Albspirit

Media/News/Publishing

Oxhaku Vasjari, përtej historisë së një fisi…

Lidhur me librin: “Oxhaku Vasjari-i pashuar nga brezi në brez” të autorëve Xhezo Cana dhe Ibrahim Vasjari.

Artur SHEMAJ

Kur lexova librin “Oxhaku Vasjari” të autorëve Xhezo Canaj dhe Ibrahim Vasjari, ndjeva vetvetiu nxitjen e preokupimit që i vjen natyrshëm një lexuesi të vëmendshëm që është nga këto anë për t’u thelluar në historinë e së djeshmes si një histori që vjen nga fise të forta patriotike të cilat kanë dhënë kontribut në çështjen kombëtare. Sot shkruhet shumë histori me një prirje  të theksuar për të shpalosur kujtesën për figura të harruara, për kohë të hershme e të  vona, por sa i qëndrojnë këta libra realitetit dhe kuriozitetit, çfarë ato sjellin si kulmim në historinë tonë kombëtare, sa rrezatojnë që, nëpërmjet tyre, të mos shohish thjesht historinë e një fisi, por përmes historisë së një fisi të shohish kontributin e tij në çështjen kombëtare.

Libri në fjalë e përmbush më së tepërmi këtë ide të fundit dhe kështu, ndërsa duhet të hetojmë se nga fisi Vasjari shohim personalitete që bëhen protagonistë dhe dëshmitarë të ngjarjeve të mëdha si: Myslim Vasjari (firmos së bashku me Abdyl Frashërin  në emër të Toskërisë letrat dërguar Fuqive të Mëdha për mbrojtjen e interesave kombëtare); Veiz Vasjari (lufton bashkë me Çelo Picarin  në mbrojtje të interesave territoriale shqiptare kundër forcave greke në Janinë, Delvinë e Çamëri); Ago Vasjari (merr pjesë në revolucionin grek 1820); po kështu Veli Vasjari (merr pjesë në kryengritjet e vitit 1910-1911 sa në Jug e në Veri, është drejtor i parë i policisë së shtetit dhe një nga aktivistët e rëndësishëm e nëpunësit në shtetndërtim, duke marrë pjesë edhe në Kongresin e Lushnjes, duke qenë se ishte patriot dhe i vendosur në idetë e tij, vritet nga sistemi i posainstaluar komunist); Syrja Vasjari i diplomuar në Paris.

Ky libër paraqet gjithë një histori që shënohet në kohë të ndryshme dhe përvijohet përmes historisë së fisit e ndërlidhur ngushtë me aspekte të ndryshme të jetës kombëtare, me burra të ndërgjegjësuar për fatet e kombit dhe me kontribute të shquara në këtë lëmë. E gjithë kjo ndërlidhje midis historisë së fisit dhe të kombit, është boshti ideotematik i librit dhe ky bosht mbledh rreth vetes fijet e mjaft episodeve interesante  duke ndërtuar kështu shtëllungën e ngjarjeve që tirret kështu nga dora e fatit dhe e historisë. Dhe për mes kësaj, jepet vitaliteti i këtij fisi e njëkohësisht sesi përmes këtij vitaliteti ngrihet historia e burrave më të përmendur të tij.

Të shkruash një libër monografik të këtij niveli nuk është e lehtë, sepse kërkohet së pari burim referencial, por edhe ky burim referencial duhet marrë nga rrjedha të ndryshme  dhe t’i nënshtrohet saktësisë  së fakteve përmes verifikimit të tyre në disa variante; po njëkohësisht monografia kërkon dhe gjuhën e saj interpretuese dhe po aq  selitjen e fakteve në dobi të  shfaqjes së tyre interesante duke mbajtur gjallë këshërinë e lexuesit dhe në këtë pike autorët kanë treguar mjeshtërinë  e duhur, përderisa libri lexohet me interes dhe faktet, përshkrimet, janë qëruar nga teprimet dhe është ruajtur sensi i masës në rrëfimtari, duke ndërthurur sa faktin historik mbi personazhet realë, aktorë të rëndësishëm të historisë sonë, aq edhe duke pasur të pagabueshme tejqyrën e vështrimit në analizën e karakterit dhe botës shpirtërore të këtyre protagonistëve të rëndësishëm që lëvizin nëpër kohëra në mënyrë të  rrufeshme duke iu gjendur pranë fateve të kombit dhe duke vepruar drejt  sa në anën luftarake të veprimit, aq edhe në atë diplomatike, duke u rreshtuar kështu pranë figurave të mëdha të historisë sonë si: Ismail Qemali, Abdyl Frashëri, Ahmet Zogu, Ali Pashë Tepelena etj, por që në këtë rreshtim ata nuk qëndruan prapa tyre, por si bashkëpunëtorë dhe njerëz të besës duke u nisur nga idealet kombëtare dhe dashuria e sakrifica për të mbrojtur njësinë territoriale të Shqipërisë dhe kur Shqipëria u bë shtet më vete në përpjekjet për sendërtimin e ëndrrës së saj shtetërore.

Siç vlerësohet nga dr. Dorian Koçi, “në çdo periudhë të historisë ka qenë një përfaqësues i kësaj familje për të përcjellë stafetën tek pasardhësi” dhe kështu libri ndërtohet në këtë  hulli arkitekturor të shtjellimit duke e parë  historinë jo si shfaqje të momentit as si rastësi po si vazhdimësi brezash, e në këtë përqasje ia vlen të theksohet se tradita luftarake dhe e shkollimit është një traditë që nuk i përket një dekade, po një shekulli dhe më tej, e në këtë aspekt duhet theksuar se familjet e mëdha, me shumë njerëz, ditën ta vlerësionin pikërisht këtë dhe të orientoheshin drejt edhe kur horizontet kombëtare dukeshin të mbyllura për shkak të vendimeve të Fuqive të Mëdha dhe  të orekseve grabitqare të shteteve fqinjë shovinistë.

Kjo familje, oxhaku Vasjari, nuk e ka parë mbrojtjen kombëtare thjesht në kuadrin e mbrojtjes lokale, as të krahinës, por Shqipërinë e ka shikuar nga Janina në Kosovë, nga Manastiri në Ulqin, në gjithë tërësinë e saj, një mësim fort i çmuar edhe për sot për të gjithë ata që kërkojnë t’i venë ende në një treg absurd trojet e shenjta shqiptare, po kështu kjo cilësi nuk tregohet si një mburrje për kapital historik, por  si vetëqënësi e atyre burrave  që u përshtatet aq bukur vargu i këngës popullore: “Pse lufton a derëzi/as për mua ,as pët ti/po për gjithë Shqipëri”,varg aq i thjeshtë, po që shpreh një ndërgjegje kombëtare të palëkundur që buron nga kryenfgrirjet e  mëdha të Jugut kundër turqve e që udhëhiqeshin nga Çelo Picari, Zenel Gjoleka Tafil Buzi, ku edhe burrat e Vasjarit ishin në krahët e tyre.

Kjo traditë e shkëlqyer luftarake do kishte njëherit edhe sakrificat, edhe martirizimet, edhe humbjet, edhe dëshmorët që vijnë nga ky fis i nderuar. “Hysen Vasjari, djali i Ago Vasjarit u vra në masakrën e Manastirit,1830, i përzgjedhur midis 500 burrave të elitës shqiptare”, fq21. Nuk është zbardhur ende vrasja e Veli Vasjarit, por dihet se sistemi komunist e la në  heshtje këtë figurë të nderuar dhe heshtja flet vetë për enigmën e kësaj vrasje. Trajtimi i këtyre figurave bëhet me një objektivitet shkencor, çka dëshmon për seriozitetin dhe punën hulumtuese të dy autorëve që kanë punuar me kujdes duke i parë figurat që marrin në konsideratën shtjelluese si figura që  e ndërtuan peronalitetin e tyre jo vetëm nga tradita e fisit dhe në  atë që  kanë trashëguar prej shekujsh, por edhe  përmes tyre të shpaloset një pjesë e vlershme e historisë kombëtare në momentet më kulmore të saj; historia nuk u ka shërbyer autorëve si dekor, as si justifikim, por si një lëndë e pasur ku ngjizet dhe merr udhë aktiviterti i këtyre figurave të shquara, të cilat rrezatojnë edhe sot me nderim për aktivitetin e tyre të pasur dhe orientimet në kahun  duhur pa asnjë hezitim.

Është meritë e dy autorëve që në trajtesën e tyre historike nuk janë subkjektivë, por realistë dhe faktues, ata japin përpjekjet e shqiptarëve në luftë për lirinë e Greqisë, po edhe të metat e ndryshme që vinin nga këta shqiptarë, se liria e Greqisë do sillte si reaksion zinxhir edhe lirinë e tyre dhe gjithë këtë kontribut të shqiptarëve, edhe ndonjë grindje të tyre (Ago Vasjari, një nga figurat më të rëndësishme të Ali Pashë Tepelenës ndeshet me shqiptarin tjetër Marko Boçari). Greqia e ktheu si ”mirënjohje” me gllabërimin e tokave shqiptare të Çamërisë, ashtu siç ka ndodhur edhe me fqinjin verior të shqiptarëve, që në zgjajen e dorës ndaj fqinjve për rrethanat e fatit të përbashkët ka marrë gjithnjë kafshimin e saj. Ibrahim Vasjari, njëri nga autorët e librit është pinjoll i familjes Vasjari dhe, për fat të keq, babai i tij, megjithëse kishte kontribute të mëdha në çlirimin e vendit, u pushkatua dhe nuk iu gjet as varri; po kështu ky bashkautor na tregon se çdo fshat ka histori, burra të përmendur të tij, është një ngrehinë e fortë në ngrehinën tonë kombëtare. Ibrahimi është  poet, romancier, i vuajtur dhe i persekutuar në sistemin diktatorial, por gjithnjë aktiv dhe  i preokupuar të dëshmojë, qoftë përmes prozës artistike, qoftë përmes prozës dokumentare. Po kështu autori tjetër Xhezo Cana edhe pse i diplomuar për shkencat ekzakte, kurrë nuk e ka fashitur pasionin për historinë dhe letrërsinë duke botuar dy vëllime poetike dhe monografi.

Libri në fjalë me një titull të thjeshtë dhe kuptimplotë është një dëshmi e fortë e historisë, vjen si plotësim i saj  dhe integron dukshëm fatet e fisit me fatet e kombit, sjell një panoramë të gjerë të jetës së këtij oxhaku, tradita, zakone, moment të vështira çaste dhe aspekte të jetës, përvijon portrete burrash me karakter të fortë dhe dëshmon dashurinë e madhe për atdheun, për lirinë, një vlerë që kurrë nuk vjetërohet as merret me rezervë, por gjithmonë përbën bazën e një krenarie të fortë që përcillet nga brezi në brez dhe duhet përcjellë edhe sot në kohërat moderne, për ta njohur më mirë historinë. Edhe pse historia  si kujtesë, herë e humbet rrugën e herë del më me vrull në shenjëzimin e kujtesës, ajo prapë tregohet e drejtë, kur emocionet ftohen nga largimi i ideologjive e ndryshme dhe e drejta, e vërteta del në shesh; ajo ndrin si drita e diellit…Dhe së fundi, suksesi i këtij libri vërehet edhe në bashkëpunimin e këtyre dy autorëve ku siç thotë  prof. dr. Bardhosh Gaçe “ata kanë arritur t’i japin publikut një vepër me vlera të mirëfillta studimore-shkencore, paraqitur me një gjuhë të rrjedhshme, ku gërshetohen  në mënyrën më të mirë kapacitetet e veçanta cilësore të dy krijuesve”.

Please follow and like us: