Mevi Rafuna: Mjegulla e zezë
Ese
Drita në fund të tunelit është mbështjellur me mjegullën e zezë, është e vështirë sot të zgjosh shpirtat nga karmat e këqija të cilat determinojnë çdo gjë që sillet rreth nesh. Të njohur për bujarinë dhe mirësinë, atëherë kur kishim sofrat thatë, tani çdo gjë tingëllon e huaj dhe e shkuar e largët.
Rrallë gjen njerëz që ta flasin një fjalë të mirë, pa ta dashur të keqen edhe n’at çast kur luten për të “mirën” tënde. Është ndjenjë e pakëndshme kur sheh lakuriqësinë e shpirtrave, kur ja u di fjalët dhe mendimet e pathëna. Ta masin dashurinë dhe çdo gjë kalon në kalkulim. Andaj para se dikush ta ofrojë një të mirë, duhet ta mendosh tri herë. Sepse shpesh më ka ndodhur që një e “mirë” e dikujt m’ka dalur për hundësh. Të marrin për naive nëse ende t’ka mbetë një fije mirësi, në k’të epokën e ashtuquajtur liberalizëm, globalizëm.
S’dua të dal qesharake se e keqja ka ekzistuar çdo herë, por s’paku nuk ka qenë kaq e shprehur, kaq e hapur dhe tani s’ke si i ikë. Sepse ky sistem është i ndërtuar që të t’i bluajë trutë, në k’të sistem modeli i budallait i perversit është ai që duartrokitet. Dhe të mundohesh të besh një hap ndryshe, është si t’i biesh murit me kokë deri të pëlcet gjak, por kujt i bënë sot për heroizma, për sakrificë…
Është e frikshme kur shpirti i një populli kalbet, kur fatet përcaktohen në mjegullën e zezë, kur shpresa dhunohet e vritet dhe tragji-komedinë e luajnë aktorët e shterrur, me atë pak energji që ju ka mbetur. Të mbetet të vështrosh me buzën në vaj, në çaste meditimi të marrin për të çmendur, dhe kërkon thellë me gjithë qenësinë tënde shpirtra të ngjashëm, i dëgjon përmes heshtjes, i sheh përmes hijeve do të përshpejtosh kohën të dalësh në të ardhmen me një makinë kohe inekzistente.
Dikush duhet të jetë drita!