin rrugën edhe drejt Mashkullorës, Kardhiqit e Kurveleshit, duke rrahur e vrarë njerëz të pambrojtur, duke shkatërruar prona e shtëpi, apo duke vjedhur bagëtinë (më shumë të atyre që ishin myslimanë). Të ashpra kanë qenë sulmet nga viti 1911 deri në vitin 1919, por më të rrezikshme ishin ato të viteve 1914-1915. Ama edhe rezistenca e kundërpërgjigjet e vendasve, sidomos nga mashkulloritët nuk kanë munguar. Ata së bashku me njëri-tjetrin u kundërviheshin andartëve grekë edhe me armë vetëm si fshat apo edhe me gjithë zonën, në Cepo, Delvinë, Lëkurës e gjetkë. Ata bashkoheshin vazhdimisht si zonë nën komandën e Sulo Beqirit, Çobo Golemit apo Sali Shehut nga Lekdushi. Nga Mashkullora në ballë të këtyre organizimeve ishte Bilal e Arif Hamua, Zeman Haska, duke marrë pjesë dhe gjithë burrat e fshatit: Selfo Lamaj, Shahe, Kalo e Kaso Haska, Reiz e Mero Resuli, Çano, Hazbi e Hysni Çani, që ishin vazhdimisht prezentë në luftime.

Një ditë andartët grekë vodhën shumë bagëti të mashkulloritëve dhe i nisën drejt Jergucatit, ku kishin komandën. Morën edhe 40 mashkulloritë, i lidhën dhe i nisën për në Greqi, por kur shkuan në Jergucat, nga komenti që i bëri Muharrem Matushi, i cili e dinte greqishten shumë mirë; e bindi me argumentet e tij komandantin e forcave greke për revoltën e treguar nga mashkulloritët dhe ai i lëshoi ata. Vendasit rezistuan sa mundën, por andartët ushtruan shumë dhunë, prandaj edhe urrejtja u shumëfishua dhe u bë masive, duke shtuar dhe pjesëmarrjen në organizimet ndaj tyre. Më masive urrejtja ishte prej mashkulloritëve myslimanë, por me ta u bashkuan edhe të krishterët. E këto reprezalje vazhduan deri 1919, kohë kur andartët grekë hynë fshehtas dhe vranë njerëz të pambrojtur, të cilët punonin në qethjen e dhenve më 16 qershor 1919. Ata vranë Selfo Lamen, Elmaz Myrten, Zeman Haskën, Thoma Pucin dhe dy çobanët e tij nga Lazarati. Kjo reprezalje shkaktoi shumë zemërim tek vendasit.

Të nesërmen një kompani me komandantin mbi kalë po ikte rrugës së Sheshereçit, ku gjetën një kope me dhi të Hamajve dhe po i merrnin ato, ndërsa djalin 26 vjeçar, Arifin e rrahën dhe e vranë. Më lart qe Bilali 22 vjeç, që ishte fshehur për tu mos u dalluar. Ai nxori maliherin dhe qëlloi mbi andartët grekë, por më parë vrau komandantin e tyre që ishte mbi kalë dhe pastaj me radhë të 12 andartët e tjerë që ishin atje. Nga shkëmbimi i dendur i zjarrit u vra edhe Bilal Hamua në 17 qershor të vitit 1915. Ndërsa Zylali, babai i tyre, vrau komandantin që ruante shtigjet malore në kohën që merrej xhelepi, tek Qafa e Zenele, në gusht të vitit 1915-të. Por më vonë e vranë edhe atë andartët grek.

Dhe si gjithmonë populli i këndoi djemve, po ashtu dhe babait të tyre:

“Mashkullora Rrukullamë

Ç’kanë Hamajt që qajnë

Qajnë Arif e qajnë Bilal

Të shkretët që s’lanë një djalë

Qenë djem vetëtimë

E qëlluan suvarinë!” ( A.V)

 

 

“Ç’kanë Hamajt që qajnë

Qanë për Zylal Xhaferë

i shkurtër e vetëtimë

në të parë s’ta zë synë

në Plesat e në të hyrë

ç’e qëlloi suvarinë

copë-copë ia bënë kërcynë

kraharorin dhe dorinë

vajti peshqesh për valinë!(A.V)

 

Këtë këngë e këndonte vazhdimisht Asan Veizi nga Plesati.

Kështu që brenda dy ditësh u mor dyfish haku i mashkulloritëve të vrarë, nga 6 vetë në 13 andartë. Pas kësaj ngjarje paria e fshatit dërgoi dy përfaqësues, Nasho Pucin dhe Asqeri Haskën të veshur me kostume popullore te komandanti në Janinë që t’i bënin thirrje të ndaloheshin vrasjet mbi popullatën e thjeshtë, të mos grabisnin e të mos shkatërronin bagëtitë e fshatarëve. Asqeriu e dinte shumë mirë greqishten. Kur arritën në Janinë, veshja e tyre u bëri përshtypje të veçantë vendasve, të cilët i morën dhe i çuan te Komandanti i Divizionit. Ai i priti, i dëgjoi dhe, pasi një pauze të shkurtër u tha: “Po, do t’i heq andej ushtarët”. Dhe ashtu bëri. I tërhoqi për në qendrën e tyre, që e kishin në Jergucat. Sapo jepej sinjali në zonë, menjëherë mblidheshin të gjithë burrat e zonës në Cepo. Atje grumbulloheshin dhe nën drejtimin e Sulo Beqirit, të Sali Shehut e Çobo Golemit që bënin rezistencën e tyre, duke përballuar të gjitha sulmet e andartëve grekë me sukses. Prandaj populli u ka kënduar gjithë betejave të rezistencës së burrave të zonës:

“Në Cepo te manastiri

Sokëllin Sulo Beqiri:

O burra ku ini?

Do vini a nuk do vini?

Ç’kërkon greku, ç’do qafiri

Te manastiri në gropë,

Ku u vranë picariotë.

Pa pyetni Çobo Golëmë

Edhe këtë Çelon tënë

Me dufek i kemi ngrënë…” etj

Këto këngë këndoheshin e këndohen lloj-lloji, se në to pasqyrohet rezistenca e kardhiqote, por edhe të gjithë kurveleshasve. Nga reprezaljet e vazhdueshme shumë familje mashkullorite dhe kardhiqote kanë ikur dhe janë stabilizuar sipas miqësive tek të afërmit e tyre në Vlorë. Mashkulloritët e tjerë si qëndruan ca atje, u rikthyen sërish në fshatrat e tyre.

Ndërsa familja e Rahim Hamos nuk u kthye, por qëndroi në Vlorë. Vetë Rahimi vazhdoi liceun francez në Gjirokastër dhe më pas Normalen e Elbasanit. Ai punoi mësues në fshatrat e Lumit të Vlorës, në Llakatund e në Vlorë, më vonë u vu shef i arsimit ku ka kontribuar për përhapjen e ideve revolucionare tek të rinjtë, të cilët më pas mbushnin radhët e formacioneve partizane me forca të reja. Rahimi është dekoruar nga Kuvendi Popullor me urdhrin e klasit të dytë, nderim që e ka mbajtur me krenari gjer sa ndërroi jetë. Ai ka qenë burrë i mençur, i drejtë, i qetë, i dashur dhe i gjendur për këdo. Myftari dhe Merzua, vajzat i martuan në fise të pasura dhe patriote, kështu Hatemin në Tartalaj; Qamilenë e martuan me vëllanë e Rexhep Danajt; Inxhin në Troqajt e Tragjazit; Resa në Havarajt e Dukatit. Djali, Rahimi u martua me Makbule Mezinin. Djali i tij, Tare Hamo ka mbaruar për inxhiner kimist, ka punuar si drejtor ndërmarrjesh dhe është martuar me Eva Hamon. Ka qenë dhe Kryetar Bashkie në Vlorë më 1996, prefekt i Vlorës më 1997-2002, pra në vitet më të vështira të periudhës së proceseve demokratike e sidomos kur popullata humbi kursimet në të ashtuquajturat “Firma piramidale”. Ai ka mbetur njeri i respektuar në Vlorë. Vëllezërit e Tares: Agroni është parodist, Skënderi është oficer dhe Bashkimi arsimtar. Ata janë njerëz të kulturuar e të ndershëm. Kështu është dhe Lumturia si njeri dhe si arsimtare. Tarja ka vajzë Halidenë që ka mbaruar për inxhiniere-informatike në Amerikë dhe Emi ka mbaruar për inxhiniere në Kaliforni të Amerikës. Që të dyja janë studente shembullore e punëtore të mrekullueshme mashkullorite të vërteta. Asnjëherë nuk e kanë harruar fshatin Mashkullorë. Agroni është nderuar me titullin “Artist i Merituar”, si një ndër parodistët e shkëlqyer të Vlorës. Është djali i Rahim Hamos.

Të pamohueshme e të vlerësueshme kanë qenë përpjekjet e mashkulloritëve në vitet 1911-1915 në betejat me andartët grekë në Delvinë e Lëkurës, nën drejtimin e Idriz Dhimës nga Zhulati e Sali Shehut nga Lekdushi. Në këto beteja morën pjesë shumë mashkulloritë, si: Zeman Haska, Metko, Sejdo, Isuf Ahmeti, Cano e Hysni Çani, Kalo Haska, Reiz, Resul e Mero Resuli, etj. Po kështu: Xhemal e Jaho Bistri, Zero, Dadaj, Rexhep Kalemi i parë etj. Këta që përmenda në këto luftime kanë luajtur rol kryesor. Këtyre luftërave të përgjakshme populli u ka thurur vargje dhe i ka përjetësuar me këngë. Ja njëra prej këtyre këngëve:

“Do të marr një këngë vetë

Këngë trimash do të jetë.

Në Gjashtë u vranë zhuletë

Idrizi vet i dyzetë.

Idriz Dhima vetëtima

U ngjit malit me mëlqinja.

Shkojnë plumbat bubuzhina….” Etj

Në përpjekjet e vazhdueshme të gjithë trevës për mbrojtjen e kufijve të Shqipërisë në vitet 1915-1918 mashkulloritët përkrahën dhe iu bashkuan formacioneve gjirokastrite dhe luftuan deri në afërsi të Janinës, në Bezhan përmbi Janinë. Në këto beteja kanë marrë pjesë 40 mashkulloritë myslymanë, por edhe të krishterë mashkulloritë bashkë nën drejtimin e Reiz Hamzait të parë, Zeman Haskës, Kalo Haskës, Metko, Ferat Ahmeti, Thoma e Nasho Puci dhe Hamza, Mero Resuli, Veli Resuli i parë, Selfo Lamaj, Jaho e Xhemal Bistrit, Asqeri, Çaush e Afuz Haskës, e të tjerë. Në këtë periudhë në Mashkullorë këndohej kënga nga Abaz e Veip Myrtaj:

“O Bezhan përmbi Janinë

Ishe istikam i mirë.

Dyzet topa – një të shtirë

Gjylet lidhur me zinxhirë…… ” Etj. ( V.M, SH.H)

Është fakt që në vitin 1919 mashkulloritët kanë luftuar kundër andartëve grek, që masakronin popullin. Ata i nxisnin kaur e turq kundër njeri-tjetrit dhe synonin të merrnin sa më shumë nga zgjerimi i kufirit. Por mashkulloritët kanë luftuar kundër grekëve në Mashkullorë dhe në Cepo, së bashku me forcat e zonës së Kardhiqit e të Kurveleshit, të komanduara nga Çobo Golëmi, Sulo Beqiri e Sali Shehu. Në Delvinë të komanduar nga Sali Shehu e Alush Takua nga Konispoli; në Lëkurës me zhulaqotë të komanduar nga Idriz Dhima; me gjirokastritë në Bezhanë përmbi Janinë luftuan dyzetë mashkulloritë.

Marrëdhëniet midis të krishterëve e myslimanëve kanë qenë të mira dhe shumë miqësore. Sa shumë qenë të krishterët që u bënë përzitës në bagëti mes myslimanëve. Kështu Vasil Puci bashkohej me dhen me Bistrajt, Myrton, Diftirin e Refat Bistrin. Këno Puci me Selim Bistrin, Vangjeli e Andoni me Çanejt e Ahmetejt, Qirkajt me Dedajt, Llukanajt me Resulejt e prapë Vasil Puci me Musin Haskën, etj.

Me vonë shumë djem të myslimanëve i morën familjet e krishtera që të punonin në bujqësi e blegtori dhe të jetonin bashkë me familjet e tyre deri sa u prapsën reprezaljet e trajtimet e këqija, sidomos kur përfaqësuesit e fshatit vanë te Komandanti në Janinë siç e përmenda më sipër.

Por pati dhe ndonjë që mundohej të shkaktonte pakënaqësi midis të krishterëve e myslymanëve, tjetër se këto ishin raste sporadike. Rapsodi popullor i fshatit, Sadush Matushi ju përgjigj këtyre rasteve flakë për flakë:

“Kur m’i hodhët ato valle

Me ushtarët e Jananit

që ju ngrit fundi i fustanit…”

Këto nxiteshin nga shovinistët grekë në takimet që bënin në fshat apo në Gjirokastër.

Kishte ndonjë që këndonte vetëm apo me 2-3 vetë, se kështu e thoshnin me këngë:

“Ra një shi e zbuti dhenë

Shkeli kryqi Muhamenë;

Grat’e tyre për kë mbenë…”

 

Apo vargjet e mëposhtme:

“O gra, buzëburbuqe,

Do vini te molla e kuqe

Do flisni me Jorgon turçe…” etj

 

Dhe më tej vazhdonin:

“Do merrni përpjetë malë,

Frika s’u ka për të dalë…” etj.

 

Avni Ahmeti ka treguar trimëri të rrallë në atë kohë në mbështetje të konfliktit të Këno Pucit me palokastriotë, sepse Ninajt kishin mbajtur nusen e djalit të Kënos. Atje u bë rrëmujë, por Avniu manovroi dhe u bërtitën shokëve, sikur të ishin shumë veta; kapën një vajzë nga Ninajt, e vunë përpara dhe kur erdhën te koteli ia mori këngës:

“Dil, moj Rinë, dil

Dil të bësh sehir.

Seç të solli djali

Një zogëzë mali!”

Pastaj filloi dasma e përbashkët myslimane dhe të krishterë. Apo kur u martua Abdyul Haska me nuse nga Picari; kur shpunë pajën, gratë e Seferaj e panë pajën dhe thanë se gjetën një jelek popullor të përdorur. Meqë u bë zhurmë, nuk donin ta jepnin nusen; presioni i Avniut dhe i dasmorëve të tjerë bashkë me miqtë e tyre të krishterë, treguan trimëri, e morën nusen dhe ikën.

Ja, kështu kanë qenë kurdoherë mashkulloritët: të bashkuar myslimanë e të krishterë, për të mira e për të këqija. Ata nuk i ndanin dot as djallëzitë e autoriteteve greke. Mashkulloritët e të krishterët nuk pajtoheshin me fenomene që binin në kundërshtim me traditën e fshatit lidhur me marrëdhëniet midis dy besimeve. Në këto momente të vështira ishte dhe Reiz Hamzai i parë. Veliu i parë me gruan, motrën e Sheh Hamdiut nga Kolonja bëri djem: Resulin, Reizin.

Veliu kishte vëllezër: Selimin, Hamzanë, Dajlanin (ky u mbyt në lumë).

Nëna e Reiz Hamzait ishte nga Alikajt e Zhulatit. Nga puna e tyre si vëllezëri, puna në kurbet, nga miqësia me Sheh Hamdiun e Kolonjës ai bleu shumë prona në Millokopi, në vreshta, në Kare, në Valare, përtej lumit mbi Millokopi. Ai u bë i pasur shumë, madje thonë se ka qenë më i pasuri në Mashkullorë. Ishte dhe shumë trim, por mbështetej dhe nga autoritetet turke. Bleu dhe administronte fshatin Çatistë në Pogon, si dhe administronte malin e Buretos, por se mori dot. Këtu lindi dhe konflikti me babanë e Mufit Libohovës, me Maliq Pashën. Maliqi bëri plot tentativa, për t’ia marrë malin Bureto. Për një goxha kohë u morën me gjyqe. Me gjyqe merrej vëllai i Reizit, Selimi, i cili ishte avokat i dëgjuar dhe i shkolluar në Turqi.

Me çatistiotët Reizi sillej mirë, por me autoritetet e fshatit dhe andartët grekë, që në atë kohë lëviznin lirshëm në Shqipëri, duke nxitur urrejtjen për myslimanët e kështu edhe për Reiz Hamzain, ai nuk toleronte. Një ditë Reizi vajti me kalë në Çatistë. Atje kalit i dhanë verë dhe kali u deh e kapi me dhëmbë një nuse nga gjoksi dhe ajo vdiq më vonë. Urrejtja u shtua dhe ata dërguan 40 djem në kurbet, ku punuan disa kohë, sa mblodhën paratë e ja blenë pronat Reizit. Me çatistiotë u vazhdua me gjyqe, ku vëllai i tij avokat i ka mbrojtur me dinjitet gjyqet me çatistiotët, ashtu si dhe me babanë e Mufit Libohovës, për të mbrojtur malin e Buretos, mbi Libohovë. Njëherë gjyqi mori rrugë të gabuar dhe mashkulloritët, si më të fortë, i rrahën njerëzit e babait të Mufitit, Maliq Libohovës. Që nga ai moment Ai pagoi çatistiotët, të cilët e helmuan avokatin. Në atë kohë Reizi thoshte: “Me një fshat e fitoj davanë, ndërsa me një njeri nuk e fitoj dot, se ai të qepet dhe s’të lë.” (E kish fjalën për Maliq Libohovën). Kjo shprehje thuhej shpesh në atë kohë në Mashkullorë. Tjetër konflikt nxitën andartët grekë me mashkulloritët: Kalemajt, Rexhepi i parë, Karafili i parë dhe kushëriri i tyre Bibini që kishin pronë të tyre Xarën në Sarandë, kishin marrë mbiemrin “Xarejt”. U grindën me fshatarët e atjeshëm dhe ata të mbështetur edhe nga ushtarët grekë, i ndoqën prej andej dhe nuk është e vërtetë që “i hiqnin këmbët zvarrë” siç thoshnin, prandaj kishin marrë mbiemrin e Xarenjve. Ushatarët grekë nuk besonin, ata i kishin kuptuar bashkimet e bagëtive të krishterëve me të myslimanëve dhe për ta vërtetuar këtë, një ushtar grek i thoshte Diftir Bistrit që i kishte përzitur bagëtitë me Vasil Pucin, për të mos i dëmtuar ato, “Ti e ke emrin Diftir dhe jo Lefter”, që i fliste Vasili me djemtë e Pucajve për të mos ta kuptuar. Ndërsa më vonë pasi nuk besonte ushtari grek, i thoshte Diftirit: “Hiq pantallonat të të shoh në je bërë apo jo synet”. Ta shihte nëse ishte apo jo i kaurë, por në moment erdhi Vasil Puci dhe e ndoqi grekun. Kështu ndodhte edhe me fshatarët e tjerë.

Në ato vite pleqësia e Mashkullorës ua kishte shitur kullotën e Levenishtës dhe bregun e Shehe, bolenasve. Por ato i hante Teqeja e Shtufit me dhen. Shkuan muhipët te babai i Teqesë, Baba Sulejmani, e ia thanë atij. Ai u mërzit dhe u tha: “Po dhënte e Teqesë ku do venë?” Për ca dite ja hipi kalit dhe erdhi në pleqësinë e fshatit te rrapi. Kur po bisedonin atje Babai me kryeplakun, Ladinin, një djalë, Arif Haxhiu tha: “Kush është ai mjekërrcjapi te Ladini?” Babai e dëgjoi këtë shprehje dhe duke shtuar dhe problemin e kullotës, lëshoi nëmën (mallkimin) e tij. Dhe ai mallkim qe i fortë, ndaj u bë hataja; 40 mashkulloritë vdiqën nga grip i madh “spanjoll”, që ra në ato vite. Disa edhe nga 2-3 vetë për familje. Shkuan menjëherë te Babai në Teqe dhe iu lutën. Atëhere Babai shkoi në Mashkullorë, bëri tjetër lutje dhe vdekjet u ndërprenë.

Në vitet 1918-1919 rezistenca e mashkulloritëve u rrit përsëri. Dëmet në bagëti, në shtëpi dhe në njerëz qenë shumë të mëdha pa dallim myslimane e te krishterë. Këta të bashkuar u bënë rezistencë andartëve grekë. U bë e përbashkët rezistenca edhe me kardhiqotët, kurveleshas e salariajt. Kryetrimi Selam Musai ishte në ballë.

Këngëtari popullor Merdar Salaria këndoi:

“Kush u hodh proto në lumë?

Selam Musai me gunë.

Në Hundëkuq vuri hudurë

Në Hundëkuq vanë greminë (frontin)

O burra përmbi Janinë!

Kur sokëllinte Selami,

Mashkullorës iu vu zjarri…” etj( S.H)

Në atë periudhë mashkulloritët kanë luftuar edhe në Vlorë më 1920-tën kundër pushtuesve italianë së bashku me burrat e tjerë të zonës së Kardhiqit, Kurveleshit, Tepelenës. Nga Mashkullora kanë shkuar shumë djem në atë luftë, por sidomos: Yzeir Dadaj, Mero Resuli, Sali Kalemi, Avdyl Haska, Tefik Ahmeti, Avni Ahmeti, Haxhi Çani i parë, etj. Dhe populli u këndoi:

“Ju zhulet e Mashkullorë

I zgjodhët djemtë me dorë

Me italian’ të luftojmë….”( K.H)

Dhe luftuan me heroizëm të pashoq gjersa i hodhën dushmanët përtej detit.

Edhe në periudhën 1939-1940 andartët grekë bënë dëme, reprezalje e djegie të shtëpive, grabitje të bagëtive, por jo si në 1914-1919… Në këtë periudhë ushtarët grekë morën 39 myslimanë nga Mashkullora dhe vetëm Vasil Pucin të krishterë. I lidhën dhe i nisën për në Janinë, për t’i burgosur, sepse rezistenca e Mashkullorës qe e madhe. Ata i shpunë deri në Jergucat, por me ndërhyrjen e Nasho Pucit, që e dinte shumë mirë greqishten dhe e argumentoi shumë mirë situatën e krijuar në Mashkullorë, e bindi Komandantin e ushtrisë greke dhe ai lëshoi mashkulloritët, pra nuk i shpuri në Janinë.

Atëherë Vasil Puci ka mbajtur qëndrimin më të mirë si për mbrojtjen e njerëzve, ashtu edhe për mbrojtjen e plaçkës. Ashtu si ai vepruan edhe të krishterët e tjerë. Në bahçen tonë në fshatin Mashkullorë ishin vënë kazanët e kuzhinës. Ushtarët prisnin pemët frutore për t’i përdorur për të bërë zjarrin për gatimet. Prenë dhe dy ullinj kokërrmëdhenj. Do të prisnin dhe të tretin, por kaloi atje Vangjel Puci dhe u foli rreptë. Ata e lanë pa e prerë ullirin. Midis turmës së ushtrisë greke kish dhe individë (ushtarë ose oficerë) të mirë, të kuptueshëm, që kujtonin fëmijët e tyre që i kishin lënë në Greqi, ndaj bëheshin më njerëzore me njerëzit që gjenin në trojet tona. Kish nga ata që mblidhnin fëmijët e fshatit dhe u jepnin hallvë, stafidhe rrushi, pekmez, karamele e të tjera që hanin vetë, duke i gëzuar si të ishin fëmijët e tyre. Pati dhe asish që stimulonin gjetjen e vajzave të bukura për të dëfryer. Por fshati i mori vajzat e gratë; i mblodhi dhe i futi te shtëpi e Veli Haskës, duke i mbrojtur me armë. Nuk lanë njeri t’i prekte me dorë. Në ruajtjen e tyre qenë gjithë mashkulloritët myslimanë e të krishterë. Sebepet ata i bënin bashkë. Kështu në atë vit vdiq Sejdo Isufi dhe ksodhet tok i bënin si fshat e valonin ligjet:

“Sejdo Isufi me vule

Miq me turq,

miq me kaurë”.

Ndërsa nuses së Isufit ia thanë me vaj:

“Trëndafili palë-palë

Nusia në të dy anë.

Keq të rrijë, keq të dalë.

Do të rri se nuk ka

Se ka Ladini vëlla…”

Ky unitet midis dy besimeve në Mashkullorë e ka bazën te përparimi i vijueshmërisë i fshatit qysh atëherë. Dhe mbetet detyrë që këto virtyte pozitive t’i ruajmë e t’i çojmë më përpara si të jemi motra e vëllezër, të krishterë e myslimanë.

Please follow and like us: