Albspirit

Media/News/Publishing

Cikël poetik nga Mimoza Pulaj

Arratisja

 

Nuk mund t’i them ëndërr

ledhatimit tënd

e as letër

kështjellës-gur.

Kur me dorë, me buzë,

baticë fryma e tyre

sa kthej kokën më cik.

Quhesh:

Zot, zanë, fat, kalorës me yll

apo thjesht vetja ime e dytë?

Dil të të shoh!

Dëshirë e tejdukshme:

kur në hon të bije

mbi barin gjelbrosh

si dhëndër më prit.

Nusen në përgjumje.

Arratisjen në shkëlqim.

 

Pranë një vargu

 

Regëtimat

e zemrës së marrë

provova

të liroja.

Nga ai trup shkronjash

ku si një kordë violine

në to

fjala dridhej.

Por nuk munda.

Të shqitem përsëri provova:

në duar mu dogj letra.

Nga dhembja.

 

Agim

 

Vargje vjeshtake nuk janë.

Por i kuq buzësh i verdhë.

Nga ai i mbetur në muzg.

Për dore agimi e merr për të shtyrë

kufitë e pafundësisë.

Buzëqesh dhe kur duhet te qajë.

Me zemër të shqyer. Pa tru.

 

Zemër e lënduar

 

Të sinqertës,

dhembjes sime i ulërij: ai iku!

Si bisht komete

ajo valvitet ne flakërrim.

E nuk mundem

me një buzëqeshje të brishtë

ta ndërthur:

si grimca rëre në brigje të braktisura

më shket.

Pa zë

heshtjes emrin e tij i përsëris.

Nën ujë ndihem,

kam nevojë për frymë.

E nëse muzgu timen TE DUA do të fundosë

poetët

nuk do të këndojnë më.

 

Përse…

 

Para pasqyrës

të prek si frymë:

emrin tim thua, më kërkon.

Jam e çuditshme mos harro:

n’ag flutur

në darkë fjale.

 

 

Dëgjomë…

 

Thirrje torture

fjala

mbi gënjeshtra

të zhveshura.

Në pulsin e kësaj ëndrre çalamane.

Në liqen hidhe gënjeshtrën e fundit

para se

marramenthi

të të marë për dore!

Të vallzojë

si një mjelmë e zezë.

Në qartësinë e natës së verbër

si kristal i rremë të shkëlqejë.

Hidhe të lutem!

Dhe mos fol!

 

Përgjigje

 

Tërhiquni

ju harpa e violina!

Tingujt tuaj

nga veshët e mi

po derdhen:

mbi një kuadrat unë e ti!?

Kokëposht yje e planete!

Nuk mund të rrimë kështu!

As në qiell e as në tokë! Harroje!

Se ëndrrat e pasionet e mia

peshojnë sa një Galaktikë.

 

Magji

 

Një grackë nata.

Në fjalët e Hënës

më shumë të ndjej:

ki mëshirë për mua!

Mos u kthe n’përbindësh!

E pabesë unë. Me dhembje:

me shkëlqimin e yjeve të HESHTUR frymo!

Ag.

Mbi petëlat e Diellit:

më do -s’më do?

Zhuritem.

 

Këshillë

 

Mos u trishto

për mbarimin e një momenti,

miku im!

Gëzohu zjarrit

që ca FLUTURA TE CMENDURA

të përcollën në trup.

 

Kush je?

 

Pa tingull, zëri yt …pa ngjyrë.

Më bën të vuaj

më përkëdhel.

Fytyrë je apo pasqyrë?

Shfaqesh, zhdukesh

në çdo ndalesë.

Më le të humbur,

të hesht

e me dënesë te qaj…te qaj.

Figurë e gërvishtur në xham,

kush je?

largohu njeri apo djall!

Stërkalat e çmëndurisë time

treni i hutuar mblidhte.

Me frikë se mos në to

mbytej.

Please follow and like us: