Zbulohen dy poezi të Sadik Bejkos
LIRIMI I DELEVE, 1990
Bashkë me prillin erdhi çburgimi i deleve
Mund të kullosin sheshit, mund të blegërijnë
Kokëulura, paqtore, të bardha
Ja, shijojnë barin, shijojnë lirinë.
Si për Mandelën s’u bë koncert në Uembli.
Nuk dolën në rrugë si në Kosovë për Vllasin.
Në dy plenume, diç tha Ramiz Alia
Dhe delet pas dimërimit e gjetën marsin.
Lirimi nga prangat, nuk ndërroi gjësend tek të urtat,
veç u dha më shumë ajër, më shumë bar.
Ata që i fshihnin, prapë ndjehen me frikë:
Lirimi i beftë i deleve mund të jetë me zarar.
Delet, pa dosje krimi, në liri nga pak u gëzuan,
Jo aq sa të dehura të hipin mbi shkëmbinj.
Ata që dikur i zhduknin, në s’qenë nga racë ujku
Me qese helmi, patjetër, kanë qenë, gjarpërinj.
Delet, gjer dje të rrezikshme për shtetin,
Ja, më së fundi, po gëzojnë qytetarinë
si mirënohje ndajnë intervista blegërimash
me më shumë qumësht e shpaguajnë lirinë.
10.04 1990
ZEMRA DHEMB DHE PAS VDEKJES
Petrit Halilit, Beçisht
Isha i ri, i fortë
Ecje e ndër këmbë harliseshin gurët,
por…. M’u mor nderi.
Ika në mal te bagëtitë
Te bishat ika në shpella.
Të shpëtoja nga njerëzit.
Ika nga miqtë, nga festat
Njerëzit s’i mora inat
Herë-herë më mbyste vreri.
Një bishë që nuk mbyllej,
Nuk lidhej,
Hante në dorën time.
Ajo dikur më theri.
Shkoja te vëllai në burg,
Nga burgu në mal
Drejt në shpella ujku e derri.
Demi ma kullot varrin, ma gjuan me bri,
S’i mbaj inat.
Veç zemra vazhdon të më theri.
Isha i ri, i fortë sa dridheshin gurët
Por me kohë kisha vdekur
Që kur m’u mor nderi.
1992