Shkarkohet nga detyra gjyqtari i Korçës, Sotiraq Lubonja
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK ka shkarkuar nga detyra gjyqtarin e Apelit në Korçë Sotiraq Lubonjën. Trupi gjykues i përbërë nga Suela Zhegu, Brunilda Bekteshi dhe Valbona Sanxhaktari kanë marrë vendimin, sipas të cilit Lubonja nuk kalon procesin e vettingut.
KPK tha se sipas analizës së bërë, rezulton se Sotiraq Lubonja nuk e justifikon dot pasurinë e tij. Raporti i ILDKPI-së për këtë gjyqtar kishte konstatuar fshehje të pasurisë, mosdeklarim në deklarimet e tij në kuadër të vettingut, ku thotë se ka marrë 4 mln lekë të reja dhuratë nga nëna e tij, të kursyera nga pensioni i saj si dhe 25 mijë dollarë nga vjehrri. Gjithashtu, një llogari bankare prej 5 mijë e 500 dollarë është hapur në emër të djemve të tij, të cilat gjithashtu janë justifikuar si dhuratë nga gjyshi. KPK ka shprehur rezerva për pasurinë e gjyqtarit, pasi nuk ka dokumente justifikuese për dhuratat e marra në shuma të konsiderueshme monetare. Edhe për banesën dykatëshe me vlerë 2.5 mln lekë, KPK konstaton se ka mospërputhje nga deklarimet e 2003, lidhur me sipërfaqen e truallit, katet dhe deklarimet në vetting. Sotiraq Lubonja pretendon se pasuria që ka vënë është tërësisht e ligjshme.