Veton Surroi: Gogoli i paqes në Ballkan
BE-ja duhet të kthehet te projekti origjinal: integrim pas Traktatit të Paqes
- Është tashmë klishe emërtimi i BE-së si projekti më i suksesshëm i paqes në Evropë. Kjo klishe është njëkohësisht thjeshtësim dhe një konstatim i saktë. Është thjeshtësim ngase projekti u zhvillua si një evolucion nga një luftë e tmerrshme dhe si prodhim i Planit Marshall, pra një Pax Americana, një paqe e krijuar nga Amerika. Por është edhe konstatim i saktë, sepse projekti evropian ka krijuar një nivel të paprecedentë të bashkëpunimit brenda Evropës, që është produkt i paqes, por është njëkohësisht edhe prodhues i paqes. Kur u bë zgjerimi me shtetet e Evropës Qendrore dhe Lindore, që deri atëherë kishin qenë në bllokun lindor, u shpreh e njëjta logjikë, pra zgjerimi i paqes në atë që kishte qenë Luftë e Ftohtë dhe rrjedhimisht, zgjerimi i hapësirës së paqes. Tashmë kur i ka ardhur radha Ballkanit Perëndimor, ky regjion po paraqet një sfidë konceptuale. Kosova dhe Serbia janë vende që jetojnë në një konflikt të papërfunduar, dhe si pjesë e një konflikti të papërfunduar Bosnjë-Hercegovina është një shtet kushtetutshmërisht i papërmbushur. Kosova dhe Serbia 19 vjet pas luftës nuk e kanë formalizuar një marrëdhënie që do ta përfundonte luftën, ndërsa Bosnjë-Hercegovina 23 vjet pas luftës funksionon në bazë të Marrëveshjes së Daytonit, por jo në bazë të Kushtetutës që e ka hartuar e miratuar vetë. Gogoli i tërë këtyre viteve ka qenë pyetja se a i paraprin paqja integrimit (zgjerimit) siç ka qenë rasti me Traktatin e Romës të para gjashtëdhjetë vjetësh, apo siç bëhet përpjekja apo shtirja tani që të arrihen njëkohësisht paqja dhe zgjerimi.
- Paramendimi (qoftë si përpjekje a shtirje) se do të ketë paqe dhe zgjerim njëkohësisht është logjika e procesit të udhëhequr nga BE-ja në Kosovë. Prejse Kosova shpalli Pavarësinë më 2008 dhe GJND-ja e konfirmoi ligjshmërinë e kësaj shpalljeje, BE-ja ka ndërmjetësuar një proces negociator, që ka si premisë thelbësore idenë se ndonëse shtetet nuk e njohin njëra-tjetrën si shtete të pavarura, pra nuk e njohin fundin e konfliktit, një proces zgjerimi i BE-së për Serbinë mund të krijojë paqe. Pra, kjo ide thotë që në momentin kur Serbia është një vend anëtar i BE-së (apo një sekondë logjike para se të ndodhë kjo) do të përfundojë konflikti me Kosovën. Kjo premisë e ka legjitimuar edhe një tjetër premisë udhëheqëse, atë të asimetrisë së perspektivës evropiane. Serbia ka kapacitetin negociator për t’u bërë shtet anëtar i BE-së, Kosova nuk e ka. Serbia e ka cakun e prekshëm të anëtarësimit në BE, Kosova nuk është e njohur nga pesë shtete anëtare të BE-së, dhe, edhe po të ishte një shtet funksional skandinav – e jo një shtet i kapur çfarë është – nuk do ta kishte të prekshëm cakun e anëtarësimit.
- Deri më tani procesi i zgjerimit të BE-së është udhëhequr nga ideja themelore se zgjerimi vjen si fund i konfliktit, duke zgjeruar më tutje kulturën e paqes nëpërmjet bashkëpunimit. Kjo do të thotë dy hapa bazikë: duhet të ketë paqe para integrimit (zgjerimit) dhe kur të ndodhë integrimi (zgjerimi), kjo do të krijojë rrathë të rinj koncentrikë të paqes. BE-ja është, në rastin e Kosovës dhe Serbisë, duke u përpjekur të krijojë një kategori të re: një konflikt që do të përfundojë pas integrimit (zgjerimit). Serbia dhe Kosova duhet, sipas BE-së, të nënshkruajnë një “marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të obligueshme” për normalizimin e marrëdhënieve. Brenda këtij formulimi ekziston hapësirë e mjaftueshme për dykuptimësi në mënyrë që konflikti mes Serbisë e Kosovës jo domosdo të përfundojë me një traktat paqeje (në kuptimin kantian, pra të një traktati që trajton shkaqet e pasojat e luftës dhe eliminon ato që mund të çojnë në një tjetër në të ardhmen). Prandaj, brenda kësaj dykuptimësie ka hapësirë të mjaftueshme për të paramenduar një ardhmëri, në të cilën është një shtet i ri anëtar i BE-së, i quajtur Serbi, duke u përpjekur t’i sjellë paqe një shteti pa kapacitet negociator për anëtarësim në BE, i quajtur Kosovë. Kjo vetvetiu do ta zgjaste konfliktin.
- Duhet të bëhet një kthim te dialektika bazike e zgjerimit të BE-së: konfliktet duhet të përfundojnë para zgjerimit dhe atëherë zgjerimi vetvetiu do të mundësojë zhvillim të bashkëpunimit që shlyen faktorët nxitës të konfliktit. Në kontekstin Kosovë-Serbi kjo do të thotë që dy shtetet duhet ta nënshkruajnë një traktat paqeje, që do të trajtonte shkaqet dhe pasojat e luftës, si dhe shkaqet që mund të çojnë në konflikt të ri. Në kontekstin Kosovë-Serbi kjo do të thotë po ashtu që BE-ja dhe shtetet e saj anëtare e konsiderojnë Traktatin e Paqes si parakusht dhe si mjet nxitës për integrimin e të dyja vendeve në Bashkimin Europian. (Teksti mbështetet në qëndrimet e paraqitura të autorit në konsultën e ekspertëve të Ballkanit Perëndimor, organizuar në Vjenë nga kryetari i Parlamentit të Austrisë, Wolfgang Sobotka, nga kryetari i Akademisë së Shkencave të Austrisë, Anton Zeilinger, dhe nga kryetari i Degës së Shkencave Shoqërore, Oliver Jens Schmitt)
Please follow and like us: