Albspirit

Media/News/Publishing

Bedri Blloshmi: TERRORI NË FERRIN E SPAÇIT MBAS 1973 (1)

 

 

Besoj se një dëshmi e ndershme e së vërtetës do të jetë në këtë vënd të sfilitur, akoma e dobishme për të ngritur të pafajshmin e për të goditur përgjegjësit e gjëmës. Mbas shtypjes së përgjakshme të revoltës në Spaç, ku u ri-arrestuan plot 66 të dënuar, katër nga këta u dënuan me vdekje dhe u ekzekutuan në pyllin e Gëziqit sipas informacioneve. Pastaj policët i hodhën në një makinë me targa të Tiranës dhe i zhdukën përfundimisht. Këta janë Dervish Bejko, Hajri Pashaj, Skënder Daja dhe Pal Zefi. Prej 62 të ri-arrestuarve të mbetur gjallë, dy morën pafajsinë dhe 60 u ri-dënuan. Shumë prej këtyre u mbyllën në burgun e Burrelit me dënime të gjata. Kur vajta në kampin e Spaçit rreth muajit shtator 1977, ndihej akoma ashpërsia e dhunës dhe pasoja të tjera nga dallgët e terrorit të 1973-shit mbi të dënuarit e tjerë. Ai vit ka qënë kulmi i terrorit, kështu që në Spaç vinin të dënuar të tjerë me shumicë me dënime të ndryshme. U shtuan aq shumë të dënuarit saqë një pjesë flinin në krevatet e atyre që shkonin në punë turni i tretë. Siç e kam thënë edhe herë tjetër, njëri pallat ishte i mbushur me ne që punonim në galeri. Tjetri ishte me 600 (“gjashtëqindëshat”) të papunët meqë ishin pleqë të sëmurë, ose sakatë, me një dorë, me një këmbë apo me një sy. Në këtë gjysmë popullsie të kampit më kishte rënë në sy veçanërisht një person, për dobësinë e tij fizike dhe për dorën e tij të majtë gati të paralizuar (i rrinte varur nga supi sa për të thënë). Trupi i thatë, balli i rudhur, faqet e reshkura e dhëmbët e pakta në gojë tregonin qartë se kishte vuajtur shumë, por shikimi i tij ishte shumë i gjallë, dhe ti shihje shpresë në çdo bisedë që bëje me të, bile shkathtësi mendimi. Ky ishte Xhelal Konprencka. Pavarësisht nga gjendja fizike, ai bëhej bindës me fjalët që nxirrte nga goja, dhe ishte gjithmonë i qeshur me cilindo që takonte. Sado i lodhur dhe i mërzitur siç e përshkrova, bile mund ta quaje gati në gjëndje të dëshpëruar dhe në fakt e tillë ishte fizikisht, po të flisje me të, të delte burrë kurajoz. Kur ktheheshin nga puna ai i ngjallte të burgosurit, u a hiqte lodhjen dhe dëshpërimin. Hasani (xhaxhai im) dhe Xhelali mirëkuptoheshin në gjithshka. Një ditë u ulëm për të pirë kafe të tre. Gjatë bisedës Xhelali mu drejtua: “Bedri, unë e di gjithë tragjedinë e familjes tuaj, dënimin e Vilsonit dhe të Gencit, por s´ke ç´të bësh, shteti të shkatërron. S`kemi rrugë tjetër veçse t`i nënshtrohemi fatit, paçim vetëm shëndetin, ndaj po të them ki kujdes në galeri.” Takoheshim rregullisht kur unë isha turni i parë. Por prej një farë momenti, e shihja në hall, aspak të qetë, dhe kështu rradhën tjetër, pasi rrufitëm filxhanin e kafesë, ai ma zbuloi preokupimin e tij. Më tha: “Dëgjo Bedri, do të të them diçka që ta dish: mua mund të më arrestojnë, por nuk është kjo kryesorja. Unë kam bërë një letër prej disa faqesh lart në Tiranë. Ne jemi disa vetë, ashtu si edhe ti, me pikëpamje nacionaliste. Blloshmët kanë qënë gjithmonë atdhetarë, kanë punuar për Shqipërinë. Por ajo që dua të të them është që ti duhet të qëndrosh larg meje, sepse je dënuar një herë me vdekje dhe grupimet këta qenër i kanë halë në sy. Unë e di që ti nuk e çan kokën, por është më mirë kështu si të këshilloj unë”. Fjala ishte te ajo organizatë për të cilën u akuzua, një gjë fare pa rrezik për makinën e pushtetit, por që e kanë tentuar shumë të rinj në burg, se donin që t‘i përgjigjeshin dhunës së egër me një farë organizimi. Gjë vërtet e kotë, megjithse tregonte nevojën për tu konsultuar me njeri-tjetrin e për të qënë gati. Them e kotë sepse situatat ishin të papritura. Me atë fjalë “rri larg” donte të më mbronte, dhe ia di për falemnderit. Por e keqja atje të gjente pavarësisht sjelljes ose organizmit.

Revoltat që ndodhën, e Spaçit më parë, dhe e Qaf -Barit më vonë e tregon se presioni i policëve, e krijonte vetë revoltën kur bëhej i padurueshëm. Në Spaç në kohën që po flas, vazhdonte vala e arrestimeve, madje shumë nga të dënuarit që mbushnin dënimin, ditën e lirimit u hidhnin hekurat përsëri. Kryetari i Degës së Punëve të Brendshme vinte shpesh në Spaç, na grumbullonte në mencë ose jashtë në oborr e na bënte presion: “Ka armiq këtu, por ne do ua presim gjuhën me gërshërë, do ju ridënojmë, do ju mbyllim në Burrel, ndaj rrini urtë, mbyllni gojën, punoni që t´ia shlyeni fajin partisë e mos flisni”. Një ditë – jemi në vitin 1978- ai erdhi me shpurën e tij, na mblodhën tek oborri mbi pallatin në fushë, dhe ai filloi të çirreshe.. Në kulmin e kësaj pretence shqiptoi: “ Xhelal Koprencka, në emër të popullit je i arrestuar”. Xhelali aty për aty, pa iu dridhur qerpiku ia kthen përgjigjen: “ Jo në emër të popullit, por në emër të armiqve të popullit.Që atë ditë Xhelal Koprencka nuk u kthye më. Kam bërë përpjekje të shumta nëpër arkiva, por letrën e tij nuk e gjeta gjëkundi. Askush nuk di gjë për fatin e saj, por gjatë kërkimeve në A.Q të P.P, sektori i letrave, më ra në dorë një tip kartele ku ajo figuron e regjistruar. Po ashtu janë bërë kërkime në shumë vende për gjetjen e eshtrave të tij, por pa rezultat. Xhelal Koprencka ka lindur në Skrapar në vitin 1932 nga prindërit Sami dhe Nerfuze Koprencka. I vogël ai jetoi disa vite në Bulgarec të Korçës dhe gjithashtu, megjithëse inteligjent, arsimin e mesëm e ka kryer me shumë vështirësi për shkak të pengesaveve që i nxirrte biografia dhe nevojat e jetës, (ngaqë i duhej të punonte gjithmonë). I ati, Samiu, ka qënë i dënuar me 10 vjet burg për “krime” kundër shtetit komunist. Në profesion Xhelali mundi të marrë një farë kategorie si hidraulik. Kur e vetmja motër u martua në Shkodë, Xhelali shkoi bashkë me nënën e banuan me të. Ai vetë s`i ka pasur kurrë kushtet për tu martuar. Në vitin 1957 arrestohet në Shkadër dhe dënohet me 7 vjet burg. Mbas lirimit, nuk kaloi shumë dhe arrestohet përsëri e dënohet me 20 vjet të tjera. Në vitin 1976 arrestohet përsëri në burg, siç hyri ky zakon absurd, dhe dënohet me 10 vjet me akuzën agjitacion e propagandë, dënim të cilin po e vuante kur e njoha në kampin e Spaçit. Kurse arrestimi i tij i katërt më 2 nëntor 1978, të cilin e priste siç thashë më lart, i erdhi prej kësaj letre me kritika të drejtuara udhëheqjes, të cilën siç duket e ka shkruar si sfidë për gjithë këta vite që i kishin ngarkuar, mbi tridhjetë dhe në kushte shëndeti fizik e mendor për t`iu dhimbsë gjithkujt, fare pak muaj më vonë më 22 shkurt 1979, ata kujtohen dhe e arrestojnë përsëri, dhe ia kthejnë akuzën nga “agjitacion”, në krijim “organizate nacionaliste”, dhe më datën 21 maj 1979 e dënojnë me vdekje. Duke e parë se efekti i letrës shkoi më tej efektit që priste, Xhelali kërkon të shpjegohet me ndonjë prej tyre dhe u dërgon një mesazh. Ngutjes së tij, ata as nuk i përgjigjen. Më datën 28 maj 1979 Presidiumi i Kuvendit, i bie shkurt duke i refuzuar faljen e jetës. Sipas shkresës së sekretarit të Kuvendit Popullor Telo Mezini dërguar Ministrit të Punëve të Brendshme (drejtorisë së hetuesisë), Xhelal Koprencka është pushkatuar bashkë me Vangjel Leshon dhe Fadil Kokomanin.

Kanë kaluar 25 vjet që thonë se u shemb komunizmi por ata të tre dergjen diku si mijra të tjerë, pra ende pa varr. Mbeten pa varr jo se nuk ka pasë interesim për ta, apo se nuk kanë bërë kërkesë të afërmit e tyre, por sepse vrasësit u kujdesën të mos lënë asnjë shenjë tek vendet ku i patën groposur, dhe mes tyre sekreti mbahet i fortë edhe sot… Gjurmime nga miq e shokë bashkëvuajtësa, privatisht e pa ndihmën e shtetit, janë bërë në disa vende të fshehta që mendohet se sigurimi ka bërë groposjen të eshtrave të tyre, por pa rezultat.

KOMITETI QENDROR I PPSH Alf. Xh 389

Sektori i letrave dhe ankesave

Nr. 169 243

KARTELË

Data 11.9.78

E regjistrimit dhe evidencave të letrave (Nr. D 26/gb)

Emri, atësia , mbiemri Xhelal Koprencka. Gjëndja në parti ——— dhe Veiz Ceci Rrethi (Qyteti) Mirditë

Adresa Rep. 303 Spac

Kujt i drejtohet letra Shokut H.Kapo, R.Alia u lexua nga ———

Çështja që parashtron:

Nuk jam dakord me qëndrimin e tanishëm ndaj Kinës për arsye se kjo e lë Shqiprinë pa mbrojtje. Politikën e Kinës e quajnë të drejtë e të justifikuar. Qëndrimin tonë e quajnë ndryshim të bërë nga shkaqe të pa shpjeguara ose fiktvie sepse me (e palex.) atë, më parë keni aprovuar tërë politikën e Kinës përfshirë dhe teorinë e botës së 3-të. Tani pse kundërshtojnë? Kundërshtimet ideologjike i quajnë fiktive. Organeve të drejtsisë për t’i patur si dekument sepse këta janë të burgosur si armiq të popullit.

REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPERISE

GJYKATA E LARTE

Nr.3.Regj.Themeltar.

Nr.3. i Vendimit

VENDIM

NE EMER TE POPULLIT

Gjykata e Lartë e përbërë prej:

Sofokli Krongo KRYETAR, Antar i Gj. Larte

me antarë: Met Rreli Nd.Gjyqtar “ “ “

Luftulla Ceka Nd.Gjyqtar “ “ “

të asistuar prej sekretarit Sadik Memo, me pjesëmarrjen e prokurorit Skënder Breca, më datat 7,8 e 9. Maj. 1979 mori në shqyrtim në seancë gjyqësore me dyer të mbyllura çështjen penale Nr.3 që ju perket të pandehurve:

  1. XHELAL KOPRENCKA: i biri i Samiut dhe i Nerfuzez, i datelindjes 1932, lindur në Tirane, banues në Shkodër, me origjinë shoqërore fshatar i pasur, me gjëndje shoqërore puntor, me arsim të mesëm, i pa martuar, i pa organizuar, me kombësi e shtetësi shqiptare, i dënuar katër herë: tre herë për krime kunder shtetit dhe një herë për përvetim të pasurisë socialiste, vuan dënimin në Repartin e Riedukimit Nr. 303 Spaç, i arrestuar më datën 23.2.1979. I pandehuri Xhelal Koprencka, duke komentuar ngjarjet e revoltës armiqësore të majit të vitit 1973 që ka ndodhur në këtë repart, ky kritikonte dhe analizonte shkaqet e “disfatës” së saj dhe për të dhënë besim tek antarët e organizatës për fitoren e revoltës që tani mendon ky, parashtronte se sipas tij kushtet për të fituar një revoltë të tillë qenë:

a)Këtë do ta drejtonte një udhëheqje e pjekur, e fortë, siç ishte organizata “nacionaliste” e krijuar prej tij.

  1. b) nuk do të lejonin e mungesë këmbënguljeje për ti çuar deri në fund kërkesat politike.
  2. c) mbas prishjes së marëdhënieve me Kinën, situata ështe e favorshme për një ndihmë ushtarake që do të jepnin me siguri amerikanët e jugosllavët.

Me këtë platformë armiqësore i gjykuari Xhelal Koprencka, ka tërhequr fillimisht të pandehurit Irfan Vrioni e Eduart Marashi (Vata) të cilët kishin urrejtje shumë të madhe për sistemin socialist dhe diktaturën e proletariatit në Shqipëri. Edhe këta të pandehur jo vetëm që kanë pranuar platformën, qëllimet e kësaj organizate, kundërrevolucionare, por kanë luajtur një rol mjaftë aktiv si për propagandimin e kësaj platforme reaksionare, por edhe për shtimin e radhëve të kësaj me elemente të tjerë. Veçanërisht në këtë drejtim një rol të madh lojti i pandehuri Irfan Vrioni i cili qe caktuar prej Xhelalit, si zëvendës i tij. Këta të pandehur të lartpërmëndur, sidomos pas korrikut të vitit 1978 kanë bëre një punë intensive për të tërhequr pas vehtes elemente të tjerë, që ishin me predispozicion të theksuar armiqësor. Kështu i pandehuri Xhelal Koprencka, krijoi kontakte të vazhdueshme me të pandehurit e tjerë si Napolon Kolecin, Bardhosh Gjonzenelin, Florenc Rusi, Sarandi Lulo e Pal Ndrecën. Këta të pandehurë, mbas një përpunimi ideologjik x prej këtij të pandehuri, u bashkuan me pikëpamjet e tij thellësisht armiqësore, filluan të besonin në “aftësitë e tij” të mëdha politike – ideologjike, se ay parashikonte “të ardhmen e kombit shqiptar” dhe që lirimi i tyre do të vinte me anë të rrezimit të pushtetit popullor, sipas nisjes së dënimit të tij në Repartin e Riedukimit Nr.303 të Spaçit, ka vazhduar e thelluar veprimtarinë e tij armiqësore në forma më të ashpëra e më të stërholluara. Ky i pandehur siç rezultoi gjatë gjykimit të cështjes me punë në formën armiqësore me propagandë dhe agjitacion kundër pushtetit popullor, në këtë repart, ka mundur të bashkojë rreth vehtes armiq të betuar të shtetit tonë socialist të pandehurit e tjerë që u përmëndën më lartë, e që vuanin edhe ata dënimin e caktuar në këtë Repart të Riedukimit. Me këta të pandehurë, i pandehuri Xhelal Koprencka arriti të formojë një organizatë kundërrevolucionare që e quajtën “nacionaliste” me platforme politike e synime të caktuara për rrëzimin e shtetit të diktatures së proletariatit në Shqipëri dhe për restaurimin e kapitalizmit në vendin tonë.

I pandehuri Xhelal Koprencka, qysh me ardhjen e tij në këtë repart – për të vuajtur dënimin e tij (në shkurt 1977) filloi të krijoi kontakte me të dënuarit e tjerë dhe me anë të bisedave mbi situatën ndërkombëtare e të mbrëndëshme e të komenteve të lajmeve të shtypit, që ky u bënte sipas pikpamjeve e qëllimeve të tij armiqësore, me dinakëri, ka mundur të grumbullojë rreth vehtes këta elementë me predispozicion të theksuar armiqësor, të cilët edhe vetë ata qenë dhe u treguan të gatshëm që të hidheshin në forma më të ashpera të luftës kundër shtetit tonë socialist, e kundër fitoreve të arritura nga populli ynë nën udhëheqjen e Partisë Punës së Shqipërisë në të gjitha fushat e jetës politike shoqërore, ekonomike dhe ushtarake.

Në fillim i pandehuri Xhelal krijoi shoqëri të ngushtë me të pandehurin Irfan Vrioni, i dënuar tre herë për krime kundër shtetit, dhe me të pandehurin Eduart Marashi, i biri i armikut të popullit Llesh Marashi dhe i dënuar edhe vetë dy herë për krime kundër shtetit. Në bisedat e tij armiqësore me të pandehurit e tjerë, i pandehuri Xhelal Koprencka e paraqiste vehten “si politikan të aftë” që i njifte dhe i kuptonte mirë situatat e jashtme dhe të brendshme dhe mbi këtë bazë gjoja tërhiqte “konkluzione” duke thënë se pushteti popullor se shpëjti do të rrëzohet si rezultat i “revoltës së masave popullore” të udhëhequra nga “opozita pro amerikane” që sipas tij ekziston në udhëheqje të Partisë e të shtetit ose si rezultat i ndërhyrjes ushtarake të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri nëpërmjet territorit të Jugosllavisë.

V ë r e n

Gjatë gjykimit të çështjes, nga provat e shqyrtuara e të analizuara në seancë gjyqësore rezultoi plotësisht e provuar se i pandehuri Xhelal Koprencka në Repartin Nr.303 të riedukimit të Spaçit, krijoi një organizatë me karakter antidemokratik dhe antisocialist, të quajtur “nacionaliste” në të cilën kanë qënë pjesëmarrës Irfan Vrioni, Eduart Marashi (Vata), Bardhosh Gjonzeneli, Napolon Koleci, Sarandi Lulo, Ernest Kraja, Florenc Rusi, Gaspër Gasperi, Thoma Bejo, Pal Ndreca e Nuredin Sula. Të gjithë këta pjesëmarrës kanë zhvilluar edhe agjitacion e propgandë kundër shtetit.

Në bazë të nenit 56 të Kodit Penal duhet tu bashkohet____, pjesa e pavuajtur e dënimit të parë.

Për këto arsye

Gjykata, duke parë nenet 278, 279 të Kodit Proçedurës Penale:

VENDOSI

  1. Të deklarojë fajtor të pandehurin Xhelal Koprencka për krimin e krijimit të një organizate kundërrevolucionare të quajtur “nacionaliste” për të kryer krime kundër shtetit dhe në bazë të nenit 57 te K.P. e dënon me Vdekje, me pushkatim. Në baze të nenit të Kodit Penal i hiqet e drejta e zgjedhjes për 5 vjet kohë. Duke qënë se është i dënuar me vendimin Nr.5 datë 5.12.1978, në Gjykatën e Rrethit Mirditë, me 25 vjet heqje të lirisë, duke bashkuar pjesën e pavuajtur të dënimit, e dënon përfundimisht në bazë të nenit 56 të Kodit Penal me Vdekje, me pushkatim dhe me heqjen e të drejtës së zgjedhjes për 5 vjet kohë. Vuajtja e dënimit u fillon, të gjithëve, që nga data e sotme

9.Maj.1979.

Ky vendim është i formës së prerë.

Ekzekutimi i këtij vendimi për të dënuarin me vdekje Xhelal Koprencka, pezullohet gjer në përfundim të shqyrtimit të kërkesës së tij për falje nga Presidiumi i Kuvendit Popullor, që ai ka të drejtë t’i paraqes atij në bazë të nenit 349 të K.Pr.P.

U shpall në Tiranë, sot më datën 9.Maj.1979.

Ndihmësgjyqtari Ndihmësgjyqtari KRYETARI

/ Leftulla Ceka / / Met Rreli / / Sofokli Krongo /

Shtesë për pikën 4 të rendit ditës

DËNIME ME VDEKJE

  1. Xhelal Sami Koprencka, i lindur në vitin 1932, nga Skrapari, me origjinë shoqërore i pasur, me arësim të mesëm, i pamartuar, i dënuar më parë tre herë për krime kundra shtetit dhe një herë për përvetim të pasurisë socialiste në perpjestime të mëdha, dënuar nga Gjykata e Lartë me 9.5.1979 me vdekje me pushkatim dhe me heqjen e së drejtes së zgjedhjes për 5 vjet kohë, për krimin e krijimit të një organizate kundërrevolucionare të quajtur “ Nacionaliste “.

Rrethanat e ngjarjes:

I dënuari Xhelal Koprencka gjatë kohës së vuajtjes së dënimit në repartin e riedukimit në Spaç ka vazhduar aktivitetin e tij armiqësor në forma më të ashpra e më të organizuara. Si armik i pushtetit popullor me propagandën e tij armiqësore ka mundur të tërheqë pas vehtes edhe disa të dënuar të tjerë po për krime kundra shtetit dhe të formojë me ata një organizatë kundërrevolucionare “Nacionaliste”, me platformë e me synime të caktuara për të rëzuar diktaturën e proletariatit në vendin tonë dhe për të vendosur një regjim kapitalist. Dy vjetët e fundit, i dënuari ka zgjedhur ndërmjet të dënuarve të tjerë ata që nuk kanë dashur të hyjnë në rrugën e riedukimit, duke u treguar të gatshëm të vazhdojnë luftën kundra pushtetit popullor.

Në biseda armiqësore me këta të dënuar, duke e mbajtur vehten si “politikan të aftë” dhe si njohës i situatës të brendshme e tëjashtme, ai tërhiqte konkluzione për mënyren se si do të rrëzohej pushteti popullor, ose me anë të revoltës popullore të udhëhequr nga “opozita pro amerikane”, që sipas tij ekziston në udhëheqjen e Partisë e të shtetit, ose si rezultat i ndërhyrjes ushtarake të SHBA. Kjo organizatë për rrëzimin e pushtetit popullor parashikonte të merrte pjesë si gjatë marrjes së pushtetit prej elementeve kundërrevolucionare ashtu edhe pas vendosjes së “pushtetit të ri kapitalist“. Kjo sipas këtij do të shpëtonte kombin shqiptar nga komunizmi. Në platformën e saj parashikohej gjithashtu organizimi dhe udhëheqja e një revolte politike nga të dënuarit e Repartit të riedukimit Spaç, me parullën “ pa gjak nuk ka liri “.

Mendohej që revolta do të përkrahej edhe nga masat e “revoltuara” popullore. Organizata e kishte në programin e saj që të jepte ndihmën për rrëzimin e diktaturës së proletariatit në Shqipëri dhe vendosjen e një regjimi të “tipit amerikan”, të merrte pjesë në udhëheqjen e qeverisë së re dhe të hakmerrej kundra komunistëve. Të gjithë antarët e organizatës, por veçanërisht i dënuari Xhelal Koprencka ka zhvilluar propagandë e agjitacion thellesisht armiqësore me të dënuarit e tjerë. Kjo punë u bë më e dendur sidomos pas prishjes së marëdhënieve me Kinën, duke quajtur fajtore për këtë Partinë e Qeverinë tonë.

./ . .

AQSH. F. 489 V. 1979 D.75 fl.13

Ai është treguar shumë aktiv, është munduar të afrojë të dënuar sidomos me moshë të re, merrte kontakt vazhdimisht me antarët e organizatës duke i udhëzuar të jenë të bashkuar, të fortë, konspirativë etj. Pra i dënuari Xhelal Koprencka është krijuesi, organizatori dhe drejtuesi i kësaj organizate kundërrevolucionare, i cili ka formuluar edhe platformen, programin dhe qëllimet përfundimatare të saj. Gjykata e Lartë, duke patur parasysh origjinën shoqërore të tij që rrjedh nga një familje me qëndrim të keq politik, faktin se ai është dënuar disa herë për krime kundra shtetit duke mbajtur edhe herën e fundit një qëndrim shumë armiqësor dhe të pa pendueshëm, si dhe duke patur parasysh shkallën shumë të madhe të rrezikshmërisë shoqërore të krimit, e ka dënuar me vdekje me pushkatim. I dënuari dhe nëna e tij kanë paraqitur kërkesë për faljen e jetës.

./ . .

AQSH. F. V. D. fl.

PËRMBLEDHJA E VENDIMIT PENAL Nr.3 DATË 9.5.1979 TË GJYKATËS SË LARTË MBI TË DËNUARIN ME VDEKJE XHELAL KOPRENCKA

Gjykata e Lartë me Vendimin Nr.3 datë 9.5.1979 deklaroi fajtor Xhelal Sami Koprencka, i datëlindjes 1932, me origjinë fshatar i pasur, me arsim të mesëm për krimin e krijimit të një organizate kundërrevolucionare të quajtur “Nacionaliste” dhe në bazë të nenit 57 të K.P. e dënoi me Vdekje, me pushkatim dhe me heqjen e së drejtes së zgjedhjes për 5 vjet kohë. Gjatë gjykimit u vërtetua se i lartpërmënduri duke qënë dënuar më parë tre herë për krime kundër shtetit dhe një herë për përvetim të pasurisë socialiste në përpjestime të mëdha dhe duke qënë me prejardhje të keqe politike, gjatë kohës së vuajtjes së dënimit në Repartin e Riedukimit Nr.303 të Spaçit ka vazhduar aktivitetin e tij armiqësor në forma më të ashpra e më të organizuara. Si armik i vjetër i pushtetit popullor i dënuari Xhelal Koprencka me propagandën e tij armiqësore ka mundur të tërheqi pas vetes disa të dënuar të tjerë po për krime kundër shtetit dhe armiq të vjetër të popullit tonë si Irfan Vrioni, Eduart Marashi (Vata), Sarandi Lulo, Ernest Kraja, Pal Ndreca, Gaspër Gaspëri, Bardhosh Gjonzeneli, Napolon Koleci, Thoma Bejo e Nuredin Sula dhe arriti të formojë me ta një organizatë kundërrevolucionare “Nacionaliste” me platformë politike e me synime të caktuara për të rrëzuar diktaturën e proletariatit në vendin tonë e për të vendosur një regjim kapitalist. Ai gjatë këtyre dy vjetëve të fundit deri në kohën e arestimit të tij ka punuar me të dënuar të tjerë të cilët kanë pasur edhe këta predispozicion për të vazhduar aktivitetin e tyre armiqësor u bashkuan me këtë dhe u treguan të gatshëm për tu hedhur në luftë klasore kundër pushtetit popullor. Në bisedat e tij armiqësore më këta të dënuar ai e paraqiste veten “politikan të aftë” se gjoja njifte mire situatat e brendeshme dhe të jashtme të vendit tonë dhe tërhiqte konkluzione “shkencore” dhe thoshte se pushteti popullor do të rëzohet me këto variante: më anë të “revoltës” së masave popullore të udhëhequra nga “opozita pro amerikane” që sipas tij ekziston në udhëheqje të Partisë e të shtetit ose si rezultat i ndërhyrjes ushtarake të Amerikës nëpërmjet teritorit të Jugosllavisë.

Simbas këtij kjo organizatë do të shpëtonte kombin Shqiptar nga komunizmi. Ky i dënuar pregatiti platformën politike të kësaj organizatë e cila me anë të “varianteve” të parashikuara prej tij për rëzimin e pushtetit popullor do të mirrte pjesë si gjatë marrjes së pushtetit prej elementeve kundërrevolucionare dhe pas vendosjes së “pushtetit të ri” kapitalist. Gjithashtu në platformën e kësaj organizate kundërrevolucionare parashikohej organizimi i një revolte politike me të dënuarit në Repartin e Riedukimit Nr.303 Spaç të cilën do ta udhehiqte kjo organizatë me parullën “pa gjak nuk ka liri” dhe forcat e saja do të bashkoheshin me masat e “revoltuara” popullore dhe kështu do të rrëzohej sipas tyre pushteti popullor duke u ndihmuar nga forca të jashtme pushtuese amerikane. Kështu që kjo organizatë kishte në programin e saj që të jipte ndihmën për rrëzimin e diktaturës së proletariatit në Shqipëri e për vendosjen e një regjimi të “tipit amerikan”, e të mirrte pjesë në udhëheqje të qeverisë së re dhe do hakmerreshin kundër komunistëve.

./ .

AQSH. F. V. D. fl.

Të gjithë këta pjestarë të kësaj organizate por veçanërisht Xhelal Koprencka ka zhvilluar një agjitacion e propogandë thellësisht armiqësore tek të dënuarit e tjerë me qëllim që të realizonte synimet përfundimtare të kësaj organizate reaksionare. Në bisedat e tyre armiqësore ata kanë sulmuar vijën e Partisë tonë, udhëheqjen e saj duke përdorur shprehje thellësisht armiqësore dhe duke mburur mënyrën e jetesës amerikane. Ata kishin intensifikuar këtë propogandë armiqësore sidomos pas prishjes së marëdhenieve midis Kinës dhe Shqipërisë duke quajtur fajtor për këtë Partinë dhe Qeverinë tonë. Me propogandën e tyre simbas porosisë së Xhelalit janë munduar të afrojnë pranë vehtes të dënuar të tjerë sidomos të moshave të reja dhe këtë e bënin në rivalitet të ashpër me organizatën tjetër kundërrevolucionare “revizioniste” të formuar në këtë kamp prej Fadil Kokomanit e Vangjel Leshos.

I dënuari Xhelal Koprencka është treguar shumë aktiv në këtë veprimtari armiqësore duke marë kontakte me të gjithë antarët e këtij grupi armiqësor. Ky i dënuar vitin e kaluar i dërgoi edhe një letër Komitetit Qendror të Partisë Punës së Shqipërisë me përmbajtje thellësisht armiqësore dhe për këtë krim ai me datën 5.12.1978 nga Gjykata e Rrethit të Mirditës, u dënua. Pra, krijuesi, organizatori dhe drejtuesi i kësaj organizate kundërrevolucionare ka qënë i dënuari Xhelal Koprencka. Ai ka formuluar platformën e saj, programin dhe qëllimet përfundimtare të kësaj organizate dhe ka punuar me intensitet për forcimin e brëndëshëm organizativ duke dhënë porosi e udhezime që antarët e saj të jenë të bashkuar, të fortë, konspirative dhe të bënin propogandë pro amerikane në favor të kësaj organizate.

Gjykata, në dënimin e këtij me vdekje me pushkatim është nisur nga shkalla shumë e madhe e rrezikshmërisë shoqërore që paraqet krimi i parashikuar nga neni 57 i K.P. Krahas saj ajo pati parasysh rrezikshmërinë shoqërore jashtzakonisht të madhe të këtij të dënuari i cili është dënuar disa herë të tjera për krime kundra shtetit, rrjedh nga një familje me qëndrim të keq politik dhe është armik i vjetër dhe shumë konseguent në pikpamjet e tij armiqësore kundër Partisë e shtetit tone socialist si edhe gjatë gjykimit nuk tregoj asnjë shenjë pendimi.

KRYETARI GJYKATES SE LARTE

Tiranë, me 21.5.1979 / Aranit Çela /

 

Letra e Koprenckës për falje

PRESDIUMIT TË KUVËNDIT POPULLOR

TIRANË

Rjedh nga një shtrese e mesme fshatare nga malsitë e Skaparit i ardhur prej kohësh në Bulgarec të Korçës. E vetmja pronë e imja ka qënë një mulli me një që e kishim me ortaklli me kushuririn tonë Alo Koprencka dëshmor i L.N Clirimtare. Babai im ka qënë Sami Koprencka gjatë periudhës së Zogut ka qënë i dënuar me vdekje dhe i arratisur. Gjatë luftës indiferent dhe pas çlirimit ka bërë 10 vjet burg për krime kundër shtetit. Fëminija ime filloi që në hapat e para duke punuar dhe ndjekur shkollën e natës deri sa mbarova shkollën e mesme. Profesioni hidraulik. Për shkak se në vitin 1951 motra ime u martua në shkodër aty u stabilizuam unë bashkë me nënën. Në Shkodër punoja hidraulik dhe vazhdoja shkollën e natës pa shkëputje nga puna. Në vitin 1957 për një rast fatkeq asistova në një bisedë për arratisje dhe për shkak se unë heshta kur u zbulua kjo çështje u dënova me 7 vjet burg. Pasi kreva 6 vjet burg kur u lirova kërkonja një punë të mundëshme për të bërë pasi në kamp jam aksidentuar ku një dorë e majtë dhe këmba mu paralizua, për pasoja u mora me matrapasllëqe dhe për një pompë ujë pa motor që e bleva u konsiderua vjedhje, ku për pasojë u dënova 20 vjet heqje lirije. Unë këtë veprim e konsideroja të pa drejtë dhe vazhdova të kërkoj arsye që filloi tek unë edhe një fare pakënaqësie, kështu prej 11 vjetësh burg si ordiner në gusht të vitit 1976 arrestohem përsëri dhe dënohem me 10 vjetë të tjera heqeje lirije për propagandë dhe në muajin shkurt ose mars shkoj në Spaç për të vuajtur dënimin.

Gjatë vuajtjes së dënimit për veç aksidentimit u sëmura dhe mu proçedua pak forma cerebrale emiplegjia gjysmën e trurit më kishte rënë gjak se kështu klima e spaçit më rëzoj përfundimisht, me kërkesën time të gjithë doktorët e në librezë transferimi tim nga Spaçi jam drejtuar me dhjtra lutje zbatim vendimeve penale si dhe Ministrit ashtu dhe antarëve të byrosë për të më transferuar qysh në ditët e para që erdha në këtë kamp, por asnjë nga kërkesat e mija megjithëse të justifikuara me raport mjekësor nuk u muar parasysh. Kështu me 26 gusht 1978 kur oficeri i Ministrisë Asllan Mema më njoftoi se do e gjej vetë rrugën. Kreva aktin e çmëndur duke i drejtuar një letre sekretarëve të Kom. Qendror H.Kapo dhe R. Marko ku shprehja shqetësimin në lidhje me prishjen e Partisë me kinezët; me qëllim që mjaftë që të transferohesha duke marrë parasysh edhe dënimin. Për këtë akt më 2 Nëndor 1978 arrestohem ku si në hetusi edhe para gjyqit unë pohova vullnetarisht se kam agjituar vetëm në lidhje me kinezët , ku si pas meje , afrimi më kinën do na siguronte mbrojtjen e vendit dhe zbutjen e diktaturës arsye që do të na lironte, nga burgu. Pasi u dënova më 5/11/1979 dhe kur erdhi vendimi i forms prerë më 22/11/1979 unë arrestohem përsëri se kisha krijuar në kamp një organizatë nacionaliste pas korrikut të vitit 1979 d.m.th në gusht tamam koha që unë vullnetarisht provokova arrestimin tim me një platformë dy fazëshe, faza e parë e së cilës do mbaronte në mars 1979 dhe e dyta pas kësaj date, kështu për gjatë gjithë kësaj periudhe unë ndodhesha i arrestuar dhe nga të gjithë dëshmitarët asnjë nuk foli për këtë platformë ose për egsistencën e një organizate. Me gjithatë unë nuk e mohoj faktin se si për shkak të sëmundjes disa herë i shtruar në psikiatri, si dhe për shkak të dëshpërimit nga vuajtjet e gjatë në burg unë kam folur për përgjegjësitë e ketij veprimi dhe pohoj sinqerisht se kisha me të vërtetë nevojë për një goditje të fortë , por nuk besoja deri aty sa të më merresh jeta. Ashtu siç i pata qëndruar të keqes deri tani. Shtoj se nuk kam njeri tjetër në botë vetëm një nënë 83 vjeçe, dhe është kjo arsye të ju lutem edhe një herë që veç meje të mëshironi edhe atë plakë të mjerë.

Mbetem me shpresë,

I dënuari me vdekje

Xhelal Koprencka

 

Leta tjetër e Koprenckës

(firma ) (vula)

Sekretarëve të komitetit qëndror Hysni Kapo dhe Ramiz Alia

Më falni për shqetësimin për një nevojë tepër e ngutëshme më shtrëngon t’ju drejtohem dhe të kërkoj sa vijon:

Unë jam Xhelal Sami Koprencka , autori i letrës date 26.8.1978, ku bëhet fjalë për politikën e jashtme të vendit tonë, lidhur me problemin kinez, në vazhdën e së cilës sot jam i dënuar me vdekje në pritje të zbatimit të vendimit , prandaj e ndjej të nevojshme para fundit që të shprehesha lirshëm pa rezerva për shkaqet e vërteta të këtij akti të çmëndur që kam kryer , gjë që deri tani nuk e kam bërë dhe që nuk besoj të jetë pa interes. Do e bënja këtë vetëm atëhere kur të bindesha se i dërguari i juaj do të ishte punonjes i aparatit të komitetit qëndror I pajisur me vulën dhe firmën tuaj.

Me respekt

Xhelal Sami Koprencka

KOMITETI QENDOR I PPSH Alf. Xh 104

Sektori i letrave dhe ankesave Nr. 80

Kartelë Data 25.5.79

E regjistrimit dhe evidencave të letrave Nr. d 26/ gB

Emri, atësia, mbiemri : Xhelal Koprencka . Gjendja në parti ____

Adresa rep 313 Rrethti (qyteti) Tiranë

Kujt i drejtohet letra: Shokut Hysni Kapo u lexua nga: V. Çifligu

Çështja që parashtron: është i dënuar me vdekje dhe prêt zbatimin e vendimit. Kërkon të shprehet lirshëm dhe pa rezerva për shkaqet e vërteta të krimit që ka kryer. Këtë gjë që nuk e bëri më parë don ta bëjë tani përpara një të dërguari punonjës të aparatit të K.Q. i pajisur me firmën e vulën tuaj.

Porosia e dhënë: Shoku Haxhi nëse e shef me vënd ngarko njeri ta dëgjojë çfarë ka. T’i thuhet për letrën që ka dërguar K.Q

(Firma)

25.V.79

REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPËRISË

PRESIDIUMI I KUVENDIT POPULLOR

___________________________________

Nr. 514

MINISTRISË SË PUNËVE TË BRENDSHME

(Drejtorisë së Hetuesisë)

PROKURORISË SË PËRGJITHSHME

Për njoftim: GJYKATËS SË LARTË

TIRANË

Presidiumi i Kuvendit Popullor, në mbledhjen e dates 28.5.1979, vendosi që të mos u falet jeta personave të poshtëshënuar: 1) Xhelal Sami Koprencka, lindur më 1932, dënuar me vdekje me pushkatim nga Gjykata e Lartë, me vendimin nr.3 date 9.5.1979, për krimin e krijimit të një organizate kundërrevolucionare.

SEKRETARI I PRESIDIUMIT:

/ Telo Mezini /

Njohje të tjera në burgun e Spaçit

Në Spaç kam njohur shumë të dënuar nga rrethe të ndryshme të vendit, me të cilët kam punuar, po edhe biseduar për probleme të ndryshme, kryesisht politike. Prisnim të gjithë që ky sistem gjakatar të merrte fund. Kjo ishte shpresa jonë që na mbante gjallë dhe na bënte të fortë moralisht. Kam njohur disa të dënuar të cilët nuk punonin, ishin gjashtëqindesha (papunësi) në këtë kamp t ë vendosur në thellësinë e një humbëtire.

Vangjel Lesho ishte i gjatë me trup të rregullt, shumë energjik dhe bisedat i shoqëronte me lëvizje të duarve dhe të kokës. Rrinte gjithmonë me mikun e tij Fadil Kokomani, bashkë me tëcilin ishin dënuar në 1963 me 25 vjet burg. Përshëndetja e tyre ishte me shumë respekt, por vëtëm kaq. Kjo distancë për shkak të pozicionit e bindjeve të ndryshme politike, unë me ta, sidhe kohës së kufizuar, pasi unë punoja në galeri e më mbetej shum pak hapësirë për takime e biseda. Megjithatë, ata ishin burra seriozë, intelektualë, dhe për vetë profesionin e tyre të gazetarit, kishin gjerësi mendimi. Të mos harrojmë që ishin komunistë por revizionistë, dhe veç kësaj ishin të malluar për Moskën, ku kishin kaluar një pjesë të rinisë mes kënaqësive të një metropoli që po i çelej frymës perëndimore mbas Kongresit të XXtë. Pushkatimi edhe për këta erdhi për shkak të një letre dërguar udhëheqjes. Por ndryshe nga Xhelali, që ishte viktimë e dëshpërimit, këta ishin ndofta edhe të paduruar edhe të indinjuar, pse të mos vinte edhe këtu ajo frymë e Lindjes komuniste që po zhvillohej. Mirëpo udhëheqja jonë, si e zhytur fytazi në krim, s‘mund të merrte pjesë në atë zhvillim, s‘do pranonte kurrë që të linte karriken, dhe duke mos pasur kufi me ata, s‘kish pse të trëmbej prej asaj ane. Kështu e pati kollaj: nuk i dha fare përgjigje letrës, por i akuzoi dy autorët se kishin krijuar një organizatë “kundërrevolucionare” në burg, dhe për këtë “rrezikshmëri” qesharake, i pushkatoi…

Viti 1979 ka qënë vërtet i mbrapshtë. Nuk kishte vetëm arrestime dhe pushkatime zyrtarisht, por vriteshin edhe në galeri, të vriste dhe ushtari në karrakollet e shërbimit pa bërë gjë. Ishte një periudhë me shumë tensionë të gjithë ishin të frikësuar, dhe mos të harrojmë se të gjitha këto ndodhnin nën prezencën e urisë, jo vetëm nën atë të terrorrit. Sapo dënohej një grup ku kishte dënime kapitale, bëhej gati grupi tjetër. Kjo zgjati deri në vrasjen e Kryeministrit Shehu. Atëhere, të detyruar nga opinioni botëror ndofta dhe për të justifikuar terrorin si të ardhur nga M. Shehu, që njihej si i ashpër, si dhe mjerimin e popullit, bënë një amnisti, me të cilën, vetëm në burgun e Spacit u liruan rreth 375 të dënuar. Kjo ishte gjë e madhe, dhe për të mos na lënë vend për iluzione të tepëruara, diktatura policore goditi edhe njëherë, por pabesisht. Me tu bërë organizimi i ri i brigadave të punës, në zonën e dytë ku shfrytezohej minerali i piritit në temperaturën 40 gradë celsius, në hyrje të galerisë 15/1, pikërisht të nesërmen e amnistisë, u derdh gjaku I një burri babaxhan, fjalëpakë e besnik nga rrethi i Tropojës, Rexhep Uk Goci. Këtë burrë ngaqë nuk e liruan, e vranë. Fadil Kokomani ishte I datëlindjes 1933 dhe i kishte prindërit durrsakë: Hysen dhe Hatixhe Fadil Kokomani Kokomani. Familja u transferua në Tiranë kur Fadili mbaroi shkollën e mesme në Durrës. Si i përkatësisë komuniste vazhdoi studimet e larta për gazetari në Leningrad. Me të mbaruar studimet në vitin 1957 fillon punë gazetar në Radio Tirana me shumë zell krijues, që më vone, me dyshimin përherë vigjilent të partisë, ra në sy për keq. Fadili ka qënë i martuar dhe kishte një fëmijë. Ka qënë anëtar partie por me dënimin e tij u përjashtua. Në vitin 1963 Fadil Kokomani me një grup shokësh që kishin studiuar në republikat popullore mendoi të arratisej, Kështu që dënimin e pati për tradhëti të lartë (25 vjet heqje lirie), akuzë së cilës iu shtua dhe ajo agjitacion e propagandës. Gjithë aktiviteti i tij në radio, për popullarizimin e kulturës botërore, emisione që pëlqeheshin shumë nga rinia, nuk i vlejti, përkundrazi iu mor si propagandë e rrezikshme…Në vitin 1978, i lodhur nga 15 vjet burg nëpër kampe, ai bashkë me Vangjel Leshon i bënë një letër udhëheqjes në Tiranë ku mbronin BS. U ri-arrestuan më 30.11.1978 dhe u ridënuan me nga 10 vjet burg. Më vonë arrestohen përsëri pa i prurë fare në kamp, duke i akuzuar se kanë krijuar një organizatë kundërrevolucionare si revizionistë (kjo ishte arsyeja ligjore – revizionizmi!- që diktatura e quante se i bënte të rrezikshëm edhe të burgosurit: të organizosh një organizatë në burg!!. Për këtë rrezik pra u dënuan me vdekje, bile nga Gjykata e Lartë. Kërkesën për falje e refuzoi Presidiumi i Kuvendit Popullor. Thuhet se Fadil Kokomani, Vangjel Lesho dhe Xhelal Koprencka janë pushkatuar të tre bashkë. Këtë e vërteton edhe shkresa e Presidiumit (sekretarit) me firmë të Telo Mezinit, i cili njofton Ministrinë e Brendshme që të kryhet ekzekutimi i të treve në një natë. Edhe pse kanë kaluar 23 vjet nga viti 1990, ende nuk dihet se ku janë të groposur. Ata mbeten sot e kësaj dite pa varr. Vangjel Lesho ka lindur në vitin 1932 në qytetin e Fierit dhe ka banuar në Tiranë. Prindrit e tij quheshin Stefan dhe Emilia Lesho. Kishte mbaruar shkollën pedagogjike në Elbasan. Dy vjet më pas e dërguan për studime në Leningrad. Aty u njoh me Fadilin. Mbas mbarimit të studimeve, edhe ky u punësua si gazetar në Radio Tirana. Ka qenë i martuar dhe ka një fëmijë. Ka qenë anëtar partie, por me rastin e arrestimit dhe dënimit në vitin 1963 me 25 vjet heqje lirie së bashku me Kokomanin, u përjashtua nga partia… Pesëmbëdhjet vjet më vonë në nëntorin e 1978- ës u ri-arrestua bashkë me Fadilin, dhe u dënuan me 10 vjet të tjera për agjitacion e propagandë të zhvilluar në kampin e Spaçit ku vuanin dënimin… Shkaku, siç u tha për Fadilin ishte letra e dërguar udhëheqjes në Tiranë, natyrisht me po atë akuzë (krijim i “organizatës kundërrevolucionare”). Kërkesa për faljen e jetës iu refuzua posi Fadilit. Pra ata janë pushkatuar të tre bashkë Xhelali, Fadili, Vangjeli, dhe janë groposur po bashkë. Them groposur, se nuk mund të thuhet “varrosur”. Dhe sot pas 25 vjetësh janë ende pa varr. Këtu do të gjeni shkurtimisht vendimin e Gjykatës së Lartë e dënimit të parë të Fadil Kokomanit e Vangjel Leshos. Në vitin 1963 dy shokët e tyre të akuzës, Thoma Rafaeli dhe Trifon Xhaxhika u dënuan me vdekje dhe u ekzekutuan. Edhe Fadilit e Vangjelit, posi shokëve të tyre para 15 vjet, sigurimi u fshehu trupat pa jetë, si duket me anën e transferimit të eshtrave në një moment të dytë, për të humbur çdo gjurmë. Megjithëse nuk kanë munguar përpjekjet për të gjetur vendin ku u krye ekzekutimi, dhe megjithse disa nga ekzekutorët janë ende gjallë, sekreti mbahet fort si për mijëra të tjerë që nuk dihen se në ç’përrua treten.

REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPERISE

Gjykata e Lartë

“Kolegji Ushtarak”

Nr.5. i Regj. Themeltar._

Nr.5 i Vendimit._

VENDIM

N´EMËR TË POPULLIT

Këshilli gjyqësor i kolegjit ushtarak të Gjykatës së Lartë, i formuar nën kryesinë e: Kolonel Faik Minarolli, Antar i Gjyk.se Larte me ndih.gjyqtar: Kolonel Koço Tollkuçi Ndih. Gjyqtar´i Gjykates se Larte N/Kolonel Foni Papa “ “ “ “T´asistuar nga K/Sekretari Kap.I-re Ramiz Çitozi, me pjesmarjen e prokurorit Major Isamedin Resnja dhe në prani të Avokatëve mbrojtjes Gaqo Progri, Dhimiter Evangjeli, Shahin Tare, Fejzo Sejdini, Vera Bogdo e Nexhmedin Shehu.-

Në seancë gjyqesorë me dyer të hapura prej datës 2 deri 6/ Dhjetor 1963, mori në shqyrtim çështjen Nr.5, që u përket të të pandehureve:

1/VANGJEL LESHO, i biri Stefanit dhe i Emilise, i datë-lindjes 1932, lindur në Fier dhe banues në Tiranë, me profesion nënpunës, me aresim të lartë, me origjine shoqërore nënpunes i mesëm, me gjëndje shoqërore nënpunës, ish A.P. , me kombësi e shtetësi Shqiptare, i martuar me 1 fëmijë, pa dekorata, i pa dënuar ndonjëhere, i arrestuar me 20.07.1963, i përfaqësuar nga Av. Shahin Tare.-

2/FADIL KOKOMANI, i biri Hysenit dhe i Hatixhes, i datë-lindjes 1933, lindur në Durrës dhe banues në Tiranë, me profesion nënpunës, me arsim të larte, me origjine shoqërore qytetar i mesëm, me gjëndje shoqërore nënpunës, ish A.P., me kombësi e shtetësi Shqiptare, pa dekorata, i pa dënuar ndonjëhere, i arrestuar me 6.8.1963, i përfaqësuar nga Av.Fejzo Sejdini.-

T´AKUZUAR:

Me akt-akuzën e Prokurorisë Përgjithshme datë

_____________1963.:

1-)Vangjel Lesho, në bazë të neneve 64, 67-10, 73 I-rë në kombinim me nenin 14 të K.P.

2-)Fadil Kokomani, në bazë të neneve 64, 67-10, 73 I-rë në kombinim me nenin 14 të K.P. dhe nenit 273 I-rë dhe të II-të të K.P.

3/Fadil Kokomani:

  1. a) Në bazë të nenit 64 të K.P. e dënon me 25 vjet heqie të lirisë, me konfiskimin e pasuris së tij, në bazë të nenit 28 të K.P. me humbjen e së drejtës elektorale për 5 vjet kohë.
  2. b) Në bazë të nenit 67-10 të K.P. e dënon me 25 vjet heqien e liris, me konfiskimin e pasuris së tij, në bazë të nenit 28 të K.P. me humbjen e së drejtës elektorale për 3 vjet kohë.
  3. c) Në bazë të nenit 73 I-rë të K.P. e dënon me 10 vjet heqien e liris, me konfiskimin e pasuris së tij.

ç) Në bazë të nenit 273 paragrafit I-rë e të II-të të K.P. e dënon me 2 vjet heqie të liris.

Përfundimisht në bazë të nenit 48 të K.P., duke bërë bashkimin e krimeve e dënon me 25 heqien e liris, me konfiskimin e pasuris të pjesës së tij, në bazë të nenit 28 të K.P. me humbjen e së drejtës elektorale për 5 vjet kohë.-

4/Vangjel Lesho:

  1. a) Në bazë të nenit 64 të K.P. e dënon me 25 vjet heqien të liris, me konfiskimin e pasuris së tij, në bazë të nenit 28 të K.P. me heqien e së drejtës elektorale për 5 vjet kohë.
  2. b) Në bazë të nenit 67-10 e 14 të K.P. e dënon me 25 vjet heqien e liris, me konfiskimin e pasuris së tij, në bazë të nenit 28 të K.P. me humbjen e së drejtes elektorale për 3 vjet kohë. c) Në bazë të nenit 73 I-rë të K.P. e dënon me 10 vjet heqien e liris, me konfiskimin e pasuris së tij.

Përfundimisht në bazë të nenit 48 të K.P., duke bërë bashkimin e krimeve e dënon me 25 heqie të liris, me konfiskimin e pasuris të pjesës së tij, në bazë të nenit 28 të K.P. me humbjen e së drejtës elektorale për 5 vjet kohë.-

Ky vendim është i formës së prerë.-

U shpall në Tiranë, me 6/XII/1963.-

Ndih.Gjyqtar Ndih.Gjyqtar Kryesues

( Foni Papa ) ( Koço Tollkuçi ) ( Faik Minarolli )

V.O. Me shkresën Nr.331 dt.18.XII.1963 T.Sekret të Presidiumit të Kuvendit Popullor, ju refuzohet falja e jetës Thoma K.Rafaelit dhe Trifon L.Xhagjikës.-

K/Sekretari Kolegjit Ushtarak (Ramiz Çitozi)

(firma)

* * *

ATA NUK U KTHYEN MË

Mbas arrestimit brënda ferrit të Spaçit të Fadil Kokomanit e Vangjel Leshos, të cilët i bënë një letër udheheqjes në Tiranë dhe konkretisht sektretarit të K.Q të Hysni Kapos, u përhap lajmi se ata ishin dënuar me nga 10 vjet burg shtesë (veç atij dënimi që po vuanin) për agjitacion e propagandë, pra në masën maksimale që e përmbante ligji (neni 73 /

1). Ne i pritnim të vinin në kamp tre të dënuarit rishtaz Xhelal Koprencka, Fadil Kokomani dhe Vangjel Lezho. Por në kamp erdhi një lajm tjetër. Ata ishin arrestuar përsëri (!). Fadilin dhe Vangjelin I akuzuan për krijimin e një organizate “kundër revolucionare” ndërsa Xhelalin për krijimin e një organizate “nacionaliste”. Mbas shumë përpjekjesh dhe kërkimesh, kam siguruar pjesë nga letra dhe mbrojtja në gjyq e Fadilit dhe Vangjelit. Duket sheshit në këto deklarata të tyre se sa buzëplasur i kishte katandisur burgu shnjerzor komunist. Ato nuk ishin mbrojtje, por ‘vetëvrasje’, sepse dëshira për të shfryrë mbi sistemin para pedinave që kishin përpara si gjoja gjyqtarë, ia kaloi dëshirës për të jetuar. Por gjithashtu habitesh se si vitet e tyre të gëzuara si studentë në Leningradin që posa kishte nisur revizionizmin, i bën ta ngrejnë lart sistemin komunist, pa e gjykuar më thellë punën, se s‘kishin si ta parashikonin se ajo kthesë e Hrushovit, e çoi Kampin e madh socialist përsëri në falimentim siç ndodh me cilindo sistem që bazohet mbi dhunën.

 

Leter Hysni Kapo

Sekretar i KQ të PPSH

(Për Komitetin Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë)

Një shtet ku në rendin e ditës janë parullat patriotike (“për flamurin” “për atdheun” “për trojet e shenjta” etj., etj), ai as nuk ka vdekur, dhe as nuk është vrarë, por është kalbëzuar. Në vijim të këtij gjykimi, në një shtet ku jeta e përgjithshme dhe e veçantë i nënshtrohet “mendimit” dhe rrugës politike të një suite të përjetshme dhe kur ky “mendim” permanent dhe politik – bëhet qëllim jete për popullin, pa dyshim që ky shtet është pushtuar (si në formacionin shoqëror, ashtu edhe në atë familjar) nga një humnerë amoraliteti. Këtë e ka vërtetuar historia e “kolltukëve” obskurantistë të shumë mbretërive e sundimtarëve të së kaluarës dhe të kohës që jetojmë, pavarësisht se këta “udhëheqës” e të “zgjedhur” të popullit janë munduar të notojnë me të gjitha metodat e demokracisë, lirisë e barazisë. Në epokën tonë, në shekullin e kozmosit të komunizmit, natyra më e thellë, më serioze ose më e cekët dhe më pak serioze e një shteti a shoqërie që pretendon se ndërton socializmin, varet nga raporti dhe qëndrimi që ai shtet( në rastin tonë udhëheqje) mban ndaj kozmosit të komunizmit, ndaj Bashkimit Sovjetik, ndaj Tetorit të madh. Tetori i Madh, Bashkimi Sovjetik, Partia Komuniste Bolshevike e BS-së, janë tri nocione që mbeten ndër shekuj gur themeltar i kozmosit komunist. Po mbushen 18 vjet që udhëheqja shqiptare, duke e çuar vazhdimisht popullin, gjithmonë kurrizpërkulur në greminën më të turpshme që ka parë historia, sulmon pa pushuar, si kukuvajka në errësirë vendin dhe popullin e madh të Tetorit me shigjetat më të pështira e të helmuara! Përse vallë? Sepse ajo vuan nga kolltukomania shekullore “alla mbret”, “alla Ali Pashë” e kompani. Nuk thonë më kot: në qoftë se aksiomat gjeometrike prekin interesat dhe parimet e personave të posaçëm, këta nuk lënë shtyllë pa ngjitur e kullë pa ndërtuar me qëllim që t’i eliminojnë këto aksioma. Kur dialektika jonë socialiste kërkonte që Sekretari i Parë të hiqej mënjëanë si figure që e kishte kryer misionin në parti, ai dhe kompania e tij, duket kujtuan gjakun stërgjyshor të sulltanëve e të mbeturve të Francës dhe kërkuan ndihmën e Vatikanit të Perëndimit plak dhe më në fund, e më në bisht dhe të djallit vet, vetëm e vetëm që ata të mbeteshin në fuqi. Ama komunistë! Vallë a ka gjë të përbashkët këtu me figurën e komunistit?! Vetëkuptohet, këtu zien kolltukomania “alla monark” dhe Sekretar i Parë i përjetshëm i Partisë së Punës, që zgjidhet kongres pas kongresi pa asnjë diskutim (Ka rrezik të zgjidhet edhe pas vdekjes si sekretar nderi)-u prek në egon dhe sedrën e tij stërgjyshore si bej, çifligar a fajdexhi dhe lëshoi tirandën e shëmtuar politike kundër Bashkimit Sovjetik, tirandën më monsturioze që ka parë njerëzimi qysh nga Tetori i Madh i 17-s, megjithëse sa e sa herë kishte fjetur dhe ishte prehur në gjirin e mrekullueshëm të natyrës ruse. Madje, si armiqtë e komunizmit, Perëndimi kapitalist nuk ka përdorur shprehje kaq barbare. Duket se Sekretarin e Parë e preku në thembrën e Akilit udhëheqësi i madh i popullit dhe i Partisë Bolshevike, leninisti I shkëlqyer, Nikida Hrushov dhe atij “iu dhimbs” populli dhe tha: “Jo, populli shqiptar do të hajë edhe barë, por nuk do të përkulet kurrë!” Dhe ja sot, populli shqiptar duke punuar me tri turne merr aq sa të ketë bukë për tri-katër ditë (vallë a bëhet fjalë për bukë në shekullin e XX-të?!), kurse udhëheqja shqiptare dërgon korrierë të posaçëm në dhera të huaja për të blerë një dorezë a bravë dere për këtë apo atë dhomë gjumi a prehje, që t’i shkoje ngjyres, shijes dhe impulsit vetjak e kapricoz te mbretereshes, kusherires se saj e gjithe kompanise qe mbajne disa tesera te kuqe e qe vetequhen anetare partie, Anetaret te KQ-se ose anetare te byrose politike. Me nje fjale: Oborrin e monarkut te madh te nje populli te nenshtruar e te vogel, ju e keni mbiquajtur KQ, Parti Pune e te tjera fetishe te tilla qe i perngjajne aq shume atyre organizmave socialiste e socialdemokrate te Europes qe Marksi e Lenini i godisnin si vegla te kapitalit. Ne, si komunistë e publicistë, të brumosur me idetë e Tetorit të Madh, të Leninit e të Partisë Bolshevike qysh në vegjëli, duke vuajtur nëpër burgjet e kampet tuaja, të cilat ia kanë kaluar përsosmërisë barbare të burgjeve e kampeve fashiste e naziste, pavarësisht se struktura njerëzore e KQ-së ka ndryshuar rrënjësisht, ligji mbetet po ai i Sekretarit të Parë, do ta titullonim këtë letër drejtuar Juve e nëpërmjet jush, KQ të PPSH-së, duke e shtuar në formën e dy pyetjeve të mëdha dhe kyçe: “Que Vadis?” dhe “Kush është demingu i kozmosit të komunizmit?”. Zbërthimi i këtyre dy pyetjeve (që do të formulonin faktikisht edhe titullin fillestar e konkludiv të kësaj letre) nën dritën e metodës së materializmit dialektik dhe historik… Mjaftonte vetëm të dilej në këtë tribunë dhe të thuhej se, BS-ja I imponon mendimet dhe veprimet e veta, gjoja skllavëruese, për të kuptuar sesa antishkencore janë konkluzionet e “udhëheqjes” së PPSH-së dhe sa të drejta janë studimet dhe parashikimet aktuale, thellësisht leniniste të filozofëve dhe ideologëve të të gjitha partive komuniste të globit. E pse, ç’u bë Bashkimi Sovjetik, që kaq lehtë e me një “deus ex machina” tradhtoi në revizionizëm? Mos ishte vallë ky shtet i fuqishëm, në kohë e në histori si komuna jetëshkurtër e Parisit që u mbyt nga tradhtia e nga grindjet e brendshme dhe nga vërshimi prusian? Juve e dini mirë se shteti i sovjetëve lindi dhe u konsolidua (qysh nga të shtunat komuniste e deri te gjigantët pesëvjeçarë në luftë kolosale me presionet e kapitalit shumëshekullor botëror dhe doli fitimtar në luftën për pavarësi dhe socializëm të vërtetë e avangardeskë. Sot populli sovjetik gëzon frytet e para të komunizmit modern dhe shkencor. Kurse populli i vogël shqiptar, po gëzon frytet e para dhe të fundit të mjerimit e të varfërisë si rezultat i zhgënjimit dhe ç’betimit të bërë nga “udhëheqja” e tij e zgjedhur, gjoja me vota të lira e demokratike period pas periode. Ky popull po vuan për ditë që të shohë pakëz nga premtimi i bërë solemnisht nga PPSH-ja, që pretendon se ka unitet me masat, por ai (populli), nuk ka parë veçse tradhti, keqbërje, degjenerim, vrasje të kuadrove të dalë nga zjarri i luftës antifashiste, kurban të përhershëm për altarin e një farë Perëndie, i cili pas Leninit, qenka “Gjeniali i epokës”.

Ky virtuoz veteran e zhongler i sprovuar, i cili gjatë luftës mbante këshilltarë anglezë, gjatë 35 viteve (si në kohën e jugosllavëve, të sovjetikëve e të kinezëve), nuk ka bërë tjetër veçse e ka zhvatur në mirëbesim këtë fuqi socialiste dhe ka sajuar mbi gjakun e dëshmorëve situata tragjike, gjoja të Atdheut e të flamurit në rrezik dhe, si shpërblim dhe vërtetim juridik, i ka hedhur opinionit vendas e ndërkombëtar tradhtinë e një sërë anëtarësh të thjeshtë partie, të KQ e të Byrosë Politike, ish-partizanë e komunistë të devotshëm. Çfarë cirk i mrekullueshëm! Me sa lehtësi sekretari i parë i ka hedhur këta shokë përtej, në kafazin e tigrave të kopshtit zoologjik fashist botëror! Na u kujtua një moment i lashtësisë: në një nga ishujt e Greqisë së vjetër kultivohej perëndia e diellit, e quajtur Moloh. Populli ishullar ishte i detyruar t’i bënte herë pas here kësaj perëndie, kurban në njerëz, ndryshe ai (populli) nuk do të shihte diell. Po kështu, ky popull i këtij vendi që quhet Shqipëri apo Republikë Socialiste, është i detyruar të bëjë kurban e theror mbas therorësh pambarimisht, sepse kështu e dashka kauza e “socializmit”, e pse të mos e saktësojmë, sepse kështu e do kulti i Sekretarit të Parë me kompani, i cili me “guximin” që mori, duke i shpallur luftë vendit të parë komunist, nuk bëri tjetër, veçse çoi në vend amanetin e Mustafa Krujës, “për rrezikun sllav dhe luftën kundër tij”, si dhe amanetin e gjithë obskurantistëve dhe shovinistëmëdhenjve shqiptarë kundër sllavëve, si në të kaluarën, ashtu edhe në të sotmen. Ama marksistë! …Çfarë i shtyn këta doktrinarë dhe eklektikë të mos bëjnë dallimin e kohës së para revolucionit socialist me atë të kohës së komunizmit shkencor sovjetik dhe të jetës së gjithë familjes së vendeve socialiste?! Për aparencë të fakteve, sulmi u krye vetëm se na u prek kolltuku! “L’etat, c’est moi” ”Shteti jam unë dhe pikë”! Kështu thotë Sekretari i Parë, i cili mbi kurbanet e vetë, mbi kockat e tyre, kërkon të ngrejë një kështjellë të pamposhtur dhe veten ta japë si demurg i kësaj kështjelle, që i përngjan aq shumë asaj kalasë dhe jetës së Ali Pashës, i cili qe i detyruar të vdes si qen, i rrethuar vetëm nga 20 veta besnikë. Nga na doli ky feniks-demagog, që fryhet e dikton ligjin e parë e të fundit komunistë në të gjithë globin?! A nuk të kujton historia e kombit shqiptar, që qysh nga mbarimi i Luftës së Dytë Botërore nuk po gjen fytyrën e vet njerëzore të erës së komunizmit, por nën këtë maskë, ka formuluar në vetvete një katrahurë të përbindshme vëllavrasjesh e varfërie të përhershme(të kamufluar me ca fabrika, uzina, hidrocentrale, traktorë dhe këto të ndërtuara me djersën e popullit të mbetur gjithmonë në strehën e varfërisë dhe të investimeve të BS-së dhe të vendeve të tjera socialiste. A nuk të kujton ky nocion atë panoramën tragjik-komike trepjesëshe të Dantes, ku varkëtari i palodhur ka dalë prej kohësh të presë “udhëheqjen” që ta përcjellë për në ferr?! Ose më tej! A nuk ju kujton panorama e sotme shqiptare atë tragjedi të Greqisë së lashtë (këtu e tre mijë vjet më parë), kur Atreu për të sunduar, theri bijtë e vëllaut dhe i serviri këtij të fundit mishin e pjekur në sofër? Programet subjektiviste (qofshin këto ekonomike apo kulturore) të “udhëheqjes” së konservuar e konservatore, nuk i kanë sjellë tjetër këtij nacionaliteti veçse thellimin filistizimit të degradimit shoqëror, të shthurjes familjare (kësaj bërthame engelsiane të shoqërisë në përgjithësi dhe asaj socialiste në veçanti, duke e mbajtur rininë me gënjeshtrën e madhështisë së fituar qysh në Luftën Nacional-çlirimtare, kurse popullit, duke i imponuar gatishmërinë patriotike dhe duke i servirur në vend të mirëqenies, parullat patriotike dhe kohë më kohë, programet stereotipe me premtime pompoze për të ardhmen… Dhe turpi i këtyre premtimeve e kulminacioneve pseudosocialiste, del në pah me Kushtetutën e Re, të hartuar nga pozitat individualiste dhe të kolltukomanisë, si dhe të delirit të madhështisë. Ky document me një përmbajtje e formë rrënjësisht fiktive, do të ishte lehtë të zëvendësohej jo me 51 anëtarët e komisionit hartues me Enver Hoxhën në krye, por me nënshkrimin e zotërinjve “socialistë-revizionistë” në përgjithësi. Dhe ja sepse: Kjo kushtetutë nuk shpreh në thelb raportin real të forcave në Shqipërinë socialiste, por dëshirat, vullnetin “perspektiv” dhe hileqar të grushtit “social-revolucionar” në fuqi, që shpreh alternativat plot dhunë e kapriciozitet kriminal të makinës shtetërore (KP, Ministrisë së Brendshme, Ushtrinë, gjykatat, këshillat popullore e levave të tjera të shtypjes flagrante!). Ta quash këtë kushtetutë më përparimtare e më demokratike në botë, siç trumbetoi me bujë Enver Hoxha në Kongresin e Shtatë të partisë, pastaj të gjithë isoxhinjtë toreadorë, që nga instancat e “Olimpit” të Tiranës e deri te lakenjtë mikroborgjezë të organizmave në fabrika e në brigadat kooperativiste, do të thotë që ky popull e kjo republikë të jenë në apogjeun e lirisë së njerëzimit, të barazisë e të lulëzimit shkencor, kultural dhe ekonomik modern, don të thotë më tej që, ne, dy milionëshi i RPSSH, të kemi lënë mbrapa shumë nga pararendësit e sistemit komunist. Sa qesharake!

Me këtë kushtetutë mund të mburren ata që e sajuan, por jo populli që “e aprovoi” nën “projektorët” e dhunës shtetërore. Dhe kij mirësinë të mos e aprovosh po deshe! Shteti jam unë, monarku jam unë, do të kisha qejf të isha dhe Perandor, por! Enver Hoxha nën dritën e një gjykimi pozitiv do t’u përngjiste socialistëve utopisë, por meqenëse merr vesh si nga ekonomia, ideologjia, kultura, tregtia, politika, organizmat shoqërore, nga çështjet e grave etj., etj do të formulonte në vetvete vetëm një utopist të veshur me petkun e monarkut. Ama, që komandon ai me Kushtetutën e Re, grabitet për ditë po nga elita e tij dhe kjo grabitje sistematike në fushën ekonomike, shoqërore, familjare mendore e shpirtërore, zor se do t’i japë mundësi kësaj ane të utopistit “Ouven-Enver”, të dalë në brigjet e “Amerikës socialiste” për të ndërtuar atë shoqëri ideale, për të cilën Sekretari I Parë ka plotë 35 vjet që shurdhon veshët e popullit shqiptar. Jemi marksistë-leninistë!. Thërrasin me apoteozë diplomatët e politikanët shqiptarë. Historia, praktika, faktet, dialektika e tyre, e sigurt që na kanë vërtetuar të kundërtën. Jemi revolucionarë që nga maja e flokëve të kokës e deri te thonjtë e këmbëve! Thërrasin njëzëri teoratorët e “Olimpit” dhe të gjithë lakenjtë në bazë. Mos vallë këto dhe parulla të tjera si këto e zgjidhin problemin dhe i japin fytyrën qoftë makar, edhe kushtetutës? Mos vallë kur ekzistoka një kushtetutë e tillë si kjo e tipit të 51-komisionerëve, ka më shumë liri dhe populli jeton më mirë sesa në të kaluarën? Këtë kushtetutë e ka mbërthyer fiktiviteti. Sanksionimi me ligj i vetizolimit e vërteton më së miri këtë fiktivitet, si dhe musëndrën e mykur dhe thjesht subjektiviste të saj. Me fjalimin në mbledhjen e 81 parive në Moskë, Enver Hoxha deshi të bindte përfaqësuesit leninistë nga tërë anët e globit se Hrushovi ka tradhtuar dhe atentatin e tij u mundua ta bënte në fushën e tregtisë së drithit, të zënkave, të hatërmbetjeve etj., etj. Ama fjalim! Ama ndërthurje filozofike, ideologjike dhe më në fund politike e çështjes! Ky ishte një prezantim aspak komunist, por thjesht komercial dhe absolutisht me dërrasa subjektiviste!

…Procedurë penale të cilitdo që do të merrej me fenë!!! Të bukurin zbulimin teorik që na bëri “Olimpi” i Tiranës, i cili të gjitha tragjeditë sofokliane dhe eskiliane të lashtësisë, i ktheu në komedi alla “Epopeja e Ballit”! Tregtari Enver Hoxha dhe Komisioni i 51-të, u shpall kampion i shitjes së fesë (me një të rënë gordiane) për shekullin e XX-të dhe për blerjen dhe dyndjen e eshtrave të të vdekurve nga jashtë shtetit, duke i përzier ata në “truallin amtar”, pa dallim feje, krahinë dhe ideje se “feja e shqiptarit është shqiptaria!” Mirëpo, “olimpikët” e Tiranës harrojnë gjithmonë të mësojnë mire Maksin, Engelsin, Leninin, Dimitrovin dhe këtë radhë e lanë në harresë konkludën filozofike të Engelsit, në veprën e tij “AntiDyring” (viti 1877), ku thotë se t’i shpallësh një luftë me ligj fesë, do të thotë “të tregohesh më Bismark se vetë Bismarku” Duke luftuar kësisoj fenë, juve, autorët e Kushtetutës së Re, i bëtë një shërbim të shkëlqyer Vatikanit, Patriarkanës, myslimanizmit e sekteve të tjera fetare dhe nga ana tjetër, krijuat një fe të re të perëndive të Tiranës, krijuat Zotin e ri në personin e Enver Hoxhës, të cilin e kanë tmerr dhe frikë të gjithë, pasi ai është bërë Zot i familjes, i ndarjeve dhe martesave, i aksioneve dhe i zboreve sfilitëse, i kafshatës së bukës dhe – çka është më tronditësja – ai është kapitalisti dhe punëdhënësi primar dhe permanent i kësaj toke shqiptare. Duke krijuar kultin e individit, juve ia kaluat edhe vetë kultit stalinian, sepse i hoqët njeriut shqiptar edhe pronësinë më minimale të jetesës së thjeshtë individuale dhe e lidhët atë me një rrogë mikroskopike, të nxjerrë nga kapitali i madh i prodhuar nga ky popull prej dy milionësh, duke u robëruar natë e ditë. Varësia ndaj kësaj page të ulët, me të cilën njeriu nuk ushqen dot një kotec të vogël me pula, e jo më një familje, si dhe frika ndaj kapitalit, – krijoi kultin e perëndisë në figurën e Enver Hoxhës. Kështu, zotë të rinj të popullit të shumëvuajtur! Duke e luftuar ligjërisht fenë, juve në fakt, i ngritët autoritetin asaj (fesë) në botë dhe i ngritët këtij populli një tjetër fe, një zot tjetër (!) Me fjalë të tjera: Zoti nuk ekziston më për ju, por ekzistoj unë, Enver Hoxha! Prandaj, besomëni mua, jeni të bindur, vraponi në arë, në fshat, në aksion (natën, ditën – kur t’ju thërras unë), dynduni si një trup i vetëm nëpër zbore, që të mësoni taktikën dhe strategjinë ushtarake, ecni në fabrikë e në uzinë me orë të zgjatura e me rrogë të ulët, ndryshe ju pret shkatërrimi familjar, shpata e dhunës, burgosja, internimi dhe të tjera hove e situata ngushtuese, skllavëruese…! Ju predikoni se e zhdukët skllavërinë njëherë e përgjithmonë, por krijuat një skllavëri më të tmerrshme të një shfrytëzimi “modern” e të moderuar që ekziston me fije të stërholluara prangash të padukshme. Juve, zhdukët brezin e vjetër e mesatar të popullit, kurse me brezin më të ri, duke e ushqyer nëpërmjet shtypit dhe propagandës më të fëlliqur, deri në organizmat bezdiplotë të fronteve, organizatës së gruas etj; me urrejtjen për BS-në, gjoja socialist-imperialistë, i shpifët atij një dashuri të pakufishme për botën e kapitalit Perëndimor te të cilët juve u shitët qysh në kohën e “Nemçes” për 30 aspra. Juve ngulitët te brezi i ri i kohës urrejtjen për BS-në dhe dashurinë për Kinën, por, kur edhe kjo e fundit ju piu lëngun ose anasjelltas, juve ja pitë asaj lëngun e orizit, atëherë edhe ky brez u zhgënjye!

Kulti i individit të Enver Hoxhës është bërë realitet dhe si tillë është antimarksist, antileninist, prandaj do të ishte më se e natyrshme që ekuacionin Parti + Popull = Unitet, ta shkruanim Parti + Enver = Artific; Artific = Popull.

Populli ka dy të dhëna:

-I varfër ekonomikisht dhe shpirtërisht i vrarë.

-I detyruar të brohorasë e të punoje me orë të pallogaritshme.

Atëherë keni një popull me dy pamje, njëra pamje tregon raportin midis buzëqeshjes (lexo: ngërdheshjes) së shtirur dhe punës shtetërore e vullnetare (duke përfshirë këtu gjithfarë mbledhjesh me pallavra) dhe pamja tjetër kallëzon brohoritjet gjatë mitingjeve (lexo: në ta mbajti, mos brohorit po deshe!) edhe fytyrat e qeshura e me buqeta lulesh nëpër parakalime e takime me perëndinë vet, të cilat duhet t’i kuptojmë pa hezitime të të kundërtave (plusit dhe minusit) si qeshje qesharake dhe brohoritje agonie shpirtrash të sfilitur.

Si rezultat:

Antific + Antific = 2 Artific! Njëra nga këto Artifice ia ka me të pabesë tjetrit, kurse Artifici i dytë (Artifici popull) e quan si përulje e detyrë ndaj Zotit të ri të “Olimpit” të Tiranës, një kulminacion të tillë shoqëror!!!!.

Në Shqipërinë socialiste fëmijës, qysh kur del nga barku i nënës, i japin pushkën dhe këtë e bëjnë vetëm me të njëjtin qëllim “humanitar” që ai, (fëmija) kur të rritet, të vrasë veten!

Lind pyetja:

Cili është avokati i këtij populli?

Juve pa dyshim do të përgjigjeshit – “partia e tij mëmë”. Kurse ne do të thoshim se avokati i tij përsëri është e do të jetë Moska bolshevike.

Një tjetër pyetje:

Cili është avokati i individit? Juve prapë: “partia e tij mëmë”, kurse ne do të mendoheshim pakëz, sepse juve keni suprimuar edhe Ministrinë e Drejtësisë dhe kështu burgjet qysh atëherë, po mbushen çuditërisht me “hove revolucionare e dëshirash impulsive”, kontigjente të reja njerëzish të dënuar me dëshmitarë të rremë, me gjyq e pa gjyq. Si ndodhi kjo?

Argumentimi është fare i thjeshtë? Juve shani Atin, Birin dhe Shpirtin e Shenjtë të kësaj bote, me qëllim që t’u shërbeni më mire këtyre. Juve çirreni në efir nëpër botë, duke harxhuar pa kursyer djersën e këtij populli për propagandë nëpërmjet M-L–ve e kallëpeve të tjera të nëndheshme, me qëllim që të ruani “status-quonë” tuaj. Juve bërtisni për revolucion botëror dhe jeni të etur për gjak, sepse rrugët e tjera nuk ju japin qetësi shpirtërore apo “morale”. Juve luftoni kundër gjithë botës (nën maskën e Marksit – Engelsit – Leninit), duke xurxullitur si gjinkalla në zheg të vapës e të luksit! Patjetër, një ditë do të bëni bam! Kjo është dialektike! Këtë do t’jua imponojë ekonomia që ka marrë të tëtposhtën (kthimi në fshat në kohën e “socializmit” te avancuar, a nuk është regres?); industria dhe mungesa e rëndësishme e investimeve, prezenca e borxheve si rezultat i shpenzimeve kolosale si individ, si oborr “olimpik”, si makinë shtetërore (Ministria e Punëve të Brendshme, Ushtria, gjykatësit, armata e spiunëve – për spiunë, ky shtet i vogël buzë Adriatikut e Jonit, ia ka kaluar Perandorisë së dikurshme Austro-hungareze për të cilën Shvejku thoshte: “Këtë Perandori e mbajnë spiunët, zhduki ata – Perandoria rrezohet”, – dhe natyrisht të ardhurat vijnë duke u pakësuar. Për t’i shpëtuar borxhit konkret në të holla dhe borxhit karshi popullit, juve, duhet të kufizoni shpenzimet, të thjeshtoni organizmat qeveritare, të mos ndërhyni kaq banalisht deri në jetën familjare, civile etj., etj. Por, juve këtë nuk e bëni dot. Kursi juaj është atrofizuar!… Ndaj, ne si komunistë e publicistë jua përsërisim edhe njëherë idenë tonë vepruese të parashtruar në traktin e hedhur në mes të Tiranës (në vitin 1962) se… “Moska ka të drejtë! Hoxha e Shehu me kompani po e çojnë Shqipërinë në qorrsokak!” Ku shkoni juve, kjo është punë për ju! Komunizmi botëror nuk do t’ju falë kurrë! Populli që brohoret me ngërdheshje sot, do tua rrëzojë gjithçka në humnerën e Plutonit; monumentet kushtuar Perëndisë do t’ju bëjë copë e çikë!!!!. Enver Hoxha gjithmonë po ecën në shkallën e madhe të dilemës alla Cezar, ai mban mbi supe borxhe të mëdha materiale e shpirtërore, si edhe premtime boshe që nuk po realizohen as me 1 për qind dhe ai ka plotësisht të drejtë të thërrasë deri në fund të ditëve të tij “triumfale”, “Aut Caesar, aut clichy!” ose “Aut Caesar aut nihel!”.

Për fat, tani së fundmi, kemi filluar të merremi me pelegrinazhe me rast dyndjesh eshtrash stërgjyshore dhe atë që e bënte tregtari Çiçikov në shek XIX-të, duke u endur nëpër Rusi, po e përsërit një tregtar I quajtur Sekretar i Parë i KQ-së të PPSH-së, duke sajuar skena prekëse e përshpirtje fantastike të eshtrave të të parëve patriotë në altarin e Republikës Socialiste. Edhe këtu dora dhe taktika jezuite e këtij Çiçikovi makabër sjell famë, lavdi dhe natyrisht dhurata. Klasës punëtore e fshatarësisë sonë i rri mbi kokë shpata e Damakraut dhe nuk është e vështirë që olimpikët e Tiranës ta përkthejnë këtë skenë kështu: Klasa punëtore e Shqipërisë është shpata e gjithë popullit, kurse Partia e Punës është maja e kësaj shpate.!! Po ç’ndodh në ekonomi? Deficiti shtetëror rritet, të ardhurat shtetërore pakësohen, për shkak të amullisë së prodhimit të pakësimit të konsumit dhe të importit. Rrugët ekonomike u vështirësuan me humbjen e “Botës së Tretë” Ç’të bëjmë? Kursime, angazhime të reja, prodhime në 95 përqind të veglave të ndërtimit në vend (me forcat tona), të punohet me mungesa dhe pa pretendime në jetë, sepse jemi në rrethim(!) Eh, ky rrethimi!?! (Mefistoteli mund të sajonte kësi virtuozitete shoqërore, shtetërore, por në asnjë mënyrë, komunistët!) Atentatit të madh kundër popullit të organizuar hap pas hapi nga perënditë e “Olimpit” të Tiranës, po i vjen fundi. Çorganizimi “socialist” i organizuar me makiavelizëm po perëndon! Rroftë liria e popullit shqiptar!

Rroftë Bashkimi Sovjetik, demoni i Kozmosit të Komunizmit!

Juve, zotërinj të Tiranës, shkoni ku të doni. Ne dikur besonim në fjalët tuaja për socializmin, por qysh kur sulmuat Partinë Bolshevike dhe e thelluat këtë sulm me mënyrat që parashtruam më lart, ne, na vjen turp që besuam në udhëheqës si ju, na vjen zor t’ju përmendim qoftë dhe në mendimet tona të thjeshta e shoqërore!!! Por, një gjë veç të tjerave nuk ua falim kurrë, rininë tonë që na e kalbët nëpër burgje. Për këtë do t’ju gjykojë gjyqi i lartë i komunizmit botëror i Moskës bolshevike, Leninit – përjetë i gjallë midis të gjallëve (të të gjithë globit), të cilët çajnë të sigurt përpara, drejt botës totale komuniste. Juve, na keni dënuar me temë penale si revizionistë dhe këtë e quani dënim të një drejtësie socialiste. Por, detyra jonë na thotë Vladimir Iliç Lenini, është që t’ua sqarojmë se ne jemi komunistë deri në vdekje, besoni juve në këtë apo jo, neve nuk na shqetëson aspak!

Vetëm një gjë është e qartë si drita: brezi i sotëm duhet të largohet nga skena për t’ia lënë vendin njerëzve që do të jenë të pjekur për një botë të re. Rroftë Populli! Rroftë Liria!

Fadil Kokomani

Vangjel Lesho

Spaç, më 9 korrik 1978.

 

Libri: Plumba ne ferr
Autori: Bedri Blloshmi
Botues: Mirgeeralb

Please follow and like us: